Demokracitë pa demokratë nuk zgjasin, kthehen në oligarki
Nga Mark Lilla, botuar në Mapo, 10 janar 2019
Shumë të rinj sot, dhe jo vetëm në SHBA, e shohin demokracinë nën dritën e identitetit. Nuk konsiderohen qytetarë demokratikë, por individë, secili me një identitet të vetin që e bën të ndryshëm nga të tjerët. Sot shumë të rinj në SHBA angazhohen politikisht për probleme sociale, që ata mendojnë se i referohen identitetit të tyre. Për një si unë, rritur në betejat ideologjike të Luftës së Ftohtë, është shqetësuese të shoh kaq shumë të rinj të përqendruar në çështje personale të këtij lloji, dhe shumë pak të vëmendshëm ndaj çështjeve të drejtësisë ekonomike apo politikës së jashtme. Ideologjitë e mëdha dhe narrativat që tentonin të shpjegonin gjithçka kishin probleme, por të paktën bënin të kuptonim se si gjërat ishin të lidhura mes tyre.
Rezultati i gjithë kësaj është se në SHBA, e majta radikale i kundërvihet neoliberalizmit ekonomik dhe promovon atë që mund të përcaktohet si një neoliberalizëm social. Ndërtimi i solidaritetit nuk është objektivi i saj parësor. Përforcon vetëm individualizmin radikal të kohës sonë. Efektet e globalizimit ekonomik kanë destabilizuar qeveritë në të gjithë anët e botës, dhe është zgjeruar hendeku mes një elite të pasur dhe të arsimuar, dhe një klase të mesme në rritje dhe të pakënaqur, e privuar nga shpresa. Imigrimi i pakontrolluar e ka bërë më të dhimbshme. Veç kësaj, neoliberalizmi social ka prodhuar një efekt psikologjik dhe ka dobësuar lidhjet sociale. Të rinjtë shtyjnë martesën ose zgjedhin të jetojnë vetëm. Vazhdojnë të rriten rastet e depresionit dhe vetëvrasjes. Kjo nuk ndodh sepse mungojnë paratë dhe shanset, por sepse po bëhemi ajo që Michel Houellebecq e ka quajtur në romanet e tij të frikshëm, “thërrmija elementare”.
Shoqëritë demokratike po thërrmohen. Qeveritë e paafta për të kontrolluar pasojat e ekonomisë globale apo imigrimit të paligjshëm, shfaqen të dobëta dhe të papërshtatshme. Kjo i shtyn zgjedhësit të ndryshojnë vazhdimisht liderë dhe parti që premtojnë t’ia dalin të kontrollojnë këto forca, por nuk janë të afta. Siç e treguan zgjedhjet në SHBA, vendi im është i ndarë në dy tribu, që ndiejnë një mosbesim të thellë ndaj njëra-tjetrës. Nga njëra anë ekziston një elitë kozmopolite, liberale dhe e arsimuar që vendos theksin mbi çështjet e identitetit personal, përçmon fenë dhe dëshiron të mirëpresë imigrantët, të ligjshëm a të paligjshëm qofshin, nën jë shoqëri më shumëkulturale. Kjo elitë dominon institucionet tona kulturore: universitetet, mediat, kinemanë. Tribuja e djathtë, bashkon ata më pak të arsimuarit, më fetarët, të bardhë dhe meshkuj. Duke përçmuar elitat kulturore, kjo tribu afirmon politikën e saj të identitetit për të konkurruar me grupe të tjera. Populistët kanë ditur t’i bindin se ishin ata “populli i vërtetë” amerikan, jo elitat, dhe se atdheun e tyre ua kishin rrëmbyer. Kjo e djathtë amerikane aktualisht kontrollon çdo nivel të qeverisjes. Dhe në krye është një i demonizuar dhe demagog i zoti, i cili akumulon pushtet duke hedhur amerikanët kundër njëri-tjetrit.
Çfarë mund të bëhet? Në terma afatgjatë, duhet të rizbulojmë virtytet e qytetarisë. Shoqëritë tona janë shumë të ndryshme sot. Bëjmë një jetë private më individualiste, në krahasim me të kaluarën. Megjithatë, fatet tona janë të bashkuara: ekziston një e mirë e përbashkët, e cila duhet të mbrohet në interes të të gjithëve. Dhe nëse duam t’u kërkojmë njerëzve që ta mbrojnë, duhet që të mbështetemi jo në një dëshirë, por në një të dhënë sociale: cilatdo qofshin dallimet tona apo tribuja jonë, ajo që na bashkon është qytetaria, nënshtetësia. Jemi të gjithë qytetarë të lindur a të natyralizuar dhe meritojmë të trajtohemi në mënyrë të barabartë, duke mbajtur parasysh se të jesh qytetar nuk do të thotë vetëm të kesh të drejta, por edhe detyra, kundrejt njëri-tjetrit apo kundrejt republikave tona. Është shumë e vështirë të ruash një sens qytetar.
Për këtë arsye, që nga bota e lashtë, demokracitë kanë vuajtur prej entropisë: e vetmja gjë që i mban vërtetë të bashkuara është qytetaria. Nëse ajo ka themele jo të përsosura, apo nëse dobësohet, struktura prishet. Një situatë e tillë është e dukshme në Evropën Lindore. Pas rënies së murit në vitin 1989, u krijuan institucione demokratike, por ajo që themeluesit e atyre institucioneve nuk mund të krijonin, ishte një sens qytetarie i cili kërkon disa breza që të konsolidohet. Sot shohim Poloninë dhe Hungarinë që përqafojnë atë që presidenti hungarez Viktor Orban e quan “demokracia joliberale”. Në ata vende dhe në Itali, Austri e Francë ka forca politike që duket se po krijojnë atë që duket të jetë një Front i ri Popullor, këtë herë nën formën e të djathtës radikale. E vështirë të mos kesh përshtypjen që ky është një film i parë tashmë. Demokracitë pa demokratë nuk zgjasin. Kalbëzohen, transformohen në oligarki, teokraci, nacionalizma etnikë, sisteme autoritare, apo në një përzierje të të gjitha këtyre. Nuk e ekzagjeroj kur them se sinjalet e gjithsecilës prej këtyre patologjive janë të dukshme në jetën aktuale demokratike amerikane.