Raporti i ISP: Deputetët shmangën problemet e qytetarëve

Instituti i Studimeve Politike (ISP), 23 gusht 2018

Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë vijon të realizojë monitorimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe të aktivitetit parlamentar. Ky është raporti i dytë që përmbledh periudhën janar – korrik 2018. Raporti është shkruar nga 15-20 gusht 2018. Monitorimi do të vijojë edhe gjatë sesioneve të tjera deri në shtator 2020.

ISP ka realizuar edhe platformën online të monitorimit, www.deputetim.al ku janë të pasqyruara raportet tona të monitorimit, aktiviteti parlamentar, të dhënat për deputetët, treguesit e efikasitetit të tyre, fjalimet e mbajtura dhe të dhëna të tjera specifike. Gjatë vitit 2018 ISP përfshiu në faqen www.deputetim.al edhe të dhënat e deklarimeve financiare të deputetëve nga viti i parë i deklarimit të secilit prej tyre. Stafi i ISP po punon me deklaratat e pasurisë për të realizuar database me të dhëna, të cilat do të jenë në dispozicion të publikut në kuadër të transparencës dhe nevojës për standarde të reja të politikës ndaj qytetarëve.

ISP aplikoi për herë të parë në janar 2018 përpjekjen për krijimin e një klasifikimi mbi efikasitetin e deputetëve, nisur nga përgjegjësitë dhe të drejtat e tyre funksionale. Klasifikimi bazohet në një metodologji të qëndrueshme dhe përfaqësuese, dhe mundëson rifreskimin e të dhënave pas çdo sesioni parlamentar. Në fund të legjislaturës qytetarët do të kenë mundësi të njihen me klasifikimin e deputetëve sipas nivelit të efikasitetit të punës së tyre.

Gjatë 2018 ISP kreu një anketim me deputetët e partive kryesore lidhur me cilësitë e tyre, njohuritë mbi të drejtat e përgjegjësitë, si dhe vlerësimet e tyre mbi Kuvendin dhe aktet rregullatore. Të dhënat e anketimit, të ndërthurura me perceptimin qytetar ndaj Kuvendit, do jenë pjesë e raportimeve në vijim. Risi e këtij raporti është edhe analiza e detajuar e ligjërimit politik të deputetëve në seancat plenare: tematikat, fokusi, natyra e fjalimeve, treguesit pozitivë dhe negativë.

GJETJET KRYESORE TË RAPORTIT

Sesioni parlamentar janar – korrik 2018 u dominua nga konfliktet politike midis mazhorancës dhe opozitës, – bojkotim të pjesshëm, protesta në sallë e komisione, etj, – me ndikim direkt në punën e seancave plenare, të komisioneve, të axhendës dhe të produktit parlamentar. Kuvendi nuk arriti të shndërrohet në institucion përfaqësues efektiv, të rrisë besimin publik ndaj tij dhe as të krijojë klimë dialogu politik midis mazhorancës dhe opozitës.

Numri i akteve parlamentare të miratuara gjatë sesionit të fundit është më i vogël sesa numri i akteve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar: përkatësisht 182 më 2017 dhe 129 më 2018, pavarësisht se viti 2017 ishte vit zgjedhor dhe Kuvendi funksionoi deri në maj. Numri i ligjeve të miratuara ka rënë 13%. Kohëzgjatja e akteve pati një mesatare 1.6 muaj/akt. Disa akte të vitit 2015 vijojnë në jenë axhendë, ndërkohë që vijuan të aplikohen nismat me procedurë të përshpejtuar. Ky sesion pati vetëm dy nisma ligjvënëse nga deputetët, të gjitha nismat e tjera ishin kolektive në emër të Këshillit të Ministrave apo Grupeve Parlamentare. Asnjë prej ligjeve të miratuara gjatë 2018 nuk përbën bazën për një reformë sektoriale.

Kuvendi nuk shënoi progres në funksionin kushtetues të kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv. Numri i interpelancave dhe i komisioneve hetimore ishte minimale, përkatësisht 4 interpelanca dhe 1 komision hetimor (i papërfunduar). Pushteti ekzekutiv vijoi të imponojë axhendën parlamentare dhe votën politike në parlament. Pati raste kur ministrat nuk përmbushën detyrimet e Rregullores së Kuvendit dhe Statusit të Deputetit.

Në klasifikimin e deputetëve sipas nivelit të efikasitetit në aktivitetin parlamentar rezultoi se deputetët Erion Braçe (PS) dhe Jorida Tabaku (PD), në kuota të njëjta, – kanë edhe treguesit më të lartë të efektivitetit. Grupi i PS ka tregues më të lartë efikasiteti (35%), ndjekur nga PD me (28%) dhe LSI me (25), por opozita është më aktive në debate në seancat plenare (mesatarisht 5 fjalime për deputet), ndaj PS (3 fjalime për deputet). Deputetët me formim profesional rezultojnë më të suksesshëm, kurse deputetët prurje nga biznesi dhe zonat periferike rezultojnë më pak efektivë.

Nga analiza krahasuese deputetët më efektivë janë ata të qarkut Vlorë dhe Fier, kurse deputetët më pak efektivë janë ata të qarkut Shkodër dhe Lezhë. Raporti shpreh shqetësimin se pavarësisht arritjeve statistikore, në tërësi ende mungon një model parlamentar pozitiv referues për publikun, votuesit dhe brezin e ri që inspiron politikën.

Sesioni konsumoi 25 seanca dhe mbi 140 orë debat, por mbi 30% e tyre u zhvilluan në rrethana jo normale për shkak të konfliktualitetit politik. U konstatua rritje e ndjeshme e interesit të deputetëve për të mbajtur fjalime në seanca dhe komisione, megjithatë 17 deputetë nuk diskutuan asnjëherë në Kuvend, disa prej tyre nuk morën pjesë asnjëherë në komisionet parlamentare dhe disa të tjerë, përfshirë drejtues të lartë politikë, nuk votuan asnjë akt ligjor të axhendës së seancave plenare.

Shumica e fjalimeve parlamentare patën fokus politikën ditore (399 nga mbi 600), akuzat reciproke (391), reforma në drejtësi (160). Vetëm 55 fjalime (nga mbi 600) cituan taksat ose investimet, 35 çështjet e pronësisë dhe 9 administratën publike, 6 problematikat e gruas dhe 4 çështjet mjedisore, etj. Për pasojë, prioritetet kryesore dhe problematikat me interes publik morën vëmendje minimale.

Gratë deputete vijojnë të jenë më aktive dhe më efektive në aktivitetin parlamentar sesa deputetët meshkuj. Diferenca e këtij sesioni ishte 12%, megjithatë vetëm në 6 fjalime nga mbi 600 fjalime pati tematikë mbi problematika gjinore dhe të drejtat e grave.

Deputetët vijojnë traditën e votës politike në bllok për çdo akt parlamentar. Numri i rasteve të votës personale kundër ose abstenim me atë të partisë mbetet simbolik (2 raste). Për shembull, në PS 31 deputetë kanë marrë pjesë 100% në seanca dhe kanë votuar 100% të gjitha aktet, 25 të tjera nga 87-98%, kurse 98% e opozitës ka ndjekur vendimin politik për bojkot votimi në kuvend në 100% të rasteve. Këto të dhëna janë tregues të pushtetit të madh që kanë partitë dhe liderit politikë në vendimmarrjen e deputetëve.

Të gjitha bashkitë e vendit, Prefekturat dhe Qarqet, iu përgjigjen ISP se nuk kanë njohur dhe as aplikuar detyrimet ligjore për të informuar mbi axhendat mujore lokale deputetët e zonës. Qeveria gjithashtu u përgjigj se nuk ka aplikuar informimin paraprak mbi të drejtën e deputetëve për të marrë pjesë në mbledhjet e saj kur merren vendime mbi zonën e tyre elektorale.

Burimi kryesor i retorikës agresive në parlament vijojnë të jenë kryetarët e partive politike dhe politikanët kryesorë në grupeve parlamentare. Në krye të listës me numër të njëjtë rastesh të retorikës agresive e fyese janë Balla, Basha, Rama e Berisha. Deputetët më aktivë për problematikat e zonave elektorale janë deputetët e prurjeve të reja të vitit 2017.

Komisionet e Kuvendit u përballën me vështirësi për të funksionuar normalisht (kryesisht nga bojkoti politik ose debatet politike të ditës), për të siguruar kuorumin e mbledhjeve dhe për të pasur rezultate efektive. Një pakicë deputetësh u mbingarkua me angazhime ndërkohë që një pjesë e madhe e deputetëve patën aktivitet formal e procedural. ISP konstatoi më shumë se 5% raste të shkeljes së Rregullores me deklarime fiktive të pjesëmarrjes, si dhe problematika e mangësi të tjera teknike e organizative.

Kuvendi miratoi Kodin e Sjelljes dhe u përpoq të sensibilizojë standarde më të larta pune e sjelljeje, megjithatë instrumentet monitoruese të Kodit nuk janë jetësuar ende dhe, në përgjithësi, deputetët bënë shumë pak për të reflektuar e paraqitur standarde më të larta. Monitorimi tregon se shkelësit kryesorë të Kodit të Sjelljes janë drejtuesit politikë të partive politike dhe të grupeve parlamentare në mazhorancë dhe në opozitë.

Kuvendi ka treguar interes e gatishmëri, megjithatë ende nuk ka gjetur një zgjidhje efektive për rastet e konfliktit të interesit të deputetëve në shqyrtimin dhe votimin e ligjeve dhe as për verifikimin e deklarimeve të pasurisë apo të rasteve spekulative që lidhen me përfitimet e ndryshme financiare të pamerituara të deputetëve.

Parlamenti nuk pati nisma publike e konkrete për rishikim të Rregullores së Kuvendit apo të Ligjit mbi Statutin e Deputetit, akte që kanë nevojë emergjente për përmirësim dhe plotësim.

Kuvendi bëri përpjekje për rritjen e transparencës publike, krijoi faqe të re interneti, pati më shumë seanca dëgjimore dhe ftesa ndaj shoqërisë civile, megjithatë nismat pozitive nuk kanë krijuar ende një sistem të plotë dhe efikas transparence. Një numër aktesh të Kuvendit, dokumente dhe të dhëna me rëndësi publike, – pjesë e detyrimit për publikim, – ndryshe sa detyron Rregullorja e Kuvendit, nuk janë ende online në dispozicion të publikut.

Kuvendi shfaqi probleme dhe mangësi në respektimin e afateve dhe standardeve të parashikuara nga Rregullorja e Kuvendit, lidhur me aktet parlamentare, me publikimin e dokumenteve dhe problematikave, përfshirë procesverbalet e mbledhjeve në komisionet e përhershme apo të debateve në seancën plenare, në Konferencën e Kryetarëve, në Byronë e Kuvendit, në komisionet e posaçme apo hetimore, në nën/komisione, etj.

REKOMANDIMET KRYESORE

Kuvendi duhet të investohet më shumë për të rritur nivelin e standardeve të transparencës publike dhe për të përmbushur në kohë e me cilësi detyrimet që vijnë nga Rregullorja, legjislacioni dhe praktikat e mira të jetës parlamentare. Rishikimi i Rregullores dhe Ligjit mbi Deputetët duhet të jetë pjesë e axhendës prioritare.

Kuvendi duhet të përmbushë në kohë detyrimet kushtetuese dhe ligjore që lidhen me zgjedhjen dhe kontrollin e institucioneve të pavarura e kushtetuese, me detyrime ndaj procesit integrues dhe reformës në drejtësi, si dhe ndaj vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi duhet të forcojë rolin e vet ligjvënës, të zgjerojë numrin dhe tematikën e nismave ligjore, si dhe të ushtrojë kontroll më cilësor kushtetues mbi pushtetin ekzekutiv.

Kuvendi duhet të respektojë të gjitha detyrimet që burojnë nga Kodi i Sjelljes dhe të garantojë transparencë e reagim ligjor ndaj çdo akti që përbën konflikt interesi, abuzim apo keqpërdorim.

Grupet parlamentare duhet të reformojnë mënyrën e funksionimit të tyre, për tu bërë më të hapura, më aktive dhe më përfaqësuese. Analiza e munguar reale dhe publike e bilancit pozitiv e negativ të punës së grupeve parlamentare duhet të jetë pjesë prioritare e axhendës së partive politike parlamentare.

Duhet bërë presion publik pozitiv ndaj liderëve politikë e drejtuesve të grupeve për të ndjekur standarde më të larta etike në fjalimet, ndërhyrjet dhe aktivitetin e tyre parlamentar. Partitë duhet të zbarojnë rregullat e brendshme për shkeljet e etikës dhe Kuvendi duhet të ketë standard të njëjtë disiplinor si për deputetët e thjeshtë ashtu edhe për drejtuesit politikë.

Kuvendi dhe partitë parlamentare duhet të investohet për më shumë trajnime për deputetët, më shumë materiale informuese për aktivitetin e tyre, për botime, raporte monitoruese dhe analiza që lidhen me përgjegjësitë parlamentare dhe produktet parlamentare.

RAPORTI I PLOTE NE SHQIP MUND TE LEXOHET OSE SHKARKOHET KETU:

ISP – PARLAMENTI NE PASQYRE – RAPORT MONITORIMI JANAR-KORRIK 2018ISP

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi