Momenti i guximshëm i Merkelit në Mynih
Nga Christian Trippe, DW, 18 shkurt 2019
Kush i mbledh copëzat e rendit botëror të thyer? Kësaj pyetjeje vendimtare Angela Merkel i dha përgjigje në Konferencën e Sigurisë që përfundoi në Mynih. Por ajo nuk tha të gjithë të vërtetën, mendon Christian F. Trippe.
Si në të gjitha fjalimet e mëdha politike me vazhdë të gjatë ndikimi, ishte momenti ai që i dha rëndësi fjalimit të Merkelit. Ajo lloj përzierje e momentit dhe vëmendjes nga publiku, e fjalëve me vend dhe tonit të përshtatshëm. Që para Konferencës së Sigurisë në Mynih, (15.-17.02) ishte një moment i tillë për Angela Merkelin. Kush e lexon fjalimin e saj më pas e kupton mirë pse pati ovacione të gjata për kancelaren gjermane.
Kancelarja foli pa letër, që ndodh rrallë – dhe foli si e çliruar. Ajo mbrojti një rend botëror, që është i kërcënuar nga shkatërrimi dhe aktet e prishjes së qëllimshme të tij. Një rend botëror, që ndoshta në këtë formë nuk do të ekzistojë më për një kohë të shkurtër. Me një energji të re, Merkel trajtoi problemet e globit, duke kaluar nga Rusia në Kinë, SHBA, për t’u kthyer sërish në Gjermani dhe Europë. Asnjë fushë politike nuk e la pa prekur, tregtinë, sigurinë, mjedisin.
Gjuhë e qartë për mikun dhe armikun
Asgjë nuk ishte e re në mendimet e Merkelit, gjithçka ishte thënë kështu pak a shumë më parë. Por mbështetja e saj e mëparshme për multilateralizmin shprehej me një gjuhë të ngurtë, të paafrueshme. Ndërsa kësaj here ishte pikërisht kjo lloj energjie, ky ligjërim i drejtpërdrejt i saj, që vuri gjërave emër. Edhe tek publiku fjalët e saj kishin efekt çlirues, ato ishin në kontrast të madh me fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence. Merkel ushtroi me humor autokritikë për mangësitë e politikës së jashtme gjermane. Pence nga ana e tij demonstroi me një stil jo të gdhendur mirë se çfarë do të thotë në praktikë politika “America First”. Merkel foli plot pasion për qëndrimet e saj. Pence jepte mesazhe ndërmjet rreshtave, nganjëherë me ton komandues.
Kontrasti i këtyre dy fjalimeve e bëri të qartë, se sa e vështirë është bërë momentalisht marrëdhënia transatlantike. Por në një kohë që Merkel tundi sallën, duke shkaktuar një valë globale gëzimi në twitter, provinca protestoi. Princër lindorë të CDU-së nisën një diskutim mendjengushtë, duhet apo nuk duhet ta lejojnë të flasë në fushatën zgjedhore të landeve kancelaren e tyre me përmasa botërore. Imazhi i Merkelit në lindje të Elbës është aq i dëmtuar, saqë kjo mund të rrezikojë edhe suksesin e CDU-së në zgjedhjet e landeve.
Pasuesja bën përgatitje
Në shtëpinë e saj me probleme, jashtë Gjermanisë e ngritur lart: Merkeli e ndan këtë fat me disa kancelarë të pasluftës – Sa më shumë fitonin prestigj e respekt si personalitete me format botëror, aq më shumë rrëzohej autoriteti në politikën e brendshme. Qoftë Adenauer, Brandt, Schmidt apo Kohl – të gjithë ata e humbën mbështetjen në radhët e tyre, disa madje u përzunë nga njerëzit e tyre, në një kohë që prestigji i tyre në botë u rrit. Merkel e ka dorëzuar ndërkohë postin e kryetares së partisë tek kandidatja e saj e dëshiruar Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo e përdori Konferencën e Sigurisë në Mynih për t’u prezantuar para rrjeteve të ndryshme botërore të politikës së jashtme. Kësaj iu shtua një intervistë e gjatë e Kramp-Karrenbauers për temat e politikës së jashtme. Pasuesja po përgatitet, jo thjesht vetëm për postin e kryetares së partisë.
Por kush i mbledh copëzat, kush e krijon sërish rebusin e botës? Përgjigja e Angela Merkelit në Mynih ishte e qartë – ne jemi të thirrur të gjithë e duhet të veprojmë. Por një gjë Merkel e la pa përmendur – faktin që ajo vetë nuk do të angazhohet më pas pas mandatit si kancelare. Megjithatë amaneti i saj për politikën e jashtme dihet pas Konferencës së Sigurisë në Mynih./DW/
Lexo edhe Fjalet dhe veprat, nga Julian Reichelt, BILD