Pse arsimi është në prag dështimi

Nga Zamira Çavo, botuar ne Mapo, 8 prill 2019

A flasim çdo ditë për nevojën e ndryshimit të jetës, të politikës, të ekonomisë të vendit? A e duam këtë ndryshim në kahje pozitive? Ka një mënyrë të cilën ka provuar historia dhe vazhdon të provojë sepse ka rezultuar e suksesshme. Kjo mënyrë, kjo rrugë, është përmirësimi i sistemit arsimor. Qytetërimet kanë arritur kulmet e tyre nga dija dhe mënyra se si e kanë përçuar këtë dije. Shqipëria është një vend me resurse natyrore; tokësore e nëntokësore, ka një popullsi me moshë mesatare ende të re. Kjo do të thotë se mjafton një sistem i mirë arsimor që vendi të ndryshojë? Sigurisht, por jo vetëm. Fatkeqësisht “na ka rënë në pjesë” një elitë politike që ka alergji nga dija, nga arsimi dhe edukimi. Ndaj në 28 vite demokraci sistemi ynë arsimor ka shkuar drejt degradimit. E për ta ndryshuar këtë” elitë” duhet një brez i mirarsimuar dhe edukuar që me mëndje të hapur dhe me vizion për të ardhmen, ta fusë vendin në rrugën e zhvillimit. Duket sikur jemi brenda një rrethi vicioz. Politika nuk do arsimin, arsimi degradon duke ushqyer vazhdimisht një politikë rrënuese e korruptive që prodhon varfëri. Atëherë si veprohet? Por fillimisht na duhet t’iu përgjigjemi pyetjeve: Por ç’po ndodh me sistemin tonë arsimor? A është ky sistem ai që do na mundësojë vërtet ndryshimin?

Le ta analizojmë:

  1. I gjithë debati për arsimin në Shqipëri bëhet për … financat. Sigurisht që edhe për financat duhet folur, por kryesorja është cilësia e sistemit. E keni vënë re që tashmë jo vetëm studentët, por edhe nxënësit e arsimit parauniversitar në të gjitha nivelet e kanë mendjen te rrjetet sociale dhe jo te mësimi dhe mësuesi? A e ka zgjidhur këtë problem ndalimi i celularit në shkollë? Jo! Mund t’ia ketë lehtësuar pak punën mësuesit, por nuk ka zgjidhur problemin. Dhe ka arsye objektive. Është teknologjia e re që shtyn të rinjtë të shpenzojnë kohë me të. Po a është në gjendje sistemi ynë arsimor ta përdorë këtë teknologji për përfitime të dijes? Jo! Sepse metodat tona të mësimdhënies janë ato të shekullit të kaluar! Dhe me këtë mendësi ne ua kemi hequr fëmijëve dhe të rinjve dëshirën për të shkuar në shkollë. Por a po debatohet diku për këtë nevojë emergjente? Sërish përgjigjja është JO! Studimet e ndryshme sot në botë paralajmërojnë se shumë shpejt do të mbyllen shumë shkolla për shkak se nuk arrijnë dot të përshtaten me teknologjinë e re. Dikush mund të thotë e për çfarë teknologjie flet me këtë varfëri që kemi. Por ndaj them se me këtë mentalitet që kemi dhe këtë politikë arsimore arsimi ynë shumë shpejt do jetë në buzë të greminës.
  1. Problemi i mësipërm është problem jetik për të ardhmen. Jetojmë në fillimet e njeriut digjital, pra do duhet të projektojmë të riun e aftë të përdorë robotizmin në ekonomi. Ndryshe si individi dhe shoqëria do jenë të dështuar e të flakur tutje nga e ardhmja. Por çfarë kurrikule kemi sot në arsim? Çfarë vazhdojmë t’ua mësojmë fëmijëve dhe për çfarë lloje dijesh kanë ata nevojë? Nuk di të jetë bërë ndonjë debat i tillë. Gjithnjë vazhdojmë me idenë e të kopjuarit copa-copa të ligjeve apo kurrikulave të vendeve të ndryshme. Por a ka një studim të mirëfilltë se çfarë nevojash ka fëmija apo i riu shqiptar duke marrë parasysh antropologjinë, historinë dhe të ardhmen? Ndaj dhe shkolla gjithnjë e më shumë po e lodh nxënësin në vend që ta afrojë atë më dijen.
  2. Po stafet e mësuesve dhe pedagogëve a janë në lartësinë që kërkon momenti i zhvillimit? Portali mësues për Shqipërinë duket sikur e ka vënë në rrugën e zgjidhjes problemin në arsimin parashkollor. Unë them nuk mundet të realizojë një portal nevojën e përzgjedhjes së cilësisë në stafet akademike. Sepse të jesh mësues apo pedagog është përveçse profesionalizëm edhe art. Jo kushdo që mund të këtë mbaruar edhe me 10-ta është në gjendje ta bëjë këtë profesion. Dhe po flas për rastin më të mirë. Sepse të gjithë e dimë dhe e njohim një kategori të tërë mësuesish dhe pedagogësh që vetëm këtë emër nuk e meritojnë, pasi nuk kanë as aftësitë dhe as dëshirën për ta bërë këtë profesion dhe për ta përmbushur këtë mision. Sepse arsimi është mision! Por në arsimin parauniversitar rëndësi u kushtohet shkresave, burokracive që nuk kuptohen nga kurrkush dhe jo cilësisë së mësimdhënies dhe trajnimit të mësuesit në cilësinë e dhënies së dijeve.
  3. Universiteti është hallka e mbylljes së një sistemi që do duhej të prodhonte dije. Por realisht është kthyer në një fabrikë diplomash gati pa vlerë sepse universiteti në rendjen drejt gjetjes së burimeve financiare është në një tranzicion gati rrëshqitës drejt kolapsit. Curriculat e dobëta e të papërshtatshme për zhvillimin, pedagogë që shpesh bëjnë sikur japin dije, botime shpesh mediokre nuk mund të bëjnë dot një universitet të gatshëm për t’u përballur me sfidat e kohës. Pasojat janë te studentët sepse edhe studentët e ekselencës që mund të kenë marrë disa dije nuk janë në gjendje t’i vënë në punë. Pra, për çfarë po debatojmë në Universitet? Njëra palë thotë kemi autonomi, por autonomi do të thotë të gjenerosh vetë burime financiare. Por çfarë burimesh financiare arrin të nxjerrë universiteti kur nuk ka produkt për ta shitur pasi nuk ka kërkim shkencor? Ndaj i përplas kërkesat te studentët. Por si mund të bëjë kërkim shkencor kur nuk ka as stafe të përgatitura dhe as mjete financiare? Ja pra, sa problematika ka universiteti. Por nuk debatohet për këto debate është shndërruar në debat interesash ku barra dhe pasoja bien jo vetëm mbi studentin por mbi të ardhmen tonë.

Atëherë çfarë duhet bërë? Në mendimin tim unë nuk pres që politika analfabete funksionale shqiptare të mos prodhojë të rinj analfabetë funksionalë. Por ama, jam e bindur se ka një brez mësuesish të vjetër e të rinj, një kategori pedagogësh të vjetër e të rinj që e duan vendin, e duan arsimin, e duan zhvillimin dhe mund e duhet të bëhen bashkë për t’i dhënë një frymëmarrje të re arsimit. Por dikush duhet ta marrë iniciativën.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan