12 propozime për financimin e fushatës së partive zgjedhore

Nga Open Data Albania, 23 mars 2018

Në proceset zgjedhore 2015 dhe 2017, AIS është angazhuar edhe në iniciativën për Dhomën Zgjedhore, iniciativë e disa organizatave për të monitoruar dhe kontribuar për zgjedhje të rregullta dhe të drejta. Aktualisht AIS është palë kërkuese në një Proces Gjyqësor kundrejt tre partive më të mëdha politike. Gjykatës i është kërkuar të shprehet nëse Partitë Politike si subjekte elektorale, kanë detyrim t’u përgjigjen kërkesave për informim mbi burime të financimit zgjedhorë, në çdo kohë, e konkretisht në kohë reale gjatë fushatës zgjedhore. Procesi aktualisht është në Gjykatën e Lartë.

Propozimet tona kanë të bëjnë vetëm me pjesën Financimi i Fushatës, nene 86 deri 92 të Kodit Zgjedhor.

Konkretisht, ne vijmë këtu me 12 propozimet vijuese:

1. Dhurime vetëm përmes llogarive bankare. Të vendoset detyrimi ligjor për deklarim dhe dhurim me sistem bankar (jo cash) për çdo vlerë dhurimi fond jo publik, e jo vetëm për vlera të dhurimeve mbi 100 mijë lekë. Ndryshim në Nenin 90 pika 2 e Kodit Zgjedhor. Në fushata të mëhershme sikurse edhe kjo e fundit, dhurimet në cash janë deri në 50% të totalit të fondeve jo publike të siguruara për fushatën.

2. Informim në kohë reale mbi donacionet monetare të fushatës. Në fakt ky lloj rregullimi ka bazë në Kushtetutë, neni 9, paragrafi 3, i cili parashikon shprehimisht Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike. Ky rregullim ka qenë më herët edhe në Kod, por është hequr me ndryshimet bëra për nenin 90 paragrafi 1 kur dikur thuhej: Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike. Me ndryshimet e bëra me Ligjin Nr. 74.2012, datë 19.07.2012, kjo fjali është hequr duke krijuar regres në të drejtën për informim publik mbi mbështetësit e një partie politike përmes donacioneve, edhe përpara datës së votimit.

  1. Të shmanget me parashikim të qartë ligjor çdo marrëdhënie donacioni, subvencioni apo kreditimi ndërmjet subjekteve elektorale dhe subjekteve mediatike. Neni që parashikon konfliktin e interesit, neni 89, e përjashton subjektin që ushtron veprimtari mediatike apo që është aksioner në një subjekt të tillë, nga e drejta për të qenë donator i një subjekti elektoral. Kjo është mjaft korrekte në respekt të parimit të pavarësisë së medias dhe ndarjes së këtyre dy pushteteve. Nga ana tjetër, Neni 84, paragrafi 6 i Kodit Zgjedhor krijon një burim financiar shtesë për partitë e rëndësishme politike. Media detyrohet me ligj të dhurojë një pjesë të minutave për partitë që kanë konsumuar kundrejt pagesës një kohë të caktuar reklame. Ky nen duhet shfuqizuar pasi: 1. krijon një marrëdhënie dhurimi kontradiktore me rregullimin e nenit 98; 2. krijon vështirësi në monitorim; 3. është përdorur në mënyrë arbitrare edhe në zgjedhje për pushtetin vendor, ndërkohë që ligji e parashikon vetëm për zgjedhjet e përgjithshme; 4. nuk jemi në situata ku partitë kanë mungesa dhe vështirësi në mbulim të kostove financiare të reklamës, reklama politike është bërë tepër masive në emetime mediatike të fushatës dhe do ishte mirë që të orientohet çdo subjekt politik drejt cilësisë së mesazhit dhe reklamës, dhe jo drejt sasisë.

Gjithashtu, jemi në kontekste të tjera ku edhe media audovizive nuk qëndron ngushtësisht në cilësinë e mediave të licencuara si media kombëtare. Ka formate të ndryshme të emetimit audioviziv bazuar në teknologjinë e re.

Po kaq i gabuar dhe kontradiktor konsiderohet edhe rregullimi për reklamën pa pagesë i bërë me ndryshimin e Ligjit për Partitë në Maj 2017, ligj që bie ndesh me Kodin aktual.

Kodi i ri elektoral, do të duhet të respektojë në mënyrë shteruese ndalimin e pozicionimit të donatorit për subjektet mediatike. Subjektet mediatike duhet të jenë palë të partive dhe subjekteve elektorale vetëm përmes kontratave tregtare, të cilat do ishte mirë të ishin gjithashtu të aksesueshme nga publiku për rastin e kontraktimeve në fushatë zgjedhore. Po kështu, duhet parë me kujdes edhe situata e faturave të papaguara dhe situatave debitore. Subjektet tregtare e kanë të drejtën e tyre të kërkimit të detyrimeve, por kur subjekti debitor është një parti politike me pushtet, kërkimi i debive është një çështje e mundshme intimidimi dhe influence. Për të mos lejuar situata të tilla, ku borxhi kthehet në donacion, ligji zgjedhor duhet të parashikojë edhe ndërhyrje të KQZ-së gjatë shpërndarjes së fondit vjetor apo zgjedhor për partitë, duke i dhënë prioritet në likuidim të detyrimeve të deklaruara si të njohura e të papaguara gjatë fushatës. I njëjti prioritet likuidimi me fondet publike duhet të jetë edhe për debitorë të palikujduar të fushatave që nuk janë subjekt mediatik.

4. Rregullim më efikas i rasteve të parashikuara si konflikt interesi për donatorët. Të vendosen parashikime ligjore më të zgjeruara për parandalimin; deklarimin dhe kontrollin e konfliktit të interesit për Donatorët. Kodi Zgjedhor përmes nenit 89 parashikon disa situata të ndaluara. Ky nen kërkon rregullim dhe zgjerim të parashikimeve. Kështu, fjala ‘aksionar’ do ishte mirë të zëvendësohej me fjalën ‘zotërues’. Përveç parashikimit për kontrata dhe fonde publike të parashikohej si konflikt interesi edhe rasti i përfitimeve nga programe të subvencionit publik; kreditimit të garantuar me fonde publike; përfitues në privatizime të aseteve publike; përfitues nga legalizime; përfitues nga programe publike në dobi të biznesit. Etj.

5. Parashikimi ligjor i verifikimit administrativ për rastet e konfliktit të interesit. Do të ishte me vend që KQZ-ja të kishte kompetencë për verifikim dhe hetim administrativ përmes kërkesës për informacion pranë institucioneve publike në lidhje me respektimin e parashikimeve dhe ndalimeve si konflikt interesi. Verifikim pranë tatimeve mbi debitorët; pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike mbi kontrata publike; pranë Regjistrit Koncesionar për kontratat koncensionare dhe kështu me radhë. Gjithashtu edhe sanksioni për donatorët në rast të deklarimit të rremë të mospasjes së konflikt interesi është një sanksion që duhet të parashikohet në Kod.

6. Afate më realiste të periudhës nën raportim të fushatës zgjedhore. Në kontekstin aktual, Kodi njeh si periudhë për raportim dhe auditim zgjedhor periudhën 30 ditore. Ndryshimet në Ligj krijuan premisa, por jo detyrim ligjor për një periudhë më të gjatë. Mirë është që ky afat të rregullohet me ligjin zgjedhor dhe afati i raportimit financiar për shpenzime zgjedhore të jetë më i gjerë se sa 30 ditë përpara fillimit.

7. Kufizimi i totalit të shpenzimeve zgjedhore është i pabazuar, sjell premisa për mosdeklarim. Nuk kemi pse të kemi kufizime të tilla. Le t’u japim mundësi Partive dhe Subjekteve të legalizojnë dhe të tregohen transparentë në raportimin e mbështetjes dhe mundësive të tyre për të siguruar instrumente financiare të ligjshme për fushatën. Mbledhja e fondeve për subjektet elektorale në fushatë nuk duhet parë vetëm si mundësi, por edhe si një shprehje e besimit të votuesve edhe përmes donacioneve. Propozohet kështu shfuqizimi i paragrafit 3 të nenit 90.

8. Ruajtja e financimit miks fonde publike dhe jopublike për subjektet elektorale. AIS nuk mbështet propozime për të kaluar në financim me një lloj burimi financiar për fushatën. Jemi kundër propozimeve për të mbuluar plotësisht me para publike fushatat, pasi kjo i bën partitë të identifikohen me subjekte buxhetore shtetërore.

  1. Rregullim më i qartë i burimit të financimit përmes kredive dhe deklarimit të të dhënave të kreditimit përmes një regjistri të posaçëm. Neni 87/1, pika çKreditë”. Do të duhet të parashikohet edhe deklarimi i të dhënave të kreditimit duke paracaktuar dhe listuar kategoritë e të dhënave për deklarim. Garantët e kreditimit, kushtet, afatet, barra siguruese, forma e aplikimit, të dhëna të identitetit të subjektit kreditues. Duhet parashikuar a mund të merren kredi në institucione jo të licencuara për veprimtari financiare; duhet saktësuar a lejohet kreditimi apo garantimi i tij nga subjekte të huaja.

 10.  Të konsiderohet mundësia për raportim financiar edhe sipas degëve të partive politike në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe sipas shtabeve të kandidatëve për kryebashkiak, në rastin e zgjedhjeve lokale. Ky parashikim nuk është në Kod dhe as në ligjin Për Partitë Politike. Do të ishte e vend që të kërkohej një disiplinim më i mirë i raportimit financiar sipas zonave elektorale.

 11. Ligji Zgjedhor (Kodi) do të duhet të vlerësojë më qartë nëse pranon dhurime nga subjekte të regjistruara si organizma jofitimprurës (jo qeveritare). Kodi nuk ka ndonjë ndalesë. Po kështu ligji për OJF ka rregullime jo shteruese. Aktualisht në disa vende të rajonit dhe Europës konsiderohet si shqetësim financimi i partive politike me fonde me burim të huaj përmes OJF lokale. Ligjvënësi do ishte mirë që edhe pse nuk kemi shqetësim aktual të evidentuar të konsiderojë mundësinë e një rregullimi ndalues apo të mirë rregulluar.

 12. Ligji do të duhet të kërkojë raportim të saktë të shpenzimeve dhe kontraktorëve në raste kur ato janë subjekte të huaja. Në secilin nga këto raste të kërkohet raportim me një format të veçantë të identitetit të kontraktonit; përkatësia e të drejtës tregtare që rregullon ekzistencën e këtij kontraktori; të dhëna financiare të kontratës dhe të dhëna objekti i kontratës.

Në mbyllje, ju falënderoj edhe një herë për mundësinë për dëgjesë dhe konsultime dhe ju siguroj se mbetemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë në vazhdim të procesit të konsultimit, hartimit dhe miratimit të ndryshimeve ligjore për reformën zgjedhore.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan