Damon Wilson: Zgjedhjet të mbahen në kohën e caktuar
News 24, 31 maj 2019
Damon Wilson është ekspert i zhvillimeve ndërkombëtare dhe njëkohësisht zëvendës drejtor ekzekutiv i organizatës prestigjioze amerikane Atlantic Council me qendër në Washington DC. Wilson gjithashtu shërbeu si Drejtor i Lartë për Çështjet Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të dytë të Presidentit George W. Bush. Ai zhvilloi këtë të martë një vizitë në Tiranë ku dha edhe një intervistë ekskluzive për televizionin News 24.
Zoti Wilson, a mund t’i shpjegoni publikut shqiptar se çfarë është Këshilli i Atlantikut dhe lidhja e saj me Ballkanin?
Këshilli i Atlantikut lindi si një organizatë pas luftës së dytë botërore, U krijua si organizatë nga ata të cilët shërbenin në qeverinë amerikane dhe që kërkonin të mbanin SHBA-në në mënyrë të vazhdueshme të angazhuar në botë. Këshilli i Atlantikut u krijua si një institucion që do të mbështesë demokratët dhe republikanet që besonin në një rol të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në botë. Pra i gjithë misioni ynë ka të bëjë me idenë që SHBA të punojë në mënyrë konstruktive me aleatët dhe partnerët për të zgjidhur sfidat e mëdha. Si pjesë e kësaj ne kemi një angazhim special për Ballkanin Perëndimor. Jemi një forcë që ka punuar për të ndërtuar një Europë të lirë dhe kuptojmë se ai projekt sot nuk është i përfunduar ende në Europën juglindore dhe për këte jemi sot këtu, që të vazhdojmë të mbështesim strategjinë amerikane, angazhimin amerikan dhe lidershipin amerikan në këtë pjesë të rëndësishme të Europës.
Zoti Wilson, si e shikoni perspektivën e Ballkanit për t’u integruar në Bashkimin Europian?
Une jam optimist. E di që mund të jetë zhgënjyese veçanërisht në Shqipëri kur e di se synimi nuk është anëtarësimi i menjëhershëm në BE, por hapja e negociatave dhe në fakt përballemi me vonesa, dhe kjo duhet të jetë shumë zhgënjyese. Si amerikan, nga perspektiva ime, dëshiroj ta shikoj Ballkanin Perëndimor si pjesë të Bashkimit Europian dhe mendoj se kjo është e ardhmja për këtë rajon. Eshtë e lehtë ta thuash këtë si amerikan, por mendoj se strategjia amerikane ka qenë për ta mbështetur këtë proces. Kemi qenë në pararojë për të mirëpritur demokracite e reja në aleancën e Nato-s dhe jemi krenarë që shënojmë 10 vjetorin e aleancës me Shqipërinë dhe më duhet te them se pas dhjetë vjetësh pjesë e Nato-s, ka ardhur koha që edhe Bashkimi Europian të ecë me ritmin e duhur. Une jam shpresëplotë për progresin në këtë aspekt.
Zoti Wilson, parlamenti europian do të ketë një përbërje të re pas zgjedhjeve të mbajtura në BE. Ka një rritje të populizmit në këto zgjedhje. A do të jetë më sfiduese kjo për integrimin e Ballkanit?
Mendoj se është një sfidë, por kjo është pjesë e demokracisë. Gjërat nuk janë të lehta. Sapo u zhvillua një proces shumë i rëndësishëm i zgjedhjeve në Europë dhe është interesante që njerëzit votuan për një sërë temash të rëndësishme që shqetësojnë Europën dhe jo vetëm për çështjet nacionale apo lokale. Kjo do të thotë shumë për atë se çfarë njerëzit mendojnë në lidhje me rolin e tyre në Bashkimin Europian dhe mund ta shikoni se të gjitha partitë kryesore dhe demokracitë perëndimore po përballen me sfida nga e majta dhe nga e djathta, por ajo që rezultoi nga ky proces është se nuk u votua vetëm për nacionalistët apo ato forca që janë kundër zgjerimit, por pamë edhe rritjen e partive liberale, rritjen e partive të gjelbra. Pra pamë partitë që i kanë pikëpamjet e qarta. A është ky një faktor që i komplikon gjërat? Padyshim që po sepse në vetvete Europa është e komplikuar, duhet të mendojë për papunësinë dhe çështjet delikate, Nëse e ruajmë perspektivën strategjike për atë se çfarë po përpiqemi të bëjmë këtu unë jam optimist se do të vazhdojmë me procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimi padyshim që do të përfshijë Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Zoti Wilson, sa e rëndësishme është për Ballkanin që të jetë pjesë e strukturave euroatlantike dhe njëkohësisht për t’u larguar nga ndikimi rus apo kinez. A shikon Atlantik Council ndikim të vërtetë rus dhe kinez në këtë rajon?
Po, absolutisht. Janë dy arsye bindëse. Njëra është lokale dhe tjetra gjeopolitike. Arsyeja lokale është se ky rajon meriton që të përfitojë nga mundësitë prej të cilave ka përfituar pjesa tjetër e Europës. E gjithë premisa pas aleancës së NATO-s apo edhe Bashkimit Evropian ishin pjese e strategjisë amerikane që ish kundërshtarët të bashkoheshin dhe të punonin së bashku si aleatë. 10 vjet pasi lufta e dytë botërore përfundoi SHBA së bashku me Francën po mirëprisnin Gjermaninë Perëndimore në aleancë, një proces ky që i bëri aleate vendet që luftuan kundër njëri tjetrit. Unë dua ta shikoj këtë proces edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon që ka patur një histori të trazuar, që këto vende të afrohen me njëra tjetrën teksa i bashkohen Europës. Nëse kanë qenë ish kundërshtare apo në garë me njëra tjetrën, ta gjejnë veten si partnerë kryesore dhe fqinje të mirë. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj për ndikimin rus dhe kinez në rajon, unë jam shumë i shqetësuar për këtë. Kemi hyrë në një epokë të re të një gare gjeopolitike dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë. Në shumë aspekte kemi një rënie të fuqisë ruse që ende mund të prishin interesat tona, sepse Kremlini nuk po përpiqet të ndërtojë ndonjë gjë pozitive këtu në këtë rajon, por përpiqen të luajnë një rol dëmtues. Eshtë më e lehtë që të bllokosh diçka sesa të ndërtosh diçka. Ne duam të ndërtojmë dhe kjo kërkon më shumë punë. Njëkohësisht shikojmë që edhe kinezet janë shfaqur në rajon. Janë shfaqur në një mënyrë serioze, atë ekonomike, dhe jo gjithçka është e keqe sigurisht, por duhet të shqetësohemi për disa nga fijet që bashkëngjiten.
Te tilla si?
Me kalimin e kohës duhet të shikojmë rolin gjeopolitik të Kinës duke u prezantuar si një model alternativ që mund të ofrojë rrugën për prosperitet pa demokraci. Padyshim që ky nuk është një model atraktiv për aspiratat e individit dhe gjithashtu kemi parë si e kanë përdorur diplomacinë e tyre të njohur si ajo e borxheve duke ofruar hua shumë të mëdha dhe investime për tu siguruar se këto vende të kenë një varësi ndaj Pekinit për favore politike, ose për të zbutur pikëpamjet e Bashkimit Europian ndaj Kinës. SHBA ka një angazhim afatgjatë ndaj Ballkanit dhe ne duhet të jemi të qartë në deklaratat tona se ky rajon i përket projektit europian dhe rusët apo kinezët nuk duhet ta pengojnë dhe ne duhet ta shikojmë këtë projekt të përfunduar në mënyrë që të punojmë me Shqipërinë dhe vendet e saj fqinje dhe për të menduar për sfidat më të mëdha.
A duhet të jetë SHBA më e pranishme në Ballkan?
Së pari unë mendoj se SHBA është e pranishme. Ka qenë në mënyrë të vazhdueshme dhe unë jam krenar për rekordet e Shteteve të Bashkuara te Amerikes. Ndonjëherë ka qenë pak e ngadaltë. SHBA është këtu dhe ne në Këshillin Atlantik ia kemi bërë të qartë Washingonit që të mos e largojnë vëmendjen nga Ballkani.
Mendoj se strategjia amerikane për të nxitur suksesin është i dukshëm. Kemi marrëveshjen e Prespës, anëtarësimin e Malit të Zi në Nato, dialogun Kosovë Serbi dhe kjo padyshim ka pasur nevojën për lidershipin amerikan.
Zoti Wilson, si e shikoni situaten politike në Shqipëri? Ju jeni në dijeni se opozita shqiptare ka braktisur parlamentin duke dorëzuar mandatet dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare pa kryeministrin aktual. Si e shikoni këtë?
Kam pasur mundësinë gjatë vizitës time në Tiranë, për të takuar Presidentin e Republikës, kryeministrin e vendit dhe anëtarë të parlamentit dhe ata në opozitë. Unë jam një mbështetës i fortë i aleancës Amerikane me Shqiperinë dhe mbështes fort evolucionin e saj demokratik. Kemi parë qeveri të ndryshme, tranzicion dhe pushtet dhe këto janë pjesë e demokracisë. Unë jam pak i shqetësuar në këto momente sepse mendoj se është me rëndësi që institucionet demokratike që shqiptarët kanë ndërtuar t’i përdorin ato, që të mund të funksionojnë. Që njerëzit të kenë mundësinë për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë përmes kutisë së votimit, për t’i bërë të qarta qëllimet e tyre përmes demonstratave paqësore dhe për të marrë rolin e tyre në parlament për të shprehur kundërshtimet e tyre dhe shqetësimi im tani është se ne po shohim pak përpjekje që po shtyjnë në thelbin kushtetues të demokracisë këtu dhe unë besoj fort në atë që partitë politike t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre, duke pranuar mandatet e tyre duke përfaqësuar idetë e tyre përmes mjeteve kushtetuese dhe mendoj se është shumë e rëndësishme sepse Shqipëria përfaqëson fytyrën e saj në botë duke e bërë të qartë se Shqipëria jo vetëm që është gati për Bashkimin Europian, por se Shqipëria është një vend i mirë për investime të huaja dhe për këtë njerëzit duan të shohin një nivel të caktuar stabiliteti politik, institucione demokratike që funksionojnë dhe një sistem drejtësie që përgjigjet ndaj këtyre detyrave dhe kërkesave. Prandaj mendoj se tani është një sfidë fatkeqe ku kemi disa parti që janë larguar nga mandatet e tyre në parlament, që herë pas here janë përfshirë në akte dhune në proteste dhe mendoj se në një Shqipëri moderne që është në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe aleatë e Nato-s, do të shpresoja që këto praktika të jene pjesë e të shkuarës dhe të shikojmë ushtrimin e demokracisë në këtë vend. Ne duhet ta institucionalizojmë mënyrën sesi nuk biem dakord me njeri tjetrin. Nuk mundet të ndodhë që fituesi i merr të gjitha dhe duhet që zgjedhjet të ndodhin sipas planifikimit.
Pra zgjedhjet duhet të ndodhin sipas planifikimit?
Mendoj se po. Ekziston një proces kushtetues. Në SHBA kemi një mandat katër vjeçar presidencial, dy vite për dhomën e përfaqësuesve, gjashtë vjet për senatin, dhe ndonjëherë kjo kohë shërben mirë për një parti dhe ndonjëherë është koha më e keqe për një parti për të shkuar në zgjedhje. Këtu në Shqipëri keni rregullat tuaja dhe proceset kushtetuese dhe kodin zgjedhor dhe mendoj se është me rëndësi që të ndiqet ai kod. Keni zgjedhje lokale që mbahen në fund të qershorit që duhet të mbahen sipas planifikimit, keni zgjedhjet parlamentare që mbahen pas disa vitesh dhe duhet t’i përmbaheni. Mendoj se është një ushtrim për muskujt e demokracisë për të treguar se strukturat, institucionet dhe sistemi që keni ndërtuar po i shërben popullit.
Ekziston shqetësimi se situata politike në Shqipëri mund të vonojë procesin integrues të Shqipërisë. Cili është opinioni juaj për këtë?
Unë e ndaj këtë shqetësim. Në pikëpamjen time, Shqipëria është gati dhe jam shumë krenar që mirëpritëm Shqipërinë në Nato dhjete vite më parë. Ishte vendimi i duhur, por mendoj se ka ardhur koha që Bashkimi Europian t’i nisë negociatat e anëtarësimit. Nuk po flasim për anëtarësim, por po flasim për procesin e hapjes së negociatave që do të kërkojë kohë. Mendoj se Shqipëria e ka merituar këtë përmes disa reformave të dukshme. Shikoni reformën në gjyqësor që ky vend ka realizuar. Eshtë e jashtëzakonshme. Mendoj se Shqipëria e ka merituar një vend në negociata për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Une jam Amerikan dhe është e lehtë për mua që ta them këtë, por e di se shumë prej miqve të mi në Bashkimin Europian e njohin këtë progres të Shqipërisë. Ekziston ndonjë hezitim politik në disa kryeqytete kryesore europiane, por do të uroja që ata të vijnë këtu në Tiranë për të parë sesi po shkojnë gjërat sepse unë mendoj se ky vend është gati për këtë proces.
Cila do të ishte këshilla juaj për qeverinë Shqiptare në qetësimin e situatës?
Nëse shikoni anëtarësimin në Nato, ka një konsensus kombëtar këtu dhe kur punoja në Këshillin e sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë ishte me rëndësi që të kuptonim se nuk po bënim një marrëveshje me partitë politike, nuk po bënim një marrëveshje vetëm me një kryeministër. Padyshim që ka një qeveri në pushtet, ka një kryeministër që drejton, por ne po i japim një angazhim të përhershëm njëri tjetrit që do të jemi aleatë të përhershëm dhe duhet ta dimë se ka shume mbështetje kombëtare për këtë, Që kjo do të jetë një aleancë e cila do të vazhdojë pavarësisht rezultateve zgjedhore. Duhet e njëjta mënyrë të menduari për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Një kryeministër apo një qeveri nuk anëtaresohet e vetme në Bashkimin Europian, por në BE anëtarësohet i gjithë vendi dhe mendoj se duhet t’i bindesh ata në Bruksel se pavarësisht dallimeve politike të theksuara që ekzistojnë në të gjitha demokracitë, mjafton të shikosh politikën në Washington sot, duhet të shikojmë se ka një konsensus kombëtar se vendi dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe për këtë temë vendi flet me një zë. Kjo është mënyra më efektive për të avancuar aspiratat e Shqipërisë.
Zoti Wilson, si është bashkëpumi juaj me ambasadën Shqiptare në Washington DC? Me ambasadoren Faber?
Eshtë i shkëlqyer. Ambasadorja Faber ka qënë një avokate e jashtëzakonshme e Shqipërisë në Washington. Ka qënë një zë i fuqishëm që Këshilli Atlantik të jetë i përfshirë në Ballkanin Perëndimor. Një nga arsyet që jam këtu në Tiranë është sepse ambasadorja Faber më tha se nuk mund të shkoja në Ballkanin Perëndimor pa vizituar Shqipërinë dhe unë e kam përmbushuar këtë angazhim. Ajo ka qenë një partnere e shkëlqyer e Atlantik Council në Washington.
Zoti Wilson, kohët e fundit ka pasur një debat në lidhje me ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Duket se SHBA dhe Gjermania kanë qëndrime të ndryshme. SHBA po mbështet Thaçin ndërsa Gjermania Haradinajn?
Jo, nuk është kaq e thjeshtë. SHBA po mbështet gatishmërinë e Thaçit për të arritur një marrëveshje historike, për të arritur pajtimin me Serbinë, dhe kjo është me rëndësi. Eshtë më e lehtë që të thuash jo, është shumë më e lehtë që të fajësosh Serbët, apo të krijosh dramë. Nëse Kosova arrin ambicien e saj, atëherë populli i Kosovës do të ketë një të ardhme të ndritur për brezat e ardhshëm. Do të ketë më shumë vende pune dhe ekonomi në lëvizje. Ata nuk kanë nevojë vetëm për një vend në Kombet e Bashkuara, por duhet t’i bashkohen Nato-s. Kosova duhet të nisë bisedimet në të ardhmen për anëtarësim në BE. Kjo është e gjitha e bllokuar. Ne si SHBA duam të shohim se Prishtina dhe Beogradi të ulen dhe të bisedojnë dhe të arrijnë një marrëveshje historike pajtimi që të largojë të gjitha pengesat. Kjo do të kërkojë kompromis, vendime të vështira dhe kurajo. Kjo nuk do të thotë se shkëmbimi i territoreve apo demarkimi i kufirit duhet të jetë pjesë e kësaj por pikëpamja e SHBA është se nuk do të diktoje kushtet e saj ashtu si në marrëveshjen e Prespës. Ajo ndodhi vetëm sepse kryeministri Zaev dhe Tsipras, u ulen dhe e zgjidhën këtë çështje vetë dhe ne e mbështetëm atë. Ajo që po i thotë SHBA Prishtinës dhe Beogradit është se nuk ka vija të kuqe, të dyja palët të ulen, të bisedojnë dhe nëse ata e pëlqejnë zgjidhjen që arrijnë, me siguri do e pëlqejmë edhe ne. Kur flet për kufijtë në Ballkan me siguri është e rrezikshme sepse ka një histori në këtë rajon, por dimë se ka një mundësi këtë vit për të arritur një marrëveshje historike pajtimi që mund të çlirojë potencialin e Ballkanit perëndimor që ta ankorojë Serbine në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe t’i japë Kosovës perspektivën për të ardhmen që nuk e gëzon sot.