Lufta për shkatërrimin e identitetit

Nga Ilir Yzeiri, botuar në Dita, 30 prill 2019

Po të nisemi nga parimi se kombet janë si njeriu që ka nevojë për një kartë identiteti apo për një letërnjoftim në mënyrë që të dallohen, dhe me atë copëz letër të shkëmbehen me të tjerët e ndryshëm në gjëratoren e madhe të jetës së planetit, atëhere, për shqiptarët, druaj se kjo kartë apo ky identitet do të ishte i vështirë të realizohej në mënyrë të tillë që të paraqitte atë që është në të vërtetë thelb i shqiptarit.

Nëse identiteti i njeriut përcaktohet nga përkatësia në një komb të dallueshëm, pra, shqiptar, grek, francez, etj., dhe nga shenjat e tjera individuale, identiteti i kombeve ka ardhur duke u rrudhur dhe duke u bërë më i hapur, duke mos theksuar më aq shumë thelbin etnik apo fetar, por duke e ndërtuar identitetin mbi përafëri të tjera njerëzore që synojnë jo ndarjen për shkak të gjuhës, ngjyrës së lëkurës apo fesë, por afrimin e tyre. Dihet se për shkak të afirmimit të identitetit etnik, fetar, apo kulturor kombe të tërë, madje edhe në zemër të Europës, janë përfshirë në luftëra të përgjakshme, derisa, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, vendet e perëndimit europian dhe SHBA-të vendosën ta ndërtojnë identitetin e tyre jo përmes përjashtimit të tjetrit, por përmes pranimit të tjetrit të ndryshëm. Në vend të ndarjes u glorifikua bashkëpunimi, në vend të përplasjes kompromisi dhe, dalngadalë, këto kombe nisën të përpunojnë më shumë identitetin që mbështetet të ndërtimi i një hapësire të përbashkët në të cilën shtrirja e njërit apo tjetrit komb nuk ruhet më me kufij etnikë, por me shenja thuajse të padallueshme që tregojnë, nga njëra anë, një kufi të vjetër dhe, nga ana tjetër, plotësohen me shenja të qarkullimit rrugor që ndihmojnë udhëtarin të orientohet kur lëviz nga një vend në tjetrin.

Rënia e Murit të Berlini dhe falimentimi i socializmit në vendet e Lindjes rrëzoi edhe një dallim tjetër mes kombeve, përkatësisht atë ideologjik. Në këtë rast, siç vunë në dukje filozofë të mëdhenj si Samuel Huntigton e të tjerë, bota mund të shkonte drejt përplasjes së qytetërimeve e kulturave. Natyrisht, kjo është një temë e gjerë dhe nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi.

Ajo që dua të nënvizoj, në këtë rast, është se, ndryshe nga ajo që ne duam të jemi dhe nga ajo që jemi në të vërtetë, ne i paraqitim botës një identitet tjetër.

Siç dihet, ne kemi edhe një shenjë tjetër, atë të Ballkanit, pra i përkasim një tërësie kombesh që u identifikuan më së pari si të tillë, si ballkanas, prej otomanëve. Sot është e vështirë të thuhet nëse popujt e Ballkanit janë një entitet që përcakton një tërësi gjeografike apo edhe një bashkësi popujsh me karakteristika të përgjithshme të ngjashme. Edhe në këtë rast zgjerimi në këtë argument meriton një trajtesë të veçantë.

Ndërkohë, pas rënies së diktaturës, Shqipëria e humbi identitetin e saj si i vetmi vend marksist në botë dhe shqiptarët, ashtu të izoluar, iu shfaqën botës në mënyrën më të dhimbshme të mundshme. Varfëria ekstreme, emigracioni masiv, anijet e mbushura me emigrantë ishin fotografia e parë e një kombi që kishte humbur thuajse të gjitha shenjat e dinjitetit. Në anën tjetër, ishte Kosova e nënshtruar nga Serbia dhe dhuna e genocidi mbi të, disa vite më vonë, paraqitën para botës një pamje tjetër shqiptarësh të martirizuar nga një regjim barbar që deri atëhere ishte shfaqur si kombi me identitet të spikatur nacionalist dhe internacionalist, gjithashtu.

Tranzicioni i tejzgjatur në Shqipëri dhe Pavarësia e Kosovës ishin dy nga sfidat më të mëdha për shqiptarët. Shekulli XXI ishte me të vërtetë një fillim i madh për historinë e shqiptarëve në Ballkan. Pavarësisht të gjitha të këqijave që ne i veshim vetes, shqiptarët nisën të njihen edhe me shenja të tjera të identitetit të tyre. Befasia më e madhe ishte toleranca dhe harmonia fetare. Shqiptarët iu zbuluan botës edhe si njerëz paqësorë e mikpritës. Por, vetëm kaq. Pas kësaj, sidomos për shkak të elitave politike, shqiptarët nisën të prodhojnë në botë një identitet të mbrapshtë. Sot, më së shumti, shqiptarët identifikohen me mafiozin, kriminelin, emigrantin, trafikantin apo muslimanin e prapambetur dhe gjithë kategoritë e keqbërësve. Në gjithë këtë penalizim të pamerituar për shqiptarët, nuk kanë ndikuar shifrat e kriminalitetit, por ligjërimi i politikanëve të cilët, pa asnjë kontroll, vizatojnë nëpër botë një Shqipëri tjetër, një vend që është i mbushur me kriminelë dhe që udhëhiqet nga kriminelë. Po bëj një paralele.

Italia fqinje është një vend me kriminalitet të lartë dhe me ekzistencën e grupeve të organizuara kriminale që kanë emra e struktura dhe që kontrollojnë territore të tëra. Nuk ka ditë që nga televizionet italiane të mos ketë një lajm që ka lidhje me mafien. Mirëpo, kush më thotë mua, a kini dëgjuar ndonjëherë që kriminalitetin në këtë vend, forcat politike ta barazojnë me qeverinë e radhës. Kini dëgjuar që opozita e atjeshme të akuzojë kryeministrin si kapon e mafies meqenëse atje ekziston mafia ? Si mund të artikulojë pa asnjë filtër lideri i opozitës trillime dhe akuza të përgjithshme që kanë karakter ideologjik dhe që të kujtojnë retorikën e komunistëve kur shanin kapitalizmin dhe e akuzonin për njëmijë të zeza. Si mund t’i lejojë vetes një drejtues opozite si Basha që të përdorë një ligjërim denigrues dhe fatal për Shqipërinë duke thënë se vendi drejtohet nga një kryetrafikant. E para, kjo është një akuzë që nuk vertetohet kurrë dhe, e dyta, përbaltja pa fund dhe me të gjitha kanalet e kryeministrit të radhës, dëmton më së shumti Shqipërinë dhe shqiptarët dhe shkatërron identitetin e tyre.

Po sjell edhe një shembull tjetër. Edhe në Serbi bëhen greva. Edhe atje akuzohet presidenti i vendit për një mijë të zeza, por gjithë ligjërimi mbështillet rreth një topike të vjetëruar në fakt që është Serbia dhe Kosova. Edhe Maqedonia ka kaluar nëpër shumë peripeci, por imazhi që kanë prodhuar është ai i një shteti që ka maqedonasit në qendër të cilët duhet të bëjnë vend edhe për shqiptarët. Të dyja këto vende dhe Greqia bashkë me to, e ruajnë me fanatizëm identitetin e tyre historik të ndërtuar në të shumtën e rasteve me padrejtësi mbi kombe të tjera. Ndërsa shqiptarët paraqiten para botës si qaramanë naivë që qajnë dhe hanë kokat se kush vrau më shumë diktatura apo gjermani dhe para botës paraqitemi me një tufë batakçinjsh, siç është opozita e sotme, që artikulon mbi Shqipërinë edhe gjërat më të zeza e që asnjë hasëm i shqiptarëve nuk do t’i bënte.

Në vend që të ndjehemi krenarë se kryeministri i shqiptarëve, jo Edi Rama, pritet si bashkëbisedues serioz nga Merkel dhe Makron, se shqiptarë të tjerë nga Kosova diskutojnë me serbët si të barabartë dhe madje e kushtëzojnë dialogun me kushte dinjitoze, ne vjellim vrer mbi Shqipërinë dhe Kosovën duke i vizatuar këto shtete ashtu siç nuk do të donte asnjë shqiptar. Edi Rama, Hashim Thaçi apo Ramush Haradinaj mund të mos u pëlqejnë më shumë se gjysmës së shqiptarëve, por kur vjen puna për të nxjerrë jashtë imazhin tonë, identitetin tonë duhet të flasim për ato vlera që realisht i kemi.

Natyrisht, ne nuk mund të bëhemi Francë, pra nuk mund të bëhemi një komb i tillë që edhe pse çdo javë Parisi digjet nga protestuesit, Presidenti i atij vendi është në krye të Europës dhe vendos fatin e Ballkanit Perëndimor sa i takon zgjerimit. Edhe atje retorika e opozitës franceze është e ashpër, por është për tema të mëdha humane që kanë në thelb njeriun francez. Opozita e djathtë e Le Penit e bën luftën duke iu treguar francezëve të këqijat që i kanë ardhur Francës nga emigracioni, nga zgjerimi e plot politika të tjera të majta. Makron ka një opinion tjetër për zhvillimin e Francës dhe të Europës dhe mbi këto argumente të mëdha zhvillohet politika atje apo edhe në Itali e Gjermani. Ndërsa vetëm në Shqipëri, politikanët tanë dhe opozita sidomos nuk pyet për Shqipërinë.

Qysh kur u ngjiz Shqipëria si shtet ndarja politike u institucionalizua dhe sot, pas mbretërisë dhe diktaturës, ajo është shfaqur aq e thellë sa shqiptarët rrezikohen që të humbasin gjithnjë e më shumë identitetin e tyre. Ato vlera të shenjta që ata kanë dhe që i bëjnë qytetarë të denjë të Europës gjithmonë do të përbalten nga elita politike që e shohin Shqipërinë jo si atdheun e shqiptarëve, por si çiflikun e tyre që e duan ta plaçkisin e ta vjedhin. Ndaj, sot në botë ne, shqiptarët, e kemi të vështirë të paraqitemi ashtu siç jemi në të vërtetë : europianë, tolerantë, miqësorë dhe bashkëpunues. Një nga karakteristikat që vinte në dukje edhe sondazhi i Gallupit ishte se shqiptarët janë populli më miqësor në botë në pranimin e emigrantëve. Të mos harrojmë stabilitetin si faktor të rëndësishmë që garantohet në Ballkan edhe prej shqiptarëve që jetojnë në thuajse më shumë se katër shtete të këtij gadishulli.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan