Termi “mësimdhënie” një relike e shekullit që shkoi
Nga Pëllumb Karameta, botuar në Ballkanweb, 21 shtator 2019
Termin “mësimdhënie” mund ta gjeni, pa u lodhur aspak, në doktorata, kumtesa, doracakë, udhëzues, artikuj e deri tek aktet administrative. Ai është pjesë e rëndësishme e fjalorit profesional të pedagogëve, mësuesve dhe drejtuesve të institucioneve tona arsimore. Mund të thuhet që është një term me jetëgjatësi shekullore. Nëse është kështu, a ka argumente që e justifikojnë titullin e shkrimit? Më tej, nëse ka, si mund të zëvendësohet ai?
a) Argument 1: Dija si kontekst për të zhvilluar kompetencën për të nxënë.
Arsimi dhe praktika shkollore sfidohen nga të paktën dy epistemologji krejt të ndryshme, ose modele të asaj që llogaritet si “dije”. Sipas të parës (tradicionales – me fillesa në kohën kur dija mendohej si e vërtetë e përjetshme), dija konceptohet dhe trajtohet si e vërteta e strukturuar dhe përshkruar në tekstet shkollore, në veprat e specializuara, në doracakët profesionalë, të vlerësuar dhe pranuar të gjithë këta nga shoqëria; ndryshe, si përmbajtje, koncepte dhe aftësi të zgjedhura nga disiplinat dhe të trupëzuara në “lëndët” ose “fushat e të nxënit” të kurrikulës shkollore. Nga ky këndvështrim, mësuesi mëson nxënësit, ndërsa detyra e këtyre është ta përvetësojnë dhe ruajnë në mendje dijen dhe të demonstrojnë se sa mirë e kanë bërë këtë, përmes mjeteve të ndryshme të vlerësimit. Supozohet se këto dije ruhen për t’u përdorur më vonë nga nxënësve, përgjatë jetës së tyre.
Nga fundi i shekullit XX, mendimi ndërkombëtar për arsimin fillon të zhvendoset drejt një paradigme të re. Sipas saj, dija shihet si diçka me të cilën bëhen gjëra; kuptohet më shumë si energji mendore, sesa si fakt, ide ose entitet i veçantë; më shumë si folje, sesa emër etj. Pohohet që dija, në epokën tonë, përfshin krijimin dhe përdorimin e dijeve të reja për të zgjidhur problemet dhe gjetur zgjidhje për sfidat, në vendin dhe kohën kur këto lindin. Idetë e reja për dijet janë shfaqur në botën jashtë arsimit, të nxitura në masë të madhe nga ndryshimet ekonomike, sociale dhe politike, shpesh, të lehtësuar nga teknologjitë e reja. Në këtë këndvështrim, përpjekja e mësuesve / pedagogëve për të ngulitur në mendjen e subjekteve dijet, nuk mund të jetë qëllimi kryesor i arsimit. Sepse: (1) nuk është e mundur të përcaktohen saktësisht se cilat dije do duhet të ruajnë njerëzit, që t’i përdorin në jetën pas shkollës; (2) modeli i dijeve të ruajtura për t’u ripërdorur në të ardhmen nuk është më i dobishëm ose i mjaftueshëm, tani e në vijim, pasi nuk ndihmon të kuptohet se si zhvillohet dhe përdoret dija.
Në këto kushte, fokusi i shkollës zhvendoset nga riprodhimi i dijeve, drejt aftësimit të subjekteve për të bërë gjërat me dije, për t’i përdorur ato në mënyra krijuese, në kontekste dhe kombinime të reja. Por kjo, sigurisht, nuk do të thotë aspak që dijet ekzistuese nuk kanë më rëndësi, ose se kurrikula shkollore nuk ka nevojë për qëllime të qarta për zhvillimin e njohurive nga subjekti. Fondi i njohurive që ndërton ai, kur reflekton dijet, është i rëndësishëm, si themel për zhvillimin e tij kognitiv. E që ky fond të jetë i dobishëm si themel edhe për kapacitetin e ri (pjesëmarrje efektive në jetën shoqërore dhe ekonomike), subjekti duhet të aftësohet, që në shkollë / fakultet, të lidhet dhe bashkëpunojë me të tjerë që kanë njohuri dhe ide plotësuese. Andaj, në vend që të supozojmë se ky kapacitet i ri do të zhvillohet përmes shtjellimit nga mësuesi / pedagogu të dijeve disiplinore dhe magazinimit të tyre nga subjektet (pikëpamja tradicionale), sot, vlen të ndihmojmë nxënësit / studentët të zhvillojnë kompetencën për të punuar me dijet (pikëpamja bashkëkohore). Vlen të qartësojmë që, sapo dija shtjellohet në procesin mësimor përgjatë bashkëpunimit mësues / pedagog – subjekt, ajo konvertohet në njohuri vetjake për këtë të fundit. Ndaj, nuk ka përputhje identike ndërmjet “dijeve” të kodifikuara si tekste, “dijeve” që shtjellon mësuesi / pedagogu dhe njohurive që ndërton subjekti. Kur flasim për dije, mbajmë parasysh përmbajtjet e programeve të studimit, të teksteve shkollore etj., pra, përmbajtjet disiplinore. Kur flasim për njohuri, i referohemi trashëgimisë njohëse të subjektit. Nga ky këndvështrim, dijet disiplinore sot shihen, jo si qëllim më vete për t’u magazinuar, por si konteksti që shfrytëzohet nga edukatori për të ndihmuar subjektet të zhvillojnë njohuri të reja dhe kompetenca; në veçanti, kompetencën për të nxënë vetë, në shkollë dhe gjatë gjithë jetës.
b) Argument 2: Kuptimi i ri për të nxënit
Hulumtimet tregojnë qartë që njerëzit nuk nxënë kur qëndrojnë si “spektatorë”, marrës pasivë “të porcioneve të paketuar” paraprakisht të dijes dhe të copëzuar në pjesë (tema) në tekstet mësimore, që u zhvillohen atyre nga ekspertët: procesi i mirë mësimor kërkon angazhimin aktiv të vetë subjekteve gjatë “gjithë lojës”. Sa më shumë njerëzit nxënë, aq më shumë ata aftësohen të nxënë. Nga ana tjetër, më e rëndësishme se njohuria është përvoja, sepse mendja e njeriut është e pajisur më së miri të mbledhë informacion për botën, duke vepruar dhe provuar në të, më shumë se sa duke lexuar për të, ose duke dëgjuar leksione për të, apo duke studiuar modele abstrakte të saj. Edhe pse parime të tilla janë kuptuar nga mjaft mësues e pedagogë, sistemi dhe praktikat arsimore nuk po ndihmojnë sa duhet që ato të zbatohen në praktikë. Nëse jemi serioz në ndërtimin e një sistemi arsimor që është në gjendje të përgatisë të rinjtë për shoqërinë e të ardhmes, duhet ta rimendojmë dhe rindërtojmë sistemin tonë në mënyra të reja. Do të jetë e mundur ta bëjmë këtë, kur të kemi vetëdije të qartë për hendekun mes “mësimdhënies” dhe “procesit të nxënies”, “mësimdhënësit” dhe “mësuesit”.
c) Argument 3: Rolet e reja të mësuesve dhe nxënësve
Shkolla jonë po sfidon me aq sa mundet tri karakteristikat e modelit lindor: “centralizmin”, “mësimdhënien me mësuesin në qendër”, “mbivlerësimin e strategjive të mbajtjes mend”. Nëse shkolla synon të mos transmetojë më dije të “paketuara paraprakisht” në tekste për t’u riprodhuar sa më mirë nga nxënësit, atëherë rolet e mësuesve duhet të rikonceptohen. Në mënyrë të ngjashme, nëse puna kryesore e nxënësve nuk është më të përvetësojnë dhe ruajnë njohuritë për t’i përdorur në të ardhmen, atëherë edhe rolet dhe përgjegjësitë e tyre duhet të rikonceptohen. Kjo kërkon përqendrim më të madh për të njohur dhe punuar me pikat e forta të nxënësve. Njëherazi, të mendojmë se çfarë role mund të luajnë mësuesit për zhvillimin e potencialit të çdo nxënësi. Çka, nënkupton një mbështetje më të gjerë të publikut për mësuesit dhe drejtuesit arsimorë, kur ata përpiqen të jetësojnë ndryshimin e paradigmës në praktikë.
Shpesh, ideja për të ndryshuar rolet e aktorëve në procesin mësimor, është rregulluar me fraza të tilla si “pedagogjia me nxënësin në qendër “, duke aluduar nevojën për t’i ofruar atij gjithçka që mund t’i duhet. Ndërkaq, sfida ka pamje tjetër: si arrihet që mësuesit dhe nxënësit të punojnë bashkë, në mjediset e të nxënit për ndërtimin nga këta të fundit të njohurive dhe kompetencave”? Çka, sigurisht, kërkon rikonceptimin e procesit mësimor, jo më si “mësimdhënie”, por si “proces të nxëni”, apo si proces bashkëpunimi mësues – nxënës, ku i pari organizon, nxit, ndihmon dhe vlerëson nxënësit, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar dhe përdorur njohuri të reja dhe kompetenca.
Gjatë punës si punëtor i arsimit kam kuptuar dhe besoj që shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët shkojnë të nxënë si t’i formojnë dhe përdorin praktikisht mendjet / kapacitetet e tyre si dhe të ndihmohen të nxënë, që të menaxhojnë kërkesat e ndryshimeve në informacion, teknologji, punë dhe shoqëri. Po kështu, kam kuptuar që, edhe pse mjaft aktorë arsimorë po familjarizohen me idetë e reja, këto nuk po depërtojnë, para së gjithash, në mendjet e pjesës më të madhe të mësuesve, drejtuesve dhe prindërve. Ndërkaq, idetë e reja, që zëvendësojnë ato tradicionale, janë të rëndësishme. Por të ofruara nga të tjerët, nuk mund të prodhojnë llojin e ndryshimit që nevojitet. Studiues nga mbarë bota kanë argumentuar, për tridhjetë a më shumë vite, që, duke shtuar ide të reja në skemën tradicionale të mendimit, zakonisht, nuk ndryshohet skema. Idetë të tilla përthithen ose i përshtaten skemës ekzistuese; kur nuk mund të ndodhë, ato mënjanohen dhe / ose refuzohen. Ndaj zhvillimi kërkon ndryshim të skemës themelore. Ndryshim, jo për çfarë mendon subjekti, por në mënyrën se si mendon ai. Ky lloj ndryshimi është i vështirë. Shumica e njerëzve nuk janë të gatshëm ose nuk mund ta bëjnë atë, nëse nuk ekzistojnë kushte të caktuara, një prej të cilëve është vetëdija e qartë për të renë, e aktorëve arsimorë, studiuesve tanë dhe publikut në tërësi.