Civici: Konfliktualiteti politik ndikon në ekonomi
Sipas Top Channel, 17 shkurt 2019
Klima e konfliktit politik ka jo pak ndikime në ekonomi. Profesor Adrian Civici thotë se një nga shkaqet është polarizimi dhe diferencimi i madh që ekziston midis shtresave sociale, por mbi të gjitha midis zonave dhe territoreve të vendit.
Civici shton se, mosgjetja e bashkëpunimit mes forcave politike për disa nga reformat strukturore ekonomike është plaga më e madhe e tranzicionit shqiptar. Kjo, duke pasur paraysh vende të tjera të lindjes, që për çështje të rëndësishme kanë respektuar disa reforma.
“Krejt e kundërta ndodh në Shqipëri, ku ne, në çdo mandat politik, forca poltike që është në pushtet thotë se çdo gjë është e bardhë; ndërsa ajo që është në opozitë thotë se çdo gjë është e zezë”, tha më tej Civici.
Nëse Shqipëria nuk e zgjidh këtë aspekt, thotë profesor Civici, ekonomia do të vazhdojë të vuajë.
“Mendoj se nëse ne nuk e zgjidhim, e me sa duket deri tani vendimmarrja politike ka qenë e paaftë për ta zgjidhur këtë element të rëndësishëm të zhvillimit, mund të konkludoj që zhvillimi ynë ekonomik dhe social do të vazhdojë të vuajë nga të gjithë këto lloj frenash, shkopinj nën rrota dhe dëme shumë të mëdha, që i vjen nga kjo situatë dhe ky konfliktualitet politik”, tha Civici.