Përse elitat politike i shmangen ideimit të një strategjie kombëtare?
Nga Kristaq Xharo, botuar në Mapo, 17 prill 20188
Mjaftojnë edhe muajt e parë të vitit 2018, për të shtuar dilemat në ngjarjet dhe qëndrimet zyrtare në të dy anët shqiptare të kufirit për impakte strategjike që lidhen me nivelin kombëtar. Qëndrimi ndaj përfaqësuesve të aleatëve strategjikë në vendin tonë, qëndrime në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, dëbimi i diplomatëve apo ekstradimi i qytetarëve nga Kosova, reagimet e ‘vëllaut të madh’, debatet për vijat e demarkacionit, ‘divergjencat’ midis dy shteteve e deri në traun e tunelit, janë ngjarje që për nga impakti kalojnë në nivel strategjik. Këto ngjarje, vështruar për nga mënyra e veprimit dhe limitet kohore mund të përcaktoheshin në taktika, por vlerësuar nga impakti, ato ndodhen në nivel strategjik. Taktikat si rregull janë pjesë e strategjisë kur ato ecin në të njëjtën linjë. Por, taktika të tilla, kontradiktore dhe refraktare, vështirë mund të linjëzohen si pjesë e ndonjë orientimi të mirëfilltë strategjik. Të paktën kjo është ndjesia e një pjese të mirë të publikut. Kjo mënyrë e zhvillimit të ngjarjeve, të paktën për këtë çerek shekull. A ndikon mungesa e kësaj strategjie në një vizion të përbashkët kombëtar? Në kohën që jemi një nga kombet më të shpërndarë ku afërsisht gjysma ndodhet në trojet e veta natyrale dhe gjysma tjetër e shpërndarë në botë, a ka një strategji të përbashkët që orienton e harmonizon pjesët? Përveç flamurit, himnit dhe kombëtares së futbollit ndihet boshllëku i një gjeneratori ndjenjash dhe idesh, që përbashkon njerëzit e të njëjtës gjuhë dhe origjinë? Një komb pa strategji është një anije pa busull. Elitat politike mund të pretendojnë për strategji dhe për interesa kombëtarë por ato çka ato afrojnë, edhe sikur, nuk mund të ngrihen në nivelin kombit, jo vetëm për kufizime në shtrirjen gjeografike, por edhe atë kohore.
Termi strategji rëndom është përdorur në çdo fushë: siguri, mbrojtje, mjedis, kulturë e të tjera e pse jo edhe të kullimit të ujërave. Këto lloj strategjish, formalisht, nuk kanë munguar. Por, fjala është për diçka më shumë – për strategji kombëtare. Është ideja për atë që Kolin Grei, Robert Art, Kristofer Lein, Hju Stracan e shumë zëra të tjerë dominantë në studimet ndërkombëtare e quajnë ‘grand strategy’. Ky term në rastin tonë mund të shqipërohet në ‘strategji madhore’ ose në ‘strategji kombëtare”. Kjo strategji, sipas autorëve të mësipërm, ka për objekt çështjet më themelore të kombit, në kohë paqe, krizash e konfliktesh dhe lidhet me interesat më jetikë të një kombi. Strategjia Madhore harmonizon të gjitha llojet e strategjive: të sigurisë, të mbrojtjes, politike, diplomatike, ekonomike apo edhe atyre specifike, si pjesë e përpjekjeve për mbijetesë dhe prosperitet. Në kuptimin e nevojës për një strategji madhore (kombëtare) Lidëll Hart një nga teoricienët dhe historianët më të famshëm të strategjisë thotë se Strategjia Madhore (SM) në botën moderne është arti i menaxhimit të burimeve të një kombi dhe përfaqësimit të interesave të tij, në kohë paqeje dhe rreziku, pa kufizime kohore. Me fjalë më të thjeshta – vazhdon ai- është mënyra se si një vend/komb “kërkon të gjejë hisen e vet nën diell”; është një reflektim i historisë së pandërprerë, krijim dhe vepër e brezave, orientim për të ardhmen. Pra, strategjia kombëtare nuk është strategji kundër askujt tjetër, por strategji për të ruajtur dhe promovuar interesat kombëtarë në të tashmen dhe të ardhmen.
Qoftë edhe për ato çfarë kemi parë në gjithë këto vite, një strategji e tillë dukshëm ka munguar. Lëvizje kaotike me harxhime kolosale energjish, bërje dhe ribërje historish, kanë qenë të pranishme në skenën politike të të dyja shteteve shqiptare. Ndërsa për gjysmën tjetër të shpërndarë nuk ka patur asnjëherë debat. Mungesa e një strategjie të tillë madhore, frutë i konsensusit logjik të të gjithë faktorëve vazhdon të mbetet një nga boshllëqet më të mëdha. E parë më prekshëm, tri momente të veçanta të një strategjie madhore: interesat kombëtarë, fuqia (burimet) kombëtare dhe mënyra e sjelljes së elitave ndaj tyre dhe ndaj aleatëve strategjikë janë ato që orienton një strategji madhore. Në vlerësim cilësor çdo strategji, që ndodhet aktualisht dhe e emërtuar ‘kombëtare’ nuk ka arritur të trajtojë aspekte të karakterit strategjik kombëtar si interesa, potenciale, aleanca, zhvillime e perspektiva, që do të kishin impakt mbarëkombëtar.
Përse elitat politike i shmangen ideimit të një strategjie madhore? Nuk ka një përgjigje të vetme ndaj kësaj pyetjeje, por disa momente ku strategjia sfidohet nga politika ndërkohë që mund të gjejnë hapësirën e harmonizimit dhe unifikimit. Së pari, partitë politike, si aktorë kalimtarë në historinë e një kombi e kanë vështirë të vlerësojnë misionin si pjesë e një strategjie më të madhe. Strategjia madhore që mundëson sigurimin e një qëllimi dhe drejtimi të unifikuar për elitat drejtuese, kufizon dëshirën dhe ambicien për veprim të palimituar. Elitat politike historikisht kanë dominuar veprimet strategjike duke i dhënë superioritet taktikave politike. Luhatjet apo edhe shmangia për hartuesit e politikave, në vlerësimin e burimeve, aleatëve dhe aleancave strategjike tregojnë diferenca të mëdha midis taktikës dhe strategjisë. Taktikat elektorale kanë dominuar mbi strategjinë madhore edhe pse taktika pa strategji është thjesht një zhurmë përpara humbjes. Edhe pse një strategji madhore, siç shprehet Eduart Lutvak zvogëlon rrezikun e vendimeve kaotike të elitave drejtuese, përsëri ato i shmangen iniciativës për ideimin e strategjisë.
Së dyti, strategjia madhore, ‘në kundërshtim’ me oreksin e elitave (partive) politike përcakton hapësirën “për të luajtur”. Ajo (strategjia) ideon elitat dhe lidershipin që duke njohur vizionin strategjik të ‘luajnë’ në nivel taktik dhe operacional për të realizuar strategjinë madhore. Ajo limiton në nivel të riparueshëm gabimet apo dëmet e elitave apo lidershipit. Askush nuk mund të dalë mbi strategjinë, sepse aty ndodhen interesat e burimet dhe fuqia kombëtare. Loja e gabuar, qoftë edhe përkohësisht, në nivel strategjik, nuk kufizon dëmet vetëm te liderët apo elitat drejtuese (sunduese), por zgjeron ndikimet në nivel kombëtar, që shtrihen në kohë dhe në hapësirë.
Së treti, ndërsa strategjia madhore është një trinitri klauzeviciane: interesa- fuqi (burime) – sjellje strategjike ndaj aleatëve apo aleancave, dendur, kjo nuk shkon në etikën dhe oreksin e sjelljes së lidershipit, që ndihet historik dhe i plotfuqishëm për të mos respektuar nivelin dhe standardet e lojës. Fatkeqësisht, ka mjaft shembuj, në historinë tonë, që elitat drejtuese, të ekspozuar në kufijtë e marramendjes së pushtetit, të mos respektojnë “nivelin e lojës”, të injorojnë këtë trinitri strategjike, të mos njohin apo injorojnë fuqinë dhe burimet kombëtare, të mos maturojnë sjelljen e të rrezikojnë raportet me aleatë dhe aleanca strategjike për interesat e ngushtë politikë.
Së katërti, strategjia orienton sjelljen strategjike të lidershipit. Liderët, jo rrallë për të fituar beteja politike në nivel operacional apo përplasjet partiake në nivel taktik nuk hezitojnë të pleksin nivelet, dhe të sfidojnë objektivat strategjikë – interesat kombëtarë. Edhe pse, historia tregon shpejt ose vonë që loja në këto nivele kthehet në bumerang, kjo nuk i pengon lojtarët të sfidojnë strategjinë, e ta konsiderojnë veten strategë dhe strategjikë.
Së pesti, strategjia (madhore) siç shprehet Kolin Grei, ndihmon për të siguruar e menaxhuar burimet strategjike të vendit duke mbikëqyrur shpërndarjen e tyre. Në të kundërt, çdo elite, që i shmang strategjinë “mbytet” në çështje të momentit dhe shpërdoron burime fuqie, në të cilat do të mbështetej e ardhmja. Jo rrallë, elitat politike e kufizojnë vizionin e vet në nivel elektoral (4-vjeçar), duke mos u shmangur nga abuzimi i atyre burimeve, të cilat do të duhej të mbeteshin “gurë të rëndë” në themelet e kombit. Fakti që mungon një listim jo vetëm i aseteve strategjike, por edhe vizion strategjik i menaxhimit të tyre edhe nga brezat është kambanë alarmi për strategji kombëtare. Ne dimë çfarë na mungon sot, por e kemi të vështirë të mendojmë se çfarë do ti mungoj gjeneratës tjetër. Strategjia kërkon të orientoj kombin edhe pas 25, 50 apo 100 vitesh.
Së gjashti, elitat politike në vendin tonë e kanë ndërtuar veprimin e tyre politik, kryesisht në unitetin e mohimit të gjithçka të arritur më parë. Kjo vjen në kundërshtim me strategjinë madhore që është një qasje sistematike dhe e vlerësuar ndaj interesit kombëtar që reflekton kontributin e pandërprerë në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë aktorëve. Elitat politike, si aktorë të përkohshëm kanë shansin të kontribuojnë në mënyrë të përhershme ose dëmtojnë në mënyrë të përkohshme interesat strategjikë të kombit.
Së shtati, strategjia minimizon apo shmang “pikat e këputjes” historike, të cilat për fat të keq në historinë tonë si komb e më vonë si shtet shfaqen sa herë që ndryshojnë elitat drejtuese. Tendenca për fillimin e epokave nga “zero”, duket si një trend aq tërheqës për këto elita, sa pak merakosen për vazhdimësinë. Në këto kushte, strategjia madhore e cila është e ftohtë, ‘përplaset’ me interesat koniunkturale të elitave politike, që në çdo kohë janë gati për të kapur pikën e vlimit.
Në përfundim, këto janë vetëm disa nga momentet ku paraqitet përse elitat politike i shmangen koordinimit për të ideuar një strategji madhore. Por kjo shmangie mund të jetë vetëm e përkohshme sepse hartimi i një strategjie vjen si domosdoshmëri për të unifikuar dhe mbrojtur interesat jetike të kombit, që qëndrojnë mbi elitat apo liderët e përkohshëm politikë. Fakti që elitat politike të shteteve shqiptare veç e veç përfaqësojnë vetëm pjesë të veçanta të kombit (Shqipëri deri në 30-35%, Kosovë 20-25%), pra jo më shumë se 50-55% të të gjithë kombit. Në këtë mënyrë shtete shqiptare mund të afrojnë vetëm strategji shtetërore, e bënë të domosdoshme ideimin e strategjisë kombëtare. Ndërkohë, debati lidhur me këtë tematikë mund të thellohet e zgjerohet dhe kontributi i secilit ndihmon më së paku, në hapin e parë, në sensibilizimin e çështjes. Dhe në fund ndoshta atë që dëshirojmë të risjellim në vëmendje e parqet qartë Alvin Tofler, një nga analistët dhe parashikuesit më të mëdhenj bashkëkohor kur thotë se ‘Mungesa e strategjisë, është premisa më e madhe për të rrëshqitur në taktika koniunkturale dhe për t’u bërë, qoftë edhe spontanisht, pjesë e strategjisë së dikujt tjetër…’.