Krisja
Nga Silvana Toska, botuar në Reporter.al, 19 dhjetor 2018
Në një artikull të kohëve të fundit–“Sharmi i vërtetë i demagogut gënjeshtar”– dy sociologë analizojnë arsyet përse dikush si Donald Trump gëzon mbështetje popullore pavarësisht se përfaqëson të kundërtën e shumë prej vlerave (të vetëshpallura) të elektoratit të tij. Pakënaqësia ndaj elitave politike është në radhë të parë strukturore, pranojnë autorët, dhe këto shkaqe strukturore e shtyjnë elektoratin të mos ketë besim tek elitat që i kanë gënjyer ata ndër vite. E megjithatë, ky mosbesim nuk është gjithëpërfshirës: votuesit urrejnë disa lloj gënjeshtrash, por jo disa të tjera. Pra, elektorati diferencon midis dy lloj gënjeshtrash të cilat autorët i quajnë “gënjeshtra kulisash”dhe “gënjeshtra të pastra/ashiqare.”
Gënjeshtra kulisash janë ato që thuhen nga njerëz që me siguri janë në dijeni të saktë të fakteve dhe kanë detyrën t’i raportojnë ato fakte me vërtetësi në publik, por që e mbulojnë ose shtrembërojnë të vërtetën sipas rastit, për arsye taktike. Në këto raste, publiku nuk e di të vërtetën e plotë, por dyshon, siç ishte rasti me pohimet e Dick Cheney dhe Tony Blair se nuk kishin njohuri të sajesës së armëve kimike në Irak. Gënjeshtra të tilla nga ata që e dinë të vërtetën për shkak të detyrës, por qëe shtrembërojnë apo e fshehin atë në publik, shkaktojnë dëme të mëdha në besimin e elektoratit ndaj gjithë elitës. Gënjeshtrat ashiqare, nga ana tjetër, janë ato që janë lehtësisht të verifikueshme. Këtu futen gënjeshtrat e përditshme të Donald Trump-it, si për shembull mbi arritjet e tij, mbi madhësinë e turmës së inaugurimit, apo pohimet e Sali Berishës se Shqipëria konkurronte ekonomikisht me Gjermaninë, etj. Pra, këtu bëhet fjalë për pohime që janë qartazi të pavërteta, dhe që në fakt nuk kanë si qëllim të jenë të vërteta.
Ndryshimi midis këtyre dy lloje gënjeshtrash qëndron tek fakti se të parat të japin përshtypjen se liderët po mbajnë të fshehta, ndërsa të dytat duken autentike, biles në një mënyrë të çuditshme edhe “të ndershme” pasi duket se – për mirë apo për keq – liderët e tillë shpesh shpikin gjëra, por në të njëjtën kohë janë të paaftë të fshehin të vërtetën. Dhe në këtë mënyrë, për të zhgënjyerit e shumtë nga politika dhe ekonomia e teknokratëve apo politikanëve profesionistë si Clinton apo Blair, këta gënjeshtarë të pastër e veshin veten me një lloj kredibiliteti që u mungon këtyre të fundit, profesionistëve. Fakti që Trump është politikan nga jashtë elitës politike të dekadave të fundit, e rrit “kredibilitetin” e tij. Dhe këtu qëndron një pjesë e madhe e joshjes autentike të tij dhe arsyeja e mbështetjes dhe besimit të konsiderueshëm që ai gëzon në një pjesëtë elektoratit.
Sado interestante të jetë kjo analizë për rastin Amerikan, diferencimi mes gënjeshtarëve të kulisave dhe gënjeshtarëve të pastër nuk arrin ta shpjegojë Shqipërinë. Natyrisht, këto dy lloje gënjeshtrash artikulohen edhe në Shqipëri, por nga të njëjtët politikanë, asnjë prej tyre nga jashtë elitës politike, dhe shpesh për të njëjtën çështje. Ka, si të thuash, një mungesë koherence– dhe autenticiteti – në strategjitë e mashtrimit të elitës shqiptare. Për shembull, “nuk ka narkotrafikantë në qeveri,” është një gënjeshtër që qartazi lexohet si e tillë nga një pjesë e madhe e popullsisë, por ajo është njëkohësisht edhe një gënjeshtër kulisash, në kuptimin që vetëm një grusht njerëzish në qeveri dhe institucione drejtësie e njohin me saktësi kategorinë dhe përfshirjen e krimit në qeveri. Për ne të tjerët, ky informacion ngelet në një farë pike i paditur plotësisht, apo saktësisht. Por në të njëjtën kohë, “nuk ka narkotrafikantë në qeveri” duket një gënjeshtër e paster duke marrë parasysh pasuritë e stërmëdha dhe të verifikueshme të elitës politike, si dhe çështjet Tahiri dhe Xhafaj dhe mbrojten e tyre.
Por ekzistenca e njëkohshme e gënjeshtrës së llojit të parë eliminon automatikisht efektet “pozitive” të së dytës, pasi tashmë dyshimi është i paevitueshëm. Për më tepër, mungesa e statusit si një politikan “jashtë normës”për secilin politikan shqiptar dhe, si rezultat, përfshirja në shumë politika të dështuara dhe të korruptuara deri në thelb, e bën të vështirë përfitimin nga gënjeshtrat e hapura. Për këtë arsye, si gënjeshtra kulisash dhe ato të pastra,të cilat përforcohen nëpërmjet një propagande të mirëmenduar, nuk kanë qenë mjaftueshëm për të mbajtur pushtetin këtë tridhjetë-vjeçar. Klientelizmi, ushtrimi i dhunës (ndonëse jo fizike, kërcënimet me humbje pune janë dhunë gjithashtu), si dhe distancimi nga pjesa tjetër e elitës politike (sidomos qeverisë së kaluar por edhe “dështakë” brenda qeverisë apo teknokratë të thjeshtë) kanë qenë të domosdoshme për çdo qeveri shqiptare. Qeveria Rama, dhe vetë Rama në veçanti, thjesht kanë përvetësuar propagandën dhe distancimin nga “fajtorët” si metodë e mbrojtjes së gënjeshtrave të shumta – dhe, si rezultat, vetes së vetë – në një nivel më të sofistikuar.
Është vetëm në sajë të një sistemi propagandistik dhe klientelist në mbështetje të tyre që këto gënjeshtra, sa të specializuara edhe ashiqare, kanë arritur të jenë deri më tani relativisht efikase pasi edhe pse një pjesë e publikut nuk i ka besuar, s’ka pasur aftësi t’i kundërshtojë, apo ka pasur arsye të sillet sikur po i beson, për përfitime apo frikë personale. Besimi te gënjeshtrat, paaftësia për t’i kundërshtuar, apo sjellja sikur u beson atyre, është e domosdoshme për legjitimitetin e qeverisë. Mobilizimi studentor, refuzimi i studentëve për të bërë sikur, është një krisje e madhe në këtë mur gënjeshtrash. Pikërisht kjo krisje, nga ky mobilizim dhe refuzim këmbëngulës për tu gënjyer, është arsyeja e përgjërimit të përditshëm të kryeministrit Rama për dialog. Një lutje që s’është gjë veçse një hap i dëshpëruar për rehabilitimin e tij në momente kur kjo krisje e ka nxjerrë atë lakuriq, të zhveshur nga çdo lloj legjitimiteti (të sinqertë apo të shtirur).
Shkaqet më të afërta të këtyre protestave – ligji i arsimit i vitit 2015 dhe rritja e tarifave – janë thjesht një ndër shumë simptoma të privatizimit dhe korrupsionit të tre dekadave. Argumenti se ky ligj do të rrisë konkurrencën dhe, si rezultat, nivelin e universiteteve, dhe sidomos argumenti se universitetet private financohen nga shteti kudo në botë, janë empirikisht të gabuara. Në radhë të parë, nuk ka se si të rritet niveli i universiteteve shtetërore kur u pakësohen të ardhurat, kur nevoja ekonomike i hap dyert çdo studenti, sado të pakualifikuar, dhe kur në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë qeveria ndërhyn në menaxhimin e universiteteve me qëllim që t’i mbajë qoftë dhe artificialisht të dobëta për të justifikuar kalimin e fondeve te universitetet private.
Argumenti se financimi i universiteteve private në të njëjtin nivel me ato shtetërore është praktikë e përgjithshme edhe në vende me arsim relativisht të suksesshëm,është një gënjeshtër tjetër e qëllimshme. Si studente dhe tashmë si pedagoge vetëm në universitete private në ShBA, e di mirë se nuk ka realisht universitete plotësisht private as këtu. Studentët dhe pedagogët e çdo universiteti, shtetëror apo privat, mund të aplikojnë për grante kërkimi apo bursa nëpërmjet qeverive lokale dhe asaj federale. Por menaxhimi i vetë universitetit kryhet me fondet e investimit, dhuratat e mëdha, si dhe tarifat e studentëve. Universitetet publike, ndërkohë, menaxhohen në pjesën më të madhe me financime shtetërore, pasi tarifat nuk mund të mbulojnë nevojat. Gjithashtu, edhe pse të varur financiarisht nga shteti përkatës, universitetet publike janë plotësisht të pavarur në menaxhimin e tyre. Ishte pikërisht ndërhyrja politike e guvernatorit të Uiskonsin në universitetin e këtij shteti – një ndër më të mirët publikë në ShBA – e cila shkaktoi protesta të shumta dhe dëmtim të madh të këtij universiteti. Të mos harrojmë që, me gjithë problemet e arsimit në ShBA, shumë prej universiteteve publike janë po aq të mirë sa universitetet private. Mbi të gjitha, nuk ulet buxheti i tyre për të financuar privatët.
