Kanun apo Kushtetutë

Nga Fatos Tarifa,botuar në Dita, 1 qershor 2019

Shoqëria nuk sheh pas dhe historia nuk përsëritet, as mbetet në vend. Kanuni i djeshëm i një Shqipërie pa shtet nuk mund të jetë kushtetuta e shtetit shqiptar.

Dje, z. Ndue Dedaj botoi në gazetën Panorama një shkrim me titull “Shqipërisë i duhet një Kanun”. Në këtë kohë absurde në të cilën jetojmë, kur kushdo mund të thotë e të botojë çfarëdo që dëshiron, ky titull nuk do më kishte bërë ndonjë përshtypje sikur të mos kisha lexuar, disa vite më parë, nga i njëjti individ, të njëjtën ide, të përgjithësuar në plan global: “Nëse bota do të kishte vendosur një Kanun mes principatave, shteteve, perandorive, besimeve, ajo nuk do të kishte pasur luftëra…[Po] të kishin vendosur një Kanun shqiptarët e tranzicionit, nuk do të kishin ndodhur mbrapshtitë e rënda, as piramidat, as trazirat e 97-ës, as ngjarjet rrënuese të vitit më pas” (Ndue Dedaj, Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit. Tiranë: Geer, 2010, 64).

Në shkrimin e djeshëm, z. Dedaj risjell të njëjtën temë, duke e shpjeguar gjendjen e sotme politike e sociale të Shqipërisë me mungesën e një Kanuni, si ai i Lek Dukagjinit apo kanunet e tjerë që kanë ekzistuar në vendin tonë në Mesjetë, ose në kohët para-moderne. Dhe kjo ide e tij shoqërohet, krejt pa vend me eksklamacionin: O tempora! O mores!

z.Dedaj e mbyll shkrimin e djeshëm me ftesën që lexuesi të komentojë më tej pikëpamjet e tij. Si një lexues i informuar për historinë dhe rolin e Kanunit në shoqërinë shqiptare dhe si një sociolog që kam shkruar e botuar gjerësisht mbi këtë subjekt, nuk mund të rri pa venë në dukje se ideja që shpreh z. Dedaj është sociologjikisht e painformuar, madje absurde, ndërsa logjikisht tërësisht e pasaktë. Gjithçka që z. Dedaj thotë në shkrimin e tij mund të përmblidhet në dy “argumente”.

“Argumenti” i parë: “Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit, ndërsa Kanuni ishte…ligji themeltar jo i shtetit, por i shoqërisë dhe drejtpërsëdrejti i njeriut”. Me këtë tezë, të cilën e formulon qysh në paragrafin e parë të shkrimit të vet, z. Dedaj, pa dashur, pohon pikërisht të kundërtën e idesë që ai përpiqet të argumentojë: Kanuni ishte një korpus normash etike dhe rregullash procedurale të pashkruara, edhe pse tepër të elaboruara, në formën e një kodi zakonor, tipik për shoqëritë para-shtetërore dhe para-moderne. Si i tillë, një kanun si ai i Lek Dekagjinit nuk bën asnjë kuptim në një shoqëri që ka ndërtuar shtetin e vet më shumë se një shekull më parë. E drejta zakonore, e kodifikuar në formën e Kanunit, është një anakronizëm në një shoqëri moderne, ose në modernizim e sipër, siç është shoqëria e sotme shqiptare.

Kanuni, veçanërisht disa nga elementët ngjizës më esencialë të tij, si besa apo gjakmarrja, janë idolizuar dhe romantizuar në kujtimet e shumë udhëtarëve të huaj, që e kanë vizituar Shqipërinë e veriut në fund të shekullit e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, kur malësitë e veriut të Shqipërisë, banorët dhe doket e tyre kishin, siç shkruante më 1894 William Cozens-Hardy, “çdo element romantik për ta mrekulluar udhëtarin e huaj”. Ky pohim ilustron atë që historiani amerikan Paul Fussell e cilëson si një “modë borgjeze perëndimore, ose primitivizëm romantik”, qëndrim i cili karakterizonte mënyrën se si vlerësoheshin vendet dhe popujt folklorikë të Ballkanit në fillim të shekullit të 20-të dhe në periudhën mes dy luftërave botërore.

“Argumenti” i dytë: Meqenëse pushtetarët e sotëm janë të pamoralshëm (një pjesë e mirë e tyre janë vërtetë të tillë), meqenëse ata sillen e drejtojnë si “neobolshevikë”, shajnë e fyejnë njëri-tjetrin, madje edhe e braktisin parlamentin, Kanuni ofron shembullin më të mirë të moralit burrëror (“burrat e Kanunit”) dhe të mënyrës se si duhen drejtuar punët e shoqërisë, përmes parisë së krahinës apo pleqësisë së fshatit.

Për z. Dedaj nuk ka kurrfarë rëndësie konteksti kohor e shoqëror. Ai flet për shoqërinë e sotme shqiptare sikur ajo të ishte ende një shoqëri e strukturuar mbi baza fisnore (në një raport hierarkik të tillë, si familja e zgjeruar, vllaznia, fshati, bajraku dhe fisi) dhe sikur marrëdhëniet sociale, mënyra e prodhimit dhe ajo e jetesës të rregulloheshin edhe sot mbi bazën e së drejtës zakonore, apo të “demokracisë fshatare”, siç shprehet ai. Z. Dedaj nuk e di, ndoshta, se mënyra demokratike e organizimit dhe e drejtimit të shoqërisë lidhet jo me fshatin, ose me jetën rurale, por me qytetin, me jetën urbane, me industrializimin, arsimimin dhe racionalizimin e shoqërisë.

Për Max Weber-in, shkaku më i thellë që çoi në diferencimin e shoqërive të ndryshme dhe që përcaktoi rrugët e tyre të ndryshme të zhvillimit ka qenë pikërisht racionalizimi i shoqërisë. Nëse me racionalizim kuptojmë atë çka kishte parasysh Weber-i, pra zëvendësimin e traditave, të vlerave e të emocioneve (si forca motivuese të sjelljes njerëzore), me motive racionalë, të kalkuluar mirë, atëherë kuptohet pse ai tregoi një interesim kaq të madh për studimin e së drejtës zakonore dhe të gjakmarrjes si dukuri sociologjike.

Për Weber-in, gjakmarrja është një institucion universal. Ajo ka ekzistuar te të gjithë popujt dhe në të gjitha kulturat, ndërsa ruajtja e rendit përmes institucionit të policisë është një dukuri kryesisht moderne dhe perëndimore. Sipas tij, me përjashtim të qyteteve, Orienti kurrë nuk e ka njohur sa duhet këtë institucion. Edhe pse qyteti oriental, i cili u krijua kryesisht për qëllime administrative, ka pasur një lloj organizimi të ngjashëm me policinë, “pushteti i saj mbaronte fare pak përtej mureve të qytetit”. Në dallim nga qyteti, banorët e fshatit, kur vinte puna për të mbrojtur sigurinë e tyre dhe rendin, në vend të policisë mbështeteshin te gjakmarrja. Me fjalë të tjera, përveç racionalizimit ekonomik, juridik dhe politik, kultura perëndimore karakterizohet edhe nga ruajtja e rendit përmes forcës policore. Shoqëritë perëndimore, argumenton Weber-i, kanë kaluar nga gjakmarrja te pushteti policor.

Sipas Weber-it, “të gjitha strukturat politike bazohen në përdorimin e dhunës”. Edhe pse politika dhe dhuna nuk janë e njëjta gjë, ato lidhen shumë me njëra-tjetrën. Sipas tij, një “komunitet politik” mund të përkufizohet si “një komunitet, veprimi shoqëror i të cilit synon nënshtrimin e banorëve të një ‘territori’ ndaj sundimit të ligjit dhe sjelljen e tyre në atë mënyrë që e pranon si të mirëqenë forcën fizike, përfshirë edhe forcën e armëve”. Në këtë kuptim, pushteti politik mund të thuhet se ka ekzistuar në të gjitha format e organizimeve shoqërore, madje, sipas Weber-it, në shoqëritë paramoderne, edhe familja, ose fisi, s’kanë qenë gjë tjetër veçse një formë komuniteti politik. Stabiliteti i strukturave fisnore (pothuajse kudo), argumenton Weber-i, garantohej nga gjakmarrja. Funksioni i gjakmarrjes, si forca fizike e një komuniteti politik primitiv, sipas tij, është një dukuri universale, e pranishme në të gjitha shoqëritë në fazat e hershme të zhvillimit të tyre kulturor.

Përfundimi në të cilin erdhi Weber-i ishte se gjakmarrja mbetet e vetmja mënyrë për mbrojtjen e sigurisë personale në ato shoqëri, të cilat nuk kanë një aparat të integruar për administrimin e legjitimuar të forcës. Në dallim nga shoqëritë orientale, p.sh. Kina ose India, në të cilat gjakmarrja mbeti për një kohë të gjatë mjeti kryesor i ushtrimit të forcës fizike, në Perëndim, forca publike u racionalizua dhe, hap pas hapi, u zhvilluan shoqëri të tilla, në të cilat, pushteti publik ekzekutohej jo më nga gjakmarrja, por nga organe të specializuar të ushtrimit të ligjit.

Lexuesi mund të pyesë: ç’kuptim bëjnë sot, në shekullin e 21-të, mendimet që shpreh z. Dedaj? Si mundet një mendje e arsyeshme të kërkojë kthimin në një traditë që e legjitimonin dhe e justifikonin kushte historike, politike ekonomike e shoqërore dhe një strukturë sociale që sot nuk ekzistojnë më?

Sepse, çfarë thotë, në fund të fundit, z. Dedja në shkrimin e tij, sot, në vitin 2019? Ai thotë se Shqipëria po vuan këto që po vuan dhe nuk po bëhet dot një shtet modern sepse ka hequr dorë nga Kanuni dhe e ka zëvendësuar atë me një Kushtetutë, ka hequr dorë nga paria dhe pleqësitë dhe i ka zëvendësuar këta institucione me një parlament dhe me këshilla bashkiakë. Këta institucione mund të funksionojnë në vende të tjerë, por jo për shqiptarët dhe jo në Shqipëri. Prandaj, “Shqipërisë i duhet një Kanun”.

Nostalgji për shekujt e shkuar?! Ndoshta jo. Mungesë e vizionit historik. Po. Në vend që zgjidhja e problemeve të sotëm të Shqipërisë të kërkohet te konsolidimi i institucioneve demokratike të saj, te praktika më të mira legjislative e qeverisëse dhe te krijimi i një kulture demokratike në të gjitha shtresat e popullsisë, evokohen institucione e praktika shoqërore, të cilat sot janë relike të një epoke historike të perëndua! Në vend që të kërkohet të hartohen ligje më të mirë dhe të zbatohen ata me rreptësi, sugjerohet të hiqet dorë nga ligjet dhe t’u kthehemi normave të pashkruara të Kanunit!

Shoqëria nuk sheh pas dhe historia nuk përsëritet, as mbetet në vend. Kanuni i djeshëm i një Shqipërie pa shtet nuk mund të jetë kushtetuta e shtetit shqiptar.

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan