Konsolidimi fiskal

Nga Prof. Dr Petraq Milo, botuar në Panorama, 25 pershor 2019

Qëllimi i konsolidimit fiskal në vendin tonë ka qenë ulja e deficitit buxhetor dhe rrjedhimisht e borxhit publik. Konsolidimi fiskal konsiston në marrjen e vendimit për dy lloj masash: atë të rritjes së të ardhurave apo shkurtimit të shpenzimeve, ose kombinimin e masave njëkohësisht. Eksperiencat e shumë vendeve që kanë ndërmarrë reforma në drejtim të konsolidimit fiskal, kanë treguar jo vetëm raportin e kontributit ndërmjet dy masave, por dhe një radhë prioritare të zbatimit të këtyre politikave me qëllim që të arrihet një konsolidim fiskal me efekte sa më pak negative sociale dhe ekonomike. Në përgjithësi synohet të arrihet një kontribut optimal ndërmjet të dy masave, d.m.th., nga shkurtimi i shpenzimeve një kontribut në raportin 2/3 të nivelit të konsolidimit fiskal apo masës së uljes së deficitit dhe një kontribut me 1/3 nga rritja e të ardhurave. Kontributi me fokus në shkurtimin e shpenzimeve publike këshillohet kur ka një nivel të lartë të tyre dhe në mënyre të veçantë të subvencioneve, të shpenzimeve të papunësisë etj. Ndërsa kontributi me fokus rritjen e të ardhurave këshillohet në rastin kur vendi ka një barrë të ulët fiskale dhe ka një hapësirë për rritjen e normave tatimore.

Ndërsa në lidhje me radhën e prioritetit të uljes së shpenzimeve apo rritjes së normave tatimore nga e para dhe deri te masa e fundit për të arritur në një konsolidim fiskal të balancuar, këshillohet: (i) shkurtimi i subvencioneve, (ii) rritja e tatimit mbi pronën, (ii) rritja e taksave të ambientit, (iii) shkurtimi i përfitimeve të papunësisë, (iv) rritja e taksimit mbi konsumin (v) shkurtimi i shpenzimeve nga skemat e përfitimit të paaftësisë, (vi) rritja e taksimit mbi korporatat dhe taksimit mbi të ardhurat personale, (vii) rritja e kontributit shoqëror dhe shëndetësor. Ndërsa kategoritë si ulja e shpenzimeve operative, shkurtimi i përfitimeve familjare, shkurtimi i investimeve publike, si dhe shkurtimi i shërbimeve shëndetësore dhe të arsimit duhet të jenë masat e fundit që mund të ndërmerren. Ndërsa një konsolidim shumë pozitiv do të duhej të kombinonte marrjen e masave të para me rritjen e shpenzimeve sociale, të pagave dhe pensioneve si dhe të investimeve publike.

Po në eksperiencën shqiptare, cila është cilësia e konsolidimit fiskal? Cila është struktura e konsolidimit fiskal, elementët kontribuues të këtij konsolidimi si dhe efektet e mundshme?

Shqipëria, krahasuar me vendet e rajonit, karakterizohet nga një barrë fiskale relativisht e lartë, por me një nivel shumë më të ulët në përqindjen e mbledhjes së të ardhurave të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, si dhe një nivel shumë të ulët të shpenzimeve publike, jo vetëm në totalin e tyre, por edhe sipas kategorive ekonomike. Vendi ynë, nga raportet ndërkombëtare, ka nivelin e pagës dhe masës së përfitimit të pensioneve më të ulëta në rajon. Gjithashtu, edhe niveli i shpenzimeve të investimeve publike jo vetëm që është me i ulëti në rajon, por dhe aktualisht është nën kufirin e tij optimal. Nisur nga ky fakt, konsolidimi fiskal në vendin tonë duhet të synonte shkurtimin e shpenzimeve e subvencioneve, pagesat e papunësisë, si dhe shkurtimin e shpenzimeve të interesave të borxhit. Por më e rëndësishme dhe urgjente mbetet konsolidimi fiskal nëpërmjet rritjes të të ardhurave, konsideruar evazionin e lartë tatimor, grumbullimin e vështirë të taksave, eficencën e administratës fiskale, nivelin e korrupsionit etj. Reformat duhet të synonte rritjen e bazës tatimore për të gjitha llojet e taksave, duke ndjekur një politikë fiskale me norma sa më të ulëta dhe uniformë krahasuar dhe me rajonin.

Në analizën e cilësisë së konsolidimit fiskal kemi konsideruar dy periudha afatgjate, d.m.th. në periudhën 1998–2008, e krahasuar me periudhën 2018–2008, ne vijmë në periudhën 2019- 2018, si dhe periudhën e parashikuar 2022 – 2019. Në të dyja periudhat afatgjate, si ajo e 2008-1998 dhe e 2018-2008, është arritur të ulet deficiti buxhetor në mënyrë të konsiderueshme. Nga 9.6% në vitin 1998, në 5.6% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në vitin 2008 dhe në 2.0% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në vitin 2018. Ulja e deficitit buxhetor ka vazhduar dhe më tej, në 1.9% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për vitin 2019 dhe në vazhdim 1.1% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, e parashikuar për vitin 2022.

Në periudhën e parë 2008-1998, konsolidimi fiskal është produkt i një kombinim si i rritjes së të ardhurave dhe shkurtimit të shpenzimeve, në një raport pothuajse 1 me 1.2, ose 45% nga rritja e të ardhurave dhe 55% nga shkurtimi i shpenzimeve. Një konsolidim që mund të konsiderohet shumë pozitiv jo vetëm nga raporti shume i balancuar, por dhe nga kontributi i elementëve të tij. Rritja e të ardhurave vjen kryesisht nga rritja e të ardhurave tatimore nga 13.5% në 19.0% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto si dhe kontributeve nga 3.9% në 4.4% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto dhe në veçanti mbas vitit 2005 është rezultat i reformës së politikës fiskale në reduktimin e ndjeshëm të normës tatimore të tatimit mbi të ardhurat, të ardhurat personale si dhe kontributeve shoqërore dhe shëndetësore dhe rritjes së eficiencës së administratës tatimore dhe doganore.

Dhe në krahun e shpenzimeve, konsolidimi fiskal në përgjithësi mbetet shumë pozitiv sepse shkurtimi është rezultat i një kombinimi të rritjes së lartë të shpenzimeve për investime publike, të shpenzimeve të buxhetit lokal, të shpenzimeve të sigurimeve dhe shëndetësore, të ruajtjes së nivelit të ndihmës ekonomike dhe uljes së ndjeshme të shpenzimeve për interesa, të subvencioneve, si dhe të shpenzimeve për papunësinë, me përjashtim të uljes së ndjeshme të shpenzimeve operative.

Ndërsa, në periudhën e dytë 2018-2008, kontributi nga ulja a shpenzimeve rritet në 2/3, ndërsa nga të ardhurat ulet në 1/3, ose 70% nga shkurtimi i shpenzimeve dhe 30% nga rritja e të ardhurave. Nga pikëpamja e raportit, përsëri konsolidimi fiskal mbetet i ngjashëm me eksperiencat e vendeve të tjera. Kjo periudhë karakterizohet nga kriza financiare dhe ulja e rritjes ekonomike mbas vitit 2008, por edhe ndryshimit të politikës fiskale mbas vitit 2013 me rritjen e barrës fiskale të tatimit mbi të ardhurat dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Kontributi nga rritja e të ardhurave vjen vetëm si rezultat i masave administrative për formalizimin e mëtejshëm të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, por jo i zgjerimit të bazës tatimore për taksat e tjera. Të ardhurat tatimore në këtë periudhë ulen nga 19.0% në vitin 2008, në 18.9% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në vitin 2018. Ndërsa nga krahu i shpenzimeve konsolidimi mbetet negativ sepse pavarësisht një rritjeje të shpenzimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe të buxhetit lokal apo edhe një ulje të lehtë të shpenzimeve për interesa, ka një ulje shumë të lartë të investimeve publike nga 8.7% në vitin 2008 në 5.1% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në vitin 2018, një ulje të shpenzimeve të ndihmës ekonomike si dhe ulje po e lartë e shpenzimeve të personelit dhe në veçanti të shpenzimeve për paga Situata përkeqësohet më tej në periudhën 2019-2018 dhe parashikimin për periudhën 2022-2019, sepse barra e konsolidimit fiskal bie vetëm dhe vetëm në uljen e shpenzimeve publike dhe jo në rritjen e nivelit të të ardhurave, të cilat ulen në vitin 2019, krahasuar me vitin 2018 dhe qëndrojnë të pandryshuara deri në vitin 2022. Në periudhën 2019-2018 konsolidimi është më negativ sepse shkurtimi i shpenzimeve duhet të kompensojë dhe uljen e të ardhurave. Ndërsa në periudhën 2022-2019 konsolidimi pritet që të jete 100% produkt i shkurtimit të mëtejshëm të shpenzimeve publike. Ndërsa analiza e kategorive ekonomike tregon një ulje të tyre si në krahun e të ardhurave, si dhe në vazhdimësi të uljes së të gjitha kategorive të shpenzimeve.

Konsolidimi i tillë fiskal i mbështetur vetëm në uljen e shpenzimeve dhe në asnjë përpjekje në rritjen e të ardhurave gjykohet negativ dhe ka vënë në diskutim efikasitetin e politikës fiskale si dhe funksionimin e kërkuar te institucioneve publike. Ulja e shpenzimeve publike në këtë nivel kritik dhe në mënyrë të veçantë e investimeve publike, të buxhetit lokal, të ndihmës ekonomike dhe të personelit ka pasoja shumë negative në cilësinë e infrastrukturës publike, në cilësinë e shërbimeve publike dhe sociale si dhe një ndikim negativ në mënyrë të drejtë për në ritmet e rritjes ekonomike. Efekti negativ në rritjen ekonomike do jetë rezultat edhe i uljes së kërkesës për konsum si nga punonjësit dhe pensionistët, si dhe i kërkesës për konsum i institucioneve publike. Gjithashtu, ulja shpenzimeve të personelit, të pagave, të pensioneve, të ndihmës ekonomike, do të ndikojë në rritjen e kostos reale të jetesës të këtyre kategorive.

Konsolidimi fiskal në vendin tonë duhet të jetë kryesisht një reformë për rritjen e të ardhurave nëpërmjet korrigjimit të politikave fiskale për uniformizimin, uljen e normave tatimore dhe të numrit të taksave, të eliminimit te përjashtimeve për të krijuar një klimë demotivuese për evazion, si dhe një administrim fiskal më i thjeshtë me qëllim të zgjerimit të bazës tatimore dhe përmirësimit të eficiencës së administratës fiskale. Në krahun e shpenzimeve, ulja e tyre e mëtejshme nga niveli e tyre kritik mund të jetë i mundur vetëm në uljen e madhësisë së qeverisë, të uljes se kostos së borxhit publik, i kontrollit efektiv mbi prokurimet etj.

Në kushtet kur disa kategori shpenzimesh janë në nivelin e tyre shumë të ulët dhe kritik, arritja e një caku të tillë në uljen e masës së deficitit buxhetor në nivelin 1.1% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në vitin 2022 mund të gjykohet që do të jetë pozitiv. Ulja e deficitit dhe ai i uljes së borxhit publik do të ketë një kosto të lartë sociale dhe ekonomike. Ky cak mund të shtrihet në një kohe më të gjatë në mënyre graduale për të siguruar një ekuilibër me të shëndetshëm, rezultat i kontributit në radhë të parë dhe kryesisht i rritjes së të ardhurave, dhe potencialisht vetëm të uljes të kategorive të shpenzimeve, të cilat nuk kanë një efekt të drejtpërdrejtë ekonomik dhe social si dhe të mundësive të rritjes se shpenzimeve kryesisht për paga, pensione, të shërbimeve sociale dhe të investimeve publike. Gjithashtu, mund të konsiderohet që të vendoset jo vetëm një rregull fiskal për mostejkalimin e nivelit të deficit buxhetor si dhe të borxhit, por dhe një rregull fiskal për nivelin e shpenzimeve për paga, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, për shpenzimet operative si dhe nivelin e investimeve publike për të mos lejuar uljen e tyre përtej një niveli kritik.

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan