PPP- Partitë, Primaret dhe Pluralizmi i munguar

Nga Afrim Krasniqi, 1 gusht 2018

Më 2009 kur socialistët mblodhën organin më të lartë kombëtar, Kongresin, një prej premtimeve më të bujshme ishte aplikimi i votimit “një anëtar – një votë” në të gjitha strukturat zgjedhore, përfshirë zgjedhjet për kryetar dege, kryetar partie, kandidat për deputet e kandidat për kryetar bashkie. Në ato zgjedhje vetëm kryetari i PS u zgjodh direkt, por në një garë formale, pa kandidatë realë përballë. Më 2014-2015 pati një proces zgjedhor konkurrues në degët lokale të PS, por kandidatët për deputetë e kryetar bashkie më 2013, 2015 dhe 2017 u zgjodhën pa votim, me imponim real nga kupola e lartë drejtuese e kësaj partie. Aktualisht premtimi për aplikimin e primareve është harruar dhe nuk artikulohet nga asnjë prej drejtuesve të kësaj partie.

Më 2014 ishte PD që solli të njëjtin propozim në publik, duke e shikuar sistemin e zgjedhjeve konkurruese në degë dhe qendër, me sistem “një anëtar – një votë” si leva mbështetëse për reformimin e brendshëm të saj. Më 2017 ligjërimi për “Republikën e Re” shkoi më tej, kur u premtua se të gjithë kandidatët dhe drejtuesit në të gjitha nivelet do të zgjidheshin me sistem konkurrues të brendshëm tek anëtarësia, një formë shqiptare e procesit të primareve të aplikuar prej shumë vitesh në SHBA. Më 2018 u bënë ndryshime në statutin e saj, por megjithëse pati disa përparime, midis premtimit dhe reflektimit në statut ka diferencë ende të madhe. Kandidatët e PD më 2013, 2015, 2017 gjithashtu u emëruan nga preferencat e kupolës së lartë drejtuese.

Situatë e njëjtë, – një hendek i thellë midis premtimit publik për demokraci të brendshme funksionale dhe mënyrës sesi realisht merren vendimet në partitë politike, – reflektohet në të gjitha partitë e tjera politike parlamentare, përfshirë LSI. Kalimi nga parti me bazë horizontale (faza e parë e tranzicionit) në parti me organizim vertikal (faza e fundit e tranzicionit) ka dëmtuar ndjeshëm konceptin e garës demokratike, të sistemit konkurrues dhe vetë vlerat e potencialet që partitë politike u ofrojnë qytetarëve e shoqërisë. Një numër sondazhesh të zhvilluara nga organizata ndërkombëtare në Shqipëri tregojnë se besimi publik tek partitë politike është në të njëjtin nivel me besimin tek gjykatat, në momentin kur nisi reforma në drejtësi. Kurba negative e besimit, nga 78% më 1992 në 13% më 2017 tregon edhe diferencën e madhe midis pritshmërive publike ndaj partive dhe mënyrës sesi partitë e kanë keqpërdorur pushtetin, delegimin e përgjegjësive dhe hapësirën e tyre në jetën publike e shtetërore. Ato vijojnë të jenë “kooperativat” e fundit komuniste në Shqipëri, – të identifikuara me liderin dhe familjen e tij, miqtë dhe shokët e tij, – pa identitet, pa programe konkurruese, pa forcë ndryshimi dhe jo frymëzuese për të ardhmen. Natyra e tyre klienteliste dhe rivaliteti ndër-shqiptar për pushtet e përfitime përbën bazën kryesore të mbijetesës së tyre, në një sistem që më 1991 ishte shpresuar të jetë demokratik, konkurrues e funksional.

Vitin e fundit ka pasur disa nisma reformatore kryesisht nga grupe të reja dhe të vogla politike në adresimin ndaj modelit politik dhe ndryshimit të sistemit të vendimmarrjes. Fillimisht dy përpjekjet për krijimin e “LIBRA” dhe “SFIDA” premtuan shumë, – një paketë reformatore organizimi demokratik dhe modelin e “mbretit Artur”, i barabartë midis të barabartëve. Eksperimenti dështoi me sukses. LIBRA kaloi në një krizë lidershipi dhe krizë modeli ndaj aktualisht nuk ka provë formale mbijetese. SFIDA gjithashtu pati më pak sukses sesa themeluesi i saj, kandidati për bashkinë Tiranë më 2015. Eksperimentet e tjera me Fryma e Re Demokratike apo Aleanca Kuq e Zi, gjithashtu dështuan që në momentin që hoqën dorë nga modeli i ri reformues dhe imituan modelin vertikal të identifikimit me liderin themelues. Njëra prej tyre nuk ekziston më në spektrin politik, tjetra vetëm formalisht. Së fundi, një përpjekje e re politike e iniciuar nga “disidentë” të Rilindjes së vitit 2013, “Zgjidhja”, i është rikthyer të njëjtës sfidë, – ikjen nga modeli tradicional dhe kalimin tek modeli i primareve konkurruese brenda partisë politike. Një nismë modeste që duhet uruar të jetë headline në debatin politik.

Koncepti i primareve aplikohet gjerësisht në demokracitë perëndimore. Në SHBA sistemi i primareve nxori Trump dhe eliminoi nga jeta politike Sanders apo Bush; në Francë ato nxorën nga skena politike figura historike si Shirak apo Valls dhe sollën në skenën politike Macron; në Gjermani sistemi i primareve përcaktoi lidershipin e SPD, AfD dhe deri koalicionin e madh; në Itali primaret bënë Renzin kryeministër, në Britani primaret përcaktuan lidershipin e partisë më të madhe në qeveri e në opozitë. Një lexim më i thellë i këtyre fakteve dështon forcën e jashtëzakonshme reformatore dhe ndryshuese që ka sistemi i primareve dhe i konkurrencës së fortë e të hapur në partitë politike.

Aplikimi i primareve kërkon të paktën nëntë kushte paraprake: 1) parti politike me shtrirje kombëtare, 2) parti relevante, me potencial për pushtet, 3) parti nivel mesatar të kulturës politike brenda saj, 4) regjistër të saktë të anëtarësisë, 5) standarde të përcaktuara në dokumentet partiake, 6) transparencë financiare dhe publike, 7) bazë ligjore solide, 8) sistem elektoral me natyrë mazhoritare si dhe 9) presion publik ndaj partive politike. Nga këto 9 kushte partitë shqiptare në tërësi përmbushin maksimumi 3-4 kushte: ka presion publik, ka parti me shtrirje kombëtare, ka parti me potencial për pushtet, ka parti me nivel mesatar të kulturës politike. Çdo përpjekje për të eksperimentuar me sistemin e primareve u duhet referuar këtyre elementëve, – dhe se do të ishte dita e parë e një sistemi të ri politik e partiak në Shqipëri.

A është e mundur? Natyrisht që po. Për shembull, PS, PD e LSI janë anëtare me të drejta të plota në PES dhe EPP, dy grupime të mëdha politike evropiane, ku mbi 70% e anëtarëve aplikojnë sistem primaresh në vendimmarrjen e tyre politike. Ndryshimi nuk është çështje vullneti personal dhe as pritshmërie që një mëngjes, liderit tanë të gdhihen demokratikas dhe ta pranojnë atë. Ndryshimi vjen përmes detyrimit ligjor, sidomos në një vend me tradita minimale demokratike si Shqipëria. Ndaj hapi i parë i reformimit është presioni publik për të ndikuar që komisioni Ad-Hoc parlamentar për reformën zgjedhore të zgjerojë spektrin e punës dhe të fokusohet në reformimin tërësor edhe të ligjit të partive politike, ku vend kryesor zë çështja e demokracisë partiake dhe legjitimitetit të kandidaturave të paraqitura nga partitë politike. Pranë komisionit janë paraqitur disa drafte, përfshirë një nga autori i këtij teksti, por presioni duhet të jetë më i madh, më i fokusuar, në mënyrë që drafte të tilla të bëhen pjesë e axhendës së tij.

Midis modës aktuale të PPP në të gjitha rastet më i nevojshmi është ai që lidhet me sistemin përfaqësues: parti, primare, pluralizëm. Në fund të fundit nuk ka dilemë, – nëse duhet një zgjidhje finale dhe serioze, fati ynë nuk mund të vendoset nga humori i liderëve politikë, sidomos kur liderit politikë janë modele dështimi si në rastin shqiptar, por mund të vendoset nga një sistem i ri i bazuar në besim, vlera, parime, sens përgjegjësie, frymë kushtetuese dhe inspirim perëndimor. Dhe hapi i parë drejt këtij sistemi është rrëzimi i piramidës së kalbur të vendimmarrjes politike, kalimi nga pluralizmi midis 2-3 individëve, familjeve e klientelave, tek pluralizmi real funksional e konkurrues midis alternativave politike.

    Afrim Krasniqi

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan