“Financial Times”: Macron fundosi politikën e zgjerimit të BE, minoi besimin dhe destabilizoi Ballkanin

Nga mediat, 23 tetor 2019

Revista prestigjioze britanike “Financial Times” ka bërë një analizim të situatës në Ballkanin Perëndimor, më veçanërisht në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, pasi ato nuk mundën dot të fillojnë procesin e negociatave me BE-në.

“Financial Times” bën përgjegjës Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që sipas saj nuk i ka marrë përsipër rreziqet që mund t’i kanosen këtij rajoni pas një vendimi të tillë.

Vetoja e Presidentit francez, Emmanuel Macron, kundër hapjes së negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut javën e kaluar, mund të mbahet mend si një gabim historik që dobëson Europën dhe që minon aspiratat e saj për t’u bërë një fuqi gjeopolitike. Me një akt të tillë, Presidenti francez fundosi politikën e zgjerimit të BE-së, duke vendosur për bllokinin e një prej instrumenteve të tij themelore të politikës së jashtme, minoi besimin në premtimet e tij dhe destabilizoi Ballkanin. Jo keq për një punë brenda një nate. Dhe e gjithë kjo, nga një drejtues që pretendon të ilustrojë frymën europiane të solidaritetit dhe bashkëpunimit.

Të dyja vendet e Ballkanit kanë përshkuar një kohë shumë të gjatë dhe një sërë sfidash për të arritur në këtë pikë. Shqipëria u përkul para presionit të BE-së për të kaluar në veting të gjithë gjyqtarët e saj nga një panel i pavarur, ndërsa i dha gjithashtu agjencisë kufitare të BE-së, Frontex-it, qasje në operacionet e Policisë shqiptare në kufi. Maqedonia e Veriut ka shkuar në mënyrë të konsiderueshme më tej, madje edhe duke ndryshuar emrin e saj për të zgjidhur një mosmarrëveshje dydekadëshe me Greqinë, duke tentuar të hapë rrugën e saj për në BE.

Macron dha dy argumente për vendimin e tij për këto dy vende. E para është që BE-ja duhet të forcojë politikat dhe institucionet e saj ekzistuese përpara se të shtojë anëtarë të rinj. E dyta është se procesi i zgjerimit është në vetvete i gabuar në atë që ofron për anëtarët e rinj. Këto janë argumente të vlefshme. BE-ja duhet të rregullojë vendimmarrjen, të forcojë eurozonën dhe shumë gjëra të tjera. Unioni Europian gjithashtu ka nevojë për mekanizma të rinj për t’i mbajtur anëtarët përgjegjës për ruajtjen e standardeve demokratike.

Ajo duhet të sigurojë që aderimi ka më pak lidhje me përmbushjen teknike të kushteve dhe më shumë është i prirur drejt një ndryshimi thelbësor në kulturën e pluralizmit dhe sundimit të ligjit në këto vende. Por nuk ka asnjë arsye pse këto nuk mund të adresohen pasi BE të fillojë negociatat zyrtare të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, një proces që ndoshta do të zgjasë më shumë se një dekadë. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime të thella për krimin e organizuar, korrupsionin dhe sundimin e ligjit, veçanërisht në Shqipëri, mafia e së cilës është bërë e shquar në disa vende të BE-së. Danimarka dhe Holanda gjithashtu kundërshtuan pranimin e Tiranës, duke shprehur rezerva edhe për Shkupin.

Është e vështirë të imagjinohet që zoti Macron të ndryshojë mendimin e tij dhe të shkojë në zgjedhje para votuesve francezë në vitin 2022 me këtë kartë të ndryshuar. Duke mbyllur derën e zgjerimit, Franca lë BE-në pa një kornizë të besueshme për marrëdhëniet me fqinjësinë e saj, jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për vende si Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia, për të cilat anëtarësimi është ende një propozim i largët”, shkruan “Financial Times”.

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan