Amnisti prej vërteti?

Nga Fatos Loloçi, gazeta Panorama, 3 mars 2020

Deri tani kemi tri falje të pjesshme dhe një të përgjithshme të detyrimeve tatimore dhe doganore.E para ishte në vitin 2008, me Ligjin nr. 9986, datë 11.09.2008, “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve e të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore”. Detyrimet e prapambetura mund të fshiheshin edhe pa ligj nga administratat tatimore dhe doganore, por qeveria e atëhershme donte të fitonte pikë zgjedhore për vitin 2009 dhe e shiti si amnisti.

E dyta erdhi dy vite më vonë, në vitin 2010, me një nismë të kthyer në Ligjin nr. 10228, datë 04.02.2010, i cili ndryshoi Ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ky ligj mundësonte shtimin e kapitaleve të shoqërive tregtare, nëpërmjet të ardhurave të padeklaruara më parë nga individët. U bë deti kos për kompanitë e mëdha të lidhura me qeverinë, për të legalizuar çdo aset të tyre të vënë me para me origjinë të pavërtetuar. Amnistia e parë e përgjithshme erdhi në prill 2011, në kulmin e krizës ekonomike dhe financiare botërore, të shpërthyer në shtator 2008, pasojat e së cilës po ndiheshin fort edhe në Shqipëri. Qeveria shpresonte, përmes Ligjit nr. 10418, datë 21.04.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, që të fuste në ekonomi 3-4 miliardë euro para dhe kapital. Dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit flisnin për 7-8 miliardë euro para të lira për t’u përdorur brenda vendit dhe në diasporë e emigracion. Mirëpo, ligji nuk gjeti përkrahjen e opozitës dhe prej këtej mungoi edhe besimi i mijëra sipërmarrësve të interesuar për t’iu legalizuar paratë ose asetet e fshehura.

Duhej amenduar Kodi i Procedurave Penale, për të larguar hijen e dënimit të sipërmarrësit deri në 3 vjet burg, në rastin e mosdeklarimit të të ardhurave. Biznesi u ndie i pasigurt. Klima e acaruar politike e vitit 2011 nuk i sillte asnjë garanci. Kështu që kjo amnisti e parë e përgjithshme fiskale dështoi. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në mes të vitit 2012, një vit pas nisjes së amnistisë, shuma e kapitaleve të legalizuara ishte vetëm 30 milionë euro. Ose një e njëqindta e shpresës minimale të qeverisë për të tërhequr 3 miliardë euro. Një pjesë e këtyre 30 milionë eurove u transferua menjëherë jashtë Shqipërisë, në kundërshtim me synimet e kësaj nisme të qeverisë. Falja e përgjithshme fiskale funksionon kur bëhet vetëm një herë në histori dhe pas saj nuk ka më kthim mbrapa. Prandaj edhe sanksionet ligjore për fshehje të parave ose kapitalit, pas amnistisë së përgjithshme, duhet të jenë tejet të ashpra. Kjo nuk ndodhi në vitin 2011. U katandis kokoshi një thelë. Ne kemi pasur deri tani tri amnisti të pjesshme.

E fundit ishte në vitin 2017, me paketën e re fiskale, me Ligjin Nr. 33/2017, datë 30.03.2017, sipas të cilit të gjithë tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv, pasiv ose të çregjistruar, që kanë detyrime tatimore të papaguara ndaj Administratës Tatimore qendrore e vendore, mund të përfitojnë nga fshirja/falja, sipas kushteve të përcaktuara në ligj. Kjo falje rrezikoi abuzimin me detyrimet ndaj Shtetit për shumë sipërmarrje. Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke raportuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për buxhetin faktik të vitit 2017, cilësoi se tek amnistia e kapitaleve, vetëm ARMO-s i ishin falur mbi 10.7 miliardë lekë, ose 88 milionë euro. Ndërkohë, kjo vlerë borxhi, sipas KLSH, vijoi të mbetet jashtë regjistrave të shtetit. Institucioni më i lartë i auditimit publik kishte vërejtur se gjatë realizimit të amnistisë, ishin fshirë nga regjistrat e borxhit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, detyrimet e akcizës për 49 tatim pagues me vlerë 12.3 miliardë lekë, ose rreth 100 milionë euro. Duke përfshirë këtu detyrimet parësore, gjobat dhe kamatëvonesat. KLSH cilësoi se problematika e trajtimit të informacionit për faljet e kryera mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka çuar në çregjistrimin e këtij borxhi kolosal nga regjistrat dhe sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pa u realizuar procesi i transferimit të tij te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo ka sjellë që kjo vlerë borxhi të mbetet jashtë regjistrave të shtetit, duke rrezikuar kështu interesat e ligjshme të tij. Që amnistia e shpallur pardje nga Kryeministri i vendit të jetë prej vërteti dhe të mos dështojë me sukses si katër amnistitë e pjesshme dhe një e përgjithshme deri tani, qeveria duhet të përgatitet shumë seriozisht. Duhet të punojë të bindë opozitën brenda Parlamentit, që të arrijë të 84 votat për ndryshimin e Kodit të Procedurave Penale. Pa ndryshuar Kodin Penal, asnjë ligj me shumicë të thjeshtë nuk bind biznesin ose edhe qytetarin të marrë pjesë masivisht në amnisti, aq edhe me pak emigrantët me paratë dhe kapitalet e fituara me djersën e ballit në emigracion, por që realisht e kanë të vështirë t’ua ligjërojnë burimet e përftimit nga puna në të zezë apo gjysmë formale që kanë bërë, pa paguar taksat në Itali apo Greqi. Janë me qindra milionë euro, ndoshta edhe afër shumës 1 miliard, paratë e emigrantëve në xhepat e tyre, ose të futura me shumë mundime në bankat tregtare të vendeve pritëse, me një përqindje gati negative, po të marrësh parasysh inflacionin në Itali dhe Greqi. Nëse qeveria ndihmon bankat tregtare te ne të aplikojnë përqindje pak më tërheqëse për depozitat e emigrantëve, ndoshta dhe me një fond të vogël garancie mbi interesat, si dhe nëse amnistia fiton mbështetjen e opozitës reale të vendit, kjo falje e përgjithshme që lypset të bëhet vetëm një herë në histori mund të funksionojë. Ndryshe do të kthehet në aventurën fiskale mjerane të radhës.

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan