A do integrohemi ndonjëherë në BE?
Nga Klodian Muço, botuar në Gazeta Shqiptare, 17 maj 2019
Në ditët e fundit, në qendër të debatit politiko-ekonomik të Shqipërisë janë reflektimet mbi hapjen e negociatave për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Për shumicën e Shqiptarëve integrimi në BE është e vetmja shpresë për të pasur zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe rritje të mirëqenies së tyre. Ky ndoshta është edhe shkaku kryesor pse qeveritë shqiptare ndër vite premtojnë dhe vendosin si objektiv primar të qeverisjes, integrimin ne BE. Objektiva këto që nga një anë varet nga “dëshira dhe burokracia e Parlamentit Europian” e nga ana tjetër nga impenjimi i politikanëve shqiptarë për të rritur demokracinë në vend, për të përmirësuar mirëqeverisjen si dhe për të reduktuar korrupsionin. Impenjime këto që janë thjeshtë për aparencë pasi tek ne vazhdohet me qeverisjen tradicionale. Ku të paaftët bëhen deputetë; ku korrupsioni luftohet vetëm me fjalë; ku asnjë drejtues nuk mban përgjegjësi për dëmet që i shkakton buxhetit të shtetit apo qytetarëve; ku në administratën shtetërore punojnë kryesisht militantët e paaftë dhe ata që kanë miq apo të afërm në vendimmarrje; ku rruga e zhvillimit ekonomik të vendit sipas politik-bërësve kalon nga konçesionet dhe nga pasurimi i pak njerëzve. Pra kemi arrit në një pikë të tillë sa lindin natyrshëm pyetjet: a e dëshirojnë vërtet politikanët tanë integrimin e Shqipërisë në BE, apo janë të huajt ata që me burokracinë e tyre po na evitojnë?
Vallë do bëhemi ndonjëherë pjesë e BE-së? A po përpiqen vërtet politik-bërësit tanë për integrimin e vendit?
Mos vallë rregullat e të qenit pjesë e BE-së janë impenjative për qeverinë dhe në të tilla kushte ndihen më komod duke qëndruar jashtë saj?
Po vendet anëtare të BE-së a janë të lumtura që janë pjesë e kësaj familjeje të madhe? A duan ato ta zgjerojnë këtë familje?
Në fakt, projekti i integrimit europian sot është në qendër të një sulmi të brendshëm. Të brendshëm pasi po rriten gjithmonë e më tepër partitë e djathta nëpër vendet e BE-së që po i tundon ideja për t’i dhënë fund këtij projekti.
Një shembull tipik është ai i partive populiste dhe euroskeptike, që po rritin konsensusin e tyre dita ditës dhe së shpejti mund të kenë një numër të konsiderueshëm eurodeputetësh në parlamentin europian, të cilët janë kundër monedhës së përbashkët apo kundra Europës. Apo më saktë kundër pabarazisë së perceptuar se shpërndarjes së kostove dhe benefiteve e të qenit pjesë së BE-së. Pra, mendojnë se “bashkimi me vendet e varfra” dhe emigracioni i qytetarëve të tyre po mbyllin fabrikat; po rritin papunësinë e qëndrueshme; po reduktojnë rrogat; po ulin sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve publike. Pra, sipas tyre është emigracioni i qytetarëve te vendeve të varfra të Europës drejt atyre të pasura të saj që po stimulon rritjen e pasigurisë për të nesërmen.
Jo rastësisht personat që më tepër votojnë këto parti populiste apo të djathta janë ata që kanë më pak mundësi dhe aftësi për të përballuar ndryshimet që vijnë nga konkurueshmëria globale: punëtorët e pakualifikuar apo pensionistët.
Pra, sot fati i BE-së në tërësi apo integrimi i Shqipërisë në veçanti është në dorën e atyre që janë skeptik për rishpërndarjen e të mirave të globalizimit apo e të qenit pjesë e saj. Sipas tyre tregu dhe monedha e përbashkët gjeneron përfitime por këto përfitime nuk shpërndahen në mënyrë të drejtë te qytetarët.
Vendet e Europës Lindore që janë pjesë e BE-së apo ato që dëshirojnë të bëjnë pjesë, sipas tyre marrin më tepër fonde sesa kontributi i tyre dhe “eksportojnë njerëz” drejt vendeve të Europës perëndimore. Gjë që shihet si nëna e të gjitha të këqijave për shumë qytetarë të vendeve perëndimore. Pra, frika se integrimi i mundshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të çonte në një rritje të fluksit emigrator drejt ekonomive të zhvilluara të BE-së i bën këto të fundit skeptike të zgjerimit dhe i shtyn deri aty sa të mendojnë në mënyrë paradoksale se Europa e bashkuar ka më tepër kosto sesa përfitime për to.
Në kushtet kur një vend i varfër si Shqipëria që përgjatë viteve të fundit nuk po e redukton distancën që ekziston ndërmjet të ardhurave reale për frymë me mesataren e të ardhurave reale për frymë të BE-së, por përkundrazi po e rrit këtë distancë, mund të themi se integrimi i saj në BE dhe harmonizimi me standardet e saj ekonomike do të jetë sa i vështirë po aq edhe i largët.
Nëse do të shohim projeksionet e nivelin e rritjes së të ardhurave reale për frymë të Shqipërisë në 20 vitet e fundit me rritjen mesatare të kësaj të fundit në BE do të shohim se na duhen mbi 70 vjet për të arritur nivelin mesatar të BE-së. Pra, është e vërtetë se ne kemi rritje ekonomike, por është po aq i vërtetë edhe fakti se kjo rritje është e pa mjaftueshme për të reduktuar distancat me BE-në.
Të njëjtën gjë mund të themi edhe për reduktimin e korrupsionit apo për nivelin e demokracisë. Këto na çojnë të mendojmë me pesimizëm se ndoshta do të kalojnë edhe dhjetëra vite të tjera dhe ne përsëri s’do jemi pjesë e BE-së.
Ndoshta kur ne të jemi gati të bëhemi pjesë e saj ndoshta dhe BE-ja s’do të jetë më siç është sot…