Projektizimi dhe paaftësia jonë
Nga Bujar Leskaj, botuar në Panorama, 28 korrik 2019
Deri tani, zhvillimi ynë si përparim shoqëror dhe ekonomik i është lënë në dorë në shumë aspekte spontanitetit Projektet janë mënyra më e sigurt për të sjellë ndryshime të parashikueshme dhe të qëndrueshme në jetën e një vendi. Projekti nënkupton aftësitë menaxheriale për të parashikuar ndryshimin, kostot, kohën, si dhe gjithçka që ka të bëjë me rezultatin e një projekti. Sikurse ka cilësuar matematicieni i njohur, profesor dr. Skënder Osmani, babai i Stokastikës shqiptare, “Projektizimi i vendit, në kuadër të realizimit me efektivitet të bisedimeve për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE”, është një çështje e madhe që lidhet me performancën dhe që në gjendjen e tanishme të vendit tonë kërkon studime në radhë të parë për strategjinë e variantet e saj, për të dhënat, metodat, teknologjitë, vlerësimin, matematikën, strukturat, riskun, standardizimet etj., madje edhe për struktura të veçanta që mund të jenë: qendra zhvillimi, departamente menaxhimi, Qendra e të Dhënave, Instituti Kombëtar i Menaxhimit etj” Te ne, në përgjithësi, strategjitë dhe planet e veprimit na i kanë injektuar partnerët ndërkombëtarë. Vullneti dhe energjia për ndryshim nuk është gjeneruar nga brenda, por nga jashtë. Projektet dhe programet e ndryshme të zhvillimit nga donatorët janë kujdesur ta bëjnë rrugën e shtruar për drejtuesit e dikastereve ose institucioneve tona të tjera qendrore, në nivel të vizionit, objektivave strategjikë dhe parametrave të produktit apo shërbimit që ofrojnë. Shumë pak angazhime projektesh kanë dalë nga dëshira dhe vullneti i drejtuesve tanë. Kjo është arsyeja kryesore pse objektivat kryesisht sasiore dhe ambicioze të shumë planeve afatgjata të zhvillimit në sektorë të ndryshëm kanë ngelur në letër, nuk janë realizuar, ose janë realizuar në një masë të vogël.
Samiti “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor” në Poznan të Polonisë, në kuadër të procesit të Berlinit, më 4-5 korrik 2019 ishte një dështim për Shqipërinë, për të paraqitur projekte me interes rajonal dhe me mundësi të larta financimi nga donatorët. Vendet tona fqinje si Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi ishin shumë më aktive. Ne nuk arritëm të paraqisnim asnjë ide dhe projekt të ri dhe kjo është për të ardhur keq. Ndërkohë, idetë për projekte me vlerë të lartë të shtuar bashkëpunimi rajonal janë të gjitha aty. Mjafton të përmendim dy: zgjerimin dhe modernizimin e portit të Shëngjinit për t’u përdorur nga biznesi dhe ekonomia e Kosovës, si dhe idenë-projekt të hekurudhës Prishtinë-Durrës.
Shkalla e projektizimit të aktivitetit publik në Shqipëri paraqitet akoma edhe sot shumë e ulët.
Ajo vuan nga:
1. Mungesa e një strategjie afatgjatë 2021- 2030;
2. Mungesa e strukturave të përshtatshme që të prodhojnë mendim strategjik dhe programe e projekte;
3. Mungesa e ekspertëve dhe e njohurive;
4. Mungesa e vizionit dhe dëshirës për të punuar me plane afatgjata veprimi; Gjatë tranzicionit tonë të gjatë, Bashkimi Europian na ka ndihmuar me fonde dhe projekte asistence teknike që e kalojnë shifrën e 1 miliard eurove. Aftësia jonë si shoqëri, shtet dhe administratë publike, nëpërmjet një trupe ekspertësh të përzgjedhur me kujdes dhe të motivuar për të përthithur fondet të vëna në dispozicion nga BE-ja dhe donatorë dypalësh në këtë interval të gjerë kohor(gati tri dekada), ka qenë shumë e kufizuar. Potenciali i vendit tonë për absorbimin e asistencës teknike të BE-së është i lartë, me ekspertët në fushat e ndryshme që ende vijojmë t’i kemi, si në naftë, energji elektrike, bujqësi etj., por rezultatet e rendisin vendin tonë në nivelin më të ulët ndër vendet e Ballkanit, në fonde të akorduara të BE-së për frymë. Jemi ndër vendet e pakta europiane kandidate për anëtarësim në BE, që nuk kemi ngritur një zyrë të përhershme përfaqësimi në Bruksel, të specializuar për lobim për projekte nga programe dhe projekte rajonale të Komisionit Europian. Mundësitë aty paraqiten të gjera dhe shtetet e tjera të rajonit janë treguar syçelët për ta ngritur një përfaqësi të tillë prej dekadash tashmë.
• Mungesa e një strategjie afatgjatë 2021-2030 Të gjitha programet dhe strategjitë e qeverisë dhe të pushtetit vendor për zhvillimin e vendit në sektorë të ndryshëm përfundojnë në vitin 2020. Ky vit po troket në derë dhe ende nuk është bërë asgjë, madje as nuk është ngritur një grup i vetëm pune, për të përcaktuar drejtimet strategjike për zhvillimin e vendit për dhjetëvjeçarin e ri 2021-2030. Kujtoj se drafti i parë strategjik (“Wite Paper”) i strategjisë së re dhjetëvjeçare për zhvillimin e Europës së Bashkuar 2030 u paraqit nga Komisioni Europian që në muajin mars 2017, ndërsa projekti i plotë “Drejt një Europe të Qëndrueshme në vitin 2030” më 30 janar 2019 (Projekti “Drejt një Europe të qëndrueshme 2030”. https://ec.europa.eu/commission/publications/reflection-paper-towards-sustainable-europe-2030_en).• Mungesa e strukturave të përshtatshme, që të prodhojnë mendim strategjik dhe programe e projekte Sikurse përmend me të drejtë prof. Osmani, vendit tonë i mungon një Institut Kombëtar i Menaxhimit dhe Vlerësimit të Projekteve. Realizohen me dhjetëra e dhjetëra projekte në kuadër të programeve të shumta të asistencës teknike si të Bashkimit Europian, ashtu edhe të bashkëpunimeve dypalëshe me vende aleate strategjike të Shqipërisë, si Italia, Gjermania, SHBA-të(nëpërmjet USAID-it) etj., harxhohen me dhjetëra milionë euro në fonde të livruara, por nga ana e strukturave tona përgjegjëse shtetërore nuk kryhet një vlerësim i pavarur profesional dhe shkencor i rezultateve të arritura dhe i mangësive të vërejtura.
Në artikullin e tij “Burimet, performanca, optimizmi, projekti dhe mirëqeverisja” prof. dr. Skënder Osmani thekson se “Duke pasur parasysh që projektet janë promotori i zhvillimit të shoqërisë, performanca e tyre është një çështje komplekse, me shumë përmasa, madje në vijën e parë të strategjisë kombëtare. Vlerësimi i performancës, para së gjithash e mbi të gjitha kërkon që t’u jepet përgjigje e saktë pyetjeve që bëjnë baballarët e menaxhimit: Çfarë është veprimtaria? Kush e bën atë? Pse bëhet? Si bëhet? Sa (burime etj.)kërkon? Sa fiton? Ku bëhet? Kur bëhet?- e shumë e shumë pyetje të tjera apo nënvariante të pyetjeve të mësipërme. Pra, nuk ka performancë pa projekt e vlerësim të përgjithshëm të tij. Problemi i projektit, i formatit të tij, normave juridike (p.sh. i riskut), varianteve, vendimeve të shndërrimeve paraprake të vetë projektit, të zbatimit, monitorimit e vlerësimit etj., janë çështje themelore, veçanërisht kur investimet janë të mëdha”
Si KLSH, kemi katër vjet që kërkojmë rithemelimin e Institutit të Kërkimeve në Naftë, për shembull, si institucioni që do t’u paraprinte projekteve të reja për këtë pasuri kombëtare dhe do të ofronte një oponencë profesionale dhe të pavarur. Megjithëse është marrë një vendim nga strukturat përgjegjëse për krijimin e tij (dhe ky me shumë vonesë), ende asnjë tullë nuk është vënë, madje as edhe një bërthamë fillestare specialistësh për ringritjen e tij nuk është ngritur. Ndërkohë që vendi ka me dhjetëra e dhjetëra inxhinierë e specialistë shumë të zotë të fushës.
Ende institucionet tona kryesore (në nivele ministrish dhe drejtorish të përgjithshme) që përthithin projekte të rëndësishme donatorësh, nuk kanë një bërthamë me specialistë të zotë, që të punojnë me kohë të plotë për ideimin dhe realizimin e projekteve. Njësitë e menaxhimit të projekteve krijohen vetëm pasi një projekt është miratuar dhe duhet të fillojë të zbatohet dhe jo përpara. Ato janë individuale dhe nuk mbulojnë aktivitetin e të gjithë strukturës publike ku ndodhen.
• Mungesa e ekspertëve dhe e njohurive Specialistët shqiptarë që kanë punuar në projektet e BE-së që në vitet e para të tranzicionit (programet Phare, Erasmus, Fondet Strukturore, EuropeAid, Horizon 1990-2000, për të ardhur te projekti më i fundit i asistencës teknike Horizon 2012-2020, INTERREG, IPARD etj.) nuk janë konsideruar nga politikëbërësit e shtetit tonë. Ata, në rastin më të mirë, janë larguar për në emigracion ose punësuar në sektorin privat, duke marrë me vete të gjithë bazën e të dhënave të programeve që kishin aplikuar ose zbatuar. Në rastin më të keq, janë larguar pa motiv real nga administrata, për shkak të rotacionit politik, ose thjesht pse partia në pushtet ndërroi drejtorin e radhës në institucionin publik ku kontribuonin. Në asnjë rast, atyre nuk iu është kërkuar taksative të linin të paprekur bazën e të dhënave të punës së tyre, projektet, kontaktet, fazat e negocimit për projektet e reja e kështu me radhë. Në këto 28 vite tranzicion është realizuar një masakër me këta qindra e qindra specialistë të aftë të administratës sonë. Dhe të mendosh që pas kualifikimeve të tyre janë me dhjetëra e dhjetëra milionë euro të harxhuara, ose nga fonde donatorësh, ose edhe nga para të buxhetit të shtetit tonë, ose nga të dyja burimet të ndërthurura së bashku.
Ende pas gati tri dekadash, administrata jonë nuk disponon një bazë të dhënash të kush di çfarë në strukturat tona publike. Ideimi dhe zbatimi i programeve dhe projekteve përbën një nga sfidat më të vështira në procesin tonë të integrimit, pasi renditemi ndër vendet e fundit në Ballkan për aftësinë ideuese dhe thithëse të fondeve të asistencës teknike të Bashkimit Europian. Praktika e derisotme e dështimeve të shumta dhe e projekteve pa rezultate të qenësishme dhe të qëndrueshme na mëson se ideimi dhe menaxhimi i një projekti është një detyrë që kërkon shumë përvojë, njohuri dhe praktikë pune. Shpesh kjo detyrë paraqitet tejet e vështirë për t’u kuptuar, ndjekur dhe zbatuar me sukses.
• Mungesa e vizionit dhe dëshirës për të punuar me plane afatgjata veprimi
Në përgjithësi, gjatë gjithë këtyre 28 viteve të bashkëpunimeve për projekte të asistencës teknike të BE-së dhe donatorëve dypalësh (1992- 2019), pala jonë ka qenë në shumicën dërrmuese të rasteve në pozicionin e palës pritëse. Një qasje e tillë ka krijuar në Bruksel për vendin tonë imazhin e një vendi me kapacitete të dobëta ideimi, menaxhimi dhe realizimi projektesh. E kemi në dorë ta ndryshojmë kryekëput këtë situatë dhe imazh.
Koordinimi në nivel kombëtar i programeve dhe projekteve që mund të përfitojnë fonde të asistencës teknike, kryesisht të Bashkimit Europian, por edhe të donatorëve të tjerë, ka nevojë, madje e ka domosdoshmëri, realizimin e idesë së prof. Skënder Osmanit, themelimin e Institutit Kombëtar të Menaxhimit dhe të Realizimit të Projekteve. Ky Institut duhet të ketë njësi ose bërthama me specialistë të tij në çdo dikaster dhe institucion tjetër të rëndësishëm në nivel kombëtar.
Ndërkohë, si qeveria, ashtu edhe strukturat e Shoqërisë Civile duhet të marrin nismën për krijimin e grupeve të përbashkëta për draftimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të zhvillimit të vendit 2021-2030. Me standardet europiane që duam të arrijmë, nuk është aspak herët. Përkundrazi, jemi vonë!