Mbikëqyrja financiare dhe pastrimi i parave

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Gazeta Shqiptare, 17 korrik 2019

Një shok më tregonte se si shiti një tokë të trashëguar nga gjyshi dhe i ranë në hise disa para. Gjykoi t’i vendoste në një fond investimi pranë një banke të nivelit të dytë (në një fond të tillë i tërheq paratë kur ke nevojë në formë shitjeje aksionesh dhe kjo i leverdiste). Duke qenë se ishin më shumë se një milion lekë të reja, arkëtarja e pa dhe pastaj kërkoi shefen e agjencisë bankare ku ai kishte shkuar. Edhe kjo e këqyri mirë e mirë, i kërkoi ndjesë dhe bisedoi në zyrën e vet (një e ndarë e agjencisë) me dikë në telefon. Shoku, për t’i rënë pas origjinës së parave, kishte marrë me vete edhe kontratën noteriale. Sërish shefja e agjencisë i kërkoi ndjesë dhe mori dikë tjetër në telefon. Me siguri noteren e kontratës, për ta pyetur. Të gjitha këto verifikime kërkuan pak më shumë kohë. Shoku u revoltua shumë: “Më trajtuan sikur të isha mafioz me zinxhir të trashë floriri në qafë dhe thasë me para!”, më shfreu. Në fakt, këto verifikime i bëjnë mirë shtetit tonë. Janë sprova për të kontrolluar origjinën e parave. Me to duhet të mësohemi të gjithë, sa herë qarkullojmë para në banka apo fonde investimi. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka dërguar dy projektligje në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të rregulluar më mirë, por edhe për të zhbiruar origjinën e parave. Projektligji “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” dhe projektligji “Për Tregjet e Kapitalit”.

I pari ka të bëjë me fondet e investimit. Të dyja nismat kanë brenda masa më të shtrënguara për ata që mund të duan të pastrojnë para në sistemin tonë financiar. Autoriteti përfaqëson një strukturë në varësi të Kuvendit. Për të, si qytetarë, dimë shumë pak. Ka një mision shumë specifik: të mbrojë dhe të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm për tregjet financiare jobankare. Fusha e veprimtarisë së Autoritetit përfshin rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve, atij të bonove të thesarit, tregun e fondeve të investimit (sipërmarrjet e investimeve kolektive), si dhe tregun e pensioneve vullnetare. Autoriteti  i Mbikëqyrjes Financiare luan një rol kyç në parandalimin e pastrimit të parave në tregjet që mbikëqyr.  Më 17 dhjetor 2018, në raportin e tij të fundit për Shqipërinë (https://www.coe.int/sq/web/tirana/-/albania-should-step-up-its-efforts-to-combat-money-laundering-says-council-of-europe-report) MONEYVAL, Komiteti i Ekspertëve mbi Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, një organ monitorues i Këshillit të Evropës, vlerësoi qasjen që kohët e fundit Autoriteti ka marrë drejt një mbikëqyrjeje financiare të bazuar në risk. Në kuadër të plotësimit të kërkesave të MoneyVAL. Autoriteti ka miratuar manualin e mbikëqyrjes për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, që përfshin mbikëqyrjen me bazë rreziku të të gjitha kompanive që kontrollon. Për tregjet financiare jobankare që po zgjerohen tek ne, ai përgatiti dy projektligjet e mësipërme. Ato e sjellin Shqipërinë më afër Bashkimit Evropian në këto tregje specifike, që mund të bëhen burim i mirë rritjeje ekonomike për të gjithë ne, po të drejtohen me kujdes. I harmonizojnë rregullat e mbikëqyrjes me direktivat e fushës së Bashkimit Europian, përkatësisht “UCITS IV”, “AIFMD”  dhe MIFID 2”.

Projektligjet realizojnë mbrojtje më të mirë të qytetarëve dhe sipërmarrësve investues në këto tregje, si dhe u japin kompetenca shtesë (më shumë forcë) Autoritetit për të parandaluar pastrimin e parave. Ato kanë kaluar edhe procesin e konsultimit publik dhe është mirë që Kuvendi në rifillimin e seancave në shtator t’i miratojë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bashkëpunuar në vijimësi me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Duke realizuar inspektime bashkë, duke ndarë planet e inspektimit dhe rezultatet paraprake. Kohët e fundit e ka shtuar këtë bashkëpunim për të realizuar  rekomandimet e MoneyVAL. Mbi të dhënat nga inspektimet  e deritanishme ka përgatitur një plan të ri më të plotë të inspektimit, të bazuar tërësisht në risk. Ka kryer ndryshimet e nevojshme rregullatore (kushtet për të garantuar parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën ndaj terrorizmit) si në procesin e licencimit të kompanive, ashtu edhe në atë të mbikëqyrjes dhe të raportimit periodik. Tregjet financiare jobankare vijojnë të mbeten të brishta tek ne, njohja e tyre ende e pakët nga qytetarët dhe sipërmarrësit. Shtimi dhe maturimi i këtyre tregjeve paraqet një sfidë reale për vendimmarrësit e politikave financiare në qeveri, për të mundësuar përdorimin e fondeve të shumta që sot nuk alokohen për kredidhënien nga sistemi ynë bankar, në drejtim të investimeve në tregun financiar jobankar. Janë jo pak, por qindra milionë euro. Nga ana tjetër, njohja më e thellë dhe e plotë e tregjeve jobankare nga qytetari i thjeshtë do të rriste dëshirën e tij për të marrë pjesë me kursimet e veta. Nëse, nëpërmjet një informacioni më të gjerë dhe të besueshëm që edukon financiarisht, qytetari kandiset dhe hyn masivisht në këto tregjet jobankare si tregu i sigurimeve, ai i pensioneve vullnetare dhe tregu i fondeve të investimit në Shqipëri (jo thjesht që këto struktura të blejnë bono thesari dhe obligacione), ekonomia jonë mund të fitojë një motor rritjeje, që nuk do të dijë të ndërpritet ndonjëherë në të ardhmen.

Fatos Çoçoli

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi