Taksë apo tarifë?

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Ballkanweb, 4 prill 2018

Në çdo vend të botës, pagesa në hyrje të çdo autostrade është tarifë për mirëmbajtjen ose shlyerjen e investimit për atë rrugë. Sapo del nga Tetova dhe i afrohesh Shkupit, autostrada që të çon në të ka sportele ku paguan tarifën e saj. E njëjta gjë ndodh me autostradën pranë Podgoricës në Mal të Zi, si dhe me autostradat në Greqi. Pagesa e një rruge nuk mund të jetë taksë, pse taksa është një detyrim ndaj shtetit që e paguajmë të gjithë (për shembull taksën mbi televizionin publik), pavarësisht se sa e përdorim atë shërbim për të cilin paguhet taksa. Taksat janë detyrimet tona për të mbajtur shtetin në këmbë, që ai të na kryejë shërbime që privati nuk mund të na i kryejë. Kështu që, sado orekse politike dhe partiake mund të ngrihen dhe sillen rreth pagesës për Rrugën e Kombit, ajo është thjesht dhe vetëm një tarifë. Do të vilet për të siguruar mirëmbajtjen e një rruge jashtëzakonisht të kushtueshme, e cila për 8 vjet, që kur hyri në funksionim, as nuk është mirëmbajtur, as nuk është përfunduar tërësisht.

Sot rrezikon të shembet në shumë pjesë të saj, së bashku edhe me një urë! Shumë prej nesh ende nuk e kanë të qartë dallimin e taksës nga tarifa, por një drejtuesi të pushtetit vendor nuk i falet të mos e dijë. Kryebashkiaku i Kukësit foli se është dakord që të paguhen taksat. Duke menduar se taksë është edhe kjo që iu vu Rrugës së Kombit. Në fakt, është vetëm pagesë për mirëmbajtjen dhe përfundimin e saj. Ajo rrugë duhet të paguhet. Buxheti i Shtetit ka paguar mbi 1 miliard euro për të deri tani. Nuk mund të lëshojë para më tepër. Rruga është ndërtuar shumë keq, ka nevojë urgjente për t’u mbaruar dhe mirëmbajtur. Mirëmbajtja duhej dhënë që në fillim me koncesion dhe rruga të tarifohej që pas inaugurimit të pjesës më të vështirë të saj (aksit Rrëshen-Kalimash) në janar 2010. Ajo rrugë shkurton shumë kohë, karburant dhe amortizim makine dhe është e drejtë të paguhet për përdorimin e saj. Po të ishte vendosur tarifa që në fillim, askush nuk do të kishte kundërshtuar dhe nuk do të ishte ndjerë keq sot. Por kjo nuk u bë. U gabua nga të dyja qeveritë e periudhës 2010-2017. Qeveritë e viteve 2009-2013 dhe 2013-2017 nuk guxuan ta bënin, për shkak të kostos zgjedhore të kësaj mase.

Por tarifimi i rrugës është domosdoshmëri, që Buxheti i Shtetit të mos rëndohet sërish deri në rrënim. Kjo qeveri që kemi tani gaboi kur nuk foli qartë përpara qytetarëve të vet për përmbajtjen e kontratës koncesionare. Për faktin se ata që e përdorin më shumë gjatë një viti rrugën (janë banorët e qytetit të Kukësit dhe të fshatrave të këtij qarku) do të pajisen brenda 6 muajve me abone, duke paguar për çdo kalim shumë më pak. Madje t’u mëtonte njerëzve edhe se sa më pak do të paguanin kuksianët. Nuk e bëri këtë gjë si duhet ose fare dhe në protestë dolën shumë qytetarë të Kukësit e banorë të fshatrave përreth me të ardhura modeste ose të pakta. Që janë shqetësuar me plot të drejtë.

Kjo dalje u dha krahë atyre që kërkonin vetëm turbullira, për të shkatërruar dhe djegur sportelet e pagesës së rrugës. Në lojë është dinjiteti i shtetit, jo vetëm i qeverisë. Për të mos pasur shkatërrime dhe djegie të tjera, qeveria bëri mirë që mori 2 muaj kohë, për t’u shpjeguar qytetarëve të saj, sidomos kuksianëve, abonetë e kontratës koncesionare. Qeveria bën mirë të vërë mend me transparencën e plotë për koncesionet që jep. Shume prej tyre, të dhëna gjatë këtyre 11 viteve të fundit, kanë një të kaluar të errët dhe shumë problematike. Partneritetet Publik-Privat, një formë e re koncesioni për ne, kanë filluar të rëndojnë Buxhetin e Shtetit me pagesat vjetore të tyre. Për vitin 2017 paguam si shtet 56 milionë euro. Është pagesa e interesit sikur të kemi marrë borxh për 10 vjet një shumë prej një miliard euro! Këtë vit do të paguajmë edhe më shumë, 70 milionë euro.

Çdo vit kjo faturë do të bëhet gjithnjë e më e kripur dhe e rëndë, sa herë që shtohen koncesionet ku paguan edhe shteti, apo Partneritetet Publik-Privat. Qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë të dinë se ç’po luhet përtej fasadës dhe fjalëve të bukura për shërbimet mjekësore falas, apo për rrugët dhe shkollat që do të na i ndërtojë privati me formulën që duket magjike “Partneritet Publik-Privat”. Qeveria bën mirë ta nisë transparencën e plotë jo vetëm për Rrugën e Kombit në këto 60 ditë që i ka vendosur vetes, por për të gjitha Partneritetet Publik-Privat, që mendon të japë për programin 1 miliard euro të investimeve publike për këtë vit.

Fatos Çoçoli

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan