Çfarë kërkon një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm

Nga Adrian Civici, botuar në Panorama, 12 shtator 2019

Në kuadrin e analizave krahasuese dhe gjykimeve të ekspertëve të zhvillimit ekonomik, ekziston një debat i gjerë dedikuar një pyetjeje e pikëpyetje të rëndësishme: përse ekonomitë e disa vendeve performojnë më mirë dhe zhvillohen me ritme të larta e të qëndrueshme në krahasim me vendet e tjera? Përse ekonomia amerikane ecën më mirë se ajo europiane? Përse disa modele ekonomike, edhe në vende të vogla apo në zhvillim, po ndikojnë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ndërkohë që në vende të tjera, qofshin këto më të mëdha, rezultatet vazhdojnë të jenë mediokre? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, të kontekstualizuara në rajone e vende të ndryshëm të botës, përfshirë dhe Shqipërinë, po kthehen në politika ekonomike e financiare për veprim, po shndërrohen në filtra për zgjedhjen e strategjive dhe masave më të përshtatshme qeverisëse e klime biznesi stimuluese e mbështetëse.

Ekspertë të fushës, universitete, institucione e qendra kërkimore, duke iu referuar veçanërisht modelit performant të ekonomisë amerikane, disa ekonomive të zhvilluara aziatike etj., kanë identifikuar disa faktorë kryesorë apo avantazhe konkurruese që mund të shërbejnë si manual referues për vendimmarrësit e politikave ekonomike e financiare të vendeve që synojnë të kenë rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme, që kërkojnë rritjen e punësimit, që synojnë hapësira sa më gjera për teknologjitë e reja dhe inovacionin etj.

Përmirësimi i kulturës së sipërmarrjes.

Kultura e sipërmarrjes, përveç talentit specifik të individëve, traditave historike e kulturore, përmirësohet nëpërmjet sistemit të edukimit, trajnimit dhe formimit profesional. Fjalët “çelës” të saj janë: krijimi i një sipërmarrje, shpirti i biznesit, lidershipi, autonomia, dëshira për risk, puna në ekip, iniciativa dhe fantazia në treg, njohuri të larta menaxhuese e financiare. Kultura e sipërmarrjes përbën thelbin e demokratizimit të tregut dhe konkurrencës së lirë. Procesi i formimit dhe konsolidimit të një kulture sipërmarrëse në Shqipëri nuk është një proces i lehtë dhe i shpejtë. Ai kërkon vendosjen e sistemeve dhe modeleve të qëndrueshme që formojnë një shoqëri të hapur, informative dhe mbështetëse të iniciativës së lirë të individit, një bashkëpunim intensiv të qeverisë dhe komunitetit të biznesit, angazhimin e burimeve teknike dhe financiare të domosdoshme, rritjen e financimit të sistemit arsimor.

Sistem financiar që mbështet direkt sipërmarrjen.

Vendet e zhvilluara kanë ngritur një sistem financimi specifik, kryesisht privat, të orientuar 100% në financimin e sipërmarrjes, start-ups, teknologjisë 4.0 etj. Shembujt më të mirë për t’u ndjekur janë: ngritja e fondeve dhe programeve specifike bankare të orientuara vetëm në financimin e sipërmarrjes; zhvillimi i tregjeve sekondare dhe terciare të kapitaleve, të cilat rrisin ndjeshëm mundësitë dhe hapësirat e bizneseve për t’u financuar; ngritja e mekanizmave specifikë financiarë që ndihmojnë sipërmarrjen, të cilat mund të jenë dhe me fonde publike; krijimi në masë i inkubatorëve për start-ups, start-ups dixhitale, start-ups kreative, start-ups fintek, inovfin, etj; zhvillimi modelit të financimit “crowdfunding” ose financimit me pjesëmarrje; zgjerimi i formave specifike të financimit privat të të ashtuquajturve “engjëj të biznesit”, etj.

Institute dhe qendra kërkimore cilësore.

Vendet me ekonomi të suksesshme dallohen nga cilësia e lartë e instituteve studimore, qendrave kërkimore dhe universiteteve, të cilat kryejnë dhe ofrojnë kërkime specifike që stimulojnë sipërmarrjen, orientojnë investimet publike e private, i hapin rrugë aplikimit të teknologjive nga më modernet, ndërtojnë platforma e politika zhvillimi eficiente, grumbullojnë në radhët e tyre kërkuesit dhe ekspertët më kompetentë në hartimin e “policy papers” në shërbim të institucioneve ligjvënëse, qeverisëse dhe biznesit. Veçori tjetër është simbioza e lartë e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe institucioneve që hartojnë e miratojnë politika zhvillimi me qendrat kërkimore shkencore.

Tregje pune eficiente.

Vendet me ekonomi performante janë të lidhur ngushtë me eficiencën e tregjeve të punës, me standardet rregullatore të tyre, të cilat eliminojnë çdolloj burokracie e pengese në lidhjet ndërmjet punonjësve dhe punëdhënësve, që garantojnë një përputhje optimale kërkesë-ofertë në tregjet e punës. Tipari kryesor i tregut të punës është fleksibiliteti i lartë i çliruar nga kushtëzimet, kufizimet dhe rregullt e tepërta. Punonjësit janë shumë të lirë të shfrytëzojnë oportunitet për punë në funksion të kompetencave të tyre, bizneset e kanë më të lehtë të aplikojnë inovacione e start-up në funksion të cilësisë së burimeve njerëzore lehtësisht të aksesueshme në treg, bizneset e reja e kanë më lehtë të krijohen dhe zgjerohen, të bëjnë politika pagash motivuese e specifike. Element thelbësor është dhe niveli i lartë i fleksibitetit mikrokapaciteti i ekonomisë për të garantuar shpërndarjen e punonjësve në postet e punës më produktive; dhe fleksibiliteti makro–reduktimi i fluktuacioneve të nivelit të punësimit si pasojë e fluktuacioneve me natyrë makroekonomike.

Kulturë dhe modele fiskale që inkurajojnë punësimin cilësor dhe intensiv.

Vendet e zhvilluara aplikojnë regjime fiskale që stimulojnë dhe shpërblejnë rritjen e orëve të punës nga punonjësit. Ndryshe nga Gjermania ku një punonjës punon mesatarisht 1400 orë në vit apo Franca me 1500 orë në vit/punonjës, vende si SHBA, Koreja e Jugut, Hong-Kongu, Singapori etj., realizojnë mesatarisht 2200 orë/ vit/punonjës. Pagesat dhe detyrimet e bizneseve dhe punonjësve reduktohen në proporcion të drejtë me rritjen e orëve të punës, duke bërë që të ardhurat e tyre të jenë më të larta dhe ngarkesa fiskale e bizneseve më e ulët, plus faktit që të punosh më shumë nënkupton të prodhosh më shumë. Diferencime fiskale bëhen dhe për “punësimin cilësor”, që nënkupton faktin se bizneset e reja që financojnë në teknologjitë moderne dhe inovacion, përfitojnë regjime fiskale stimuluese.

Burime të qëndrueshme energjetike.

Vendet që kanë një nivel të lartë pavarësie energjetike dhe mbi të gjitha që kanë një strukturim cilësor të harmonizuar të burimeve energjetike, janë shumë të prirura të kenë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe intensiv. Energjia e bollshme dhe me çmime relativisht të ulëta u krijon bizneseve një mbështetje të jashtëzakonshme për funksionimin normal dhe mbi të gjitha për zgjerimin e qetë dhe pa eksese të tyre. Shqipëria renditet akoma si një nga vendet me tarifa të shtrenjta për biznesin, në raport me rajonin, por dhe me vendet e zhvilluara. Sipas ERE, me një çmim prej 16 lek/kë (përfshirë dhe TVSH) që paguajnë bizneset, Shqipëria rezulton me çmim më të lartë se Bosnja, Hungaria, Turqia, Serbia, Kroacia, etj., të cilat çmimin e energjisë për bizneset e kanë 8-10 lekë/ kw/orë, rreth 50% më lirë (pa folur edhe për regjimin më të lehtësuar të taksimit mbi çmimin e energjisë dhe karburanteve). Kjo krijon disavantazhe, veçanërisht për bizneset që punojnë për eksport, pasi energjia është një nga zërat kryesore në kostot e produkteve të tyre.

Popullsi dhe fuqi punëtore të mirarsimuar në rritje të vazhdueshme.

Duket se intensiteti demografik përbën një faktorët çelës për mbështetjen dhe stimulimin e zhvillimit ekonomik. Vendet me rritje demografike të qëndrueshme, e cila “përkthehet” në burime njerëzore të bollshme në treg, mbi të gjitha në moshë të re, evidentohen njëkohësisht si vende me dinamikë progresive rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm. Sistemet e vendeve të zhvilluara “për tërheqjen e emigrantëve të rinj dhe të kualifikuar” janë pothuajse totalisht në funksion të thithjes së talenteve dhe furnizimit të tregut të punës dhe bizneseve me këtë “lëndë të parë” cilësore e eficiente. Shqipëria ndodhet aktualisht në tendencë krejt të kundërt me këtë element kaq të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik: popullsi në tkurrje, largime të konsiderueshme të brezit të ri të arsimuar, furnizim i mangët i tregut me fuqi të re punëtore.

Shtet i “lehtë dhe eficient”.

Sipas OECD, vendet me performancë më të lartë ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe cilësor, dallohen edhe në treguesin e përqindjes së shpenzimeve publike në raport me PBB. Përgjithësisht, kjo kategori vendesh e ka këtë tregues më të vogël se 40%, ndërkohë që vendet me përqindje të lartë të shpenzimeve publike rezultojnë në nivelet 45- 60%. Argumenti bazë i këtij vlerësimi bazohet në faktin se “niveli i lartë i shpenzimeve publike përkthehet në një përqindje të lartë të të ardhurave buxhetore në formën e taksave dhe tatimeve, dhe reduktim të nxitjes për investime dhe zgjerim të punësimit nga sektori privat”. E rëndësishme është prezenca e një sistemi politiko-administrativ të decentralizuar, në të cilin shteti dhe qeveria qendrore janë në konkurrencë reale ndërmjet tyre për rregullat fiskale në raport me sipërmarrjen etj.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi