Financat publike janë përballë rreziqeve serioze

Intervistë me Prof. Selami Xhepa, botuar në Mapo, 8 maj 2019

“Deklarimet e misionit të FMN mendoj se përcjellin disa mesazhe shqetësuese dhe të rëndësishme që duhen lexuar me vëmendje nga qeveria”.

Qeveria jo vetëm që nuk po i përmbush detyrimet e saj ligjore për të ruajtur stabilitetin e ekonomisë, po në të kundërt me masat që po merr po ishton rreziqet. Kështu shprehet profesori Selami Xhepa për të cilin PPP dhe Korporata i Investimeve janë një ecje në drejtim të kundërt me atë që duhet bërë. “Së pari: detyrimi ligjor për konsolidimin fiskal nuk po materializohet; nivelet e borxhit publik mbeten shumë më të larta nga sa është angazhimi ligjor. Së dyti, rrisqet buxhetore po shtohen, qoftë me kontratat e (pa)famshme PPP apo dhe me projektimin e Korporatës së Investimeve”, shprehet në një intervistë për gazetën MAPO, profesori Xhepa.

FMN rekomandon korigjim fiskal që nënkupton për rritjen e të ardhurave. A ka hapërsira për ta bërë këtë pa rritje të taksave?

Konsolidimi fiskal i projektuar në programin afatmesëm buxhetor trevjecar – deri në vitin 2021 – ka parashikuar që nivelet e të ardhurave të buxhetit të qëndrojnë me më pak se 28% të GDP, duke kufizuar nivelin e shpenzimeve qeveritare në më pak se 29% të GDP. Me këtë nivel shpenzimesh qeveritare, mbulimi i nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë, për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të shërbimeve publike në infrastrukturën kyce të vendit si arsim dhe shëndetesi, janë të pamundura. Kjo është arsyeja që FMN me të drejtë kërkon që konsolidimi fiskal të vijë nga ana e të ardhurave. Cënimi i shpenzimeve publike do të çonte në një mosfunksionim serioz të shtetit. Mendoj se hapësirat ekzistojnë edhe pse janë të kufizuara. Më së pari lufta ndaj informalitetit dhe evazionit duhet të jetë një prioritet strategjik, i konceptuar sipas një qasje programore e planesh veprimi gjithëvjetore dhe të përhershme, dhe jo me fushata sporadike, të cilat marrin formën e aksioneve “me goditje të përqëndruar” duke çuar në mbyllje biznesesh dhe jo në shërim të ekonomisë. Së dyti, qeveria ka vazhduar me krijim hapsirash abuzuese ne sistemin fiskal nëpërmjet një morie përjashtimesh nga taksat, përfshi dhe përjashtime nga TVSH, të cilat më së shumti bëhen abuzive se sa krijojnë incentiva ekonomike për investime. Mendoj se këto lloj nxitësish fiskalë janë provuar se janë aspak efektivë dhe krijojnë rrjedhje të rëndësishme në të ardhurat e buxhetit.

Pjesë e këtij rekomandimi është edhe “anulimit të masave që e fragmentojnë dhe dobësojnë bazën tatimore”, që gjithsesi nënkupton ndërhyrje në taksa. Mjafton kjo ndërhyrje, apo në kushtet që jemi duhen ndërmarrë reforma edhe më të thella?

Përjashtimet që përmenda më sipër e zvogëlojnë bazën tatimore dhe krijojnë të çara në sistemin fiskal, duke minuar gjenerimin e të ardhurave të nevojshme që kërkon ekonomia. Dhe për më tepër, këto lloje përjashtimesh shpesh bëhen burim konkurrence të pandershme dhe mbjellin deformime të strukturës ekonomike duke kanalizuar investimet në sektorë që mund të mos jenë detyrimisht edhe me eficentët.

Qeveria po shton detyrimet e prapambetura. A mundet të zvogëlohen ata në kushtet kur po shkojmë drejt fushatës elektorale, që sic dihet kërkon anagzhime me investime? A mund ta quajmë sistemin aktual të rimbursimit të TVSH të dështuar.

Detyrimet e prapambetura vazhdojnë të mbeten një shqetësim që nuk po adresohet dot nga qeveritë në mënyrë permanente. Edhe pse herë pas here qeveritë e kanë lehtësuar këtë problem, zgjidhjet kanë qenë ad hock, të perkohshme dhe jo sistemike. Nevoja për një zgjidhje të përhershme të këtij problemi është urgjente. Veçanërisht në kushtet e sotme kur financimi bankar i sipërmarrjes është bërë më i vështirë dhe aksesi në financim është kufizuar, lehtësimi i bizneseve në përdorimin e burimeve të veta do të ishte një masë shumë me rëndësi. Në analizë të fundit, duhet kuptuar se është më mirë të lehtësojmë biznesin dhe ta çlirojmë atë nga pengesat që mbajnë peng investimet dhe rritjen e prodhimit dhe punësimit, se sa masat shtrënguese, siç është dhe mosrimbursimi në kohë i TVSH. Në fushata elektorale unë mendoj se edhe mund të zvogëlohet stoku i detyrimeve të rimbursimit të TVSH por kjo mund të shoqërohet me rritjen e detyrimeve të prapambetura ndaj firmave që kryjenë vepra publike, për hir të përshpejtimit të punimeve të cilat mundësojnë fotografi dhe vizita nëpër kantiere të “udhëheqësve” garues në fushatë.

FMN rekomandon “rifillim të emetimit të bonove afatshkurtra të thesarit (tremujore dhe gjashtëmujore)”. A nuk përbën edhe ky rekomandim një rrezik të ri për shtimin e borxhit publik.

Emetimi bonove afatshkurtra tre dhe gjashtë mujore është një instrument për të mbuluar nevojat ëer financime afatshkurtra, të cilat nuk krijojnë stok afatgjatë detyrimesh financiare për buxhetin. Mendoj se ky është dhe arsyetimi i FMN për këtë propozim. Në kontekstin e nevojës për reduktim të borxhit publik, financimi me instrumente afatgjatë krijon një situatë të niveleve permanente të larta të borxhit dhe nuk ofron nxitjet e duhura për pakësim të tij. Borxhi afatshkurtër shërben gjithashtu dhe si një presion për performancën korente të punës së qeverisë.

Dy rekomandime të tjera janë anulimet e PPP dhe Korporatës së Investimeve. Si i komentoni ju mënyrat si janë zbatuar PPP në Shqipëri, dhe cili është mendimi juaj për Korporatën e Investimeve.

Kontratat PPP dhe Korporata e Investimeve që parashikohet të krijohet mendoj se janë rreziqe serioze për financat publike. Kontratat e PPP u provua publikisht se kanë jo vetëm rreziqe të detyrimeve financiare të cilat do të prodhojnë situata të paparashkikuara të borxhit publik, por janë dhe tërësisht të korruptuara dhe jashtë mekanizmave të transparencës dhe kontrollit të prokurimeve. Mendoj se FMN duhet të kishte qenë shumë më kritike ndaj përdorimit të mkanizmave të tillë, të cilët konceptohen në pamje të parë si zhvillimor, por që rezultojnë të jenë me kosto shumë herë më të larta për shoqërinë. Ndërsa krijimi i Korporatës së Investimeve do të thotë de facto krijim i një banke shtetërore zhvillimi, e cila duke përdorur si kolateral pronat publike (kryesisht bregdetin), do të ketë autoritet të marrë kredi nga bankat e huaja dhe ti përdorë për zhvillimin e zonës bregdetare apo dhe të terreneve për qëllime industriale. Kjo është një skemë akoma e paqartë: supozojmë se Korporata merr një kredi të huaj, për çfarë do ta përdorë atë? Si do të përzgjidhen projektet që do të financohen? Kush do ta ketë pronësinë në perfundim të një investimi?  Çfarë ndodh nëse investimi falimenton? Çfarë ndodh me pronat e vendosura kolateral, në rast se kreditë e marra nga Korporata dështojnë? Nëse vlera e kolateralit të vendosur për marrjen e kredive sekuritizohet, pra shndërrohet në letra me vlerë – ose kontratat derivative, a nuk do të krijoheshin po aq rreziqe sa u krijuan dhe në tregun financiar botëror gjatë krizës së vitit 2007? Pra, ka një sërë pikëpyetjesh që kërkojnë sqarime. Personalisht  e shoh si një rrezik shumë të fortë për ekonominë gjatë viteve të ardhshme. Për më tepër, zhvillimi i pronës publike mund të arrihet së pari duke perfunduar procesin e kthimit të pronave tek pronarët legjitimë, të kompesohen ish pronarët që vazhdojnë të jenë një barrë për buxhetin dhe shteti të hapë gara për projekte zhvillimi për pronat mbi të cilat është pronar. Kjo është mënyrë e thjeshtë, por dhe më e sigurta për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme.

Ju së bashku me profesorë të tjerë të ekonomisë keni publikuar këto ditë një peticion për efektet e krizës politike në ekonomi. Në cfarë raporti me realitetin politik shqiptar i shikoni ju rekomendimet që vijnë së fundi nga FMN?

Profesorët Malaj dhe Civici inicuan një apel publik të cilit i jam bashkuar me kënaqësi sepse edhe unë mendoj se situata ekonomike dhe sociale në vend po përkeqesohet gjithnjë e më shumë. Zhvillimet politike të tensionuara dhe qorrsokaku ku ndodhet sot politika, po e fusin vendin në një rrugë pa krye. Mendoj se Parlamenti, institucioni përfaqësues në një shoqëri demokratike nuk është normal dhe megjithë justifikimin teknik të përfshirjes së individëve nga listat e partive opozitare, nuk besoj se ka njeri në vend që beson se parlamenti funksionon normalisht. Nga ana tjetër, gjendja ekonomike dhe sociale në vend shkon drejt perkeqësimit. Rreziqet fiskale janë shtuar, ndërsa nevojat për investime dhe mbeshtetje të përmirësimit të shërbimeve publike janë në nivele kritike të mbajtjes së sistemit ekzistues. Borxhi publik vazhdon të mbetet i lartë dhe hapësira për mbeshtetje buxhetore në raste të një krize të mundshme janë inekzistente. Klasa politike, veçanërisht partia në pushtet, kanë një përgjegjësi të madhe ndaj vendit për dështimin në shëndoshjen e demokracisë në vend dhe akoma më keq, për përkeqësimin e saj. Apelet publike duhen bërë përpara se vendi të shkojë drejt proceseve përkeqësuese me pasoja shumë më serioze për të ardhmen e shoqërisë. Mjaft jemi bërë dëshmitarë të braktisjes masive që po i bëjnë qytetarët vendit. Eshtë koha për një reflektim me përgjegjshmëri ndaj interesave madhore të vendit. Shpresoj që dhe qytetarët e tjerë ti bashkohen kësaj thirrje.


Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan