“Fryhet” administrata

Sipas Dita, 13 mars 2019

Të dhënat e fundit të Insitutit të Statistikave tregojnë se numri i të punësuarve në administratën publike është rritur masivisht.

Sipas Instat në fund të vitit 2018, rrogëtarët e shtetit ishin afro 173 mijë vetë, me një rritje prej 8,400 vetësh ose 5.1% në krahasim me vitin 2017.

Në kontrast me sektorin publik, sektori privat shtoi vetëm 7,400 vende të reja pune me një rritje 1.5% në krahasim me vitin 2016.

Në fund të vitit 2018, afro 509 mijë shqiptarë ishin të punësuar me pagë në sektorin privat nga afro 502 mijë që ishin një vit më parë. Në tremujorin e katërt të vitit 2018, punësimi në sektorin privat ra me 9,400 të punësuar në krahasim me tremujorin e tretë.

Shkaqet e rritjes së të punësuarve në sektorin publik duket se lidhen me politikën e votave në këmbim të vendeve të punës dhe shumica e shtimit lidhet me pushtetin vendor apo me të punësuarit në ndërmarrje publike, shkruan Reporter.

Institucionet e qeverisjes qendrore, ku përfshihen mjekët, mësuesit, policët etj., kishin 82 mijë të punësuar në vitin e kaluar sipas buxhetit të shtetit dhe kjo nuk ka ndryshuar në krahasim me vitin 2017.

Të dhënat mbi numrin e personave të punësuar me pagë publikohen nga Instat në bazë të listëpagesave të dorëzuara në administratën tatimore. Si të tilla, këto statistika përfshijnë punësimin në sektorin formal të ekonomisë, por nuk përfshijnë punësimin në të zezë. Rritja e të punësuarve me pagë në tremujorin e tretë të vitit 2018 si dhe rënia e tyre në tremujorin e katërt duket se lidhet me fushatën antiinformalitet të ndërmarrë nga tatimet në bizneset turistike gjatë verës së kaluar, biznese që duket se kaluan në gjendje pasive në shtator bashkë me mbylljen e sezonit.

Një në tre maxhorenë me pagë

Sipas vlerësimeve të INSTAT, 1.97 milionë shqiptarë janë mes moshës 15 dhe 64 vjeç dhe si të tillë klasifikohen në moshë pune. INSTAT llogarit si të zënë me punë afro 1.24 milionë shqiptarë, ku përfshihen punëtorët pa pagesë brenda bizneseve të familjes apo fermerët që kujdesen për bagëtinë apo punojnë tokën. Nga këto, 681 mijë vetë janë të punësuar në ekonominë formale dhe punojnë me pagë dhe me sigurime shoqërore. Të punësuarit me pagë zënë afërsisht 35% të popullsisë në moshë pune. Rreth 453 mijë vetë të tjerë të klasifikuar si “të punësuar” përfshijnë popullsinë rurale të Shqipërisë, ku posedimi i një parcele toke sado të vogël apo edhe një deleje të klasifikon automatikisht si të vetëpunësuar pavarësisht nivelit të të ardhurave.

Rreth 173 mijë vetë klasifikohen si të papunë në kërkim të një pune, ndërsa 617 mijë konsiderohen popullsi inaktive. Në këtë kategori përfshihen të rinjtë në arsim si dhe personat e njohur teknikisht si “të dekurajuar”, d.m.th., të papunë që nuk kërkojnë punë.

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan