Këshilla timonierit të makinës së lodhur

Nga Fatos Çoçoli, botuar ne Ballkanweb, 20 gusht 2018

 

Garën e ke me ata që të kanë vënë në timon, jo me makinën rivale që nxjerr aq shumë tym nga skapamento, motorri i së cilës dëgjohet që nuk punon mirë edhe një kilometër larg.

2. Mos i dëgjo pasagjerët e dy rreshtave të parë të furgonit (anëtarët e kabinetit) që drejton, kur të thonë sa drejt i jep makinës dhe sa bukur i merr kthesat, apo sa me zgjuarsi e rrit shpejtësinë në rrugë ndërkombëtare. Miklimi i puthadorësit është helm që nuk shihet kollaj edhe prej më të përgjegjshmit, pasi i depërton pa u ndjerë në vesh nga lezeti i “furçës”. Rrezikon të të verbohen sytë nga vetëkënaqësia dhe të përfundosh në kanal.

3. Shiko të parët pasagjerët e varfër të rreshtave të fundit të furgonit. Ke 93 mijë punonjës të administratës publike. Nga ata, 89 përqind jetojnë me djersën e ballit dhe vetëm me rrogën që marrin në shtet. Fillove të bësh diçka reale për ta, kur shkarkove në një ditë më 14 qershor 2017 drejtuesit e Hipotekave, apo kur më 31 korrik 2017 shkarkove drejtorët e spitaleve publike. Pastaj, me ç’duket, u lodhe rrugës. Mos provo më kurrë të ndihesh i lodhur për punonjësit e ndershëm të shtetit që do të bësh, as i zhgënjyer prej pakurajos së sotme të tyre. Ajo ka shumë arsye… Duke e lënë punonjësin e ndershëm të shtetit pas dore, ke krijuar sulltanë të vegjël tek ata që u ke besuar edhe ministri apo drejtori të rëndësishme. Këta sulltanë po e keqtrajtojnë këtë punonjës përditë. Ke një reformë të harruar të administratës publike, të cilën duhet ta fillosh, duke e kapur mirë dashin për brirësh. Nise, duke rritur numrin e nëpunësve civilë nga 16 mijë që e ke tani në 30 mijë brenda 31 dhjetorit 2019 dhe mirato ligjin për përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik, që të ruash vreshtat.

4. Nuk e ke luksin të ndalosh në rrugë për të ndërruar gomat, as edhe të kërkosh tek ndërkombëtarët remont kapital të makinës së lodhur dhe tejet të amortizuar të quajtur shtet. Mos mendo se boja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të skualifikuar do të shkëlqejë mjaftueshëm për të të besuar njerëzit prapë timonin 996 ditë më vonë(qershor 2021).

5. Boll ujite “lulet” e qendrave të qyteteve dhe lungomareve të bregdetit. Fasadat kanë shkëlqim që nuk e “ngrohin” motorin e makinës tënde të lodhur, në ditë të acarta, kur nuk dëgjon të ndizet.

6. Paketa e ndihmës së parë nuk funksionon vetëm me rikonstruksione repartesh dhe shërbimesh spitalesh qendrore publike, që dalin aq bukur në televizion. Ajo ka nevojë të jetë e plotë në çdo “makinë të lodhur” të spitaleve të qyteteve të humbur, apo fshatrave malore.

7. Thonë se mrekullitë e kësaj bote janë shtatë. Mrekullia e “të bërit shtet”, për të cilën ke kërkuar aq fort të ta japin të vetëm timonin, është shumë e thjeshtë. E thotë një plak i Nivicës: “dëgjo nga thellësia e tokës”. Çdo xhenerik i vjetër makine, më parë zhgërryhet në baltë dhe i buçasin veshët duke ndenjur me orë poshtë makinës, për t’ia kuptuar asaj se nga se i vjen “lodhja”. Nuk të mjaftojnë orët që kalon duke lexuar mesazhet në celular, apo duke shkëmbyer batuta “vërtetësie” me komentues rrjetesh sociale në kompjuter, sado me vlerë të jenë ato për nga sensi i fjalëve. Vetëm “prekja fizike”, bisedat me hallexhinj jo të përzgjedhur për ekranin e përzgjedhur televiziv, të zbresin thellë dhe do të të bëjnë të “dëgjosh zhurmat e tokës që rënkon”. Kërkoj ndjesë nga paplotësia e këtyre këshillave. Kam 22 vjet me patentë drejtimi automjeti dhe ndjej frikë përpara çdo kthese që marr. Mendoj se kjo frikë më ruan dhe më bën të përgjegjshëm për jetën time dhe të atyre që kam në makinë. Gsh.al

    Fatos Çoçoli

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan