Demokraci, mbrapa kthehu!
Nga Armend Bekaj, botuar ne Koha.net, 20 mars 2018
Diktaturat dhe sistemet politike moniste janë relikt i së kaluarës. Koha kur shteti është udhëhequr nga një burrë i vetëm për disa dekada me radhë është mbrapa nesh. Zakonisht me vdekjen e liderëve të tillë ka perënduar një sistem i tërë politik, duke iu hapur rrugë reformave thelbësore në shoqëri apo duke e zhytur atë në kaos me kosto të lartë njerëzore e ekonomike. Kështu ka ngjarë me shumicën e diktaturave komuniste, juntave latino-amerikane, apo me tiranët vendorë të post-kolonializmit afrikan. Kështu ngjanë edhe sot e kësaj dite me ato mbeturina të sistemeve moniste e diktatoriale që ende pluskojnë nëpër botë. Por ato përbëjnë përjashtim nga norma e qeverisjes së tashme, që zakonisht i ikën monizmit dhe diktaturës flagrante dhe të egër. Për shembull, para ca vitesh pamë shpalosjen e beftë të revolucioneve nëpër botën arabe që çoi deri te rrëzimi nga froni i Ben Alisë në Tunizi, Mubarakut në Egjipt apo Gadafit në Libi. Së fundi pamë se si ushtria e dëboi nga posti diktatorin 94-vjeçar të Zimbabvesë, Robert Mugabe, pas afro dyzet vjetësh në krye të shtetit. Dhe, natyrisht, sot kemi edhe rastet e pakta të diktaturave klasike, siç është ai i Koresë së Veriut. (Kjo e fundit, për nga niveli i paranojës, izolimit grotesk dhe gatishmërisë për sakrificë kolektive në emër të një ideali anti-imperialist, na kujton Shqipërinë e viteve ’60-70). Kuba, tash pas vdekjes së Fidel Kastros, mundohet ende të mbajë gjallë lavdinë e një revolucioni tashmë të rrezitur nga pesha e ndryshkut ekonomik dhe varfërisë sociale, por është vetëm çështje kohe para se shoqëria atje të hapet për gara pluraliste për pushtet.
Por kjo nuk do të thotë se gjithë këto ish-diktatura sot janë shndërruar në demokraci të harlisura. Nuk do të thotë se drejtësia dhe sundimi i ligjit nuk vazhdojnë të jenë pre e tendencave politizuese e korruptuese nga kapës të ndryshëm të shtetit. Në fakt, përderisa është e qartë se bota sot është më demokratike sesa 20 apo 30 vjet më parë, sfidat për konsolidimin dhe ruajtjen e demokracisë janë duke u bërë çdo herë e më komplekse e të shtresëzuara. Dhe përderisa është e qartë se kurrë më shumë njerëz se sot nuk kanë jetuar në sisteme demokratike, shumë shtete janë duke u përballur me populizëm në ngritje e sipër, me valë të paprecedentë refugjatësh, me një rini që ndihet çdo herë e më e çinteresuar dhe e tëhuajësuar nga politika, apo me kërcënimet çdo herë e më komplekse që vijnë nga luftërat kibernetike.
Raporti i Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Elektorale (International Institute for Democracy and Electoral Assistance – International IDEA) i titulluar “Gjendja Globale e Demokracisë” (Global State of Democracy – https://www.idea.int/gsod/), i publikuar në nëntor 2017, në mes tjerash e përshkruan këtë trajektore të zhvillimit nga diktatura në shoqëri në tranzicion, nga sisteme moniste dhe me qeverisje të mbyllur në shtete në demokratizim e sipër. Mirëpo, rreziku që iu kanoset këtyre shteteve është që ato të ngecin në një purgator gjysmëdemokratik apo kinsedemokratik, në të cilat elita politike luan lojën e një demokracie fasadë mbrapa së cilës fshihet një sistem plotësisht i kapur nga tentakulat autoritare të asaj elite. Pra, kohërat e sotme nuk prodhojnë diktatura në kuptimin klasik të kësaj fjale. Ato janë duke prodhuar sisteme perfide, në të cilat demokracia rrëshqet (“democratic backsliding”), apo kthehet mbrapsht dhe bëhet karikaturë e vetvetes. Pse ndodh kjo? Ndodh sepse elita politike ka mbushur mend. Ajo nuk ka nevojë të ushtrojë terror mbi popull, që ta mbajë atë nën kontroll. Madje, nuk është e nevojshme as që të ketë sistem njëpartiak. Përkundrazi, sot sistemi pluralist mundëson zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa pushteti është i pari që bën thirrje që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Por nën sipërfaqen e kësaj shtirjeje, normat dhe rregullat e sistemit demokratik manipulohen ashtu sa që vështirë se mund të flasim për një demokraci të mirëfilltë, por në fakt për një sistem autokratik apo autoritar të qeverisjes. Dhe pikërisht këtu, nën vellon e kinse-demokracive, nën petkun e paqes dhe stabilitetit shoqëror, fshihet natyra autoritare e qeverisjes së elitës politike.
Monotonia mbytëse e sistemit autoritar
Rrëshqitja mbrapa e demokracisë është duke ndodhur edhe në shtete më të konsoliduara politikisht dhe institucionalisht. Në Poloni jemi duke parë një interferim çdo herë e në rritje të pushtetit në fushën e sundimit të ligjit. Në emër të një ripërtëritjeje të identitetit polak, pushteti e ka parë të udhës që të censurojë mediat të cilat konsiderohen armike të pushtetit. Ngjashëm, Hungaria është duke anuar çdo herë e më shumë kah e djathta politike, duke bërë thirrje për ruajtjen e qenies hungareze dhe evropiane karshi “rrezikut” që kinse i kanoset nga refugjatët dhe Islami. Me sjelljet e tyre autoritare, këto dy shtete anëtare të BE-së janë duke cenuar drejtpërdrejt parimet mbi të cilat është ndërtuar ky Union, siç janë të drejtat e njeriut apo ndarja e qartë e pushteteve. Madje edhe në Amerikën e Trumpit, analistë e shkollarë vazhdojnë të debatojnë për rastet kur normat dhe proceset demokratike pësojnë dridhje si rezultat i një qeverisjeje kryekëput tekanjoze e pa vizion të lidershipit aktual të atij vendi.
Rrëshqitja mbrapa në demokraci është edhe më e lehtë në shtete që janë ende në demokratizim e sipër. Aty ku normat dhe përvoja demokratike është ende e freskët, mundësia për manipulim dhe shtrembërim të ligjeve është më e madhe. Në Ballkanin Perëndimor, kjo tendencë për manipulim që shpie drejt një qeverisjeje autokratike vërehet te secili shtet. Në Serbi tashmë dihet se Vuçiçi e ka konsoliduar veten në një autokrat të rafinuar, i cili së bashku me klikën e vet mban nën kontroll të rreptë gjithë biznesin, shërbimet sekrete dhe, rrjedhimisht, edhe spektrin politik dhe mediat. Në rrethana të tilla është e lehtë të zhvillohen zgjedhje demokratike, pasi rezultati i tyre është i predeterminuar. Politika në Shqipëri, në anën tjetër, vazhdon avazin e vjetër të luftës së brendshme për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga krimi i organizuar dhe droga, luftë që shpesh ngjan e pafund dhe e pashpresë. Maqedonia, përkundër ndërrimit të pushteteve, vazhdon ta ketë problem inert implementimin e programit që do t’u jepte të drejta të plota dhe të barabarta komunitetit shqiptar atje.
Dhe në fund Kosova, ku zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike tashmë janë bërë mjaft të realizueshme, edhe pse me ca ngecje teknike të shënuara aty-këtu. Por mbajtja e zgjedhjeve, në fakt mbarëvajtja e tyre, edhe pse esenciale, janë vetëm një kriter që duhet plotësuar në mënyrë që sistemi të fillojë t’i ngjasojë demokracisë. Kritere tjera po aq të rëndësishme përfshijnë qeverisjen reprezentative, respektimin dhe promovimin e të drejtave fondamentale të njeriut, kontrollin demokratik mbi pushtetin, administratën e paanshme dhe apolitike, dhe një përfshirje të gjerë në vendimmarrje (International IDEA 2017). Të gjithë indikatorët e organizatave ndërkombëtare e vendore tregojnë se në këto kritere, dhe jo vetëm, Kosova ngec seriozisht mbrapa. Zgjedhjet ende perceptohen si formalizim sa për sy e faqe i kalkulimeve të nëntokës politike mbi koalicionet dhe ndarjen e kulaçit të pushtetit. Me fitoren e zgjedhjeve mendësia dominuese është se shumica parlamentare gëzon të drejtën absolute për marrjen e vendimeve, pa marrë parasysh sa kontroverse janë ato. Kjo me fjalë të tjera paraqet tirani të numrave, që nuk e sheh të nevojshme krijimin e një klime gjithëpërfshirëse të debatit që do të rezultonte në vendimmarrje me kredibilitet dhe legjitimitet të shtuar në sytë e publikut. Parlamenti, si organi suprem ligjvënës dhe mbikëqyrës i Ekzekutivit, shndërrohet në institucion të flashkët dhe joefikas në shërbim të aprovimit formal të vullnetit të pushtetit. Në anën tjetër, sundimi i ligjit është diskriminues ndaj të dobëtit dhe të varfrit, por i verbër ndaj krimeve të peshqve të mëdhenj. Mediat në përgjithësi janë të lira të raportojnë e të kritikojnë sa të duan, gjë që jep përshtypjen e fjalës së lirë. Por, në fakt, ato shpesh janë mjet ekzekutues nën komandën e elitës politike që përdoret kundër komponentëve të ndryshëm të po të njëjtës elitë. Paqja dhe stabiliteti social ofrojnë një pasqyrë të rrejshme të një vendi tashmë të demokratizuar, gjë që nuk është plotësisht e vërtetë. E vërteta, e ditur nga të gjithë si në kafe, në punë apo në gjirin familjar, është se sistemi kinse demokratik manipulohet nga rrjetet joformale që kanë lidhje me nëntokën, dhe të cilët shtrihen nëpër parti politike, Qeveri e sistem të drejtësisë. Kjo qetësi e kamufluar, kjo rehati sipërfaqësore e mbulon më mirë sistemin autoritar të qeverisjes, dhe për më shumë e bën këtë duke u thirrur në vlera të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
* * *
Gjersa diktaturat dhe sistemet moniste janë në zhdukje e sipër, ato nuk janë duke u zëvendësuar domosdo me demokraci të konsoliduara. Në vend të kësaj shpesh jemi duke parë krijimin e sistemeve kuazidemokratike, në të cilat mbretëron fasada e demokracisë dhe pluralizmit politik, por të cilat janë pre e manipulimit të sistemit nga nëntoka politiko-kriminale. Autoritarizmi në rrethana të tilla është më vështirë i identifikueshëm, sepse në rrethana të tilla pushteti, zakonisht, nuk vret, nuk persekuton në mënyrë aktive. Në përgjithësi mediat lejohen të shprehin mendime kundër pushtetit, shoqëria civile bën punën e vet si mbikëqyrëse e Qeverisë, ndërsa shtyllat e pushtetit duken se funksionojnë të ndara nga njëra-tjetra. Mirëpo, pikërisht kjo monotoni e një përditshmërie kinse të zakonshme e bën pushtetin më perfid në kapjen e shtetit nga mbrapa, duke manipuluar dhe abuzuar me rregullat demokratike të lojës. Shumë liderë të botës janë duke e luajtur këtë lojë, madje edhe të shteteve me histori të konsoliduar demokratike e institucionale. Kosova nuk është imune në këtë lojë; në fakt ajo gjendet kryekëput në një kategori të tillë të demokracisë së rrëshqitshme, ende pa u konsoliduar ajo.