Sergio Romano: “Gabimi më i madh i Evropës? Futja e vendeve të Evropës Lindore në Bashkimin Europian”

Publikuar në Linkiesta.it  23 shkurt 2019

Intervistë me editorialistin dhe eseistin, ish ambasadorin italian në NATO dhe Moskë: “Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar ishin ato që dëshironin të zgjeronin Bashkimin Europian me vendet e ish Paktit të Varshavës. Ajo që është ironike sot është se sovranistët i përdorin institucionet evropiane për të luftuar Evropën »

Nga 9 nëntor 1989 deri më 9 nëntor 2019: si ndryshoi Evropa në tridhjetë vjet pa Murin? A jemi ne atje ku ne prisnim të ishim? Dhe çfarë mund të bëjmë për tu perputhur me idealet e asaj nate të lirisë, në të cilën historia dukej se përfundonte? Një seri intervistash me dëshmitarët e kohës për të diskutuar me ta se si rënia e Murit ka ndryshuar jetën tonë. Fillon me Sergio Romano, ish ambasador italian në NATO dhe Moskë.

«Vendet e lindjes nuk duan integrimin e Evropës. Ato thjesht duan sovranitetin e humbur kombëtar, pas dekadave të nazizmit dhe komunizmit. Ajo që është ironike sot është se ata po përdorin institucionet evropiane për të arritur objektivin e tyre “. Sergio Romano u largua nga posti i ambasadorit italian në Moskë dhe nderpreu karrierën e tij diplomatike disa muaj para se muri të pushonte së ekzistuari, në muajt e parë të vitit 1989, një lloj ngrirje nga lufta e ftohtë, pak para se ajo të përfundonte. Megjithatë, nga ajo që ndodhte atëherë, dhe nga ajo që ndodhi prej asaj kohe, ka kujtimin e gjallë të dëshmitarit të privilegjuar, i cili e dinte se çfarë po ndodhte dhe pse: “Në të vërtetë, kurrë nuk kisha menduar se Bashkimi Sovjetik do të shpërbëhej aq shpejt, dhe sinqerisht nuk mendoja se rënia e Murit të Berlinit do të zhdukte të gjithë muret e botës “.

Çfarë mendoje, asokohe?

Kufizohesha tek efektet mbi Luftën e Ftohtë dhe gjendjen e politikës në rajon, dhe se  çfarë do të ndodhte në Evropën Qendrore. Ne e dinim se nëse Gjermania do të ribashkohej, kushtet politike të vendeve të Paktit të atëhershëm të Varshavës do të ndryshonin dhe se nga marrëdhënia me një BRSS të ri do të kishte përfituar shteti i ri gjerman. Nuk mendova se kjo do të ndodhte kaq shpejt, se Bashkimi Sovjetik nuk do të ekzistonte më pak se dy vjet më vonë.

Andreotti thonte se e donte Gjermaninë aq shumë sa që donte të ishin dy. Mitterrand dhe Thatcher, tregojnë dokumentet e kohës, vlerësonin gjithçka, por nuk ishin entuziastë për fundin e Murit të Berlinit. Pse, sipas mendimit tuaj?

Unë besoj se të gjithë, pak a shumë, e dinin se Muri do të eliminohej. As francezët dhe as britanikët nuk do të ishin të lumtur nëse Muri do të kishte mbetur aty ku ishte. Vetëm se ata i trëmbeshin rikrijimit të një shteti gjerman me dimensionet e atij të 1870. Mitterrand dhe Thatcher e kujtonin mirë, se ajo Gjermani, me ato dimensione, kishte shkaktuar dy luftëra botërore. Dhe nga ana tjetër, ai që besonte në Komunitetin Europian ishte i bindur se të gjitha përparimet ishin bërë të mundura falë tkurrjes së Gjermanisë. A do të ishte një Gjermani e ribashkuar pro integrimit? Ishin shqetësime legjitime.

Vetëm tre vjet kaluan që nga ribashkimi i Gjermanisë dhe vjen Traktati i Mastrihtit. Pastaj kalojnë pak më shumë se dhjetë vjet dhe erdhi Euro …

Lindja e euros është e lidhur ngushtë me ribashkimin e Gjermanisë. Kur Mitterrand kuptoi se nuk mund të kundërshtonte ribashkimin e Gjermanisë, përpiqet ta lidhë atë sa më shumë që të ishte e mundur me Evropën dhe i kërkon që të heqin dorë nga marka si çmim që duhet të paguaj për unitetin e saj. Ai u mbështet në evropianizmin e Kohlit, real dhe të sinqertë.

Edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian ishte rezultat i rënies së Murit?

Sigurisht. Vendet e Paktit të Varshavës më në fund ishin demokratike dhe të pavarura, por ata ishin jetimë. Ata kishin nevojë për dikë, për të ndërtuar ekonominë e tyre, për të përmirësuar institucionet e tyre. Dhe ishte e shenjtë t’u jepje atyre një ndihmë. Gabimi, ishte se kjo ndihmë i u dha duke i pranuar ato në Bashkimin Evropian. Qysh atëherë mendoja se do të ndërmerrnim një rrezik të madh.

Si ndodhi?

Për shkak se nuk ishte e domosdoshme, ata nuk ishin gati, ata nuk kishin bërë të njëjtin rrugëtim të Evropës Perëndimore. Ne kishim humbur luftën e dytë botërore dhe e dinim se disfata ishte rezultat i nacionalizmit. Ne kishim rigjetur demokracinë dhe vendosëm të bëheshim së bashku për të lënë prapa njëherë e përgjithmonë nacionalizmin tonë. Ata ishin bërë satelitë të një regjimi që kurrë nuk do të lejonte lindjen e një klase drejtuese me të vërtetë kombëtare dhe të pavarur. Kjo është arsyeja pse ata nuk duan integrimin evropian. Sepse ata duan sovranitetin kombëtar, sepse fundi i Bashkimit Sovjetik për ta ishte një mundësi, që e kishin pritur një jetë të tërë, që të bëheshin përsëri komb. Ka një ndryshim të thellë, një kufi mendor që na ndan ne dhe ata. Dhe ne futëm në shtëpi njerëz që erdhën tek ne vetëm për shkak se ne ofruam perspektiva interesante ekonomike, sigurisht jo për të bërë Evropën.

“Kjo është arsyeja pse ata nuk duan integrimin evropian. Sepse ata duan sovranitetin kombëtar, sepse fundi i Bashkimit Sovjetik për ta ishte një mundësi, që e kishin pritur prej një jetë të tërë, që të bëheshin përsëri komb. Ka një ndryshim të thellë, një kufi mendor që na ndan ne dhe ata. Dhe ne kemi futur në shtëpi njerëz që erdhën tek ne vetëm për shkak se ne ofruam perspektiva interesante ekonomike, sigurisht jo për të bërë Evropën.”

Një pyetje një milion euro: pse i futëm ata në shtëpi?

Për dy arsye. E para: Gjermania nuk donte të kishte vende potencialisht armiqësore në anën e saj të djathtë dhe besonte se përfitimet do të tejkalonin disavantazhet. E dyta: presioni i Britanisë së Madhe që nuk donte integrimin e Evropës. Mbretëria e Bashkuar kishte hyrë në Komunitetit Evropian në mënyrë që ta shmangte atë dhe menjëherë kërkoi zgjerimin duke besuar se do ta bënte integrimin edhe më të vështirë. Presidenti i atëhershëm i Komisionit Jacques Delors u përpoq ta ngadalësonte procesin dhe për një kohë u fol edhe për një marrëdhënie konfederale të Bashkimit Evropian me vendet e Lindjes, por asgjë nuk u bë. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar ishin në një ngut për për të hyrë vendet e lindjes.

Dhe në fund, lindja hyri. Me ardhjen në pushtet të udhëheqësve nacionalistë dhe autoritarë të krahut të djathtë. Binjakët Kaczynski në Poloni, Viktor Orban në Hungari …

Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ky është një ndryshim, rezultat i viteve të fundit. Në Poloni, Solidarnosc qeverisi një brez përpara se Kaczynski të vinte në pushtet. Dhe kur Berlusconi shkoi në Hungari për të mbështetur fushatën zgjedhore të Orbanit, ai ishte ende një konservator i moderuar i Partisë Popullore Evropiane.

Po këtu çfarë ndodhi?

Ka ndodhur që nacionalizmi i Europës Qendrore dhe Lindore (i quajtur tani sovranismi) ka infektuar vendet e Evropës Perëndimore, në një moment kur pas krizës së borxhit sovran u shfaq një formë e fortë euro-skepticizmi. Është për të qeshur se forcat politike që qeverisin vendet e Lindjes – por edhe ato që qeverisin Italinë dhe Austrinë – sot duan të krijojnë një grup parlamentar të shumicës në parlamentin e Strasburgut dhe po negociojnë për të punuar së bashku.

Pse është qesharake?

Për shkak se po bëjnë një politikë nacionaliste dhe euro-kritike duke përdorur instrumentet institucionale evropiane. Në raste të tjera, ata nuk do të kishin këtë shans. Sot ata e kanë atë, falë Evropës. Ka shumë taktika dhe pak strategji në këtë epidemi lindore në perëndim: ata po e përdorin Evropën kundër Evropës, kritikojnë Komisionin, por e pranojnë ekzistencën e saj dhe me të vërtetë dëshirojnë ta marrin atë. Simboli i këtij paradoksi është Nigel Farage, për një kohë të gjatë udhëheqësi i Ukip (Partia e Pavarësisë), i cili kurrë nuk ka hyrë në parlamentin e vendit të tij dhe që i ka bërë të gjitha betejat e tij nga Strasburgu.

A do të fitojnë?

Nuk di të them sepse gjykimet tona shpesh ndikohen nga dëshirat tona, por nuk e uroj. Kjo është një kohë shumë e vështirë për Evropën, por jam optimist dhe mendoj se do të mbizotërojë arsyeshmëria, dhe se rezultatet e arritura në procesin e integrimit nuk do të humbasin.

Jashtë, ndërkohë, ekzistojnë Rusia dhe Amerika, të dy fuqitë e luftës së ftohtë, të cilat janë të gatshme të rimarrin atë që ishte e tyre.

Pozitat e tyre janë të ndryshme. Rusia ka frikë nga Amerika dhe imperializmi amerikan. Ne kurrë nuk e kemi kuptuar se si Amerika ka interpretuar rënien e murit. Për ne ishte fundi i luftës së ftohtë, për ta ishte fitorja e luftës së ftohtë. Në mes është e gjithë distanca e botës. Ne donim të hapeshim, bashkëpunonim, krijonim një të ardhme ku ekuilibri do të mbizotëronte mbi mosmarrëveshjet. Amerika, nga ana tjetër, donte të kapte mundësinë për një politikë më të dukshme imperiale. Nuk është rastësi që, pak vite pas rënies së Murit, NATO-ja është zgjeruar në kufijtë e Rusisë. Dhe nëse Amerika reagon në këtë mënyrë, nuk është e çuditshme që Rusia të vendosë para sigurinë e vet para modernizimit. Dhe nuk është aspak e çuditshme që evropianët të paguajnë pasojat e këtij kontrasti të ri.

Perkthyer nga ShtetiWeb

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi