Demokracia përfaqësuese në krizë, demokracia direkte e pamundur

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 27 dhjetor 2018

Është e qartë se ajo që deri më tani quhej liberal-demokracia, e cila bazohej te përfaqësimi politik, te qeverisja e elitave apo edhe te ndërkombëtarizmi është në krizë të thellë. Dekada e ardhshme, është dekada e nacionalizmave dhe populizmave në tërësi. Që në thelb të tyre, janë e kundërta e sistemit liberal-demokratik.

Shenjë e kësaj janë padyshim revoltat e shumta ose lëvizje shoqërore që zhvillohen gjithmonë e më shumë në vendet përtej Shqipërisë, por edhe brenda saj, siç është rasti protestës së studentëve, që më shumë se sa specifikisht për një tarifë, me të gjitha gjasat protestojnë kundër elitës politike për arsye të mungesës së shpresës në të ardhmen.

Çfarë është në thelb populizmi gjithmonë e në trend në shumësinë e vendeve?

Me pak fjalë populizëm, do të thotë populli në politikë. Në kuptimin që edhe një shtëpiake çfarëdo, në një qytet të humbur mund të merret me politikë, dhe të jetë vendimmarrëse për fatet e shoqërisë? Suksesi i populizmit vjen pikërisht nga kriza e përfaqësimit politik. Gjithmonë e më shumë, elita politike që deri më tani bazohej te një regjim demokratik përfaqësues, është largohet nga problematikat e qytetarëve duke krijuar një lloj kaste, e cila harroi misionin e saj të përfaqësimit. Si reagim i krizës së përfaqësimit politik, tanimë qytetarëve po u ofrohet një alternativë e kundërt me atë të demokracisë përfaqësuese, e cila kërkon të na propozojë se populli mund të bëjë politikë, ose atë që quhet demokracia direkte. Me fjalë të tjera, populli merr në dorë fatet e tyre. Mirëpo, pikërisht ky është rreziku i populizmit. Sepse, ata që drejtojnë këto lëvizje, janë duke krijuar iluzionin se demokracia direkte mund të funksionojë. Mirëpo, ky është një iluzion i rrezikshëm dhe utopi, që çdokush që ka një minimum njohurie historike dhe politike, e kuptova fare mirë që kjo rrugë të çon drejt totalitarizmit.

Sepse, populistët, mendojnë që populli është një trup organik i vetëm dhe i ngjashëm, dhe që nëpërmjet demokracisë direkte, mund të marrë vendime për të gjithë. Ndërkohë që, shoqëria e hapur dhe demokratike përbëhet nga kultura të ndryshme, ide të ndryshme, dhe interesa të ndryshëm. Kështu që, deri më tani, këta interesa janë munduar të realizohen nëpërmjet demokracisë përfaqësuese. E cila, në vendimet e saj, kishte si parim vendimmarrjet që negociojnë këta interesa, pavarësisht se këta vendimmarrës janë zgjedhur vetëm nga mazhoranca e një shoqërie dhe jo nga të gjithë.

Në këtë kuptim, ta trajtosh popullin si një trup organik të vetëm dhe të ngjashëm, dhe t’i krijosh iluzionin se ata mund të vendosin për fatet e tyre nëpërmjet demokracisë direkte, nuk është gjë tjetër veçse të krijosh rrugën drejt totalitarizmit, i cili pretendon se vendos në emër të tij.

Është e vërtetë që demokracia përfaqësuese dhe liberale sot është në rrezik për faj të vetë këtij regjimi. Por, fakti që ky sistem demokratik është në krizë dhe aktualisht ka defekte të mëdha, nuk do të thotë që të propozosh si alternativë një sistem të kundër me të siç është demokracia direkte dhe populiste, i cili nuk është gjë tjetër veçse një iluzion. Në këtë kuptim, shoqëritë e sotme po kalojnë një lloj krize vendimmarrjeje. Nga njëra anë nuk i besohet më përfaqësuese, dhe nga ana tjetër demokracia direkte është e pamundur të mbledhësh në një asamble të përgjithshme të gjithë qytetarët ku vendosin për fatin e tyre në mënyrë direkte.

Prandaj, debati duhet fokusuar se si të përmirësojmë regjimin e demokracisë liberale dhe përfaqësuese, si dhe të korrigjojmë defektet e mundshme të saj. Dhe jo të propozojmë si alternativë të saj një sistem totalisht të kundërt, që ngjall vetëm emocione dhe asgjë racionale. Dhe nëse ka një gjë që autokratët shfrytëzojnë për pushtetin e tyre, janë pikërisht emocionet popullore.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi