Pse shtesa e PBB-së rritet, ndërsa ajo e të ardhurave buxhetore ulet!?
Nga Koço Broka, botuar ne Dita, 31 janar 2019
Publikimi i të dhënave për Produktin e Brendshëm Bruto (PBB), tremujore e vjetore, asnjëherë nuk ka mbetur pronë e INSTAT, apo medias. Por për të shkuar tek publiku gjithmonë është është pushtuar e amplifikuar nga politika dhe leximi i gotës gjysmë plot në mazhorancë dhe gjysmë bosh në opozitë. E tillë është shfaqur ajo gjatë viteve të fundit, por jo vetëm.
Karakteristikë për mazhorancën aktuale është amplifikimi i rritjes të vazhdueshme të PBB nga viti në vit, që nga viti 2013, pa i lënë hapësirën e nevojshme që secili të gjykojë jo vetëm nga ajo çka thonë partitë me luftën e tyre politike por me mendjen e vet, mbi bazën e asaj që thonë shifrat, të dhënat që në rastin tonë paraqiten në tabelën Nr 1 shoqëruar në grafikun përkatës.
Të dhënat e tremujorit të katërt për PBB-në nuk janë bërë ende publike, por mbështetur në të dhënat e nëntëmujorit dhe shtesën e të ardhurave buxhetore gjatë tremujorit të katërt, krahasuar me periudhën paraardhëse, pritshmëria është që rritja e PBB-së të jetë rreth 4.3%.
Nga përfaqësues të mazhorancës , ish Ministri i Financave është theksuar “Shikoni vitin 2013-të që metaforikisht do ta quaja si “lugina e errët e ekonomisë shqiptare”, me një rritje statistikore 1%. Siç e shikoni, 9-mujori i vitit 2018 është me rritje 4.35% dhe tremujori i tretë i vitit 2018-të është 4.45%, që është më i larti në rajon, rritja ekonomike më e lartë në rajon “ Ky lexim i gotës gjysmë plot, sado rozë mund të duket, nuk ka të krahasuar me euforinë e ish mazhorancës paraardhëse. Mjafton të mbahet parasysh disa fakte. PBB në terma absolute për vitin 2018 është parashikuar dhe prezantohet në pasqyrat ekonomike në nivelin e 1 647.6 miliard lek.
Tabela nr 1.
Por në se i hidhet një sy KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL, PËR PERIUDHËN 2011-2013, të miratuar në 07.01. 2010, niveli i PBB-së në terma absolute për vitin 2013, ishte parashikuar, të arrinte 1654.6 miliard lekë!?. Kjo do të thotë se është parashikuar brenda tre vjetëve të arrihej një nivel i tillë i produktit të brendshëm bruto, sa ose dicka më i lartë se sa ai i vitit që lamë pas ose 5 vjet më vonë. Për rrjedhojë dhe të ardhurat buxhetore për vitin 2013, ishin parashikuar në nivele të larta, ose 448,1 miliard lekë, nga vetëm 1 miliard më pak se sa janë realizuar në fakt në vitin 2018, ose 449.4!? Ndërkohë në vitin 2013, niveli i të ardhurave buxhetore në fakt u realizua vetëm në nivelin e 327.2 miliard lekë, me një nivel më të ulët madje se ai i shpenzimeve korente që kanë rezultuar 328.6 miliard lekë. Kjo do të thotë që gjithë investimet publike mbuloheshin të gjitha me borxh. Ndërkohë kjo situatë ishte më e agravuar se është shoqëruar me detyrime të fshehura te prapambetura ndaj biznesit apo subjekteve të tjera në masën e 54 miliard lekë, që do të shlyheshin vetëm nga mazhoranca aktuale.
Në këtë situatë gjatë viteve 2011-2013, këto të fundit u zhndruan në një pengesë reale për ecurinë e biznesit sipërmarrjes private duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të kredive të pakthyera nga njëra anë duke reduktuar rritmet e rritjes të PBB-së nga ana tjetër që ranë në nivelin e 1% nga ana tjetër. Këto të dhëna dëshmojnë qartë se ka patur jo thjesht mangësi dhe pasaktësi serioze në parashikimin e ecurisë së ekonomisë dhe prognozimin e treguesve ekonomikë shoqërore, me kuadrin makroekonomik të vitit 2010. Dhe kjo ka patur dhe kish efektet e kostot përkatëse për ecurinë makroekekonomike të vendit, duke u shoqëruar me stopimin e ecurisë të të ardhurave buxhetore.
Mbështetur edhe në këtë situatë përfaqësues të mazhorancës aktuale, ish Ministri i Financave nuk ka munguar të theksojë duke iu drejtuar gazetarve nga pozicioni i Ministrit dhe në vitin 2019 se” Ndërkohë, diskutuam për të ardhurat. Në 5 vite mblodhëm 1.2 miliardë dollarë më shumë sesa momenti që e morëm… Sigurisht që puna nuk ka fund, por unë në momentin tim personal, kam kënaqësi që e ndaj me ju dhe me qytetarët këtë shifër. Ka bërë të mundur të zgjerohemi në investime.” Për hir të së vërtetës kjo është fakt. Duke iu referuar të dhënave të realizimi të buxhetit për vitin 2019,që dolën këto ditë rezulton se me të ardhurat buxhetore gjithsej përveç shpenzimeve korrente, nga to, janë mbuluar për vitin 2018 52.2 miliard lekë investime –shpenzime kapitale publike, kurse pjesa tjetër është mbuluar me borxh, dhe ose PPP, kur në vitin 2013 ky nivel ishte më pak se zero.
Është në të drejtën e kujdo që të mos besojmë verbërisht në çdo statistikë të ofruar, qoftë dhe të prezantuar në këtë shkrim nga ana ime mbi bazën e të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë apo INSTAT. Kushdo para se t’i konsiderojë të mirëqena le ti kontrollojë e verifikojë nëse këto shifra janë të vërteta dhe nuk janë përdorur për të mashtruar njerëzit. Kjo aq më tepër ka vlerë për gazetarët ose opinion bërësit. Por si ish pedagog i hyrjes në Ekonomiks, në fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, do iu drejtohesha studenteve që të lexonin në mënyre të pavarur të dhënat e mësipërme, për të gjykuar vetë se cila situatë ekonomike është më e mirë dhe më shprese dhënëse, ajo aktuale apo ajo para zgjedhjeve te qershorit 2013? (Është në të drejtën e tyre por dhe të mbarë publikut, që ata të sqarojnë veten por dhe mbarë shoqërinë shqiptare, se sa janë studentet e këtij fakulteti, apo të tjerë jashtë tij, që mbajnë peng godinën e këtij fakulteti për të mos bërë mësim, me ata që duan të bëjnë mësim)
Personalisht jam i vetëdijshëm se do ketë gjithmonë njerëz që nuk kufizohen e mbështeten në atë që të dhënat që të jenë të vërteta dhe të sakta, por gjithashtu, të dëshirojnë e duam të mund lexojmë diçka që i u përshtatet bindjeve të veta. Ky shkrim nuk i plotëson këto dëshirat e fundit, por synon të ofrojë një hapësirë ku secili të shqyrtojnë sipas njohurive e këndvështrimit të vet duke shoshitur gjithçka që është ofruar, dhe iu është vënë para syve të tyre. Shoqëria e demokracia jonë pavarësisht nga infantiliteti dhe mangësitë i ofron dhe duhet t’i ofrojë kujtdo mundësinë për të zgjedhur në cilën udhë të eci. Natyrisht këtu nuk mund të mos ndalem sidomos për pedagogët e Fakultetit Histori-Gjeografi, sidomos dega e gazetarisë, që pasi i kanë privuar studentet e tyre përfshi pjesën dërmuese e gazetarëve të rinj të sotëm, nga lënda e Ekonomiksit, pra i kanë privuar ata nga njohuritë e domosdoshme ekonomike për të gjykuar në mënyrë të pavarur mbi dukuritë ekonomike sociale, janë angazhuar t’i privojnë ata studentë që duan të bëjnë mësim, sado të paktë apo të shumtë të jenë në numër, duke u imponuar mosbërjen e mësimit, duke shpallur kërkesa ultimative nën pretekstin e rishikimin e ligjit të arsimit të lartë?!
Pozicionet partiake të hapura apo të kamufluara duke qëndruar me fanatizëm në istikame jo vetëm në këndvështrimin gjysmë plot apo gjysmë bosh, apo simpatizantët duke zgjedhur të keqen më të vogël, si po konfirmon koha, nuk janë të mjaftueshme. Ato mund të shërbejnë për mbajtjen ose marrjen e pushtetit, dhe si të tilla do të ekzistojnë dhe do s’do do hedhin stërkalat e tyre tek të gjithë. Por koha po tregon se është e rëndësishme se përveç tyre, apo qoftë krahas tyre, të shihet se çfarë përfaqëson gota e mbushur përgjysmë, qoftë kur nuk i ke për zemër aritmetikën apo nuk ke simpati për numrat?! Realizmi, objektiviteti i mbështetur edhe nga statistika nuk përjashton optimizmin, por përkundrazi e bën atë më të qëndrueshme më solid. Kundërshtim për kundërshtim mbi premisa të ngushta partiake, po kthehet në një kosto të madhe, do të thosha të jashtëzakonshme për shoqërinë dhe ekonominë tonë, duke lënë vetëm pak hapësirë për të menduar për zgjidhjen e sfidave të mëdha e duke e semplifikuar zgjidhjen e tyre dhe sidomos përballimin e konkurrencës si brenda dhe sidomos jashtë vendit. Ndërsa europianët gjithnjë e gjithnjë përsërisin dhe na kujtojnë ne shqiptarëve dialog, dialog e përsëri dialog…
Kjo kërkon që të shihen më me vëmendje grafikët e prezantuar, të cilët në disa raste mund të mos jenë të pëlqyeshëm, madje as të pranuar nga disa gazetarë. Si dashamirës i numrave pavarësisht në se e voton ose jo, madje ngrihesh në protestë e nuk mungon të kërkosh politika ndryshe, ndoshta ja vlen të dëgjohet autori i radhëve vijuese, që thotë:”Është kollaj, të flasësh kur nuk ke gjë në dorë; pastaj është pak më vështirë të flasësh kur sheh numra dhe pastaj është shumë më vështirë kur mbi bazën e numrave duhet të bësh politikë” Kjo si për faktin se me sa duket është një konkluzion më se i natyrshëm i nxjerrë nga periudhë të gjatë pune në vendimmarrje.
Duke patur parasysh dhe këtë, le ti kthehem numrave. Hulumtimi i numrave të mësipërm të tabelës nr 1, të shtyn ose më saktë më ka shtyrë, të mos kufizohem vetëm në to, sado simpatike e vetëshprehëse është në vetvete tabela dhe paraqitja grafike ku janë mishëruar ato. Krahas tyre i jam drejtuar dhe kam prezantuar në tabelën nr 2, bashkëlidhur përmasat absolute të shtesës së Produktit të Brendshëm Bruto, të pasqyruar më poshtë në vite, me ngjyrë bojë qielli. Ato kanë ndjekur dhe ndjekur prirjet e tendencat në rënie ose në rritje që përfaqësonin ritmet e rritjes të PBB-së në periudhën 2010-2018. Kushdo mund ti lexojë drejtpërdrejt ato. Ndërkohë këto të dhëna janë shoqëruar me shtesën e të ardhurave buxhetore në vitet përkatëse. Ajo që të bie në sy për vitet 2010-2013, është se shtesa e të ardhurave buxhetore jo vetëm ka pasuar rënien e ritmeve të rritjes ekonomike, por ka qenë më e madhe duke pasur limit zeron ose madje dhe nën zero, me ndikimin e ndërsjelltë në rënien e ritmeve të PBB, rritjen e borxhit publik, duke e shpënë ekonominë drejt kolapsit.
Një pamje tjetër paraqesin të dhënat në periudhën 2014-2018. Niveli më i lartë i shtesës të të ardhurave buxhetore, është vënë re në vitin 2014, çuditërisht, kur niveli i rritjes të produktit të brendshëm bruto është në nivelin më të ulët, krahasuar me vitet pas. Si mund të shpjegohet ky paradoks e karakteristikë dalluese e tij!?
Kushdo mund të kujtojë se ajo ishte produkt i mbështetjes buxhetore të FMN-së e donatorëve të tjerë, për të shlyer detyrimet e prapambetura të qeverisë ndaj sipërmarrësve. Një masë e tillë që u shoqërua me efekte pozitive në shlyerjen e detyrimeve bankare nga ana e këtyre të fundit, por dhe si rrjedhojë e rritjes të tatim- taksave bëri të mundur rritjen e të ardhurat buxhetore, në nivelin më të lartë gjatë kësaj dekade. Shtesa e këtyre të fundit ka qenë 39.5 miliard lekë, nga 45.3 miliard lekë që ishte shtesa e PBB-së në atë vit. Pra nga totaliteti i shtesës të PBB-së po thuaj e gjitha është tërhequr në buxhetin e shtetit duke rënduar barrën fiskale- tatim taksat mbi grupime të tërë biznesesh në kushtet e stanjacionit të pagave dhe pensioneve por dhe të rritjes së taksave dhe tarifave edhe për këta të fundit duke ushqyer privime e pse jo pakënaqësi tek të cenuarit . E gjithë kjo është shoqëruar me një defiçit e borxh të konsideruar, por duke vazhduar rritjen. Kjo e fundit u stimulua dhe nga dy investimet e huaja të drejtpërdrejta si ato të TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Mazhoranca e cila nuk ka munguar të angazhohet në sfidimin e gazetarëve të takime biseda e intervista asnjëherë nuk ka bërë transparencën lidhur përmasat dhe se cili ka qenë efekti i këtyre të fundit si në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto por dhe shtimin e të ardhurave buxhetore, në çdo vit, duke u rrezikuar të bëhet viktimë e trumbetimit të efekteve të tyre si të vetat.
Vazhdimi i ecurisë së PBB-se kërkon shlyerje e menjëhershme e detyrimeve të prapambetura
Pas një luhatje e reduktim të të ardhurave buxhetore në vitin 2015, në vitin 2016, krahas me rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto janë shtuar kënaqshëm të ardhurat buxhetore në nivelin e 27.8 miliard lekëve. Kjo mundësonte shtimin e të ardhurave buxhetore për investime me burimet e buxhetit duke mundësuar ritmin e rritjes të PBB-së, reduktimin e deficiti buxhetor, por pse dhe marrjen e masave lehtësuese.
Tabela nr 2
Por ajo që të bije në sy në vitet në vijim, ndërsa shtesa e produktit të brendshëm bruto më se dyfishohet në vitin 2018, krahasuar me atë të vitit 2016 ose rritet 2.3 herë më tepër, shtesa e të ardhurave buxhetore ka rënë nga një vit në tjetrin, për të mbërritur në vitin 2018 në 18.9 miliard lekë. Këtë mund ta shohë kushdo. Natyrisht këtu ka faktorë të ndryshëm, që nga faktorë të jashtëm të mishëruar në kursin e këmbimit, në aftësitë konkurruese të biznesit, punonjësve por dhe universitet tona deri tek amplifikimi i ankesave, duke hequr vëmendjet nga përballimi i sfidave (mjafton të shihet se si trajtohet problemi i largimit të specialisteve dhe të rinjve nga Shqipëria dhe Ballkani.
Këto probleme dhe sfida nuk janë vetëm shqiptare por dhe ballkanike. Kjo mund të vërtetohet lehtësisht. Por në se në vendet e tjera ato trajtohen dhe si sfida reale për tu përballuar e zgjidhur nga mbarë shoqëria, duke i kërkuar Qeverisë të luajë rolin e vet, tek ne kufizohemi vetëm në këtë të fundit duke amplifikuar ankesat) niveli i qeverisjes dhe politikat e saj…
Këto të fundit janë mishëruar në disa aspekte por po ndalem vetëm në njërin prej tyre, drejtimin e buxhetit me Akte Normative. Realizimi i të ardhurave buxhetore për vitin 2017, u realizua mbi 12 miliard lekë më pak se Akti Normativ Nr 3 i 6 Nëntori. Me gjithë efektet negative që kish ky mos realizim sidomos në kryerjen e shpenzimeve të parashikuara, nuk u nxorën mësimet përkatëse. E njëjta gjë ndodhi edhe me Aktin Normativ nr 2 të 19 Dhjetorit 2018, ku diferenca e realizimit të të ardhurave buxhetore në fakt me ato sipas Aktit është për më se 12 miliard lekë.
Kjo diferencë është e keqja më e vogël. Me një nivel të tillë kjo është shoqëruar me një mungesë transparence për detyrimet e prapambetura të krijuar rishtazi ndaj biznesit dhe mos shlyerjen e tyre. FMN ka qenë e qartë në deklaratën e saj të Nëntorit 2018” Rritja e detyrimeve të prapambetura buxhetore që nga 2016 duhet të trajtohet pa vonesë. Detyrimet e prapambetura, përfshirë ato të pushtetit vendor, çmohen se janë sa 1,5 për qind e PBB-së në fund të muajit shtator 2018. … Rimbursimi në kohë i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) është me rëndësi për të krijuar besim te administrata tatimore dhe te funksionimi i sistemit të TVSH-së.
“ Por këto të fundit nga ana e tyre shndërrohen në një faktor frenues të ecurisë së biznesit, pa bërë fjalën për pengimin e rritjes së tij. Po të mbahet parash rënia e depozitave bankare në dy vitet e fundit, rënia e stokut të kredisë nën nivelin e vitit 2011,( çka flet se sfidat e ekonomisë dhe zhvillimit të biznesit janë serioze) dhe mbarimi i dy investimeve të huaja të drejtpërdrejta të mëdha; recidivizmi i detyrimeve të prapambetura në rritje, bën apel se praktika e qerthullit të viteve 2011-2013, ka rrezik të përsëritet.
Ja përse tërmeti e ndryshimet në kabinetin e Qeverisë nuk janë të mjaftueshme pa ndryshimin e mënyrës së qeverisjes. Transparenca e plotë për detyrimet e prapambetura dhe shlyerja sa më e shpejtë e tyre është sa një problem i drejtpërdrejtë fiskal- financiar por aq edhe me efekte në ecurinë e mëtejshme të PBB duke prekur të gjithë.
Kjo aq më tepër kur duke ecur drejt përfundimit të TAP dhe disa hidrocentraleve, ndërsa përmasat e rimbursimit të TVSH-se ndaj tyre, konform kërkesave ligjore, kanë ardhur duke u rritur dukshëm, shlyerja e tyre është shoqëruar me shtimin e detyrimeve ndaj bizneseve të ndryshëm vendas!? Ndërkohë përmasat e borxhit të huaj, të marrë gjatë vitit të kaluar kanë arritur në nivelin e jashtëzakonshëm 83.7 miliard lekëve (shih publikimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë) janë të frikshme.
Një nivel i tillë kërkon që të bëhet një transparencë e plotë për borxhin publik të brendshëm e të huaj, stokun e tij në vitin 2018 e detyrimeve të prapambetura. Ky hap i domosdoshëm duhet shoqëruar me shlyerjen sa me shpejt të gjithë detyrimeve të prapambetura. Diferencat midis borxhit bruto dhe neto e mundësojnë atë. Sentenca simpatike, e qeveritarëve tanë, Dëgjim, Bashkëveprim, Bashkëqeverisje, s’ka përse të mbetet retorike. Ecuria e ekonomisë në vitet 2011-2013 po bën apel, që të mos përsëritet qerthulli i atyre viteve.