Në rast se presidenti shpërndan edhe Parlamentin

Nga Brizida Gjikondi, botuar në JavaNews, 10 pershor 2019

Po flitet shumë këto orë që presidenti i Republikës së afërmi përpos shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore, do shpërndaj edhe Parlamentin. Tashmë Shqipëria është një fushë shahu e madhe, ku asgje nuk është si duket, dhe as ka qënë, ku cdo lëvizje dhe intrigë ka funksionuar për të mbarsur klimën politike, për të ngritur topa që më pas faktorë dhe personazhe të politikës së lartë shqiptare ti zhysin sidomos mbi fatet e shqiptarve.

U bë kohë që Shqipëria nuk po gjen paqe, ka syresh që thonë që kjo ka ndodhur prej Reformës në Drejtësi, por ky është një arsyetim pjesor, i cunguar, kriza ka lindur prej 21 prillit të 2008’ës. Ditën që shqiptarve ju hoqën sovranitetin mbi fatet e tyre.

Ditën që Kushtetutës i vranë shpirtin dhe qëllimin për të cilën është hartuar dhe aprovuar me Referendum mbarë kombëtar në fillimet e saj (pikërisht aty qëndronte dhe fisnikëria dhe jetëgjatësia e saj). Shqiptarët prej 11 vjetësh nuk zgjedhin, deputetët zgjidhen nga pronarët e partive politike me emërim preferencial, shqiptarët nuk marrin pjesë në asnjë vendim marrje që ka të bëjë me ta, absolutisht në asnjë.

Atyre nuk ju lejohen Referendumet si lokale dhe ato vendore. Absolutizmi i ushtrimit të pushtetit nga ana e kësaj klase politike me rotacion dhe i siguruar me ndryshimet kushtetuese është tragjik në një shtet të dalë nga diktatura.

Shkëputja e tyre nga interesat e shqiptarve po ashtu. Tashmë kur vetë palët në konfliktin aktual janë ato që kanë gatuar këtë çorbë, është e trishtueshme që ne duhet të gjykojmë mbi një shtrat dhe moral tërësisht të kompromentuar, pasi rrezikojmë që edhe gjykimi ynë të rezultojë i tillë. Përpara se të zbresim në kockë të kësaj sëmundje që ka përfshirë Shqipërinë, mirë është të saktësojmë dy gjëra. E para, në Shqipëri nuk ka të majtë dhe të djathtë, por ka dy kasta politike që sillen me shqiptarët në varësi të mardhënieve që ata kanë me kapitalin dhe bizneset.

Ligjet, kreditë, kontratat, koncesionet dhe gjithëcka tjetër që ata vulosin përgjatë sundimit të tyre, vetëm me shqiptarët nuk ka të bëjë. Titullarët e të dy kaheve të politikës shqiptare janë biznesmenë të mirëfilltë, por ndër ata të një rrace kriminale, pa moral dhe pa rregulla të mirëfillta biznesi. Ata kanë grabitur moralin, financat dhe të ardhurat e mbarë shqiptarve për të sunduar, ricikluar patur imunitet dhe jetëgjatësi.

Kjo kastë imorale politike, nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe aq më pak respektim të tyre. Eshtë skandaloz fakti që aq shumë mospërfillje dhe neveri kanë për shqiptarët dhe ligjet bazë të shtetit, saqë Kushtetutën pasi e hoqën nga duart e shqiptarve të cilët e votuan me referendum kombëtar, ja dhanë kthetrave të tyre dhe vendosën që cdo ndryshim i saj dhe institucion që del prej saj ta zgjedhin dhe votojnë vetëm ata dhe kthetrat e tyre.

Tashmë Kushtetuta është një ligj themelor i kompromentuar, po të lexosh tekstin e saj sot ti do kuptosh që ajo më shumë është një akt kalimtar se një akt definitiv, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për strukturat e përkohshme të reformës në drejtësi që janë sanksionuar në trupin e saj. Por kjo Kushtetutë ka shumë vakume, paqartësi dhe ambiguitete. Sa për presidentin, në rastin e tij ka dekada që pritet që Parlamenti shqiptar të aprovoj një ligj organik që ka të bëjë me Institucionin e Presidentit, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Presidenti shqiptar tashmë është një figurë më shumë onorifike, kjo jo vetëm pse Shqipëria është një Republikë Parlamentare por edhe sepse ndryshimet e 21 prillit 2008 prekën edhe fushën e tij të veprimit. Pavarësisht kësaj, vendimi i djeshëm i presidentit të Republikës për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale ishte në tejkalim të kompetencave që i njeh Kushtetuta. Zgjedhjet shtyhen vetëm në situatatë shpalljes së gjëndjes së jashtëzakonshme.

Në Shqipëri nuk kishim të shpallur një Gjëndje të Jashtëzakonshme, saktësoj që ligjërisht Gjëndjen e Jashtëzakonshme e shpall Parlamenti, dhe e shpall në situatë lufte ose të fatkeqësive natyrore. Vetëm në kësi rastesh nuk kryhen zgjedhjet parlamentare dhe lokale, por gjithësesi nuk është presidenti që e ndërmer këtë procedurë.

Ai mund të fshihet mbrapa arsyetimit të mos ekzistencës së Gjykatës Kushtetuese, por sërish as kjo nuk e justifikon. Reforma në drejtësi është votuar nga e gjithë klasa politike shqiptare, pa përjashtim dhe dihej që shpata e Demokleut do binte edhe mbi Gjykatën Kushtetuese, ndaj të bësh sot profanin dhe të çuditurin është totalisht cinike dhe dyshuese.

Presidenti i Republikës ka vepruar në besprerje dhe imoralitet në raport me shtetin e së drejtës dhe institucionin që përfaqëson. Ai tashmë nuk është më simboli i unitetit kombëtar, i stabilitetit dhe prosperitetit por e kundërta e këtyre simboleve.

Vetëm me veprimin e tij dje për shtyrjen pa referim ligjor të zgjedhjeve u zbërthye loja e largimit dhe braktisjes së parlamentit nga opozita, publikimi i përgjimeve etj etj, gjithëcka është në funksion të një pazari, imuniteti dhe përleshje kapitalesh por kurrësesi për shqiptarët dhe interesat e tyre.

Këto orë flitet që presidenti do shpërndaj edhe Parlamentin, dhe me vëmëndje po lexoja Kushtetutën, sërish ishin të përcaktuara rastet kur mund të shpërndahej dhe të gjitha kalonin në hallka qeveri-parlament po kurrësesi për iniciativë personale të zotit Meta.

Tashmë batalionet e kapitaleve janë rrjeshtuar për luftë ballore, të dyja fshihen mbrapa “moraleve” që nuk i kanë, pasunarët ose thënë qartë shushunjat e gjakut dhe jetëve të shqiptarve janë drejt përplasjes finale, dhe pikërisht sot shprehja e Sokratit është më aktuale se kurrë, ai thoshte “ të gjitha luftrat bëhën vetëm për para”.

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan