Politikat e zhvillimit dhe reforma rregullatore
Nga Elvis Zaimi, botuar ne Ballkanweb, 2 korrik 2018
Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Bretton Woods, New Hampshire 1944, fokusi i përpjekjeve dhe teorive që synojnë zhvillimin e një vendi, u përqendrua tek hartimi dhe zbatimi i politikave të përshtatshme zhvillimore, të mbështetura nga ndihma dhe asistenca ndërkombëtare, të cilat spikatin me paradigmën teorike të njohur me emrin “Konsensusi Uashingtonit”, e cila përcakton një set parakushtesh për zhvillimin ekonomik të një vendi, të tilla si stabilizimin, liberalizimin dhe privatizimin. Paul Krugman, i përshkruan në këtë mënyrë politikat zhvillimore të “Konsensusit të Uashingtonit”, paradigmë e zhvilluar në vitet 90’ “Nëse një vend ka liberalizuar tregtinë, privatizuar ndërmarrjet shtetërore, dhe ka stabilizuar kursin e këmbimit, ai vend ka hedhur edhe themelet e rritjes ekonomike të bazuar tek norma të larta kthimi nga investimet”. Gjithsesi, “çelësi i suksesit” të këtyre politikave ekonomike zhvillimore është krijimi dhe mbajtja e një mjedisi rregullator, në të cilin ekzistojnë incentivat për funksionimin e këtyre politikave. Thënë ndryshe, politikat ekonomike zhvillimore, edhe kur janë të përshtatshme, janë të destinuara të dështojnë, nëse nuk ka një treg eficient të cilin e garantojnë institucione efektive dhe të drejta.
Në Shqipëri, pas viteve 1990 ndjekësit dhe ithtarët e Hayek, Fridman, dhe të shkollës së Çikagos së ekonomisë, u shndërruan në partizanë të teorisë së “terapisë shock”, duke besuar se privatizimi dhe liberalizimi i menjëhershëm i ekonomisë, i shoqëruar me stabilizimin monetar dhe fiskal, do të krijonte një ekonomi tregu funksionale, që në mënyrë të vetvetishme, të natyrshme, dhe spontane do të çonte shqiptarët, të paktën jo drejt begatisë, por drejt standardeve të krahasueshme të mirëqenies me vendet fqinje dhe evropiane. Fatkeqësisht, nuk iu kushtua rëndësia e duhur ndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve të reja politike dhe të qeverisjes ekonomike, pra organizimit eficient të jetës politike dhe ekonomike të vendit, në sistemin kapitalist
Teori të tilla rezultuan një “iluzion vrastar”, që e manifestoi veten fillimisht me krizën e vitit 1997. Gabimi themelor i politikave ekonomike zhvillimore të forcave politike të djathta para vitit 1997, ishte braktisja e paarsyeshme, madje “përqeshja dhe tallja”, me strukturat institucionale të ish-shtetit komunist, të cilat ishin të papolitizuara dhe profesionale, ose që, nëse do t’u ishin nënshtruar reformave, mund të vazhdonin të funksiononin në mënyrë të pranueshme edhe në shtetin demokratik. Ndryshimet komplekse shoqërore që pësoi shoqëria shqiptare pas viteve 1990 në shumë raste u zhvilluan jashtë rregullave të lojës demokratike, madje edhe “në mënyrë okulte”, pikërisht sepse jetës së vendit i munguan institucionet efektive. Politikat e rritjes ekonomike, sado të përshtatshme, nuk mund të kenë asnjë lloj impakti në zhvillimin ekonomik të vendit, nëse nuk ekzistojnë institucionet efektive që krijojnë incentivat e duhura. Pas viteve 1990, Shqipëria i braktisi politikat e dështuara centralizuese dhe stataliste në ekonomi, dhe nën mbikëqyrjen dhe asistencën e FMN hartoi dhe zbatoi politika të stabilizimit makroekonomik të përshtatshme. Pavarësisht kësaj, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend ‘dëshpërimisht i varfër”, d.m.th politikat ekonomike zhvillimore nuk kanë dhënë rezultate domethënëse. Vendi braktiset në masë nga populli i saj, veçanërisht nga njerëzit e arsimuar dhe profesionistët e kualifikuar. Shqiptarëve të thjeshtë u mungojnë incentivat për të ndërtuar një jetë dinjitoze, d.m.th ‘të mirë dhe të drejtë”.
Pritshmëritë e popullit shqiptar, me rënien e komunizmit, ishin shumë herë më të larta, sesa ofron realiteti zhgënjyes i përditshëm. Në këtë kuptim, qeveria aktuale, në të njëjtën linjë me qeveritë e mëparshme të majta apo të djathta, vazhdon të vërë në zbatim politika ekonomike të rakorduara me FMN, por në agjendën e reformave ka një mungesë të madhe, mungon “reforma rregullatore e institucioneve”. Forca politike në pushtet ka shpallur sloganin “Do të bëjmë shtet”, por nuk ka bërë të qartë ndonjë vizion programatik sesi do të sendërtohet “bërja e shtetit”. Vullneti politik, nëse është real dhe I sinqertë, duhet të shoqërohet me përpjekje konkrete për t’i dhënë jetës së vendit “frymëmarrjen demokratike institucionale”.
Dështimi i institucioneve shqiptare pas vitit 1990, ishte më i dukshëm në fushën e rendit publik, të të drejtave të pronësisë, në arsim, shëndetësi, dhe në sektorin bankar dhe financiar. Në Shqipëri nuk ka ndodhur asnjë reformë institucionale e mirëfilltë, në rastin më të mirë ka pasur “arnime legjislative me stof të huazuar nga direktivat e BE-së”
Ndërtimi i një shteti të respektueshëm, mbetet edhe sot një sfidë e forcave politike që kërkojnë të qeverisin këtë vend.
Studimi i ngjarjeve të vitit 2014, të cilat evidentuan se qeverisja e brendshme e Bankës së Shqipërisë i ngjante një “gërmadhe institucionale”, kryesisht falë papërgjegjshmërisë së Këshillit të saj Mbikëqyrës, dëshmon edhe njëherë se Shqipëria ka nevojë për një shtet normativ të vlerave objektive kushtetuese, dhe një qeverisje ekonomike teknokratike dhe meritokratike, duke nxjerrë jashtë loje dhe neutralizuar nga jeta demokratike e vendit efektet malinje të “pseudo-elitës politike”.