Për një opozitë përtej rolit të saj denoncues
Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 11 shtator 2018
Partia Demokratike, sidomos në këtë mandat të dytë të qeverisë Rama, ka qenë aktive, dhe shumë herë e ka zhvilluar detyrën e saj politike. Nëpërmjet denoncimeve të ndryshme, betejave në Parlament apo ngritjen e shqetësimeve të qytetarëve, ka arritur që të sensibilizojë opinionin publik shqiptar. Si të thuash, në aspektin e saj denoncues dhe kritik ndaj qeverisë, çdo aksion i saj ka qenë në rrugën e duhur.
Mirëpo, a mjafton vetëm ky rol i opozitës shqiptare? Përse në një pjesë të opinionit publik mbetet ideja se ajo ende nuk është gati për të qeverisur vendin?
Ka një perceptim të përgjithshëm, sikur opozita shqiptare në këto momente, nuk është e fortë mjaftueshëm për t’u përballuar me këtë qeveri, edhe pse ajo në kohët e fundit ka kaluar nga një skandal në tjetrin apo ka patur shumë probleme, sidomos në mandatin e dytë të saj.
E vërteta është se, që një opozitë të krijohet si një alternativë e besueshme për qeverisjen e vendit, nuk mjafton të bëjë vetëm rolin e detektorit të problemeve të qytetarëve, por lipset një strategji politike drejt rrugës së pushtetit. Në të kundërt, do të ngelet vetëm një forcë denoncuese dhe asgjë më tepër. E për ta bërë këtë, ka nevojë të ndërmarrë disa hapa thelbësorë për strategjinë e saj politike.
Së pari, duhet t’i rikthehet edhe njëherë, ashtu sikurse bëri që në fillim të legjislaturës, reformës zgjedhore. Në këtë mënyrë, do të ketë më të qartë se në çfarë terreni do të zhvillohet gara elektorale dhe nëpërmjet çfarë instrumenti. Në këtë mënyrë strategjia politike e saj do të jetë e qartë që tani, dhe çdo veprim do të kthehet në funksion të kësaj strategjie.
Së dyti, Lulzim Basha, duhet të bëjë të qartë ekipin dhe bashkëpunëtorët e tij. Kështu do të forcohej lidershipi i Bashës, dhe do të krijohej fryma e alternativës. Sepse që opozita të vijë në pushtet ka nevojë të padiskutueshme për qartësinë e lidershipit dhe ekipit të tij.
Së treti, Partia Demokratike duhet të qartësojë aleancat e saj. Në radhë të parë raportin me LSI, raport i cili ka shkaktuar debate edhe në radhët e militantëve të saj. Basha duhet t’iu bëjë të qartë shqiptarëve nëse kjo aleancë do të jetë bashkë në zgjedhjet e ardhshme apo jo. Është një mënyrë kjo për të krijuar alternativën qeverisëse, gjë e cila mungon deri më tani.
Së katërti, Partia Demokratike duhet të ketë më të qartë diskursin e saj publik. Në këto momente duket një diskurs kaotik, me premtime të cilat janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë profili saj ideologjik nuk është aspak i besueshëm. PD, duhet të kthehet në mënyrë të menjëhershëm te vlerat e një partie të djathtë europiane, të cilat bazohen te liria, individi, konkurrencat dhe ekonomia e tregut. Shpeshherë diskursi i saj ngatërrohet me majtizma dhe premtime sociale që do i kishte zili dhe çdo parti socialiste në Europë.
Së pesti, opozita ka nevojë urgjente të rigjejë komunikimin me ndërkombëtarët. Viti që shkoi, ishte një vit kur marrëdhëniet midis saj dhe kancelarive ndërkombëtare, sidomos ato me SHBA dhe BE, nuk ishin nga më të mirat. Për faj të politikave të saj apo të diplomacisë ndërkombëtare kjo pak rëndësi ka. Misionet amerikane dhe europiane kanë një rol thelbësor në opinionin publik. Ndër të tjera, gëzojnë një besueshmëri te shqiptarët. Pa rigjetur marrëdhëniet me ta, opozita krijon në këtë mënyrë dy palë politike, mazhorancën dhe ndërkombëtarët, gjë e cila vështirëson ngjitjen e saj në qeverisje.