Demokracia kundër sundimit të ligjit
Populistët e Evropës Lindore nuk e kanë qejf sundimin e ligjit, ai shihet si diçka, që vetëm e pengon politikën ” të mbarojë punë”. Kjo është trashëgimi e komunizmit, mendon Ivaylo Ditchev.
Nga Ivaylo Ditchev,DW, 19 janar 2019
Nëse ka një gjë që mund të na mësojë Evropa Lindore për populizmin është që demokracia nuk do të thotë detyrimisht sundim i ligjit. Demokracia mund të përdoret kundër rendit juridik, duke imponuar vullnetin dhe pasionin e shumicës: rezultati është për shembull demokracia joliberale e Victor Orbanit, një lloj bolshevizmi i ri (në etimologji: mazhoritizëm).
Në traditën marksiste-leniniste ligji nuk kishte realitet të vetin. Ai ishte një instrument sundimi i maskuar. Hollësitë e gjyqësisë shiheshin si pengesa për synimet sipërore të partisë komuniste. Një motiv që preferohej nga katikaturistët e regjimit ishte burokrati me mëngë të përveshura, që u përmbahej klauzolave dhe neneve të tij idiote.
Natyrisht, mendimi i shumicës mund të manipulohet me lehtësi nga mediet dhe nga regjimet totalitare, të cilat janë përpjekur që më parë që të zgjerojnë mundësitë e tyre të propagandës.
“Drejtësi telefonike” e supozuar si e këndshme
Por fakti që komunizmi jetoi kaq gjatë nuk mund të kuptohet, po të mos mbajmë parasysh se ai qe shumë i dashur për një pjesë të madhe të popullit. Gradualisht u krijua besimi te mbifuqia e vullnetit politik. Çelësi ndodhet te shpejtësia: sapo mënjanohet makineria e plogët e sistemit juridik me gjykatës, gjykata dhe me procese gjyqësore gjërat mund t’i zgjidhësh në çdo kohë dhe pa varavingo. Koncepti “drejtësi telefonike” i thotë të gjitha: një telefonatë dhe problemi yt zgjidhet. Banesa sociale? Thjesht konfisko tokën. Revoltë për makinacione kriminelësh? Të dyshuarin e pushkatonin.
Populizmi sot ushqehet nga i njëjti irritim i yni, i qytetarëve, për plogështinë e institucioneve. Burokracia e bezdisshme e BE ka zënë vendin e burokratit socialist pa zemër. Sa më shumë që përshpejtohet jeta sociale, aq më pak durim kemi ne për procedura të vjetëruara gjyqësore, sepse ne duam që politikanët t’i zgjidhin gjërat tani, po qe e mundur madje live në televizion.
Ligje që ndryshojnë vazhdimisht
Rasti rumun është rasti më ekstrem. Ky vend futi një lloj ligji emergjent për të luftuar korrupsionin, të cilin e pranuan me entuziazëm shumë qytetarë. Pastaj, me kthimin e ish-komunistëve në pushtet, pasoi një kthesë, e cila gëzoi të tjera grupe, të cilat qenë të shqetësuara për një sundim arbitrar që po përhapej gjithnjë e më shumë.
Në Bullgari, një Qendër Kërkimore numëroi vetëm në vitin 2018 1000 korrigjime të ligjeve, 77 ligje krejt të reja u miratuan. Këto ligje janë në kundërshtim me forcat kryesisht konservatore të drejtësisë. Por ato reagojnë ndaj atmosferës në rrugë: për çdo shkelje të madhe përgjigjja është një ndryshim ligji dhe në këtë mënyrë bëhen përpjekje që të qetësohet pakënaqësia e njerëzve. Vetëm se pakënaqësia nuk qetësohet dhe gjithnjë e më shumë vendime gjyqësore kërkojnë procese të reja.
E drejta si instrument i sundimit
Populistët hungarezë dhe polakë erdhën në pushtet si drejtues të një proteste të hapur kundër sundimit të ligjit në BE. Kjo nuk e pakëson preferencën për ta, përkundrazi, i pajis ata me aureolën e heronjve. Sërish, ligjit si instrument i sundimit i hiqet mbulesa mistike, vetëm se këtë herë kundërshtari nuk është borgjezia, por shfrytëzuesi nga Perëndimi.
Kjo vlen edhe për çdo formë rregullimi. Ajo nis që te banania, e cila duhet të jetë “pa shtrembërime anormale” dhe mbaron me përpjekjet për t’i dhënë fund shfrytëzimit të punëtorëve të dërguar për punë në vende të tjera, të cilën nacionalistët e quajnë strategji të sipërmarrjeve perëndimore kundër sipërmarrrjeve evropianolindore.
E drejta aty nuk është hapësirë konsensusi dhe paqëtimi, por një front, në të cilin nuk ka përbashkësi midis “nesh” dhe “atyre”.
Tendencë e përbotshme
Populistët në të gjithë botën ndjekin të njëjtën rrugë, edhe pa trashëgimi marksiste-leniniste. Në Turqi Erdogani organizoi arrestimin e shumë gjykatësve dhe i akuzoi ata për lidhje me organizatën e dyshuar si terroriste të predikuesit Gylen. Në Itali, Salvini bën shpoti për marrëveshjen për buxhetin me eurozonën. Në SHBA, Trumpi mendon që mund të bëhet, në parim, thuajse pa të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.
Luftimi i tendencave të tilla duket të jetë më i vështirë se kurrë më parë, aq më tepër kur sundimi i ligjit nuk ka qenë kurrë veçanërisht i preferuar nga masat dhe procedurat juridike të stërzgjatura nuk janë interesante për mediet e etura për sensacione.