KLGJ dhe KLP zgjedhin kryetarët
Nga Edmond Hoxhaj, BIRN, 20 dhjetor 2018
Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor u mblodhën të enjten për të zgjedhur kryetarin e institucionit më të ri që do të qeverisë sistemin e drejtësisë në vend. Naureda Llagami, e zgjedhur si përfaqësuese e shoqërisë civile mori 10 vota nga 11 gjithsej për të drejtuar Këshillin.
Të mërkurën, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi Gent Ibrahimin si kryetar të saj. Ibrahimi, i cili ka qenë njëherazi edhe ekspert për reformën në drejtësi mori 7 vota kundrejt kandidatit tjetër Nurian Seiti.
Nënkryetar i KLGJ-së u zgjodh Maksim Qoku, i cili mori shtatë vota. Ndërsa anëtarët e KLP zgjodhën nënkryetar Alfred Ballën, i zgjedhur si përfaqësues i shoqërisë civile.
Partia Demokratike e kundërshtoi zgjedhjen e Gent Ibrahimit në krye të KLP, duke e cilësuar këtë si kapje politike të organit të ri të qeverisjes së prokurorisë. Duke përmendur lidhjen familjare të Ibrahimit me ish-ministren Kodheli, PD tha se eksperti i qeverisë nuk duhej ta kishte fare vendin në KLP.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy institucionet kyç në arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë në vend, të cilat do të drejtojnë sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë. Secili prej Këshillave përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve u zgjodhën mes radhëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe 5 anëtarët e tjerë për secilin Këshillin u zgjodhën nga avokatia, trupa e pedagogëve dhe shoqëria civile.
KLGJ dhe KLP kanë për detyrë emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Ato kanë gjithashtu një rol kyç në zgjedhjen e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e njohur si SPAK si dhe shkarkimin e tyre me 2/3 e votave mbi propozimin e Komisionit Disiplinor.
Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet ta nisë punën me plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë. Ndërsa konstituimi i KLP-së i hap gjithashtu rrugën zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë. Sipas ligjit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i propozon Kuvendit 3 kandidatura për kryeprokuror.
Anëtarët e KLGJ
Naureda Llagami, kryetare
Maksim Qoku, zv.kryetar
Medi Bici, Gjykata e Lartë
Ilir Toska, Gjykata e Apelit Tiranë
Brikena Ukperaj, Gjykata e Apelit Vlorë
Dritan Hallunaj, Gjykata e Krimeve të Rënda
Brunilda Kadi, Gjykata e Tiranës
Marçela Shehu, Gjykata e Rrethit Kurbin
Fatmira Luli, e zgjedhur nga Avokatia
Alban Toro, i zgjedhur nga Avokatia
Erion Muharremaj, i zgjedhur nga pedagogët
Anëtarët e KLP
Gent Ibrahimi, kryetar
Alfred Balla, nënkryetar
Kostaq Beluri, Prokuroria e Përgjithshme
Bujar Sheshi, Prokuroria e Apelit Tiranë
Arben Dollapaj, Prokuroria e Apelit Vlorë
Gentian Osmani, Prokuroria e Krimeve të Rënda
Antoneta Sevdari, Prokuroria e Tiranës
Besnik Cani, i zgjedhur si prokuror në Elbasan
Nurihan Seiti, i zgjedhur nga avokatia
Tartar Bazaj, i zgjedhur nga avokatia
Sandër Beci, i zgjedhur nga radha e pedagogëve