Nuk kemi qënë kurrë kaq të pakënaqur nga demokracia

Sipas ilPost.it, 19 shkurt 2020

Ky është konkluzioni i studimit më të kompletuar që është realizuar kohët e fundit mbi temën e demokracisë, i cili ka bërë së bashku të dhëna nga 150 vende.

Nëse kohët e fundit keni dëgjuar një numër në rritje të miqve që ankohen duke patur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të fundit, mbase jo të gjithë duhet të kenë të drejtën e votës, ose nese ju duket se në mediat sociale numri i memeve dhe faqeve që i kushtohen nevojës për të limituar votën universale kategorive që e meritojnë, ka gjasa që nuk është vetëm përshtypja juaj.

Sipas sondazhit më të madh dhe gjithëpërfshirës të opinionit  realizuar vitet e fundit për këtë çështje, kënaqësia për demokracinë nuk ka qenë kurrë më e ulët. Hulumtimi u krye nga Qendra për Ardhmërinë e Demokracisë së Universitetit të Kembrixhit dhe u kurua nga profesori i shkencës politike Roberto Foa me disa kolegë. Bëhet fjalë për një punë të madhe, që merr në konsideratë 154 vende të ndryshme dhe 25 vite të studimeve statistikore mbi kënaqësinë e qytetarëve nga demokracia. Në total kërkuesit kanë ekzaminuar dhe krahasuar 3500 sondazhe të opinioneve të ndryshme nga 25 burime të ndryshme në një total prej 4 milion persona të intervistuar.

Rezultati kryesor, i marrë nga ekzaminimi dhe krahasimi i të dhënave të të gjitha vendeve me njëri-tjetrin, është që midis 1995 dhe 2019 niveli i pakënaqësisë ndaj demokracisë u rrit nga 48 në 58 përqind. Do të thotë që në 25 vitet e kaluara një në dhjetë njerëz në të gjitha mënyrat kanë ndryshuar mendimin për keq për aftësinë e demokracisë për të prodhuar rezultate të dëshirueshme politike.

Pavarësisht këtij trendi të përgjithshëm, studimi zbulon nivele thellësisht të ndryshme të kënaqësisë nga një vend në tjetrin. Në disa vende, niveli i kënaqësisë ka rënë, në të tjerët asnjëherë nuk ka qenë veçanërisht i lartë, ose ka qëndruar stabël, tek disa të tjerë në fakt kënaqësia është rritur.

Një përmbledhje e mirë e rezultateve të studimit është se vendet e zhvilluara janë ato që preken më shumë nga kjo rritje e mosbesimit, veçanërisht pas shpërthimit të krizës së madhe dhe pasojave të saj. Një shembull veçanërisht i rëndësishëm i këtij fenomeni, sipas studimit, janë Shtetet e Bashkuara, një vend, që historikisht ka vendosur rendin demokratik në qendër të identitetit të saj dhe të krenarisë kombëtare.

Kjo ndihmon për të shpjeguar pse, midis 1995 dhe 2005, kënaqësia me demokracinë në vend ishte një nga më të lartat në të gjitha vendet e analizuara, mbi 75 përqind. Por që nga shpërthimi i krizës financiare, kjo përqindje është shëmbur dhe sot më pak se 50 përqind e amerikanëve janë të kënaqur me demokracinë.

Sipas Foa dhe kolegëve të tij, ky fenomen mund të shpjegohet nga një numër faktorësh. E para dhe më e rëndësishmja është polarizimi në rritje i politikës, ose fenomeni me anë të të cilit opinioni i votuesve bëhet gjithnjë e më i pa kompromis ndaj partive kundërshtare, i cili do të favorizohej nga një sistem elektoral maxhoritar që lë pak përfaqësim për ata që humbin zgjedhjet. Por, sipas studiuesve, tek pakënaqësia kontribuon edhe ndjenja e pafuqisë për shkak të mashtrimeve, që limiton kapacitetin e votuesve për të influencuar në procesin politik, si për shembull i famshmi “gerrymandering”, që do të thotë praktika e dizenjimit të zonave elektorale me qëllim favorizimin e një partie politike.

Në Evropë situata është e ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara, megjithëse duket më e zbutur. Kontinenti, shkruajnë studiuesit, mund të ndahet afërsisht në një sërë zonash që paraqesin fenomene spekulative: vendet qendrore dhe periferike, vendet në eurozonë dhe ato jashtë saj. Si rregull i përgjithshëm, mund të themi se vendet që dolën në kushte më të mira nga kriza, kanë mbajtur nivele më të larta të kënaqësisë me demokracinë, ndërsa e kundërta ka ndodhur për ata që kanë paguar një çmim më të lartë ekonomik.

Greqia është ndoshta rasti më emblematik i këtij fenomeni. Para krizës, dy të tretat e grekëve ishin të kënaqur me demokracinë, një përqindje shumë e lartë dhe pothuajse në nivelin e Shteteve të Bashkuara. Pas krizës, përqindja ra në një të tretën e popullsisë. Rezultate të ngjashme kanë të bëjnë edhe me vendet në të cilat ekonomia arriti të rimëkëmbet pas krizës: për shëmbull Spanja dhe Portugalia, dy vende në periferi të eurozonës të cilat treguan një rikuperim mjaft dinamik, por që në të njëjtën kohë panë një ulje të ndjeshme të bësimit të qytetarëve të tyre në demokraci. Sipas Foa, të paktën pjesërisht varet nga fakti se, përkundër rimëkëmbjes ekonomike, papunësia ka mbetur mjaft e lartë, ndërsa pagat ende nuk janë rikthyer në nivelet para krizës.

Italia nuk i përket kategorisë së vendeve ku kënaqësia ka rënë, por vetëm sepse ishte një nga vendet e Evropës perëndimore që filloi me nivelin më të ulët. Tashmë në vitet 1990, pas skandaleve të tangentopolit dhe krizës së lirës në ato vite, italianët kishin humbur shumë besim në demokraci, të cilën ata nuk e rikuperuar as në vitet në vijim.

Situata është e ndryshme për Gjermaninë, ku niveli i kënaqësisë rreth demokracisë ka mbetur në thelb i njëjtë.  Sipas Foa dhe kolegëve të tij, kjo shpjegohet me rezultatet e mira ekonomike të vendit, por mbi të gjitha me stabilitetin dhe vazhdimësinë e sistemit të saj politik, të qeverisur për 15 vjet nga Kancelarja Angela Merkel (mandati i së cilës, megjithatë, do të përfundojë së shpejti, çfarë e vë vendin përpara një tranzicioni që aktualisht mbetet shumë i pasigurt).

Në Evropën Lindore dhe jashtë zonës së euros, sipas studiuesve, ka një rritje të kënaqësisë rreth demokracisë. Në disa vende, në veçanti Polonia dhe Hungaria, kënaqësia arriti në një rekord historik dhe përkoi me zgjedhjen e qeverive populiste dhe në kundërshtim të qartë me demokracinë e kuptuar në sensin e saj liberal, që përdoret zakonisht në pjesën tjetër të Evropës.

Sipas Foa, kjo është një pikë shumë e rëndësishme e zbuluar nga hulumtimi. Kënaqësia për demokracinë nuk përkon domosdoshmërisht me kënaqësinë për një sistem demokratik, që mbron pakicat dhe ndarjen e pushteteve, përkufizimi më i pranuar i “demokracisë liberale”. Regjimet politike, si ai i prezantuar në Hungari nga kryeministri Viktor Orban, i cili argumenton rëndësinë e ndjekjes së vullnetit të mazhorancës edhe me koston e kufizimit të të drejtave të kategorive më të dobëta, mund të marrin një konsensus të madh, nëse vlerësohen si prodhues të rezultateve të dëshirueshme. Që në rastin e Hungarisë, për shembull, nënkupton një rritje të shpenzimeve sociale për të moshuarit dhe familjet.

Diçka e ngjashme ka ndodhur në shumë vende të Amerikës Latine me ardhjen, në fillim të viteve 2000, të të ashtuquajturit “valë rozë”, fitorja në shumë vende të liderëve populistë të krahut të majtë, të cilët, sapo të vinin në pushtet, nisën programe të gjera të shpenzimet sociale. Në vitet në vijim, pothuajse të gjitha këto vende kanë parë një rritje të fortë të kënaqësisë së qytetarëve të tyre.

Por demokracia super-maxhoritare  dhe rritja e shpenzimeve sociale nuk janë domosdoshmërisht sinonim automatik i suksesit. Shëmbulli kryesor se si gjërat mund të shkojnë keq edhe në këto rrethana është Venezuela, ku para qeverive të Hugo Chavez dhe pasardhësit të tij Nicolas Maduro, ishte e përhapur një pakënaqësi e fortë demokratike. Përkundër suksesit të tyre zgjedhor dhe operacioneve të gjera të shpenzimeve publike, kriza ekonomike dhe sociale e Venezuelës vitet e fundit ka rezultuar në një kolaps të mëtejshëm të besimit për demokracinë në vend.

Studimi zbulon gjithashtu raste pozitive në të cilat kënaqësia e lartë demokratike nuk shkon krah për krah me një demokraci maxhoritare dhe armiqësore ndaj pakicave. Kjo ndodh kryesisht në një numër vendesh të vogla evropiane, të tilla si Zvicra, Hollanda, Danimarka, Luksemburgu dhe Norvegjia. Sipas Foa dhe kolegëve të tij, një numër faktorësh në këto vende kanë ndihmuar në ruajtjen e demokracisë popullore. Një ligj zgjedhor proporcional ndihmon për të shmangur rreziqet e polarizimit të tepërt, i cili favorizon besimin demokratik së bashku me politikën përgjithësisht transparente dhe mungesën e skandaleve që shoqëron këto vende, të cilat gjithashtu janë prekur rrallë nga ngërçet politike siç ndodhi për shembull me mbylljet amerikane ose me debatin e gjatë për Brexit në Mbretërinë e Bashkuar.

Por ekziston edhe një element tjetër i rëndësishëm, për të cilin Foa foli gjatë një interviste të gjatë në podcast-in e Talking Politics: është fjala për vende të vogla dhe homogjene në shumë aspekte. Kjo, ndër të tjera, favorizon një shkurtim të distancave – fizike dhe metaforike – midis qeveritarëve dhe të qeverisurve: të qeverisësh Danimarkën është sigurisht më e lehtë sesa të qeverisësh Indinë apo Brazilin. Sipas Foa, përfitimet e shkurtimit të këtyre distancave janë një nga mësimet kryesore që mund të mësohet nga studimi.

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan