Strategjia për menaxhimin e financave përfshin kontrollin mbi PPP
Sipas Monitor, 21 mars 2019
Ministria e Financave e rishikoi strategjinë për menaxhimin e financave publike, duke shtuar një kapitull të ri, që ka të bëjë me menaxhimin e koncesioneve PPP, për shkak të ndikimit negativ që këto kontrata kanë në stabilitetin fiskal të vendit
Institucionet financiare ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar asistuan qeverinë shqiptare në vitin 2014, të zbatojë një strategji për menaxhimin e financave Publike 2014-2020, e cila u bë shkak për miratimin e një seri ligjesh e rregullash të reja që synon uljen e borxhit publik, reduktimin e detyrimeve të prapambetura dhe mbajtjen në kontroll të rreziqeve fiskale.
Kjo strategji është rishikuar këto ditë për të shtrirë afatet e zbatimit deri më 2022, teksa është shtuar një kapitull i ri, i cili synon të mbajë nën kontroll kontratat koncensionare me Partneritet Publik-Privat.
Draft-strategjia e re sugjeron që komponenti katër “Kontratat e PPP-ve dhe Koncesioneve” propozohet të shtohet si një komponent i ri. Ai përfshin një fokus të ri të strategjisë së MFP-së, për të siguruar një kornizë ligjore të kujdesshme dhe të rreptë për një menaxhim më të mirë të PPP dhe Koncesioneve në të gjitha fazat, me qëllim uljen e rrezikut fiskal.
Duke cituar Fondin Monetar Ndërkombëtar, Ministria e Financave vlerëson se zbatimi i kornizës së re të PPP është një sfidë. Duke pasur parasysh rreziqet fiskale të paraqitura nga axhenda ambicioze e PPP e qeverisë, FMN ka theksuar rëndësinë e forcimin të kontrollit të Ministrisë së Financave mbi këto kontrata.
Ndër të tjera është propozuar që Ministria e Financave të ketë të drejtën e vetos dhe gjithashtu të ketë të drejtë të monitorojë të gjitha kontratat PPP në fuqi.
Gjithashtu është propozuar të vendoset një kufi i ri sasior mbi vlerën totale të të gjitha kontratave të PPP-së, përveç kufirit aktual për pagesat buxhetore të lidhura me PPP, për të ndihmuar në mbulimin e rreziqeve.
Do të përmirësohet kapaciteti i Njësisë së Rreziqeve Fiskale për të ndërmarrë analiza financiare të kontratave të reja të PPP dhe për të fuqizuar INSTAT-in për të regjistruar PPP-të në statistikat fiskale dhe të borxhit në përputhje me standardet e ESA 2010.
Draft-strategjia e re për menaxhimin e financave synon që shqyrtimi i bazës ligjore të përgatisë akte të reja nënligjore për PPP.
Do të vlerësohen kostot e mundshme fiskale dhe rreziqet që rrjedhin nga projektet e PPP.