U hapën apo nuk u hapën negociatat . . .

Nga Gjergj Erebara, botuar ne report.al

Vendimi i Këshillit Europian në Luksemburg mbrëmjen e të martës ishte i dyfishtë. Në të thuhet:  1. “Këshilli është dakord që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe të përcaktojë një rrugë drejt hapjes së bisedimeve në Qershor 2019”. 2. “Këshilli rikujton se vendimi për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë do të jetë subjekt i plotësimit të procedurave parlamentare kombëtare dhe miratimit të tyre nga Këshilli Europian dhe menjëherë pas kësaj do të pasohet nga Konferenca e Parë Ndërqeveritare nga fundi i vitit 2019, në varësi të progresit të bërë”.

Këshilli, siç tregojnë këto dy paragrafë ka “përcaktuar rrugën”, por ai do të duhet të marrë një vendim të ri në qershor 2019, në të cilin do të vlerësohen, mes të tjerave, plotësimi nga ana e Shqipërisë e një serie kushtesh. Nëse Shqipëria nuk i plotëson kushtet, negociatat nuk do të hapen as më 2019. [Link konkluzionet e Këshillit]

Një pjesë e medias e lexoi këtë si “shtyrje” ndërsa një pjesë si “hapje negociatash”. Deutsche Welle e raportoi lajmin me titullin: “BE do të fillojë bisedime për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, ndërsa Politico.eu me titullin: “Ministrat e BE shtyjnë vendimin për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë”. Radio Europa e Lirë tha: “Ministrat e BE japin ‘dritë të gjelbërt’ të kujdesshme për nisjen e bisedimeve”, ndërsa Reuters shkroi “BE shtyn bisedimet për anëtarësim ndërsa Franca kërkon reforma”.

Sipas Politico.eu, një publikim në internet i specializuar në çështjet Europiane, vendimi mund të lexohet në këtë mënyrë: “Gjuha e deklaratës së të Martës i mundëson qeverive pro-Europiane në Maqedoni dhe Shqipëri që t’i thonë qytetarëve të tyre se dera për anëtarësim në BE është e hapur. Por për Francën dhe Holandën, të shqetësuar për zgjerimin e BE-së në vende të reja, deklarata i mundëson atyre të thonë se nuk është marrë një vendim final”.

Në përputhje me këtë ambiguitet u zhvillua edhe debati të Shqipëri në orët pas marrjes së vendimit. Kryeministri Edi Rama shpalli se Shqipëria “ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar”, ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha e lexoi vendimin si shtyrje.

“Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit,” tha Basha. “Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot,” shtoi ai.

Që të dy duket se kanë të drejtë. Rama zgjodhi një fjali nga raporti me nëntë pika i Këshillit duke harruar pjesën tjetër të raportit, kushtet, një pjesë e të cilave kërkojnë para së gjithash punën e tij për t’u plotësuar. Basha zgjodhi fjalinë tjetër të raportit, ku thuhet efektivisht se progresi i Shqipërisë (dhe i Maqedonisë) do të vlerësohet edhe një herë më 2019 para se bisedimet të hapen. Së paku një nga kushtet që duhet të plotësohen deri në vitin 2019 lidhet edhe me rolin e opozitës. Kjo është reforma zgjedhore. Që të bëhet realitet, do të duhet që maxhoranca dhe opozita të arrijnë një kompromis. Kompromisi i fundit i tillë ka qenë në vitin 2008.

Në të njëjtën linjë ishin edhe përshëndetjet me rastin e ngjarjes. Komisioni Europian tha “Urime! Sot vendet anëtare të BE-së shtruan rrugën drejt hapjes së bisedimeve”, ndërsa ambasada amerikane në Tiranë përveç përgëzimeve theksoi nevojën që Shqipëria “të rrisë përpjekjet për të përfunduar reformat kyçe”.

Lista e reformave të kërkuara nuk është e re, por ajo është shumë e gjatë. Çështja tjetër e re është një paragraf i deklaratës që flet për procedurën se si do të mbërrihet te vendimi për hapjen e bisedimeve. “Vendimi për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë do të jetë subjekt i plotësimit të procedurave parlamentare kombëtare,” thuhet në deklaratë, gjë që do të thotë se parlamentet e vendeve anëtare do të duhet të japin një opinion dhe se Shqipërisë dhe Maqedonisë do t’i duhet të bindin jo vetëm Komisionin Europian, por edhe deputetët e disa vendeve anëtare.

Brenda dymbëdhjetë muajve të ardhshme, kur progresi i Shqipërisë do të vlerësohet sërish, kërkohet krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, një reformë zgjedhore për të reflektuar vërejtjet tashmë të akumuluara prej disa palë zgjedhjesh të OSBE/ODIHR, luftë e pakompromis kundër korrupsionit, reforma në administratë publike dhe “çmontim të organizatave kriminale”. Përdorimi i termit “çmontim të organizatave kriminale” duket se është një hyrje re në gjuhën e BE-së, e cila deri tani ka kërkuar në terma të përgjithshme luftë kundër krimit të organizuar.

Reforma zgjedhore, e cila është zvarritur së paku që nga zgjedhjet e vitit 2013 kërkon shumicë të cilësuar parlamentare dhe kompromis mes maxhorancës dhe opozitës. Ndonëse raporti i Këshillit Europian flet me terma të përgjithshme për “trajtimin e rekomandimeve të akumuluara të OSBE/ODIHR”, një rezolutë e parlamentit gjerman e miratuar para pak ditësh është më specifike dhe kërkon që para hapjes së bisedimeve, qeveria të ketë prezantuar në Kuvend “një ligj të ri zgjedhor”. Palët politike në Shqipëri do të kenë mundësi që përgjatë vitit të ardhshëm, së paku për këtë kusht, të vijojnë t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës me akuza të ndërsjella për bllokim.

Shqiptarët janë mësuar tashmë me të ashtuquajturat “opozita bllokuese”. Partia Demokratike akuzoi në vijimësi Ramën gjatë kohës që ishte në pushtet si “bllokator”, për shkak të refuzimit të këtij të fundit për të arritur çfarëdolloj kompromisi, qoftë edhe për çështje jo të rëndësishme si zgjedhja me mirëkuptim e njëAvokati Populli. Rama nga ana e tij akuzoi gjatë muajve të fundit opozitën për hedhje balte me synim bllokimin e integrimit, duke e konsideruar sjelljen e opozitës si “tradhti kombëtare”. Kjo lojë politike ka gjasa të vijojë.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan