Ra modeli shqiptar i zhvillimit

Nga Skender Minxhozi, botuar në Javanews.al, 27 nëntor 2019

Në agimin e 26 nëntorit Shqipëria preku fundin e tunelit të errët ku ndodhet prej dekadash. Një model kaotik dhe krejtësisht arbitrar zhvillimi u rrëzua zhurmshëm nën rrënojat e pallateve që shembeshin, vilave private që zunë njerëz brenda dhe objekteve turistike që u kthyen në kurthe vdekjeprurëse, edhe për ata që i ndërtuan.

Në 25 nëntor patëm një zgjim të llahtarshëm nga gjumi dhe shurdhëria 30 vjeçare. Kuptuam (me shpresë, një herë e mirë), se kemi ndjekur një model zhvillimi, i cili i ka kthyer fushat, lumenjtë, fshatrat e qytetet, në hapësira gjigande ndërtimesh rrokopujë, në turma amorfe betoni e inertesh, që kanë kafshuar rëndë mjedisin, kanë pakësuar në mënyrë drastike tokat bujqësore, kanë bërë pis lumenjtë e brigjet detare, kanë masakruar parqet natyrore, zonat monumentale dhe e kanë ulur, për pasojë, standartin e jetës së shqiptarit, në ritualin e një egzistence banale.

E kemi kafshuar keq, shëmtuar dhe pa tru atdheun tonë të përbashkët. Në tërmetin më të parë serioz, e pamë se cila është fatura. E cila mund të kish qenë shumë më dramatike, shumë më afatgjatë. Qoftë me kaq, thonë plakat.

Ndërtuam kudo, pa asnjë plan, pa asnjë studim mjedisor, sizmik, hidrik, pa marrë parasysh ku hidhnim themelet e shtëpive e bizneseve, pa pyetur fare për faktin e thjeshtë se të ndërtosh mbi rërë, do të thotë të fusësh kokën në rrezik. Nëse zbret sot me avion mbi Velipojë dhe grykëderdhjet e Drinit e Matit, sheh me sy të lirë katrahurën që ka prodhuar bilancin tragjik të 25 nëntorit. Një bilanc që mund të kishte qenë shumë tragjik nëse tërmeti do të kish qenë pak më i gjatë ose pak më i fortë. Thumana ra sepse aty nuk ishte vënë dorë prej dekadash mbi pallatet e vjetra, por e gjithë ajo zonë, madje e gjithë Ultësira Perëndimore është teatri i një abuzimi të llahtarshëm me tokën, me ujin, me paratë, me logjikën dhe arsyen elementare dhe me mbi të gjitha, me jetët e njerëzve.

Nuk duhet ndërtuar mbi grykëderdhjet e lumenjve, pikërisht aty ndërtuam. Nuk ndërtohet mbi plazhe e toka me sedimente të dobëta, pikërisht aty ndërtuam. Nuk duhen bllokuar kolektorë e kanale kulluese, pikërisht aty ndodhen mijëra shtëpi të hedhura kuturu nga babëzia e vërbër për të gllabëruar diçka. Nuk duhen prerë pyje e zona të gjelbra, pikërisht atë bëmë. Një “kap ça të kapësh” gjigande 30 vjeçare, një sport kombëtar i abuzimin me ligjin, kriteret e shkencës dhe ligjësitë e natyrës.

Më tej akoma, për hir të etjes për sa më shumë para në sa më pak kohë, i ngritëm qytetet në limite të frikshme. Prish lagje të vjetra e ndërto pallate, rrafsho vila e shtëpi të ulëta e ndërto kulla. Gjej një lugë vend e hap themele grataçielash të pista alla shqiptare.

Modeli i ndërtimit në 30 vjetët e fundit është një ndër shkaqet më spektakolare të dështimit tonë si shoqëri. Ka prodhuar mbipopullim, ka shkatërruar mjedisin, ka prishur qindra mijë jetë njerëzore që jetojnë në fjetina gjigande dhe ngjitur me njëra-tjetrën. Por prej këtij modeli ka rrjedhur, në një aspekt më të gjerë dhe si pasojë direkte, edhe një model tjetër ekonomik e social i caktuar. Shihni hartën e Shqipërisë. Në një shami hundësh vend, mes Tiranës e Durrësit, jetojnë dy të tretat e popullsisë së vendit. Lagje të mbipopulluara, qytete si kuti sardelesh, trafik asfiksues. Një pjesë e shtetit është e shkretë, tjetrës po i merret fryma. Kjo është Shqipëria e sotme.

Në 30 vjet nxorrëm jashtë loje çdo oponencë të shkencës dhe mendimit akademik. Një barrierë që çdo shtet e përdor natyrshëm kundër zulmës së komercializmit dhe babëzisë së pakontrolluar për fitim. Pas vitit 2005 Shqipërisë i “dolën tepër” të gjitha institutet që ishin degë e Akademisë së Shkencave. Nuk duheshin më institutet hidrike, megjithëse përmbytemi thuajse çdo vit, as institutet sizmike, megjithëse jemi vend me risk të lartë sizmik. U shkrinë institucione që studionin tokat, ambjentin, bujqësinë etjetj.

Formulat që u gjetën për të mbushur boshllëqet që u krijuan, ishin në fakt pretekste për të zhdukur nga fusha çdo faktor që do t’i mbante dorën këtij zhvillimi monstruoz dhe pa tru që mori hov në këto dekada. Dhe që po e paguajmë sot me dramën e tërmetit që na kujtoi se në fund fiton gjithmonë cinizmi i natyrës. Të tjerët vetëm paguajnë gabimet e tyre.

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi