Europa që nuk beson më
Nga Pier Ferdinando Casini botuar Mapo, 24 prill 2018
“Nuk do ju flas për Italinë, por për Europën dhe jo për Europën e djeshme apo të sotme, por për Europën e së nesërmes, për atë Europë që duam ta mendojmë, ta përgatisim dhe ta ndërtojmë”, po përdor disa shprehje të thëna gjatë një fjalimi në radio, në vitin 1952 nga Alcide de Gasperi, pasi kujtimi i një prej etërve themelues të Europës duhet të na bëjë të gjithëve të lëmë mënjanë përpjekjet mazokiste dhe euroskeptike e të përqafojmë me bindje projektin e një Europe gjithmonë e më të fortë, gjithmonë e më të madhe e më pranë popujve europianë.
Sot nuk ka vend për ndalesa të forta e nuk mund të lëmë pas dore aspiratën legjitime teksa shohim të mirëpritur – pothuaj pas 70 vjetësh nga lindja e idesë politike të Europës – frytin e përpjekjeve, të sakrificave, të propozimeve të parashtruara nga etërit themelues, që ndër vite u pranuan dhe u kultivuan më tej nga klasat drejtuese europiane.
Debati mbi të ardhmen e Europës
Europës sot i duhet të përballet me sfida të reja e angazhuese. Kërcënimet që, në këtë moment historik, vënë në rrezik – për herë të parë që nga nënshkrimi i Traktatit të Romës – integritetin dhe stabilitetin e Bashkimit, në thelb janë dy llojesh.
I pari, ka karakter të jashtëm dhe është i lidhur me situatën e re gjeopolitike të botës: BE-ja është e kërcënuar nga Kina, Rusia dhe nga luftërat dhe nga terrorizmi në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, por edhe nga administrata e re e SHBA-ve që duket se po vë në diskutim shtatëdhjetë vitet e fundit të politikës së jashtme amerikane.
I dyti ka karakter të brendshëm dhe ka të bëjë më përparimin e ndjenjave kundër BE-së, nacionaliste dhe ksenofobe brenda vetë Unionit, të cilat e kërcënojnë nga brenda integrimin politik dhe vlerat themelore të demokracisë liberale. Marine le Pen në Francë, Viktor Orban në Hungari, Geert Wilders në Holandë, Grillo e Salvini në Itali, sa për të përmendur disa.
Ideja për të bashkuar Europën mori udhë nga një këndvështrim edhe në një kontekst të luftës së ftohtë. Lindi si një përforcim i atij pakti mes vendeve perëndimore që, në mbrojtje të vlerave të përbashkëta, duhet të kufizonte kërcënimin sovjetik e të nxiste një zonë të tregut të lirë.
Mirëqenia ekonomike e pasluftës, rritja ekonomike dhe shoqërore si dhe ndërlidhjet mes kombeve, kanë qenë një mbështetje për atë që në një farë pike duket se ishte një proces i pakthyeshëm i destinuar për t’u realizuar plotësisht.
Ndjenja europiane konsolidohej te faktet, duke u shndërruar nga një aspiratë krejtësisht intelektuale që kishte lindur mes klasave të kulturuara europiane në një ndjenjë të masës.
Sot të gjitha këto kushte nuk janë më: bota nuk është më dypolëshe, SHBA duket se janë pak të interesuara për Europën dhe si të tilla, kriza ekonomike dhe terrorizmi islamik e kanë dëmtuar ndjeshëm besimin dhe shpresën e popujve europianë.
Vetë institucionet europiane shpesh perceptohen si organizma burokratikë që më tepër janë të interesuar për të bërë ligje e rregulla sesa për të afirmuar një interes të përbashkët në emër të një ndjenje të përbashkët europiane.
Ligjërata pro Europës e Macronit
Për këto arsye, fjalimi mbi të ardhmen e Europës së Emmanuel Macronit (që u mbajt në sallën e Parlamentit Europian në Strasburg më 17 prill) u përqendrua pikërisht mbi nevojën e nxitjes së një sovraniteti të ri europian: “Është i nevojshëm një sovranitet europian: të mbrosh idenë europiane nuk është të mbrosh një ide abstrakte, do të thotë të nisesh nga fakti se shërben një sovranitet më i fortë sesa ai aktual; kundrejt migracioneve, pasigurisë planetare, transformimeve mjedisore dhe shoqërore, ai do të bëjë të mundur që të japim përgjigjet e duhura”.
Macron e përvijoi qartazi rrezikun e madh të një “lufte civile” që po vërtitet në kontinentin tonë dhe parashtroi nevojën e rikrijimit (e të mos e shkatërrojë sikurse e mbështesin lëvizjen euroskeptike) të një modeli që tashmë duket se përjeton një krizë të përhershme identiteti: “Nuk mund të bëjmë gjoja sikur jemi në një kohë normale, ekziston dyshimi që përshkon shumë prej vendeve tona europiane mbi Europën, po shfaqet një lloj lufte civile europiane; po dalin në pah egoizmat tona nacionale dhe ndjenjat antiliberale”.
Për këtë qëllim, Macron shpalosi edhe një roadmap të përcaktuar qartë: “brenda përfundimit të legjislaturës duhet të arrijmë rezultate konkrete: një program europian për pritjen dhe integrimin e refugjatëve; një tatim afatshkurtër për digjitalen, në mënyrë që të ofrojë burimet e tij për buxhetin, reforma në unionin bankar dhe qëndrueshmëria e buxhetit; siguri e brendshme, fond europian për mbrojtjen. Ajo çka na mban së bashku është një kulturë, jo një monedhë”.
Çështja e zgjerimit
Shumë vende kanë shprehur dyshimin se një zgjerim i mëtejshëm i BE-së mund të sjellë më shumë rreziqe sesa përparësi për vetë Unionin. (Vetë Macron e shprehu qartë se do të mbështetë “zgjerimin vetëm atëherë kur do të kemi një reformë të thellë të Europës sonë”).
Gjithsesi janë të shumtë ata – i pari ndër të tjerë kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker – që vijojnë të besojnë se e ardhmja e Europës mund të ndërtohet vetëm duke e plotësuar shtëpinë europiane, duke u ofruar vendeve të tjera “një perspektivë europiane të besueshme” që të mund të ndryshojë ndjenjat kolektive e të lartësojë aspiratën për të zhvilluar më tej integrimin europian.
Nëse Bashkimi Europian nuk do që interesat e tij të cenohen nga loja përça e sundo e fuqive të mëdha ( që mbështetjen e saj natyrale e gjen te partitë nacionaliste antieuropiane), nevojitet në fakt që të provojë të shndërrohet ajo vetë në një fuqi të madhe.
Nga ana tjetër, shpërbërja e Bashkimit Europian nuk do të sillte rifitimin e sovranitetit të plotë të shteteve anëtare, por varësinë e tyre të vërtetë nga superfuqitë e tjera të mëdha (SHBA, Rusi, Kinë).
Vendet europiane të marra veçmas janë të parëndësishme, vetëm bashkë mund të jenë plotësisht të pavarura. E pikërisht këtu qëndron fuqia e Bashkimit Europian: të mos kemi shumë politika aq sa janë edhe shtetet anëtare, por të kemi një të vetme, mjaftueshëm koherente sa për të përvijuar interesin e tij dhe për ta mbrojtur atë.
Sot, është më shumë se kurrë e nevojshme të besosh në një Europë sovrane, e aftë të imponojë vlerat e saj, interesat e saj të përbashkëta në rruzull për të kapërcyer sfidat që na vë përpara një botë gjithnjë e më shumë e globalizuar: nga çështja e menaxhimit të prurjeve migratore tek e drejta për azil, nga mbrojtja e përbashkët te qëndrueshmëria financiare e Eurozonës.
Ballkani
Ajo çka jemi sot, ajo çka po përpiqemi të ndërtojmë në të ardhmen e afërt është trashëgimi e një mendimi pjellor dhe e një veprimi të vendosur, që është mirëpritur duke tejkaluar kështu pritshmëritë fillestare e që ka mundur të zhvillohet më tej falë edhe ndryshimeve politike në dhjetëvjeçarët e fundit, si rrjedhojë e shpërbërjes së regjimeve totalitare të llojit sovjetik dhe afirmimit të modeleve të reja të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në këtë perspektivë nuk duhet të harrojmë që Ballkani ka qenë gjithmonë skenë e ngjarjeve të mëdha të cilat kanë shënuar historinë e kontinentit europiane.
Pozicioni i veçantë strategjik, si urë mes Europës dhe Rusisë e mes Europës dhe Lindjes së Mesme, në fakt ndër shekuj e ka bërë këtë zonë të jetë një qendër e vërtetë nevralgjike e historisë europiane dhe e përballjes mes fuqive të çdo kontinenti, “një hapësirë që prodhon histori më shumë se ç’mund të konsumojë”, sipas Winston Churchill.
Në vitet ’90, rënia e Murit të Berlinit e për rrjedhojë shfaqja e entiteteve të mëdha multinacionale Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia, regjistruan një drejtim të ri për integrimin e hapësirave boshe, duke u dhënë shkas kështu luftërave për shpërbërjen e Jugosllavisë, të cilat jo rastësisht ndodhën në kurriz të një tranzicioni të madh gjeopolitik.
Në këtë kontekst, mungesa e një aksioni politik konkret nga ana e Europës (që në një farë mënyre e ndihmoi ndërhyrjen në këtë zonë të Shteteve të Bashkuara për arritjen e interesave të tyre strategjike) jo vetëm që ka penguar gjetjen e një zgjidhjeje por ka ushqyer kontrastet ekzistuese.
E gjithë kjo teksa Europa dhe komuniteti po përpiqeshin të krijonin një treg të përbashkët dhe të negocionin Traktatin e Maastrichtit, për krijimin e një Unioni ekonomiko-monetar.
Pra, kjo krizë jo vetëm që përbën një kërcënim për rendin europian që po krijohet por padyshim dhe një mundësi të munguar në të cilën Europa duhet të kishte treguar se ekzistonte dhe se dinte të vepronte si një fuqi e madhe.
Ndaj, edhe për këtë, sot Europa ka për detyrë ta integrojë këtë zonë përmes një strategjie zhvillimi dhe ndërlidhjeje rajonale që ët krijojë një rrjet të konsoliduar infrastruktural në mënyrë që të lehtësojë dhe të rritë shkëmbimin ekonomik dhe “kontaminimet” kulturore të nevojshme për zgjimin e ndjenjës së përkatësisë europiane, e domosdoshme për një bashkim politik të vërtetë e të strukturuar.
Për këtë qëllim është e rëndësishme të kujtojmë se nëse Europa dëshiron me të vërtetë të shohë Udhën e Mëndafshit si një objektiv strategjik, ndërtimi i urave mes dy brigjeve të Adriatikut duhet të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur.
Pra, për këtë rajon që ende po lan hesapet me një histori shumë të afërt, formalisht mund të hapen shpejt dyert e integrimit europian. Më 2025 Bashkimi Europian mund të arrijë të përmbledhë 33 shtete, duke përmbushur fazën e dytë të Bashkimit Europian të nisur në fillim të shekullit XXI: jashtë Britania e Madhe, brenda Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina.
Gjithmonë kam pasur bindjen se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë dhe se shqiptarët – që ende e kanë të gjallë kujtimin e luftërave që përfunduan vetëm para pak vitesh – dinë ta mirëpresin deri në thelb vlerën e Bashkimit Europian, të kësaj aleance që lindi për të sjellë paqe e begati për vendet që ndër shekuj kanë luftuar.
Për këtë vend nuk ka alternativë tjetër për të ardhmen e tij europiane dhe se drita jeshile e Brukselit për çeljen e negociatave për anëtarësim, e datës 17 prill, përbën një rezultat të rëndësishëm për të cilin Italia ka punuar me vendosmëri.
Edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të shumtë në këtë drejtim, sot i kërkohet që të vijojë përpjekjet e saj me energji të reja: duhet t’u përshtatet rregullave të përbashkëta dhe të gjejë prirjen e saj në kuadër të Bashkimit Europian duke u përpjekur që veçoritë e saj t’i adresojë brenda kufijve të pamat të Europës së re.
Por, pikërisht perspektiva e të qeni pjesë e një projekti të madh europian do të bëjë të mundur që të shohë me më shumë optimizëm mundësitë për stabilizimin, zhvillimin e vendit dhe qasjen në përputhje me standardet për funksionimin e institucioneve, të burokracisë dhe të tregjeve.
Edhe ne italianëve na është dashur që ndër vite të përballemi me sakrifica të mëdha, por këto sakrifica janë pranuar me vetëdijen se do ta bënin më të lehtë hopin cilësor, aq të nevojshëm për të qenë protagonistë në kontekstin europian.
Dhe sot Italia është një motor themelor për zhvillimin e Europës, pavarësisht se edhe këtu kanë gjetur hapësirë frikërat dhe dyshimet euroskeptike të cilat si edhe në vende të tjera europiane, kanë karakterizuar qëndrimet e opinionit publik si edhe kanë favorizuar lindjen e lëvizjeve thellësisht kundër organizmave komunitare, në dobi të lëvizjeve lokaliste apo të frymëzuara nga një nacionalizëm ekstrem.