Franca e ka me Gjermaninë
Nga Shaban Murati, botuar në Dita, 23 tetro 2019
Në pamjen e parë duket që presidenti francez Emanuel Makron befasoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me veton e tij kundër hapjes së bisedimeve të BE me dy shtete kandidate nga Ballkani. Por po të shohësh në kuadrin e gjërë të raporteve brendaeuropiane dhe në thellësinë e veprimit diplomatik të vetos së presidentit francez, ai befasoi më shumë nga të gjithë Gjermaninë. Sepse në thelbin e saj strategjik dhe gjeopolitik veto e presidentit francez nuk kishte të bënte as me Shqipërinë dhe as me Maqedoninë e Veriut. Ishte pjesë e një loje më të madhe paneuropiane të Francës dhe kishte të bënte direkt me Gjermaninë.
Optimizmi, që u ngrit para samitit të BE për mundësinë e hapjes së bisedimeve të BE me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, erdhi nga kthesa e madhe e Gjermanisë, ku Bundestagu dhe qeveria gjermane vendosën se ishte momenti t’i akordohej një datë hapjes së bisedimeve me dy shtetet e Ballkanit. Optimizmi erdhi sidomos nga angazhimi personal diplomatik i kancelares gjermane Angela Merkel, e cila vuri në peshoren diplomatike rolin dhe peshën e saj të rëndë europiane për ta mobilizuar samitin drejt një “po”-je. Kjo është kaq e vërtetë, sa që Franca në veton e saj për Shqipërinë pati përkrah vetëm dy shtete, por në veton e saj për Maqedoninë e Veriut nuk pati përkrah asnjë shtet tjetër anëtar të BE. Ndaj veto e presidentit francez Makron ishte veto për kancelaren gjermane Merkel dhe për diplomacinë gjermane. Ishte veto si një përpjekje për t’iu kundërvënë ndikimit të Gjermanisë në Ballkan. Ndodhi, ajo që theksonte në organin britanike “Express” në datën 18 tetor 2019 Claire Demesmay, kryetare e marrëdhënieve franko-gjermane në Këshillin Gjerman të politikës së jashtme:”Emanuel Makron nuk po e fsheh më padurimin e tij për Gjermaninë”.
Padurimi francez u manifestua në mënyrë tepër të lexueshme me qendrimin obstruksionist francez ndaj zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor. Një ndjekje e vëmendshme e politikave frannceze dhe gjermane në Ballkan e evidenton qartë përplasjen në rajonin tonë midis dy shteteve më të rëndësishme të BE, siç qartëson edhe taktikat e strategjitë jo të përputhëshme ballkanike midis tyre. Franca doli me një kundërvënie të ashpër dhe të vetmuar ndaj procesit të zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar ndryshimin e rregullave brenda lojës. Diplomacia franceze nuk është e bindur se zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor do t’i sigurojë Francës influencë më të madhe në rajon dhe as nesë kjo do t’i shërbejë ruajtjes së balancës gjeopolitike midis Francës dhe Gjermanisë në rajon. Ndaj Franca vuri veton për ta bllokuar zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor, në një kohë që Gjermania vuri tërë peshën që procesi i zgjerimit të merrte një impuls të ri me hapjen e bisedimeve. Veto ishte për Gjermaninë dhe kishte të drejtë deputeti grek Stelios Kouloglou, i cili në televizionin e Maqedonisë së Veriut “TV24”, deklaroi në 19 tetor :”Kur Makron vendosi të ushtrojë veton e tij, ai thjesht luajti lojën e tij me Gjermaninë”.
Diplomacia franceze nuk ka qenë shumë e lumtur me lëvizjen e madhe, që nisi Gjermania dhe personalisht kancelarja Merkel në Ballkanin Perëndimor me nismën ”Procesi i Berlinit” në gusht të vitit 2014. Procesi i Berlinit ishte angazhimi i madh, i ri dhe i drejtpërdrejtë i Gjermanisë për të rritur kapacitetet integruese të Ballkanit Perëndimor dhe për të shpejtuar anëtarësimin e tyre në BE. Nisma e kancelares gjermane “Procesi i Berlinit” pati një efekt të jashtëzakonshëm pozitiv në gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilët vlerësuan udhëheqjen e procesit nga Gjermania. Por xhelozia e diplomacisë franceze bëri çmos që nisma e “Procesit të Berlinit” të devijonte dhe të humbiste identitetin e vet gjerman dhe të merrte kapelen shumëngjyrëshe të BE. Kështu nisi shkërmoqja e ”Procesit të Berlinit”, duke shtegtuar çdo vit nga një kryeqytet europian në tjetrin, madje edhe në Londër, në një kohë që Britania e Madhe kishte ikur nga BE.
Diferencat midis Francës dhe Gjermanisë u çfaqën edhe në rolin, që duhej të kishte njeri apo tjetri shtet i Ballkanit Perëndimor në procesin e Berlinit. Gjermania dhe kancelarja gjermane Merkel e vunë bastin tek Shqipëria, si i vetmi shtet i rajonit në atë kohë anëtar i NATO-s dhe duke pasur parasysh se nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor dy ishin shtete shqiptare. Diplomacia serbe protestoi zyrtarisht për këtë rol të veçantë, që Gjermania po i jepte Shqipërisë. Por Shqipëria nuk qe e aftë ta kuptonte dhe ta lozte këtë rol, qoftë edhe për shkak të presionit të lobit të fuqishëm filofrancez në Tiranë. Kjo e detyroi Berlinin që ta rikompozonte formatin lokal në Ballkanin Perëndimor si një hapësirë për dy shtetet, Shqipëria dhe Serbia. Por Franca nuk ka qenë as për këtë rikompozim, sepse zgjedhja e saj ka qenë dhe mbetet Serbia si shtet lider i rajonit. Këtë e ka shpallur edhe ministri i jashtëm francez, edhe presidenti francez Makron, në vizitat e tyre zyrtare në Beograd.
Duke konsideruar se ylli i kancelares gjermane Merkel është në të perënduar, presidenti francez Makron duket ka gjykuar se është krijuar një vakum, që afron orën e tij. Ballkani Perëndimor vlerësohet nga të gjitha fuqitë e mëdha si një gropë që duhet mbushur. Në këtë kuadër në 30 prill 2019 Franca shpalli “Strategjinë e Francës për Ballkanin Perëndimor”. Vizita e presidentit të Francës, Emanuel Makron, në Beograd në 15-16 korrik përuroi një hyrje ambicioze të Francës në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor. Presidenti francez shkoi për t’i dhënë Serbisë një rol të ri në ofensivën diplomatike franceze dhe në politikën franceze në Ballkanin Perëndimor. Ai sanksionoi rolin e ri, që Parisi i akordon vetëm Serbisë për realizimin e strategjisë franceze në Ballkanin Perëndimor. Madje në Beograd presidenti francez e cilësoi Serbinë “një shtet i madh europian”. Franca ka përcaktuar Serbinë si violina e parë e saj në rajon. Kjo po merr formë konkrete me hapjen e Zyrës Rajonale të Francës në Beograd. Një Zyrë Rajonale franceze për Ballkanin Perëndimor, që funksionon nga Beogradi, don të thotë që për diplomacinë franceze Serbia do të shërbejë si plasdarm i përhapjes dhe i rritjes së ndikimit francez në këtë rajon.
Ndërsa ka qenë për mbajtjen larg të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Franca ka qenë për shpejtimin e integrimit të Serbisë, të cilës nga presioni francez iu dha statusi i shtetit kandidat dhe iu hapën bisedimet e pranimit me BE, në një kohë që Serbia forconte lidhjet me Rusinë, armatosej nga Rusia, i jepte asaj baza ruse dhe ishte kundër sanksioneve të BE ndaj Rusisë.
Është interesant se Franca, ndryshe nga Gjermania, ka përkrahur projektin serb të integrimit ekonomik ballkanikoperëndimor. Nuk qe rastësi që presidenti serb Vuçiç e lançoi projektin e tij të “zonës ekonomike balllkanikoperëndimore” pikërisht në Paris në 16 shtator 2016 dhe jo në Berlin. Diplomacia franceze e shikon këtë projekt serb si një trampolinë të përshtatshme për rritjen e influencës franceze në Ballkanin Perëndimor, sepse projektin apo mikroaleancën e re ballkanike do ta drejtojë Serbia. Nuk qe rastësi që presidenti serb Vuçiç e thirr me shpejtësi takimin trepalësh të Novi Sadit të shpalljes së minibllokut të ri ballkanikoperëndimor një javë para samitit të BE, që do të diskutonte hapjen e bisedimeve. Gabimi fatal i Tiranës dhe i Shkupit ishte që nuk e kuptuan intrigën presidenciale serbe, e cila ishte mesazh i keq për samitin e BE.
Diferencat midis Francës dhe Gjermanisë janë çfaqur haptazi në çeshtjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Franca ka përkrahur tezën serbe për shkëmbimin e territoreve si rrugë e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës. Gjermania dhe kancelarja Merkel kanë qenë vendosmërisht kundër shkëmbimit të territoreve, sepse kjo nuk zgjidh konfliktin dhe krijon precedentë destabiliteti në rajon. Franca, ndryshe nga Gjermania, është përpjekur që në mënyrë indirekte t’i japë një rol dhe prani Rusisë në çeshtjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Në këtë kuadër diplomacia franceze organizoi takimin fatkeq të presidenti të Kosovës Thaçi me presidentin rus Putin në 11 nëntor 2018 në Paris.
Divergjencat franko-gjermane kanë qenë edhe për krizën në Bosnjë, ku Gjermania pas përurimit të “Procesit te Berlinit” ndërmori në nëntor 2014 një nismë diplomatike jo me Francën, por me Britaninë e Madhe, për zgjidhjen e krizës boshnjake.
Përplasjet midis Francës dhe Gjermanisë për drejtimet e zhvillimeve në Ballkan shprehin një përplasje interesash, e cila po vjen duke u bërë e hapur, siç dëshmoi veto e presidentit francez, shigjeta e së cilës i drejtohej politikës së Gjermanisë në Ballkan. Është një rivalitet gjeopolitik në rritje.
Parisi po kërkon rol dhe ndikim të ri në Ballkanin Perëndimor, duke luajtur me vakumin, që krijon stanjacioni i procesit të integrimit europian të rajonit. Është një realitet, i cili pritet të manifestohet me pengesa të reja për politikën e BE në Ballkanin Perëndimor. Një perspektivë jopremtuese, e cila natyrisht nuk do të ndihmojë as integrimin europian të rajonit dhe as stabilitetin e tij.