OKB – Shqipërisë: Njeriu vendos vetë për identitetin e tij
Sipas DW, 21 dhjetor 2018
Komiteti i OKB-së për eliminimin e diskriminimit racial është marrë në muajin dhjetor me Shqipërinë. Ai ka vlerësuar adaptimin vitin e kaluar të ligjit për mbrojtjen e minoriteteve si dhe njohjen me ligj të nëntë grupeve minoritare, greke, maqedonase, aromune, roma, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare. U deshën 25 vjet për të bërë këtë.
Rekomandimet dhe shqetësimet
Statistikat – Cencusi i vitit 2011 nuk ka dhënë një pasqyrë të qartë të përbërjes etnike dhe fetare të shtetit. Mungojnë të dhënat demografike të etnive, praktikave fetare dhe gjuhëve të folura. Prandaj në cencusin e vitit 2020 me ligj duhet të respektohet parimi i vetëdeklarimit. Njeriu është siç e identifikon ai veten, jo siç e quan komshiu ose shteti.
Aplikimi i konventës në ligjet vendase – Komiteti ngre shqetësim për mungesën e informacioneve mbi çështjet gjyqësore ku është përdorur konventa. Prandaj shteti duhet të marrë masa që gjykatësit, prokurorët dhe avokatët si dhe forcat e rendit të njohin konventën dhe të jenë në gjendje ta aplikojnë atë në rastet e nevojshme. Gjykatat duhet të aplikojnë konventën kundër diskriminimit.
Kuadri institucional kombëtar – Komiteti vlerëson funksionimin e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi, por shpreh shqetësimin se rekomandimet e tyre mbeten të paadresuara. Po ashtu mungojnë informacionet që tregojnë si ka kontribuar Komiteti shtetëror për Minoritetet në zbatimin e politikave. Prandaj i rekomandon shtetit të marrë masa për të forcuar Komisionerin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe Avokatin e Popullit
Gjuha e urrejtjes – Duke e ditur se po përgatitet një paketë e re ligjore kundër shpifjeve, Komiteti shpreh shqetësimin për vazhdimin e gjuhës së urrejtjes nga figurat publike, përfshirë dhe politikanët. Prandaj i kërkohet shtetit të distancohet nga gjuha raciste e urrejtjes dhe diskriminimit. Po ashtu investigim, hetim dhe dënim i gjuhës që nxit urrejtje, si vepër penale, sidomos gjatë fushatave zgjedhore.
Kriminalizim i organizatave raciste – Komiteti ka ngritur shqetësimin e mungesës së legjislacionit për kriminalizimin e organizatave raciste dhe pjesëtarëve të tyre. Po ashtu mungojnë informacionet për numrin e investigimeve, hetimeve dhe dënimeve në rastet e diskriminimit racial. Prandaj shteti duhet të marrë masa, të shpallë të paligjshme dhe të ndalojë organizatat që nxisin diskriminimin racial.
Romët dhe egjiptianët – Komiteti mbetet i shqetësuar që romët dhe egjiptianët vazhdojnë të hasin vështirësi në punësim, edukim, shëndet, banim dhe akses në shërbime. Ekziston Plani i Aksionit Kombëtar për integrimin e romëve dhe egjiptianëve. Megjithatë mungon evaluimi objektiv i efektivitetit dhe ndikimit të tij. Shtetit i rekomandohet të përforcojë mbledhjen e të dhënave dhe të përgatisë një strategji për evaluimin e politikave.
Komiteti është i shqetësuar për mungesën e informacionit për situatën e grave të minoritetit dhe diskriminimin e shumëfishtë që ato mund të hasin. Komiteti i rekomandon shtetit të marrë parasysh dimensionin gjinor të diskriminimit racial dhe të fusë perspektivat gjinore në të gjitha politikat dhe strategjitë. Po ashtu të sigurojë statistika në këtë lëndë.
Pavarësia e gjyqësorit – Ndërkohë që po bëhet reforma në sistemin e drejtësisë, komiteti shpreh shqetësimin për sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe aftësinë e tij për të mbrojtur viktimat e diskriminimit racial.
Civil registration – Komiteti u njoftua për përpjekjet për identifikimin e fëmijëve roma dhe egjiptianë, që nuk janë regjistruar kur kanë lidhur dhe pajisjen e tyre me dokumenta. Por Komiteti shpreh shqetësimin për mungesën e një strategjie për të zgjidhur problemin e regjistrimit, sidomos me familjet që kthehen kur kanë qëndruar në mënyrë të parregullt jashtë shtetit, migrantë, refugjatë, ose për personat që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, azilkërkues dhe refugjatë.
Banimi – Shumë anëtarë të minoritetit rom dhe egjiptian janë dëbuar me forcë në kuadër të një projekti të madh infrastrukture. Komiteti ngre shqetësimin për aplikimin e plotë të masave mbrojtëse për personat e planifikuar të dëbohen për shkak të projektit të unazës së re. Komiteti i kërkon shtetit të marrë masat që dëbimi të bëhet sipas standardeve ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut.
Trafikimi i personave – Kuadri ligjor dhe institucional për të luftuar trafikimin është bërë, sidomos për rehabilitimin e viktimave. Komiteti, është i shqetësuar për gratë roma dhe egjiptiane si dhe fëmijët që përfaqësohen në disproporcion mes viktimave të trafikimit, sidomos për shfrytëzimin seksual dhe detyrimit për punë ose lypje. Shteti duhet të bëjë më shumë në mbrojtjen, asistimin dhe rehabilitimin e viktimave dhe kapjen dhe dënimin e autorëve të trafikimit, në bashkëpunim me shtetet fqinje.
Azilkërkuesit – Komiteti vëren mungesën e informacioneve për dhënien e azilit, megjithë marrjen e statistikave, sipas kombësisë, për njerëzit që mbërrijnë në kufi ose ata që aplikojnë për azil. Po ashtu mungon informacioni për asistencën ligjore dhe humanitare. /DW