Retë e zeza mbi sistemin financiar

Nga Klodian Tomorri, botuar në Mapo, 22 janar 2019

Që nga vitet 2000 sistemi financiar ka qenë pa diskutim një nga asetet më të çmuara të ekonomisë shqiptare. Programi i suksesshëm i privatizimit të ish bankave shtetërore tek grupet e njohura bankare me origjinë nga vendet e Bashkimit Europian e nxori sistemin nga kontrolli i qeverisë, eliminoi tërësisht konfliktin e interesit, por mbi të gjitha riktheu besimin e publikut te sistemi financiar, vetëm pak vite nga kriza e rëndë e firmave piramidale.

Këto zhvillime hapën një epokë të re në ekonominë shqiptare. Brenda pak vitesh, kredia për ekonominë u pesëfishua në raport me Prodhimin Kombëtar nga 8 për qind e PBB-së, që ishte në 40 për qind e PBB-së, ndërsa kreditë e këqija të trashëguara nga bankat shtetërore thuajse u eliminuan tërësisht.

Por veç përdorimin eficient të kursimeve familjare në financimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies, prania e emrave të njohur të bankigut europian solli dhe një tjetër dividend të madh për ekonominë shqiptare; rritjen e besueshmërisë së saj në sytë e investitorëve të huaj. Jo rastësisht, investimet më të rëndësishme të huaja në ekonominë shqiptare, nisën të vinin menjëherë pas konsolidimit të sistemit financiar.

Por ky cikël pozitiv tashmë ka filluar të përmbyset. Në 5 vitet e fundit arkitektura e sistemit bankar ka pësuar ndryshime rrënjësore. Për shkak të krizës financiare të vitit 2008, shumë nga grupet e njohura bankare të Europës janë larguar nga Shqipëria duke lënë pas një realitet të ri, i cili e ka ekspozuar sistemin përballë konfliktit të interesit dhe riskut moral.

Shqipëria është sot një nga vendet e vetme në botë, që ka banka me prejardhje nga parajsat fiskale, e madje shumë shpejt do të jetë ndër të paktat vende ku konglomeratet e biznesit bëhen pronarë bankash. Ky është një koktejl toksik risqesh, që mund të materializojë pasoja të rënda për ekonominë.

Prania e kapitaleve offshore në sistemin bankar cenon transparencën dhe e bën atë më vulnerabël ndaj pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit. Nga ana tjetër, blerja e bankave nga korporatat jofinanciare vendase përbën një konflikt të drejtpërdrejtë interesi. Veç cenimit të konkurrencës në treg, lidhja direkte biznes-bankë mund të inkurajojë riskun moral, duke kanalizuar depozitat e qytetarëve te bizneset e lidhura me bankat edhe kur ato nuk garantojnë kthimin e kredisë. Ky nuk është një risk hipotetik, por evident, që ka ndodhur edhe në vende të tjera.

Në vitin 2014, oligarkët e fuqishëm në Moldavi privatizuan bankën më të madhe shtetërore. Vetëm pak ditë pas blerjes së bankës, ata kanalizuan 1 miliard euro depozita të qytetarëve si kredi për bizneset e tyre, përmes llogarive offshore. Për pasojë vendi u zhyt në një krizë të paprecedentë financiare, çka e detyroi qeverinë moldave të marrë 1 miliard euro hua emergjente nga Fondi Monetar ndërkombëtar për të shpëtuar sistemin financiar nga falimenti. Paratë u morën nga oligarkët, por koston e paguan qytetarët e varfër të Moldavisë.

Bankat nuk janë një biznes i zakonshëm. Kur një kompani bën investime të gabuara, ajo humbet paratë e aksionerëve të saj. Por kur një bankë bën investime të gabuara, atë që humbasin nuk janë kapitalet e pronarëve, por depozitat e qytetarëve.

Është kjo arsyeja se pse bankat mbikëqyren dhe operojnë në një kuadër ligjor të rregulluar fort, i cili nuk pajtohet as me banka offshore as me konfliktet evidente të interesit. Është kjo arsyeja se pse prej dy vitesh Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë disa herë thirrje qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë që të licencojnë vetëm bankat që përmbushin kriteret ligjore, zotërojnë eksperiencën e nevojshme bankare dhe përjashtojnë konfliktin e interesit. Por fatkeqësisht vija e parë e mbrojtjes së sistemit tashmë ka rënë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi