Demokracia liberale e kërcënuar nga një autoritarizëm i ri
Nga Vasil Kureta, botuar në Ballkanweb, 27 nëntor 2018
Demokracia liberale është sot një realitet superior, që ka sfiduar me efikasitet të gjitha format e modelet e tjera, me standardet e treguesit esencialë të lirisë e të drejtave të njeriut, zhvillimit ekonomik, politik e social, që ka në themel të saj sistemin funksional të vlerave, demokracinë institucionale funksionuese dhe sundimin e ligjit. Kjo epërsi është shkaku që është objekt i luftës e kundërvënies komplekse për interesa të ruajtjes së pushteteve autoritariste e diktatoriale, qeverisjeve të dështuara dhe interesat imperiale. Pikërisht, këto interesa janë dhe shkaku më kryesor i deklarimeve prej tyre për fundin e demokracisë liberale apo dështimin e saj. Si çdo fenomen i gjallë edhe ky model i zhvillimit, ka në përmbajtje të vet një shumëllojshmëri problemesh e kontradiktash konkrete, që impulsojnë edhe zhvillimin e avancimin e tij, që pjekin nevojën e përsosjes së mëtejshme, por që ka edhe sëmundje të brendshme e fenomene negative që e luftojnë së brendshmi.
Aktualisht ka një rritje të shqetësimit për ardhmërinë e demokracisë liberale, siç ka rritje të hapave e veprimeve konkrete kundër saj, kundër rregullave të dakordësuara, normave e vlerave demokratike. Është fakt domethënës rritja e partive populiste në gjithë hapësirën europiane, përfshi dhe ato të ekstremit të djathtë, gjatë dy dekadave të fundit. Duke filluar nga viti 1998 nacionalizmi e populizmi janë rritur me shpejtësi, duke u shndërruar në një fenomen, që ka ngjallur shqetësim real. Projekti europian është projekti më i madh, i mbështetur në sistemin e vlerave, që siguron zhvillim të qëndrueshëm, bashkëpunim e integrim, dialog e paqe, por që sot gjendet i kërcënuar nga revanshi nacionalist e populist, që godet thelbin e shpirtin e projektit. Mjaft dukuri e qëndrime, shërbejnë si ushqim për populizmin e që tronditin rëndë besimin e qytetarëve ndaj demokracisë liberale e institucioneve të saj. Dallgët e nacionalizmit mundësuan fillimisht idenë e një dallimi mes anëtarëve të vjetër dhe atyre të rinj në BE, që shfaqnin probleme në zhvillimin demokratik dhe respektimin e standardeve dhe rregullave të dakordësuara. Tash po flitet hapur për një përplasje mes forcave liberale e jo liberale brenda hapsirës europiane. Në një hapësirë të gjerë në botë sot konstatohet një rritje e qenies e rolit të vendeve me më shumë autoritarizëm, apo me qeverisje autoritariste e diktatoriale, ku spikasin drejtues me pushtet të fortë e të përqendruar personal, që godasin me rreptësi çdo kërkesë për standarde demokratike e mbrojtje të lirive e të drejtave të njeriut, që mbrojnë me dhunë pushtetin personal e të klanit të tyre. Ka sot shqetësim real se populistët në të gjithë botën mund të rikthejnë tiraninë. Baza e këtij shqetësimi është fenomeni i marrjes së pushtetit me mjete demokratike apo deformim të tyre dhe më pas një sulm ndaj institucioneve demokratike, standardeve e principeve demokratike, sundimit të ligjit, lirisë e të drejtave të njeriut që i hapin rrugë rritjes së peshës e rolit të ekzekutivit mbi legjislativin, autoritarizmit e pse jo dhe të tiranisë. Tashmë ka formësuar përmbajtjen e vet dhe rolin, gjithashtu, një autoritarizëm i ri apo forma qeverisëse, që disa i kualifikojnë si demokraci jo liberale. Është bërë tepër shqetësuese dukuria e dhunimit dhe goditjes brutale të fjalës së lirë e shtypit të lirë demokratik, dhunimi e shtrembërimi i së vërtetës, i goditjes e vrasjes së gazetarëve e atyre që luftojnë për mbrojtjen e fjalës së lirë. Sot është prezent fenomeni shqetësues i një aleance, për të mos thënë simbiozë, mes drejtuesve pushtetesh me dorë të fortë e përqendrim të lartë të pushtetit, me korrupsionin e biznesin e ushqyer nga korrupsioni. Në hapësirën europiane dallgët e larta të nacionalizmit, populizmit e sovranizmit, po bëjnë presion në rritje e po godasin e gërryejnë bazamentin e modelit perëndimor të zhvillimit, sistemin e vlerave. Ka gjithashtu edhe prirje për formësim të aleancave mes këtyre forcave nacionaliste, populiste, autoritariste, ksenofobe e kundërshtare të hapura të demokracisë liberale. Aktualisht, një problematikë e brëndëshme, tepër e mprehtë tërheq vëmendjen, për faktin, sepse atakojnë themelet e modelit, apo sëmurin shtylla të rëndësishme vitale të tij.
Ka prirje e fenomene që synojnë deformimin e përmbajtjes së demokracisë, të frymës e përmbajtjes së saj, të bllokimit të funksionimit të institucioneve demokratike, të formalizimit të tyre apo të zbrazjes së përmbajtjes demokratike të tyre, siç ka prirje të hapura të goditjes së pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe pengimit të sundimit të ligjit. Po kështu, në emër të prioritetit të ligjit dhe rendit po shfaqen tendenca të centralizimit të tepruar të pushtetit ekzekutiv. Ka prirje të rritjes së pasigurisë individuale e sociale, të grupeve konkrete sociale, që shërben si ushqim ideologjik për nacionalistët, populistët, euroskeptikët e për të dashuruarit pas autoritarizmit e pushtetit të përqendruar personal e të klanit etj. Autokratët e ndjejnë ngusht demokracinë, prandaj dhe godasin standardet e principet e funksionimit të saj, madje veprojnë ta asfiksojnë demokracinë e formalizojnë atë e institucionet e saj. Ata janë të dashuruar me dhunën, me dorën e fortë e dhe tërheqjen më shumë nga „unë“ e jo nga „ne“. Autokratët shfaqen të fortë, sfidues ndaj standardeve demokratike e ligjit, duke ngritur bllokada ndaj tij, megjithatë, autokratët e kanë frikë të vërtetën, lirinë e shtypit dhe ligjin. Autokratët besojnë vërtet se „shteti jam unë“. Spektri i antiliberalizmit po zgjerohet e po tentohet të zyrtarizohet përmes ligjeve që kufizojnë. Veprimi e fryma e antiliberalizmit është në zgjerim e ngritje të shpejtë. Po kështu, ka një rritje të ndjeshme të racizmit e ndarjeve racore, siç ka një prirje të polarizimit politik, por edhe pse jo të dukurive të konfliktit kulturor. Në horizont ka shenja edhe të fillimit të konflikteve sociale edhe pse realisht ka një mungesë totale të lëvizjes sindikale apo nga organizma të shoqërisë civile.
Kriza e refugjatëve tregoi se si janë ringjallur koncepte e tendenca antihumane, që po infektojnë shtresa sociale. Këto dukuri e prirje janë ushqyer edhe nga efektet e krizave ciklike ekonomike, dështimit të reformave e politikave konkrete apo mungesa e reformave të domosdoshme, apo dhe nga reforma me frymëzime nacionaliste e sovraniste, mbyllëse. Ka sot në hapësirën europiane një rritje të dukshme të peshës dhe rolit të partive politike të ekstremit të djathtë, apo populiste, nacionaliste e euroskeptike, që kanë përfituar edhe nga legalizmi demokratik apo institucional. Këtyre prirjeve anti demokracisë liberale ju vinë në ndihmë edhe një problematikë e mprehtë sociale, ku treguesit e papunësisë e hendeqet e thelluara të pabarazive ekonomike e sociale e ulje e treguesve të nivelit të mirëqenies, kanë ndikim tepër të veçantë. Ka analistë sot, që fajësojnë për këtë problematikë, nacionalizmin e populizmin, por, në fakt, është problematika ekonomike e sociale e grumbulluar dhe e pamenaxhuar me efektivitet dhe ngecja reale e ecurisë së projektit europian, pa përjashtuar faktorët e jashtëm, që e kanë bërë të zëshëm nacionalizmin e populizmin. Ajo që bie në sy është fakti, se këto fenomene janë tashmë të shtrira në gjithë hapësirën europiane e jo të izoluar në disa vende të ish-lindjes komuniste, tashmë anëtare të BE, ku janë evidentuar dukuri të cenimit të demokracisë liberale, sundimit të ligjit, që i ka shtyrë strukturat e BE të reagojnë e veprojnë, sipas rregullave të dakordësuara. Nisur nga ky fakt, disa analistë kanë shprehur shqetësime konkrete për këto dukuri nacionaliste e populiste e antidemokracisë liberale, madje duke hequr edhe paralele me nacionalizmin e shfaqur në vitet 30 të shekullit të kaluar. Natyrisht, që ka sot një realitet të ri dhe konkret në përmbajtje. Analisti Leonid Berzhidski, nisur nga ky realitet i sotëm, për ta përcaktuar atë, përdor termin demokraci autoritariste d.m.th. një realitet, që ka si element thelbësor ngushtimin e hapësirës së funksionimit të demokracisë liberale. Ky realitet ka një natyrë politike të tillë, ku demokracia liberale e institucionale, është cenuar e po cenohet rëndë nga filozofi, mendësi, politika e veprime, ndryshime juridike që frymëzojnë dhe krijojnë teren shumë për lëndën e autoritarizmit politik, që siç shihet mundësohet nga shfrytëzimi i demokracisë liberale. Në funksion të këtij autoritarizmi të ri, po shfaqet ajo që mund të quhet kulturë e patriotizmit. Nacionalizmi patriotik apo autoritarizmi patriotik, po marrin ushqim nga nacionalizmi, euroskeptitizmi e populizmi, tërheqja pas interesave të shtetit komb e identiteti kombëtar. Natyrisht, që ky realitet e ky fenomen nuk mund të konsiderohet fatalitet, sepse kjo e ashtuquajtur demokraci autoritariste apo ky autoritarizëm i ri, ka si alternativën të përballet, duke e risjellë në shinat e saj reale demokracinë liberale ose në se nuk veprohet, atëherë i hapet rruga një qeverisje autoritariste apo diktatoriale.
Nisur nga një problematikë që po bëhet e mprehtë, mendohet se demokracia liberale po hyn në krizë, apo se demokracia po përjeton krizën, për faktin se nuk po di tu përgjigjet sfidave të kohës, apo problemeve të grumbulluara. Institucionet demokratike europiane nuk po dinë t’iu japin përgjigjen e duhur shumë sfidave e jo vetëm krizës së refugjatëve dhe mjaft probleme, kanë prirje të agravohen, siç konstatohet dhe një prirje tensionimi të marrëdhënieve sociale e politike brenda vendeve europiane. Ka më shumë shtyrje të zgjidhjeve të problemeve e shumë pak zgjidhje të tyre. Po kështu ka një krizë të përfaqësimit, e cila ushqen nevojën për njeriun e fortë,autoritar, që merr vendime të shpejta e në kohë të shkurtër. Deri më sot përmirësimet në qeverisje janë realizuar përmes zgjedhjeve demokratike, që kanë mundësuar zëvendësimin mes të majtëve e të djathtëve në qeverisje, që ka sjellë edhe një zhgënjim apo konsumim politik të ndjeshëm të partive të vjetra dhe një rendje pas partive të reja politike, që përdorin së shumti parulla populiste. Këto zhvillime kanë prodhuar gjithashtu edhe një dobësim të besimit ndaj demokracisë liberale e institucioneve të saj. Duket sikur është duke u formësuar një qëndrim, jo vetëm kritik, por dhe refuzues ndaj demokracisë liberale. Përplasja në zhvillim, mes qeverisë populiste italiane e strukturave të BE, që kërkojnë respektim të rregullave e principeve të dakordësuara, është një dëshmi konkrete e këtyre zhvillimeve.
