Si po na dominon elita e Revolucionit Kulturor ?

Nga Afrim Krasniqi, 2 korrik 2018

 

Disa muaj më parë u ndodha në Gjermani në një aktivitet ndërkombëtar që lidhej me tranzicionin në Evropën Lindore. Një auditor ideal për fjalën dhe shkencën, me profesorë e studiues nga më të njohurit. U fol për të gjitha, por midis morisë së tezave e argumenteve më bëri përshtypje një pyetje retorike: “shikoni elitat tuaja postkomuniste, për çfarë flasin e debatojnë ato? Niveli i debatit tregon sa keni ndryshuar”. E tha një studiues çek, sipas të cilit në debatet publike në Ceki mbi 60% e ligjërimit, metodikës, argumentit dhe stilit është jo komuniste. Kjo na bën të ndryshëm nga shumë të tjerë vende ish komuniste tha ai. Dhe kishte të drejtë, sidomos për Shqipërinë.

Për çfarë flasin elitat tona politike e publike? Si komunikojnë ato? Cili është mesazhi dhe modeli i tyre në formësimin demokratik? Ka disa studime pjesore për këtë temë. Një diplomat shumë i njohur ndërkombëtar më pati thënë një muaj më parë në zyrën e vet në një nga kullat e larta të Tiranës: këtu të gjithë janë komunistë, sillen si komuniste, mendojnë si komunistë, reagojnë si komunistë, vetëm sa duan të jetojnë si kapitalistë. Kam frikë se ambasadori pati të drejtë. Shqipëria e pas 28 viteve është më e pasur, më e hapur, më e shëndetshme, më e shetitur, por në raport me elitat është dhe cilësinë e ligjërimit politik e publik është aty ku ka qenë, në vendnumëro dhe e marrë peng nga koha e revolucionit kulturor. Nuk ka ide të ndryshme, ka ide armiqësore; nuk ka debat, ka denigrim e kërcënime; nuk ka dallim nga profesori e shitësi e këpucari, secili bën garë në etiketimin e tjetrit deri tek mohimi i tij; nuk ka debat publik mbi çështjet e mëdha të shoqërisë, ka grindje pafund me gjuhën e rrugës për gjërat e ditës.

Kam lexuar këto ditë me trishtim (përfshirë edhe sot) debatin midis disa aktorëve me mendime të ndryshme herë me njëri tjetrin, herë me të tjerët në publik, të njerëzve publike me aktorët. Nuk ka dallim midis tyre nëse është aktor, regjisor, profesor në ish ILA, artist i popullit apo dublant, intelektual apo komentator në media, – secili nuk flet e debaton me idetë e tjetrit, por merr fjalët dhe e gjuan me gurë, e fyen, e denigron, e shan që nga koha e fëmijërisë, me familje e me katandi, me shfaqjet e librat që ka bërë. Shkurt, tjetri nuk është kolegu që mendon ndryshe, por është i keqi, i shëmtuari, armiku, fatkeqësia, i poshtri, që duhet injoruar, denigruar, fyer e asgjësuar me çdo mjet e me çdo çmim. Në fund të shkrimit secili shënon “pedagog”, “artist”, “intelektual”, citon çmime e nderime që ka marrë, në përpjekje për ti dhënë vlerë gjuhës që ai përdor dhe argumenteve të munguara. Nuk është trishtuese vetëm sjellja, ligjërimi dhe kultura e mangët që ata përcjellin, por shumë më trishtuese është paralajmërimi se çfarë produkti gjysmak mund të krijojnë modele të tilla mendimi tek brezat e studentëve, shikuesve dhe lexuesve të atyre që kanë lindur pas ’90.

Ka ndodhur të hapet debat për identitetin, raportin tonë me Evropën apo ndikimet e tjera, reformat në shkencë, arsim e kulturë, sistemin ekonomik dhe politikat sociale, por secili është mbyllur me forcë, – nga imponimi i turmave me ushqim partie e pushteti. Ato nuk lejojnë dikë të dalë jashtë rrethit, brenda rrethit ato ndjehen zot. Shpeshherë kur shpreh teza mbi elitat marr komente të tipit, a kemi elita, cilat janë ato, etj. Ka një përgjigje: për militantët e partive shefat politikë të tyre janë krye-elitarë, janë intelektualë, janë gjeni, janë artistë e shkuar artistëve, doktorë e shkuar doktorëve, mendimtarë të pashoq dhe vlera të papërsëritshme. I dëgjoni të enjteve në parlament? Askush nuk shan në shumë, më mirë dhe më larmishëm sesa ata. Ata kanë kampion të gjuhës së rrugës, denigrimit dhe fyerjes, dhe fatkeqësisht kanë edhe modeli i suksesit që u ofrojmë brezave më të rinj. Më 1992 dikush e krahasoi kryetarin e partisë që erdhi në pushtet me Skënderbeun dhe “rastësisht” ai u bë 8 vjet ambasador derisa mbushi moshën e pensionit. Më 2013 dikush tjetër e krahasoi kryetarin e radhës me Skënderbeun dhe “rastësisht” vijon të jetë deputet e madje anëtar në Byronë e lartë të Partisë. Sepse kultura e servilizmit shpërblehet, madje sa më absurde të jetë aq më i madh është shpërblimi. Ky është modeli politik që kemi krijuar dhe elitat që na dalin nga ky model politik nuk mund të jenë kurrsesi njerëz të librit, dijes, kulturës, argumentit dhe tolerancës. Produkti i saj janë imituesit e shefit, besnikët e shefit, megafonat e shefit, plus ca biznesmenë herë kriminelë e herë matrapazë që i veshim me kostume dhe i çojmë në parlament të mbajnë dorën ngritur për ligjet e partisë dhe grushtin e mbledhur për të goditur palën tjetër kur ajo na ngacmon apo cenon më shumë sesa duhet shefin dhe humorin e tij. Po shefat politikë? Ca individë që nuk kanë profesion tjetër në jetë, që fëmijët tanë nuk do të donim kurrë tu ngjanin, që nuk respektojnë asnjë parim, premtim apo vlerë kur bëhet fjalë për pushtetin personal, që përjashtojnë këdo që flet e mendon kundër, që e përdorin shtetin si pronë private, ligjin si llastik për gjuajtjen e tjetrit, institucionet si shtabe partie, administratën si shërbëtorë, dhe vendin si pashallëk familjar.

A kemi elita politike? Cili deputet ka arritur të ngrejë në parlament një ide të madhe, një problem jashtë axhendës ditore partiake, një propozim për reformë në shkencë apo me impakt në shoqëri? Cili ka refuzuar të jetë një numër në turmë, cili ka refuzuar urdhrin politik të shefave në grup, cili ka refuzuar të ndjekë verbërisht politikën e turmës, cili ka kushtëzuar votën e tij me cilësi përfaqësimi e vendimmarrje? Shikoni median dhe sidomos daljet e tyre në TV: cili pranon një kritikë për veten apo shefin, cili flet më shumë se 10 sekonda pa denigruar rivalin politik, cili pranon ti njohë një meritë partisë tjetër, cili mendon se të gjithë e duam Shqipërinë njësoj? Mos u lodhni ta kërkoni, asnjë prej tyre. Sepse vijnë nga e njëjta shkollë, nga i njëjti mentalitet, janë elitat e formësuara në kohën e fletërrufeve dhe vetëm atë dinë të bëjnë. Dhe kjo u jep përgjigje shumë dilemave e pyetjeve, mbi të gjitha për të kuptuar pse ndodhemi këtu, të fundit në listën e integrimit, të fundit në zhvillimin ekonomik, të fundit në ndarjen nga e kaluara, të fundit në standardet e jetesës, të fundit në sistemin arsimor dhe në shkencë, të fundit në arritje teknologjike apo aftësi konkurruese.

    Afrim Krasniqi

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi