Vlerësim për Shqipërinë – Dialogu Ekonomik dhe Financiar mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë
Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi, 28 maj 2018
Dialogu Ekonomik dhe Financiar vjetor me BE-në, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë u zhvillua sot në Bruksel. Programet e Reformave Ekonomike 2018 të paraqitura përshkruajnë kornizën afatmesme makroekonomike dhe fiskale, si dhe një gamë të gjerë reformash strukturore për rritjen e konkurrencës dhe zhvillimit afatgjatë. Programet mbulojnë periudhën 2018-2020. Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane përgatisin vlerësimet e këtyre programeve. Konkluzionet e përbashkëta të takimit përfshijnë udhëzime të politikave specifike për vendin, që pasqyrojnë nevojat më të ngutshme të secilës ekonomi në fushën e qeverisjes makroekonomike dhe reformave strukturore.
Vlerësimi për Shqipërinë
Shqipëria e paraqiti Programin e saj të Reformës Ekonomike 2018-2020 më 31 janar 2018. Autoritetet i kanë zbatuar pjesërisht udhëzimet e synuara të politikave të përcaktuara në konkluzionet e Dialogut Ekonomik dhe Financiar të majit 2017.
Ekspansioni ekonomik i Shqipërisë pritet të vazhdojë në periudhën 2018-2020 si pasojë e kërkesës së brendshme më të fortë. Konsumi privat shihet si nxitësi kryesor i zhvillimit në kontekstin e përmirësimit të tregut të punës, rritjes së besimit dhe kushteve të favorshme financiare. Parashikimet i shohin investimet si një burim shtesë të zhvillimit edhe pse me një ritëm më të moderuar sesa gjatë dy viteve të fundit. Ekziston rreziku që eksportet neto të zbriten nga rritja e PBB-së në funksion të kërkesës së brendshme më të fortë. Politika monetare ka mbetur akomoduese duke pasur parasysh që inflacioni qëndron nën objektivin dhe deficiti buxhetor i stabilizuar në një nivel të moderuar në vitin 2017. Planet e konsolidimit fiskal janë shtyrë në krahasim me programin e vitit të kaluar, çka do të ngadalësojë reduktimin e parashikuar të raportit ende të lartë mes borxhit publik dhe normave të PBB-së.
Sektori bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar dhe rreziqet për stabilitetin financiar mbeten gjithsesi të ulëta. Raporti i kredive me probleme (NPL) është ulur ndjeshëm, çka ka ndihmuar në frenimin e riskut të kredisë, por ende mbetet i rritur dhe një pengesë për shtrirjen e mëtejshme të kredive. Ka pasur njëfarë progresi në lidhje me de-euroizimin në anën e huadhënies, ndërkohë që pjesa e depozitave në valutë të huaj në totalin e depozitave ka vazhduar të rritet. Pas miratimit të strategjisë kombëtare (Memorandumi i Bashkëpunimit) për de-euroizim në prill 2017, Banka e Shqipërisë miratoi disa masa, duke përfshirë rritjen e Normës së Rezervës së Detyrueshme për detyrimet e pranueshme në valutë të huaj të bankave. Është dhënë një licencë për të hapur bursën e parë private për të kontribuar në thellimin e tregjeve të kapitalit aktualisht shumë të cekëta, që e filloi veprimtarinë e saj në fund të shkurtit 2018.
Pengesat strukturore për zhvillimin dhe konkurrencën përfshijnë pronësinë ende të paqartë të tokës dhe zbatimin e pamjaftueshëm të të drejtave pronësore, nivelin e lartë (ndonëse në rënie) të informalitetit dhe korrupsionin, pavarësisht progresit të arritur përmes reformës së drejtësisë, barrën e tepruar rregullatore dhe paparashikueshmërinë në sistemin gjyqësor, që veprojnë si një dekurajim si për investimet e huaja ashtu dhe për ato vendase. Mungesa e një kadastre gjithëpërfshirëse pengon zhvillimin e sektorit të bujqësisë, turizmin, përmirësimet e infrastrukturës dhe qasjen në financa, ndër të tjera.
Krijimi i kushteve të favorshme për investime private do të mundësonte investimet shumë të nevojshme në infrastrukturë. Përfundimi i liberalizimit të tregut të energjisë është i rëndësishëm. Ka pasur një progres të kufizuar në ndarjen e tregjeve të energjisë elektrike dhe të gazit me përgatitjen e një plani ndarjeje dhe me ngritjen e një kompanie të re gazi. Mospërputhja e aftësive, faktorët dekurajues për të punuar dhe mbështetja e dobët e punësimit kontribuojnë në papunësinë e lartë të të rinjve dhe në pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës.
Nuk ka një qasje gjithëpërfshirëse për të adresuar incidencën e lartë të punës së padeklaruar. Përpjekjet për t’i adresuar këto sfida kanë qenë të kufizuara.
Pjesëmarrësit vërejnë se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në disa fusha, siç është paraqitja e të dhënave për treguesit Evropë 2020, por nuk e ka përmirësuar përputhjen me kërkesat kryesore vjetore të agregateve kombëtare për sa i përket plotësisë, pasi të dhënat e vitit 2016 për shpenzimet nuk janë transmetuar . Lidhur me popullsinë dhe punësimin, Shqipëria transmeton vetëm të dhëna totale të popullsisë për seritë e plota kohore. Të dhënat e llogarive të sektorit jofinanciar dhe të llogarive financiare ende nuk janë siguruar. Pjesëmarrësit morën parasysh progresin në paraqitjen e statistikave të deficitit qeveritar dhe të borxhit. Pjesëmarrësit rekomanduan shtimin e përpjekjeve për të përmbushur kërkesat e njoftimit EDP (procedura e deficitit të tepërt). Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të plotësuar boshllëqet për statistikat infra-vjetore, si dhe për transmetime të rregullta të statistikave financuare tremujore qeveritare.
Në dritën e këtij vlerësimi, Pjesëmarrësit e ftojnë Shqipërinë:
- Të fusë masa të mëtejshme të konsolidimit fiskal me qëllim përmbushjen e objektivit të treguar afatmesëm për reduktimin e borxhit publik nën 60% të PBB-së në vitin 2021.
- Të mbështesë konsolidimin fiskal (i) duke forcuar më tej administratën tatimore; (ii) duke zgjeruar bazën tatimore dhe duke shmangur përjashtimet e reja tatimore; (iii) duke zbatuar plotësisht taksën e pronës të bazuar në vlerësim; dhe (iv) duke garantuar që Partneritetet e reja Publik-Privat të kontraktohen vetëm në bazë të analizave të qëndrueshme të kostos dhe përfitimeve dhe vlerësimeve të riskut fiskal.
- Ta kryejë politikën monetare në përputhje me arritjen e objektivit të inflacionit. Të rrisë transparencën e komunikimit të politikës monetare duke publikuar seritë kohore mbi inflacionin bazë dhe pritshmëritë e inflacionit. Të zbatojë masat e mbetura të strategjisë së ristrukturimit të kredive me probleme (NPL), gjithashtu me qëllim adresimin e faktorëve që pengojnë qasjen në financa për korporatat. Bazuar në analizën e rregullt të treguesve përkatës dhe vlerësimin e ndikimit, të eksplorojë masa të tjera në përputhje me Memorandumin e Bashkëpunimit për të rritur përdorimin e monedhës kombëtare në të gjitha nivelet.
- Të sigurojë liberalizimin efektiv të tregut të energjisë dhe funksionimin e shkëmbimit të energjisë elektrike. Të miratojë dispozitat ligjore për të zbatuar në mënyrë efektive strategjinë kombëtare të energjisë dhe për të zgjeruar më tej kombinimin e furnizimit me energji, duke u fokusuar në nxitjen e efiçencës së energjisë dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme përtej hidrocentraleve.
- Të forcojë më tej procesin e regjistrimit kadastral, të tokës dhe të pronës, duke përfshirë sqarimin e pronësisë së tokës, me një theks të veçantë në defragmentimin dhe konsolidimin e tokës bujqësore, si dhe trajtimin e shpejtë të rasteve në rastin e procedurave gjyqësore. Të përforcojë masat për të finalizuar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës.
- Të sigurojë kapacitete të mjaftueshme për zbatimin e politikave të punësimit, në veçanti për të rinjtë dhe gratë, si dhe të përmirësojë lidhjet mes masave aktive dhe pasive të punësimit. Të adresojë punën e padeklaruar, duke përfshirë përmes fuqizimit të inspektoratit të punës. Të mbështesë zhvillimin e arsimit bazë dhe të rrisë investimet në trajnimin fillestar të mësuesve.