Një akt drejtësie me Shqipërinë

Nga Preç Zogaj, botuar në Panorama, 6 mars 2019

Udhëtimi i stërzgjatur i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE do të provojë të kapë sërish këtë qershor trenin e hapjes së negociatave. Është e vështirë të hamendësohet sa kanë qenë shanset e suksesit nga njëshi te dhjeta para djegies së mandateve dhe daljes së opozitës në rrugë.

Ajo që mund të thuhet me siguri sot, pas shpërthimit të krizës parlamentare, është se këto shanse janë zvogëluar, për të mos thënë janë zero. Shqipëria ishte në fije të perit për shkak të korrupsionit të lartë. Si të mos mjaftonte ky kriter-llastik, për të cilin ka kryeqytete që japin notë kaluese e ka të tjera që hezitojnë apo paralajmëronin një “jo”, Shqipëria ua vështirëson “po”-në të gjithëve me paqëndrueshmërinë dhe destabilitetin e saj politik. Dhe vërtet: përtej dëshirave të mira të partnerëve, ngjan e pazakonshme dhe sureale t’i hapen negociatat një vendi që është vendosur politikisht në konfigurimin e “luftës civile” në thonjëza, siç tha së fundi në OKB Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Trajani, një italian i partisë së Silvio Berluskonit dhe krahu i tij i djathtë për shumë vite. Një konfigurim, që pak ose aspak, e ka në hesap hapjen e negociatave; një konfigurim që, larg qoftë, mund të heqë edhe thonjëzat po të mos ishin aktivë apo po të ulin vëmendjen miqtë e Shqipërisë dhe popullit shqiptar, SHBA, BE.

Prognoza për negociatat mbetet e zymtë, por megjithatë, shanset në vektorin e mundësive lëvizin midis zeros dhe një mrekullie. Një mrekulli e zhvillimeve të reja politike në vend, e rrethanave, e gjeopolitikës gjithashtu.

Për t’ia dalë mbanë, Shqipëria ka në favor sërish rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, që flet i pari.

Ka në favor një konsensus me të gjerë në Parlamentin Europian, fakt që u vu re edhe në deklaratën e delegacionit shumëpartiak të këtij institucioni gjatë vizitës javën e shkuar në Tiranë, ku i bëhej thirrje qeverisë së BE-së të hapë dritën jeshile për Shqipërinë.

Ka në favor vullnetin dhe impenjimin e shtuar të Gjermanisë, si vend lider i BEsë.

Ka në favor përparimin në ngritjen e organeve të drejtësisë së re dhe kompletimin e këtyre organeve brenda muajit qershor, gjë që do të mundësojë vënien në punë konkrete të mekanizmit sui generis që do të luftojë me ligj, pa kompromis, korrupsionin dhe krimin në sferat e larta.

Edhe pse vendet kandidate vlerësohen veç e veç, Shqipëria përfiton nga të qenët çift me Maqedoninë e Veriut në provimin e qershorit. Do të ishte e dhimbshme dhe do të thosha e padrejtë që qytetarët shqiptarë, europianistë besnikë në shumicë dërmuese, të ndahen në stacionin e negociatave nga fqinjët e tyre të lindjes. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e meritojnë Europën. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë, po se po.

Kësaj shprese mund t’i japin e duhet t’i japim një shtytje për mirë zhvillimet politike në vend, dalja nga spiralja e rebuseve dhe moskomunikimit politik mes palëve, hapja e horizontit të zgjidhjeve demokratike të ndërmjetësuara nga partnerët strategjikë, SHBA, BE.

Një ndikim të qenësishëm në fatin e hapjes së negociatave me Shqipërinë do të këtë rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Fitorja kuptimlopte e forcave europianiste është mirë për Shqipërinë. Tkurrja e tyre dhe rritja e partive sovraniste apo ekstremiste është në dëmin tonë.

Nuk përjashtohet një bonus që lidhet me zhvillimet gjeopolitike. Siç ka ndodhur me anëtarësimin tonë në NATO, ku nuk kanë munguar as lobimet e as ngjarjet që ushqenin kundërshtimin e pranimit të Shqipërisë. Por SHBA dhe vendet anëtare vendosën “po” dhe kështu u bë.

Kur një bazament kushtesh ekzistojnë, arsyet gjeopolitike marrin forcë.

Hapja e negociatave është stacioni i parafundit në rrugën e anëtarësimit të plotë të vendit në BE, një ëndërr e gjatë e brezave dhe sidomos e rinisë së sotme. Që ka dhënë e jep çdo ditë prova të europianizmit dhe s’ka përse të paguajë vonesa të tjera. Parlamenti Europian, qeveria e Europës dhe vendet anëtare të BE-së do të bënin një akt drejtësie dhe do të jepnin një mesazh shumë domethënës, duke i ndezur dritën jeshile të negociatave një populli dhe një rinie të lidhur fort me familjen europiane, edhe pse të tradhtuar jo rrallë nga elitat e korruptuara dhe të kapura të Tiranës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi