Destinacioni i padëshiruar
Editorial i Monitor, 2 prill 2019
Ajo që pritej, ndodhi. Rritja ekonomike e regjistruar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, përkatësisht stacionin e fundit në garën vjetore të ekonomisë vendore, është më e ulët se periudhat paraardhëse, vetëm 3.1% dhe ky ishte një destinacion absolutisht i padëshiruar. E vetmja surprizë ishte që ndodhi kaq shpejt, shumë më parë nga sa pritej të verifikohej gjatë këtij viti.
Institucionet me ekspertizë të njohur ndërkombëtare, që në vjeshtën e vitit të kaluar, e kishin paralajmëruar një rezultat të tillë, që nuk e dëgjuan ata që duhet ta dëgjonin. FMN e para, në raportin e fundit të tetorit, uli parashikimin për rritjen e vendit në 2019-n, nga 3.8% në 3.7%. Por shifra nën 4% u vu re më herët.
Rënia statistikisht lidhet me rënien e prodhimit të energjisë e ndikuar nga reshjet.
Nëse do të zhvishnim më herët faktorin energji nga rritja ekonomike, që në 2018 vihej re që ekonomia nuk kishte forcë mbi 4%.
Por tani, në vitin 2019, situata duket të jetë më e vështirë. Vendi do të përballet me rënie drastike të investimeve të huaja. Nga 2.1 miliardë euro që ishte investimi total i planifikuar nga dy projektet e mëdha, gazsjellësi TAP dhe HEC-i mbi lumin Devoll, për 2019-n kanë mbetur më pak se 300 milionë euro, ndërsa në 2020-n, këto dy burime do të jenë ezauruar tërësisht…(lexo në brendësi “Fati i investimeve të huaja). Nëse të dyja këto investime do të kishin munguar, edhe rritjae investimeve në ekonomi gjatë katër viteve të fundit do të kish qenë minimale.
Sa u përmendën më lart thjesht dëshmojnë se ekonomia jonë ka rritje të rastësishme, nga ngjarje të përkohshme dhe nuk ka kush ta udhëheqë, qoftë nga ana e burimeve, qoftë nga institucionet. Pra nuk është vetëm çështje statistikash. Shkaku mbetet po i njëjtë: po vuajmë nga gjetja e burimeve të qëndrueshme. Sepse edhe burimet më të rëndësishme të rritjes ekonomike janë me prurje të dobëta.
Te bujqësia, siç e kemi vënë re, nuk po ndodh asgjë që mund të na inspirojë. Përkundrazi, për shkak të paqartësisë dhe paqëndrueshmërisë së politikave fiskale, aktualisht bujqësia shfaqet e irrituar, duke na ofruar skenat me fermerë të dëshpëruar në rrugë që derdhin qumështin e prodhime të tjera të pashitura.
Në deklaratën e saj të fundit javën e kaluar, Banka e Shqipërisë megjithëse vërejti rritje të eksporteve në fund të vitit të kaluar (periudha kur u vërejt ulja e ritmit të rritjes ekonomike!!), raportoi ngadalësim në dy muajt e parë të këtij viti. Edhe kredia për sektorin privat mbetet e moderuar. Kësaj situate jo optimiste, po t’i shtojmë edhe faktorë të rinj pengues, siç është ngadalësimi i rritjes në ekonomitë europiane, por edhe krizën politike brenda vendit, e cila mund të rrezikojë sezonin turistik nga ku varen shpresat e fundit të ekonomisë, do të krijonte një amalgamë pasigurish që na e bëjnë të qartë fundin që mund të prekim.
Banka e Shqipërisë paralajmëroi se vendit i janë shtuar rreziqet, e nuk mund ta bëjmë veshin të shurdhër para një sinjali të tillë.
Duket sikur në këtë editorial po përsërisim të njëjtën retorikë. Por siç duket, kjo është retorika e ekonomisë kombëtare, e cila e ka të pasigurt përparimin, duke pasqyruar më së miri qeverisjen halucinante që bën dhe zhbën të njëjtat vendime, subvencionon në mënyrë të dyshimtë biznese mes lehtësive fiskal edhe që gjithë projektin ekonomik e ka të bazuar mbi koncesionet. Shkëlqimi i fasadave në kullat gjigante nuk e fsheh dot të vërtetën e ekonomisë. Ajo thërret për ndihmë, sepse ka nevojë për vendime të dobishme për të gjithë.
Të gjithëve sot na mundon pyetja nga do të vijë rritja, por qeveria ka detyrën të garantojë burimet dhe rrugët që të çojnë në destinacionin e rritjes së qëndrueshme, e që do të ishte i dëshiruari dhe i shumëprituri.