Edukimi financiar në funksion të rritjes ekonomike
Nga Pajtim Melani, gazeta Panorama, 27 maj 2018
Edukimi financiar u referohet proceseve qeveritare të rregullatorëve dhe të biznesit, nëpërmjet të cilave të ardhurat e siguruara nga taksat, tatimet, pagesat dhe filantropitë shpërndahen dhe shpenzohen për mbështetjen financiare dhe operacionale të shkollave dhe universiteteve në praktikimin e njohurive financiare, që i lejojnë individët të marrin vendime të informuara dhe efektive me burimet e tyre financiare.
Rritja e interesit për financat personale është tashmë në axhendën e shumë qeverive, përfshirë dhe atë shqiptare, me fokus të kuptuarit e koncepteve bazë të financës, që u mundëson individëve të kenë më shumë akses në tregjet financiare dhe të menaxhojnë më mirë financat e tyre personale. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë marrja e vendimeve të duhura për kursimet, investimet në Bursa apo Fonde Investimesh, kredinë, planin e pensionit apo depozitat që do të na mundësonin përmirësimin e pozicionit financiar në kushtet e rritjes së rreziqeve dhe sofistikimit të produkteve/shërbimeve financiare.
Por edukimi financiar është i rëndësishëm jo vetëm për financat personale, por për ekonominë në tërësi pasi e bën shpërndarjen e burimeve më eficiente në funksion të rritjes ekonomike dhe reduktimit të varfërisë. Ndërkohë që ekonomia shqiptare po rritet me 3.8 -4 % në vit, edukimi në përgjithësi dhe ai financiar në veçanti, mendoj se janë indikatorët kryesorë të cilësisë së rritjes ekonomike dhe mirëqenies së vendit në rrugën e reformave drejt Bashkimit Europian.
Tema e edukimit financiar po përsëritet shpesh kohët e fundit, ndoshta për të plotësuar një vakum të thellë në mungesën e njohurive për tregjet financiare në Shqipëri, e sidomos ato jobankare. Fondet e investimeve, fondet e pensioneve private, Bursa e Letrave me Vlerë, Tregu sekondar i Bonove të Thesarit dhe Obligacioneve të qeverisë kanë qenë në qendër të strategjisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për edukimin financiar. AMF ka realizuar projekte konkrete në drejtim të edukimit financiar. Hapja e një dege masteri profesional për Menaxhim në Sigurime riktheu në bankat e universitetit privat “Luarasi” më shumë se 50 profesionistë të tregjeve të sigurimeve.
Për vitin e ardhshëm, besoj drejtimi do të ndryshojë, studentët që do të zgjedhin një master për Menaxhim në Sigurime do të orientohen nga bankat e shkollës drejt tregut të sigurimeve. Investimet financiare dhe sigurimet si mënyrë për t’u mbrojtur nga të papriturat vlerësohen si faktorë themelorë për një ekonomi të orientuar nga dijet dhe janë të rëndësishme në të gjitha fazat e zhvillimit, pavarësisht nga format dhe mënyrat e ndryshme të tyre. Kapacitetet për të zhvilluar, përshtatur dhe zbatuar teknologjitë e sigurimeve në struktura ekonomike, si dhe për t’i përhapur ato në shoqëri, për të zhvilluar në mënyrë krijuese produkte dhe shërbime të reja, duke përdorur fondet dhe kapitalet për investime janë themelore për ekonominë kombëtare.
Qëllimi është të kombinohen njohuritë teorike me aftësitë profesionale, që mund të arrihet me anë të stazheve profesionale të Sigurimeve tradicionale dhe me trajnime në laboratorë informatike si dhe me veprimtari specifike në kompani të ndryshme. Ideja ime është që mastera të ngjashme të tregjeve financiare mund të zhvillohen nga universitet publike dhe ato private jo vetëm për industrinë e sigurimeve, por edhe për Bursën, Fondet e Investimeve, Fondet e Pensioneve Private, letrat me vlerë të qeverisë e obligacionet bashkiake.
Përveç draftimit dhe miratimit në Bord, të strategjisë së edukimit financiar, e cila është përkthyer në një plan konkret projektesh dhe programesh, viti 2017 shënoi zhvillime pozitive reale në rritjen e interesit për të studiuar tregjet financiare që mbikëqyr AMF. Studentët iu përgjigjën me shumë pasion ftesës së AMF-së për të konkurruar për çështje të ndryshme të edukimit financiar, si dixhitalizimi në tregun e sigurimeve; fondet e investimit, Bursa dhe faktorët që ndikojnë në funksion të saj; arbitri mbi mosmarrëveshjet financiare: një model i ri për mbrojtjen e investitorëve; zhvillimi i fondeve të pensioneve private vullnetare etj.
Çmimet për studentët fitues lidheshin me kontrata punësimi në shoqëritë që veprojnë në tregjet nën mbikëqyrje, mundësinë e intershipeve etj. Sigurisht që autoriteti për rritjen e edukimit financiar ka gjetur mbështetjen e industrive financiare dhe Ministrisë së Arsimit. Shoqatat e tregjeve nën mbikëqyrje, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve Private dhe Fondeve të Investimit, si dhe Shoqata e Tregtimit të Titujve duhet të luajnë rolin e tyre në rritjen e edukimit financiar.
Strategjia e edukimit financiar duhet të demonstrojë se ka një lidhje të fortë mes edukimit financiar, me kostot që duhet të përballojnë institucionet financiare, detajim it të programeve të qarta dhe praktike, rritjes cilësore dhe sasiore të mësimdhënësve të lëndëve financiare dhe zhvillimit të produkteve si kreditë për shkollim, të cilat sigurojnë kthimin e investimit për studentët dhe bankat. Elementët dhe komponentët e strategjisë të japin rezultate në nivele mikro, për gjithë investitorët dhe institucionet financiare të përfshira, por edhe makro, për të siguruar një zhvillim dhe rritje ekonomike cilësore. Por edukimi financiar është i lidhur ngushtë edhe me stabilitetin financiar të ekonomisë.
Është e qartë që njohuritë financiare do të ndryshonin shumë vendime tonat lidhur me kontratat e punës, blerjen e një apartamenti, sigurimin e pronës apo investimin në një plan pensioni privat. Por është edhe një faktor kyç për reduktimin e pabarazisë dhe për këtë arsye investimi në arsim e sidomos në edukimin financiar mund t’u japë një shans më të mirë të gjithë nxënësve dhe studentëve.
Duhet të jemi të sigurt që asnjë trup social, asnjë nxënës apo student nuk duhet të ketë mungesë aksesi në edukimin financiar. Së fundmi, në kushtet e dixhitalizimit, edukimi financiar dhe shmangja e risqeve të larta, merr një rëndë- si të madhe sepse mund të shkatërrojë në pak minuta gjithë shëndetin financiar të një familje dhe në afatgjatë të rikthejë krizat financiare. Investimet në platforma online të palicencuara apo kriptomonedhat(ende pa njohje nga Rregullatorët), përmbajnë risqe të konsiderueshme dhe për këtë arsye AMF ka qenë proaktive në ndërgjegjësimin e investitorëve, mbrojtjen e tyre dhe diskutimin në Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë për ndërgjegjësimin e investitorëve.