Negociatat, fajet tona dhe dredhitë evropiane

Nga Zef Mazi, botuar në Java News, 22 tenor 2019

Mos-hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar mjaft debate në BE dhe jashtë saj. Fajësohet Franca, Hollanda, Danimarka dhe Spanja; gabimi quhet historik, mungesë vizioini, cështje e brendëshme e BE-së, krisje në BE, etj. Dëgjohet edhe se vendi i Shqipërise është në BE-, nuk duhet të mërzitemi dhe as të tërhiqemi, por të vijojmë reformat, porta është e hapur, etj. Këto gjëra janë dëgjuar edhe tre vjet më parë kur vetëm premtohej kjo datë dhe ajo datë, pasi të jetë bërë kjo dhe ajo, dhe vendimi shtyhej rregullisht. Premtime se në këtë datë apo në atë datë do hapen negociatat janë bërë edhe nga Rama, bile me fanfare!

Shqiptarët dhe qeverite e saj duhet të jenë të qartë e të ndërgjegjshëm për disa gjëra:

Së pari, problemet kryesore janë tonat. Jemi ne qe nuk i kemi bërë sa dhe si duhet detyrat kryesore. Po t’i kishim bërë, nuk do kishin arsye Makron-i, apo Rute, apo Frederiksen, të përmendnin përsëri korrupsionin (e lartë), krimin e organizuar, reformën në drejtësi (një reformë e tillë, me këto dimensione, në vende të tjera shihet se mund të cojë vendin në kolaps), dobësinë e administratës, humbjen e shpresës (në rritje) tek të rinjtë, azilin, mungesën e dritave dhe ujit në mes të Evropës, etj. Këto janë fakte, i dimë të gjithë, por bëjmë sikur nuk i dime;

Së dyti, e gjithe retorika e qeverisë fokusohet tek “ne nuk kemi asnjë faj, i kemi bërë të gjitha detyrat që na janë kërkuar”! Faji është i BE-së. Kjo është për të qeshur dhe për të qarë. Po të ishte kështu, nuk ka përse Gjermania të ishte pro hapjes por duke shtuar 9 kushte që duhen plotësuar për gjashtë muaj apo dicka e tille. Ne duhet të njohim dhe, me plot gojen, të pranojmë cfarë nuk kemi bërë mirë dhe të premtojmë e të punojmë realisht për t’i përmirësuar. Këtë duhet të bëjë qeveria dhe jo të sillet si struci, dhe me arrogancë;

Së treti, ato detyra që thuhet se nuk i kemi plotësuar nuk mund plotësohen me një të rënë të lapsit, dhe as për një kohë të shkurtër. Makron-i e di mirë këtë gjë. Po mirë e dinë edhe gjermanët, hollandezët apo danezët. Prandaj, nga ata nuk është dhënë asnjë sinjal më pozitiv përvecse “cështja do të rishqyrtohet në mbledhjen e parë në Maj 2020”. Në një shkrim tjetër te Java kam shënuar se “Merkel dhe Makron-i nuk do prishin marrëëdhëniet midis tyre për shkak të Shqipërisë”, edhe pse dëgjohet të thuhet “se jemi të rëndësishëm”. Interesat e tyre dhe pikat e mëdha ku ato bashkohen janë të një rëndësie mjaft më parësore dhe strategjike! Deklaratat e partive parlamentare në qeveri apo opozitë në këtë apo atë vend duhen marrë me shumë kujdes, jo sic bën tek ne njera parti apo tjetra.  Fjalët nuk duhen lexuar ashtu si shkruhen (at face value).

Së katërti, për Francën, Hollandën e Danimarkën, apo edhe për Spanjën, është më lehtë të fokusohet arsyetimi te mosbërja e detyrave, te mos plotesimi i disa kushteve, sesa diku tjetër. Ata këtë e kombinojnë me nevojen e reformes në BE para se ajo të zgjerohet me tej dhe e dinë mirë se për këtë duhen vite të tërë të realizohet! Para 5 vitesh, kur Junker u zgjodh Kryetar i Komisionit të BE-së, tha se “nuk do ketë zgjerim në pesë vitet e ardhshëm”. U bënë fiks pesë vite. Junkers kishte të drejtë, me qartë, ai e dinte që do dilnin të tilla vështirësi. Nuk ishte e lehte të fliste ndryshe atëhere, është lehtë sot. Por pesë vitet kaluan.

Së pesti, nuk ndërrohen rregullat e lojës të futbollit kur ka filluar kampionati! Këtë rregull të FIFA-s apo ËEFA-s Makron-i duhet ta dijë mirë! ËEFA është drejtuar për vite nga një bashkëkombas i tij. Ky arsyetim i Makron-it, të presim sa të drejtojmë gungen dhe të rregullojmë procedurat e BE-së, të bëjmë reformën në BE me parë, është tejet qesharak. Ai e ka zvogluar ndjeshëm vendin e tij, Francën, dhe kredibilitetin e saj, në sytë e të gjithëve! Këtë reformim, rregullim procedurash, të BE-së, Franca e Makron-i duhej ta kishte bërë para futjes në BE të Rumanisë e Bullgarisë, para se të hapeshin negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi, për të qenë minimalisht i besueshëm. Franca, këto vende si ajo, hallin e kanë gjetkë, edhe pse nuk e thonë këtë gjë, dhe gjejnë gjithëfarë justifikimesh, deri diku të besueshme, por në shumicë dërrmuese qesharake. Ata i besdojnë kryesisht raporteve dhe informacioneve që marrin nga burimet e ndryshme që operojnë brenda ambasadave të tyre në Tiranë sesa demarsheve, presioneve apo ec-e-jakeve të politikanevë të Shqipërisë.

Së gjashti, mosmbajtja e premtimeve ndodh rëndom, ajo është rutinë në qarqet politike të Evropes, përfshirë dhe më shumë në qarqet e BE-së. Janë mësuar me këtë gjë, e kanë rrobë të dyte veshur fort pas trupit; gjatë gjithë historisë të tilla gjëra kanë bërë, vecanerisht të mëdhenjtë.

Së gjashti, rasti i Maqedonisë të Veriut është më eklatanti! Asaj iu premtua gjithëcka, hapje e menjëherëshme e bisedimeve për BE, hyrje në NATO (kjo e fundit, për shembull, u ratifikua nga Senati i Francës vetëm tre-katër ditë më parë, kur Franca bllokoj hyrjen e saj në BE), mjaftonte që Maqedonia e Veriut të pranonte të ndryshonte emrin, të bente sic dëshironte Greqia tashmë prej 28 vitesh, domethënë të bënte sic i kërkohej nga BE-ia. Pafushmëria totale e BE-së për të bindur Greqinë, pafytyrësia e saj dhe super-premtimet ndaj Maqedonisë të Veriut, u “shperblyen bukur” duke pranuar veton e Makron-it! Nuk arrij të gjej shpjegim përse ai vend nuk e rimerr në shqyrtim cështjen e emrit me synimin që ta riktheje atë sic ishte, meqënëse premtimet e BE-së nuk u mbajtën, pavarësisht se maqedonët bënë gjithëcka që iu kërkua, përfshirë ndryshimin e emrit!

Së shtati, mungesa e konsensusit në BE do të thotë një e carë e madhe ndërmjet shumë të tjerave. Kujtoj se Franca, që në kohën e Gjeneral De Golit, ka bllokuar me veto, mos gaboj,  tre herë Anglinë për t’u futur në BE. Sa duket anglezët e kanë studiuar mirë prej vitesh këtë gjë e të tjera dhe dinë cfarë po bëjnë duke tentuar të dalin nga BE-ia, ndonëse me disa sforco. Vellazërite, puthjet, hedhjet e krahëve njeri- tjetrit në BE, sic shohim në ekranet e televizioneve, buzëqeshjet, nuk janë ashtu si duken. Franca nuk harron, por mban shënim mirë, që Gjermania, p.sh., nuk ishte dakord të miratonte kandidaten franceze për komisionere në BE, paraqitur nga Makron-i, edhe pse diheshin disa probleme korrupsioni për të, dhe ndonëse Franca siguroi miratimin për emërimin e La Garde si Drejtore e Bankës Evropiane.

Së teti, rruga e Shqipërise për në BE nuk ka alternativë, sot per sot, ndoshta edhe nesër. Të gjitha qeveritë, pavaresisht se interesi personal i politikanëve mund të mos ketë qenë në këtë linjë, kanë folur se punojnë për këtë gjë dhe kanë punuar, sa ka qenë e mundur. Pas disa herë premtimesh dhe mosmbajtje premtimesh, shtyrjesh e stër-shtyrjesh, prej dy-tre vitesh, vendi mund të ndodhet përsëri në të njejtën situate edhe pas 6 muajsh! Një veto nga dikush nuk përjashtohet, dhe duhet llogaritur që tani!

Së fundi, dhe kjo nuk është aspak për presion, thjesht mendim alternativ që buron si rezultat i vetë ecurisë të marrëdhënieve në këtë pikë ku jemi: a nuk ka ardhur koha sot, a nuk do ishte e udhës të mendohej, ndoshta edhe të artikulohej, me ngjyrosjet e duhura diplomatiko-gjuhësore se, kursi i vendit ndaj hyrjes në BE nuk ndryshon, nuk ka alternataivë tjetër më të mirë, sot per sot. Por marrëdhëniet e vendit tonë me botën do të bëhen edhe më intensive dhe të hapura. Ekonomia dhe mirëqënia e popullit tonë duhet të përmirësohen dhe të rriten. Arsyet për të ndjekur dhe për t’iu permbajtur strikt “lojës” teërregullave të Komisionit e të BE-së vijnë duke u zvogëluar, se vetë BE-ia nuk i përmbahet dhe nuk mban premtimet. Vendi parashikohet së shpejti të bëhet i gjithi zonë e tregëtisë të lirë me botën, për qarkullimin sa më të gjerë të mallrave, cka do sjellë begati, rritje të nivelit ekonomik dhe të mirëqenies të popullit tonë. Vendi një ditë do të hyjë në BE, nese BE-ia do egzistojë nesër. Këtë fillim bisedimesh për anetarësi, apo hyrje nesër, ne nuk e kërkojmë me ngulm patjetër si deri tani.

Shqipëria është aty ku ka qenë, e aty do të mbetet. Historikisht ajo nuk është mbajtur “me frymë” nga BE-ia. BE-ia, kur të dojë, këtu e ka Shqipërinë. Le të kërkojë të hapen bisedimet, e nesër të futet Shqipëria në BE. Ajo duhet të mendojë më shumë se Shqipëria, mjafton të shohësh interesat afat-gjata gjeo-strategjike për ta kuptuar. Kushdo e kupton një gjë të tillë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi