Vlera e Kushtetushmërisë
Editorial i Monitor, 15 nëntor 2018
Nga përplasja e fundit mes Qeverisë dhe Presidencës, mes Parlamentit dhe Presidencës, mes Kryeministrit dhe Presidentit, pra me organet më të larta të shtetit, shqiptarët kanë rastin më të mirë që të kuptojnë se pse sjellja politike krijon gjithnjë kriza dhe pushteti bëhet i pakontrolluar, duke harruar njerëzit.
Është shumë domethënëse ceremonia e Inaugurimit të Presidentit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përtej solemnitetit. Në momentin kur presidenti i ri, i zgjedhur, betohet, atëherë presidenti që largohet bën dorëzimin e detyrës tek i riu. Vetëm pas këtij momenti, edhe valixhja me kodet e sigurisë kalon nga një krah në tjetrin te personat e ngarkuar respektivë të secilit president.
Gjithë ky protokoll në dukje, në fakt është një akt i madh që bëhet për të respektuar deri në germë Kushtetutën dhe ligjshmërinë dhe për të treguar se dorëzimi i përgjegjësisë së pushtetit dhe qeverisjes së deleguar, siç është rasti i demokracive parlamentare, bëhet vetëm ndaj dikujt që është betuar për Kushtetutën e respektimin e saj. Pra është Kushtetuta që udhëheq veprimet politike dhe jo e kundërta.
Ndërsa kjo që ndodh këto ditë në Shqipëri nuk ka asnjë lidhje me këtë akt të përmendur më lart, edhe pse Kushtetuta për çdo vend duhet të jetë e shenjtë, pavarësisht se në cilin Olimp të pushtetit je, në Amerikën e madhe apo në këtë Shqipëri të vogël. Këtu te ne ndodh që Presidenti pranon dhe dekreton shkarkimin e Ministrit, përpara se të ketë emrin e atij që do ta zëvendësojë. A thua se problemi i vetëm është boshllëku i karriges e jo mangësia në qeverisje?!
Edhe Parlamenti e aprovon dekretin e shkarkimit, por pa pasur ende zëvendësuesin, duke prodhuar si përfundim një ministër të shkarkuar, të pafuqishëm, por më keq akoma një institucion pa përfaqësuesin kushtetues të tij që e drejton.
Më tej akoma, Kryeministri, në vend që të marrë përgjegjësinë e drejtimit të institucionit ligjërisht, duke i kërkuar Presidentit të paktën emërimin e atij vetë si të përkohshëm, deri në gjetjen e të përzgjedhurit të ri të pranueshëm, thellon ndarjen me Kushtetutën. Pasi i bën një emërim në letra si zëvendësministër, e prezanton në institucion si zëvendësministër me gradën i Parë, por më pas i jep detyrat e një ministri, dërgon me një karshillëk të paparë pikërisht të njëjtin person që Presidenti nuk e pranoi për të kryer detyrën kushtetuese të ministrit të Brendshëm.
Për habi, edhe ministri i shkarkuar nuk duket aspak i shqetësuar dhe pranon ta dorëzojë për të drejtuar institucionin kushtetues te një person që as nuk ka marrë emërimin dhe as është betuar… Ky veprim dhe sjellje është e çuditshme sepse sipas Kushtetutës, ai nuk mund ta dorëzojë detyrën te një Zëvendësministër sado i Parë të jetë. Nga ana tjetër, ai sipas Kushtetutës as nuk mund të ikë, me këtë mënyrë sesi dorëzoi përgjegjësitë, tek asnjë prej zëvendësve, për sa kohë atyre vetëm ju delegon detyra apo funksione, por në asnjë moment përgjegjësinë kushtetuese.
Ministri është institucion kushtetues dhe në marrjen e funksionit pasi kalon kalvarin institucional të emërimit, ai firmos pranimin e emërimit dhe betohet para Presidentit që e dekreton, me dorën në Kushtetutë se do ta zbatojë atë Kushtetutë.
Ky Zëvendësministri i Parë, që e kanë vënë të bëjë edhe ministrin, nuk është dekretuar dhe as betuar, ndaj te fi gura e tij institucionale nuk do të vihej në dyshim kushtetutshmëria e veprimeve apo urdhrave të tij. Por ky post është ministri i Brendshëm që ka peshën dhe rëndësinë më të madhe për të garantuar rendin e sigurinë e qytetarëve dhe të vendit. Ndaj, “papërgjegjshmëria kushtetuese” bëhet rreziku më i madh.
Por ja që në vendin tonë, pak shqetësohen që një shkelje e Kushtetutës pasohet zinxhir nga të tjerat vetëm për shkak të “Unit” politik dhe inateve provinciale elektorale. Në Parlament nuk pati asnjë cicërimë që të shprehte qoftë edhe një minimum disidence, por vetëm duartrokitje. Në ministri…a ky nuk është rasti.
Ky zhvlerësim kushtetues u trajtua në emisionin “Opinion” të Blendit, e mbase, për disa, mjafton. Por ama kur publiku nuk shqetësohet më për Kushtetutën kjo ndodh vetëm në dy regjime. Por asnjë i lidhur me demokracinë parlamentare. Njëra është monarkia absolute dhe tjetra diktatura komuniste, ose siç quhej demokracia proletare, nëse e keni harruar.
Dhe fakti që nuk është publiku, por janë ambasadorët e rëndësishëm në vend që ngrenë zërin për rivendosje të kushtetutshmërisë, nuk lë shije të mirë. Ndaj vetëm një opinion nuk mjafton për të rritur vlerën e kushtetutshmërisë.