Nënvleftësimi i këtij realiteti të sotëm e mosreagimi i mirëmenduar e i vendosur, nuk është alternativë, madje është papërgjegjshmëri për klasat politike europiane, por mungesa e një strategjie të kompletuar është fakt. Ndjehet rritja e shqetësimit, por duket se nuk është kuptuar sa duhet rreziku kërcënues. Presidenti hungarez Orban, duke iu referuar trysnisë së emigracionit në hapësirën europiane dhe në emër të „mbrojtjes“ së identitetit europian, mendon se emigracioni ka prirje të shndërrojë në pakicë europianët vendas. Dhe në funksion të tërheqjes së vëmendjes, apo si „argument“, duke e identifikuar emigracionin me terrorizmin, pohon se terrori do të bëhet pjesë e jetës në qytetet më të mëdha. Ky arsyetim është më shumë i nxitur nga nacionalizmi e jo nga sistemi i vlerave e filozofia e projektit europian.
Demonët e nacionalizmit sot po shfaqen, jo si fantazmë, por si veprim e kërcënim serioz ndaj demokracisë liberale e sistemit të vlerave, ndaj modelit perëndimor të zhvillimit. Ka sot prezencë një prirje e tensionimit të marrëdhënieve sociale e politike, që po i jep ekzistencë edhe një pasigurie komplekse në rritje, për punën, për jetën, për të ardhmen, që nacionalistët e populistët përpiqen ta paraqesin si pasiguri nacionale. Dhuna e fundit e shfaqur në zëmër të Parisit, nuk mund të shihet as si rastësi e as të nënvleftësohet. Presidenti Makron ka reaguar duke pohuar: “Turp për ata që sulmuan forcat e sigurisë, turp për ata që ishin të dhunshëm ndaj qytetarëve dhe gazetarëve“. Kuptohet elementi moral, por ai demonstrim nevojitet të lexohet plotësisht e në thellësi. Tash duket se është pjekur shumë nevoja e një programi kompleks e të plotë, që mundëson, si mbrojtjen modelit europian të zhvillimit, të demokracisë liberale, por dhe e përsos atë më tej. Kjo nevojë ka filluar të kuptohet tashmë. Presidenti Makron me të drejtë ka evidentuar atë që nevojitet shumë në këtë moment: “Europa, dhe në të çifti gjermano-francez, ka detyrimin, që të mos e lërë botën të rëshkasë në kaos“. Por siç ka nënvizuar presidenti gjerman Steinmeier, për përballimin e një problematike komplekse, në mbrojtje të demokracisë liberale dhe avancim të saj, nevojiten para së gjithash ide të reja. Një kuptim i thellë e i plotë mund të realizohet duke u udhëhequr nga filozofia e projektit europian dhe sistemi i vlerave. Natyrisht, një strategji konkrete, që do të mundësonte një luftë efektive ndaj kësaj forme të autoritarizmit apo deformimit e cenimit të demokracisë liberale, që do të përsoste e modernizonte më tej modelin europian e demokracinë liberale, është e domosdoshme, por që do të kërkonte njohjen e thellë e të plotë të shkaqeve, që e sollën dhe përcaktimin e rrugëve efektive të zgjidhjes së problemeve.