Ndërkohë, në ShBA, financimi i universiteteve privatë fitimprurës – siç janë të gjithë universitetet private në Shqipëri – është ndërmarrë kryesisht nëpërmjet tarifave si dhe bursave dhe kredive studentore nga shteti. Por ky sistem ishte një dështim aq kolosal, sa edhe sekretarja e tanishme e arsimit në ShBA sapo vendosi të falë borxhet e studentëve të universiteteve të tillë të falimentuar. Kjo sekretare ka qenë kundër kësaj ideje, por dështimi i universiteteve private fitimprurës është aq i përhapur, sa pranohet tashmë se është një sistem zhvatës ndaj studentëve dhe shpesh thjesht një humbje financiare pa asnjë përfitim për ta. Shkurt, janë diploma pa vlerë. Edhe pse ligji i arsimit në Shqipëri lejon që universitetet private të riorganizohen sikur të jenë privatë jo-fitimprurës, ligji lejon gjithashtu që ky ndryshim të jetë vetëm në emër, dhe që pronarët e kthyer në “administratorë” të marrin po ato fitime që merrnin më përpara, plus lekët e taksave që duhet t’i shkonin arsimit publik.
A ka gënjeshtër më të madhe kulisash dhe të pastër njëkohësisht? Kulisash vetëm pasi nuk është e qartë se si, kush, dhe sa do të përfitojnë konkretisht personat në fjalë (pronarët/administratorët dhe politikanët), dhe kjo krijon indinjim të madh. E pastër, pasi po shitet vjedhja në dritë të diellit si investim për të ardhmen e arsimit. Sigurisht që protestat e studentëve nuk kanë sjellë asgjë të paditur mbi këtë temë. Kundërshtia e ligjit të arsimit ka nisur që në fillimet e tij, dhe që shkatërrimi i arsimit publik ishte pjesë e këtij ligji ishte tashmë mëse e qartë. Por, megjithatë,protestat kanë sjellë diçka tepër të vlefshme mbi këtë temë: refuzimin e sinqertë, kokëfortë, dhe të patjetërsueshëm të gënjeshtrës se reforma është e virtytshme.
Fatkeqësisht, mosbesimi social është fenomen i përhapur në Shqipëri. Dhe, ironikisht, mosbesimi te elitat (politike dhe intelektuale) është thelluar në mënyrë të vetëdijshme nga propaganda e Ramës, me qëllim që të ishte vetëm ai i besueshëm në këtë llum të paaftësh dhe të korruptuarish. Madje, dhe kësaj here fare pa ironi, Rama ka hapur media personale, me emër personal, dhe si lider tipik autoritar pa aspak origjinalitet kërkon të mbushë mendjen vetëm në vërtetësinë e atyre që ai prononcon nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë – lexo: gjoja të pakorruptuar nga elitat mediatike – si shenjë e kësaj demokracie medemek popullore dhe të drejtpërdrejtë. Ndonëse hipokrite dhe kontradiktore,për shumë kohë kjo taktikë pati sukses. Por tani, një brez i ri, i rritur aq sa për të kuptuar problemet, por jo aq sa të ketë peshën e cinizmit të brezit të mëparshëm, po tregon se mosbesimi është thikë me dy presa, dhe njëra prej presave pjesërisht të vetëkrijuara i është drejtuar autorit.
Pas dështimit kolosal të propagandës qeveritare për të menaxhuar më tej gënjeshtrat, Rama nuk ka zgjidhje tjetër veçse të sillet sikur është po aq i surprizuar sa të tjerët nga gjendja e mjeruar e arsimit dhe të mundohet të mbështesë kauzën në mënyrën më sipërfaqësore të mundshme, aq sa i nevojitet për të mbajtur status kuo-në. Fajin e kanë rektorët, e ka “Doktoresha”, e ka doktori, por kurrsesi Rama. Zgjidhja, sipas tij, nuk është tërheqja e ligjit të arsimit dhe ndryshimi rrënjësor i sistemit politik që e bëri atë të mundshëm – kjo do të ishte një autokritikë që Rama, me gjithë tiparet e regjimit të mëparshëm, është i paaftë ta konsiderojë pasi i kushton politikisht dhe personalisht. Zgjidhja, sipas tij, është dialogu me studentët. Dëshirat e tyre do të plotësohen, premton Rama, por ndërkohë ai do ta mbajë peng realizimin e tyre deri në momentin që studentët të ulen me të: pra, deri kur ta rehabilitojnë dhe ai të marrë meritat e ndryshimit kozmetik (si dhe shkatërrimit të lëvizjes studentore) që mund të dalë nga ky dialog.
Në këtë sjellje të dëshpëruar, duket se ka humbur plotësisht kapacitetin për të përdorur fjalë me kuptimin e tyre origjinal. Duke qenë se ka drejtuar qeverinë i pakundërshtuar për mbi pesë vjet, përse jo të mos ndryshojë dhe semantikën e fjalëve të përditshme si “dialog”, që në ligjërimin e tij është shndërruar njëherë e përgjithmonë me fjalën “monolog”. Në këtë vorbull gënjeshtrash dhe propagande disa vjeçare, nuk ka fjalë që të ketë humbur kuptimin aq sa fjala “dialog”. Megjithatë, në këto momente kjo sjellje nuk është për t’u dëshpëruar. Siç kam pasur rastin të analizoj në një studimakademik, ato taktika që i shërbejnë një qeverie në momente “normale” janë tepër të rrezikshme në kohë protestash. Mbyllja e shtypit gjatë revolucionit rus apo francez, mbyllja e mediave sociale gjatë pranverës arabe, shtimi i dhunës ndaj protestuesve të mobilizuar, në të shumtën e rasteve thjesht theksuan absurditetin e qeverisjes dhe gënjeshtrat e saj. Prandaj, tragji-komedia te emisioni i Dudushit, që ishte një sjellje normale gjatë status kuo-së, u shndërrua, fatmirësisht, në rrezik për Ramën në këtë moment revolte.
Dështimi i makinerisë propagandistike dhe menaxhuesve që lejojnë Ramën të bëjë “gallata” dhe lutje në Instagram tregon si dëshpërimin e tij, ashtu dhe paaftësinë e tij për të kuptuar momentin ku ai ndodhet. Vërtet që studentët shpesh kanë zgjedhur humorin për të theksuar një të vërtetë, por humor nuk është ai që pritet si përgjigje. Ky është momenti ku Rama duhej ta merrte humorin me atë seriozitet që i takon, dhe t’i përgjigjej studentëve me paketa konkrete reforme: me rrëzimin e ligjit të arsimit si bazë të tyre. Sigurisht, ky ligj është maja e ajsbergut të një sistemi të dështuar dhe shpresa është që të jetë thjesht një hap i parë ndaj një presioni konstant për ndryshime rrënjësore në çdo fushë. Por fakti që studentët thyen mosbesimin civil, refuzuan politikanët (por jo politikën, siç pretendojnë disa), dhe kthyen talljet disa-vjeçare të qeverisë në kritika të mprehta ndaj saj, është një fillim shumë i mirë.
Por jo negociata më një qeveri që kërkon t’i përdorë ato për të vendosur një lekoplast në një plagë që kërkon ndërhyrje kirurgjikale. Jo negociata me një qeveri që nuk është e aftë të marrë seriozisht kërkesat e studentëve por i mban ato peng deri atëherë sa përmbushja e një minimumi të tyre t’i shërbejë vetëm asaj. Jo gjithë shtresës politike në vend që kërkon gjithashtu të përfitojë nga një indinjim i drejtë për qëllime po aq të errëta sa ato të qeverisë. Dhe nëse këto protesta ndërpresin jetën e përditshme në qytet, kjo është e domosdoshme për të nënvijëzuar dhunën që iu është bërë atyre ndër vite: një bllokim rruge për disa orë, kritikuar dje nga Rama, nuk është asgjë duke marrë parasysh se rrugët e vetme që iu janë lënë studentëve janë papunësia dhe emigracioni.
Për herë të parë në shumë dekada – dhe si rrallë herë në politikë – skena politike është bardh-e-zi: kërkesat e studentëve janë të qarta dhe të drejta, dhe zgjidhja e tyre është e vetmja përgjigje e pranueshme (edhe pse ngelet një zgjidhje e pjesshme krahas probleme të mëdha). Nëse realizimi i tyre është tepër i vështirë për qeverinë, ky është rezultat i paaftësisë apo interesave klienteliste të saj dhe jo i pamundësisë së realizimit të tyre në vetvete. Për sa kohë studentët e mbajnë qartë fokusin te ky problem, gënjeshtrat e qeverisë nuk do mund të mbulohen me filtra instagrami, madje nevoja për këtë të fundit thjesht thekson shumësinë e absurditeteve dhe problemeve për t’u fshehur dhe, si rezultat, për t’u zgjidhur. Deri sa ndërgjegjia sociale t’i përfshijë ato të gjitha, #mestudentet, sigurisht.