Shqipëria s’do jetë kurrë demokratike, pa transparencën e partive të saj

Nga Ben Andoni, botuar në Gazeta Shqiptare, 16 qershor 2019

Është një problem që ceket gjithnjë por që në fund resht, pasi partitë politike i përvishen kinse njëra-tjetrës në planin makro, duke lënë thelbin nga ku buron vetë demokracia e tyre.

Është e vërtetë se pluralizmi politik është shenja më e mirë sesi funksionon një demokraci, por në kushtet e Shqipërisë ajo nuk mjafton. Partitë e sotme shqiptare në një sistem të tillë jo-rrallë janë në kundërshtim të hapur me programet e tyre, kurse anëtarësia mbetet thjesht një funksion ku mekanizmi i këtyre partive ngre politikat për të drejtuar një vend. Po sa pasqyrohen propozimet programore të bazës ose të njerëzve që kontribuojnë për zgjidhjen e problemeve dhe si filtrohen anëtarët që mbartin mandatet e parlamentit dhe administratës shtetërore, kur pas fitores në zgjedhje vjen radha që institucionet të realizojnë programet e tyre? Është një përgjigje që e di gjithkush. Në sistemin zgjedhor që kanë imponuar dy partitë kryesore me ndryshimet e vazhdueshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor është e pamundur që demokracia jonë të jetë kapilare. Gjithçka varet nga dy krerët respektivë të partive: atij të Partisë Socialiste dhe kundërshtarit të tij të Partisë Demokratike. Janë kaq afër politikës së tyre për të dominuar gjithçka, saqë një studiues serioz e ka të vështirë të hulumtojë në drejtimet ideologjike ku dallojnë këto tipe partish, përveç aspekteve të tjera.

Shqipëria ka një histori të forcave të saj politike shumë interesante. Ajo fillon me momentin e  krijimit të Këshillit Kombëtar, që hapi udhën e parlamentarizmit në vitin 1920. Qysh më 10 tetor 1920 një grup deputetësh të asaj kohe nxorën programin politik të Partisë Popullore Kombëtare, ku spikasnin emrat e atyre që do ndikonin në historinë tonë: Fan Nolit, Ahmet Zogut, Eshref Frashërit, Luigj Gurakuqit, etj., personazhe të cilët do kthehen armiq mes vete dhe pak më vonë kur deputetë të tjerë shpallën krijimin e një force tjetër politike të quajtur Partia Përparimtare Shqiptare, ku dallonin emrat e njohur të Veriut si Hoxhë Kadriu, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Verlaci, lufta nuk do rreshtë më. Për pak javë një grup kundërshton dhe nis përplasja, që nuk mbaron dhe sot e kësaj dite, kuptohet tashmë nën ideologjitë e tjera. Thelbi: Ato nuk bëhen kurrë formacione që konkurrojnë me programe politike, por grupime të motivuara për marrjen e pushtetit, që përdorin gjithçka nga fondet që kurrë nuk provohet deri në interesa më të ngushta.

Dhe, ndodh që partitë nuk kanë dokumente për kuotizacionet e tyre, kurse transparenca e financimit të partive ende nuk po i bind strukturat që drejtojnë formacionet se është më shumë se detyrë për klasën politike shqiptare që të jenë të hapura dhe të ndershme. Por nuk mbyllet këtu. Në masë financimi i partive politike dhe përpjekjet e tyre të gjitha llojeve për të fshehur të dhënat përbën një nga problemet më të madha që has procesi zgjedhor. Një administratë zgjedhore që duhet t’i hulumtojë këto shkelje shpesh është e pazonja por edhe shumë e politizuar për të realizuar detyrën e saj. E më keq akoma: Nuk ka shenja optimizmi sepse edhe pse Kodi Elektoral i ka të përcaktuara dispozitat që ngushtojnë hapësirat për përdorimin e parave të pista, në mënyrën sesi është zbatuar deri më tani tregon se nuk funksionon. Dhe, paradoksi nuk mbaron këtu. Partitë politike janë të detyruara që duhet të paguajnë vetë audituesin e tyre.

Mentaliteti demokratik i partive shqiptare është ende në nisje, kurse me manovrimet e shumta që bëhen nga auditimi i financave të partive politike është gati i pamundur transparenca, pasi nuk kontrollohen burime, konfliktet e interesave, pagesat “cash” etj. Kontrolli i të ardhurave është dhe mbetet formal kurse partitë fusin lirisht ndikimet e tyre deri në KQZ. Kjo i ka bërë audituesit privatë krejt të painteresuar dhe konsensusi duket sot në mbylljen e syve që transparenca të mos ndodhë. Politikanët vazhdojnë e bëjnë demagogji duke paragjykuar, por nga ana tjetër me zhurmën fshehin realisht atë mungesë demokracie që është në të gjitha partitë.

“Demokracia dhe plus injoranca e popullit, është rruga më e shkurtër drejt despotizmit nëpërmjet demagogjisë”, thoshte dikur Benjamin Franklini dhe kjo na mëson se demokratizimin duhet ta fillojmë që nga transparenca jonë. Por për këtë askush nuk është i interesuar, sepse të gjithëve u intereson pushteti. (Homo Albanicus)

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan